Në panelin e liderëve në Bled Strategic Forum

Kryeministri Edi Rama në panelin e liderëve në Bled Strategic Forum, për të ardhmen e Europës dhe zgjerimin:

 

*Së pari, më lini të përpiqem që t’iu jap disa buzëqeshje në këtë atmosferë të zymtë, sepse në Ballkan ka diçka që besoj duhet ta ruajmë fort, që ne mund të buzëqeshim e të qeshim edhe kur vuajmë, ç’ka pjesëtarët e Bashkimit Europian nuk janë në gjendje ta bëjmë. Po e kam fjalën për gjermanët.

Dikush u afrua e takoi një euro-optimist dhe euro-pesimist në ditët e sotme. E pyeti euro-optimistin se cila ishte pikëpamja e tij për zgjerimin. Ai tha se Turqia do të hyjë në BE ose nën presidencën e Maqedonisë së Veriut apo nën presidencën e Shqipërisë dhe pastaj euro-pesimisti sërisht u pyet dhe tha që të dyja ato do hyjnë në BE, kur ta ketë presidencën Turqia. Kështu që e kemi gjetur mënyrën për t’u përballur me këtë mishërim të Beckett-it përmes BE-së.

BE-ja është Samuel Beckett-i ynë, ne po presim Godonë. Nuk e di kush është Vladimiri apo kush Ekstragoni, unë apo Zorani, por sigurisht që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë si këto dy karaktere në dramën e Beckett-it , ku njëri thotë: “A do ikim” tjetri thotë: “Eja të ikim” dhe Becketti thotë: “Askush nuk lëviz nga vendi”.

E  bukura e kësaj është se Becketti mund të shfaqet në Bashkimin Europian përmes ngjyrave e kombeve të ndryshme, së fundi është Bullgaria, por ne jemi këtu për të luftuar. Pse për të luftuar? Sepse ne nuk po kërkojmë licencë për të qenë europianë, ne jemi europianë.

Çfarëdo të mendojnë njerëzit pjesë e BE-së, çfarëdo të thonë njerëzit në BE, ne jemi europianë dhe sinqerisht, i jam shumë mirënjohës Kryeministrit këtu dhe Presidentit sigurisht, sepse më në fund, në këtë diskutim për të ardhmen e Europës, ne u ftuam.

Natyrisht është një takim anësor, nuk është kryesori, pasi është shumë dramatike dhe shumë qesharake të shohësh Bashkimin Europian të angazhohet në diskutime për të ardhmen e Europës dhe ne nuk ftohemi. Së paku, për mirësjellje të ndryshojnë emrin, e ardhmja e Bashkimit Europian, sepse nëse është e ardhmja e Europës, ne jemi Europë dhe nuk ka asnjë të ardhme të Europës pa Ballkanin Perëndimor brenda Bashkimit Europian.

Nëse Bashkimi Europian do të vazhdojë kështu, nuk do jetë mirë për ne, por do të jetë edhe më keq për BE-në. Kjo jo sepse po i jap Ballkanit Perëndimor të gjithë atë peshën me të cilën e kemi parë njëri-tjetrin kur ishim të izoluar, por sinqerisht po them që ju përmendët në fillesë etërit themelues e nuk mund të rri pa thënë që, nëse do çoheshin etërit themelues e do ndiqnin këtë diskutim për të ardhmen e Europës, do mendonin që më mirë të ishim vdekur sesa gjallë.

Unë nuk kam prova, por po kthehen përmbys në varr. Ç’e ardhme e Europës, për çfarë po debatojmë? Si puna e atij priftit në Kostandinopojë, kur po shembeshin muret dhe diskutonin seksin e engjëjve? Më falni që po tregohem kaq ballkanik, por kjo është gjëja e mirë e të qenit europian nga Ballkani, sepse nuk e humbet asnjëherë ndjenjën e humorit edhe brenda tragjedisë.

Jo faleminderit, nuk kam mbaruar sepse të paktën këtu në Slloveni, këtu në Bled, ne mund të marrim ca nga koha që nuk na e kanë dhënë në diskutimin për të ardhmen e Europës për kaq gjatë.

Kështu që do ta përmbyll me këtë. Ju lutem, mos përmendni më aktorët e tretë, faktorët e tretë sepse është shumë qesharake.

Nga njëra anë na thuhet se na duan. Na doni? Mirë. Nuk na thonë që ju duam dhe ne. Na thonë se jeni të rëndësishëm për ne. Na thonë se një ditë do martohemi me ju, por deri atëherë, as nuk flasim dot bashkë, por as nuk iu flisni dot të tjerëve.

Natyrisht, kjo kërkon të sprovojë dhe testojë karakterin e besnikërinë tonë, por nuk funksionon kështu. Askush nuk po vjen në vete. Ne nuk po flasim të bëhemi anëtarë. Kur ne të bëhemi anëtarë, Macron që është më i riu do jetë duke shkruar kujtimet. Po flasim për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.

Unë do të përfitoj nga rasti dhe do t’i kërkoj Presidentit të Bullgarisë. Ju lutem ju bullgarët mos jeni kaq tipikë të BE-së, bëhuni ballkanas. Hapni rrugën. Çfarë po përpiqeni të shpëtoni? Hapini rrugën bisedimeve, na lini të flasim me ta dhe pastaj ju mund të bëheni ballkanikë dhe të dilni e të vini pengesa dhe të bllokoni, por hapni rrugën.

***

Kryeministri Edi Rama: Doja të thoja që në të gjithë procesin vendimmarrës dhe të gjitha diskutimet që lidhen me zgjerimin kanë një elefant të madh në dhomë. Etërit themelues u nxitën nga idealizmi dhe objektivat, ndërkohë që forca nxitëse tani është nacionalizmi dhe sondazhet. Kur flas për nacionalizmin, nuk e kam fjalën domosdoshmërish për qeverinë nacionaliste, e kam fjalën për qeveri dhe udhëheqës, të cilët tremben nga nacionalizmi në vendet e tyre e përpara sesa të flasin për ndonjërin prej nesh, u hedhin një sy sondazheve. Sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër që dukemi se jemi shumë të korruptuar kur vjen ndonjë zgjedhje në ndonjë prej këtyre vendeve. E kur përfundojnë ato zgjedhje, atëherë, këto vende na thonë që jeni në rregull. Por në momentin që jemi në rregull, është një vend tjetër që ka zgjedhje dhe kështu vazhdon. Jam mjaft i sigurt që, pasi të mbyllen zgjedhjet, situata do jetë shumë më pozitive për Maqedoninë e Veriut dhe me shpresë nuk do t’u kërkohet të ndryshojnë sërish emrin në Bullgari Perëndimore. Faleminderit!

 

*Përkthim simultan