Në prag të hapjes graduale të jetës ekonomike

Komunikim i Kryeministrit Rama në prag të tre javëve shumë të rëndësishme, për hapjen graduale të jetës ekonomike:

 

Të dashur miq, përsëpari ju falenderoj! Ju falenderoj përsëri e përsëri, për gjithçka keni bërë deri këtu! Ju duhet ta besoni, ju lutem ta besoni! Nëse nuk do të më kishit dëgjuar dhe besuar, duke bërë atë që keni bërë deri këtu, sot do ishim në rastin më të mirë, me mesatarisht largqoftë, 9 të vdekur në ditë dhe në rastin më të keq, me mesatarisht 16 të vdekur në ditë. Po jo vetëm kaq, po do kishim hyrë në spiralen e një infektimi progresiv të mjekëve e të infermierëve që do na kishte këputur krahun e luftës. Po akoma më tepër, ne sot jo nuk do të mund të flisnim dot për hapje, po do të vuanim stresin e pafundmë të një mbylljeje në kushte ankthi e paqartësie totale, që mund ta zgjaste zinxhirin e vdekjeve deri përtej 1500 të vdekur në 90 ditë, s’po shkoj përtej 90 ditëshit, po të doni bëjeni vetë numërimin.

Pse jua them këto?! Së pari, sepse dua të ndjeheni vërtetë mirë, të ndjeheni shumë, shumë mirë që sot jemi këtu ku jemi dhe më besoni, i gjithë stresi i vetvetishëm ekonomik do ishte ku e ku më i lartë se sot nëse nuk do të kishim bërë gjithçka kemi bërë sëbashku. Shkurt llafi, ju sot jeni të mërzitur, mëse normale, por, ama, askush nuk është i dëshpëruar, sepse ia kemi dalë mrekullisht! Po, po, mrekullisht dhe ja ku jemi, shëndosh e mirë e kjo nuk është pak, kjo është shumë, është gjithçka në këtë situatë të jashtëzakonshme. Disa nga ju mërziten, madje shpërthejnë në sharje, në akuza e në mallkime, kur unë ju them se askush nuk ka vdekur për bukë në këtë vend, qysh nga koha e Skënderbeut! Kjo nuk është cinike, nuk është as arroganca e të parit të gjërave nga larg, apo nga lart, po është thjesht një e vërtetë që duhet mbajtur fort parasysh në këtë kohë lufte dhe që kurrsesi nuk do të thotë se nuk ka familje të varfra, nuk ka familje që mezi e sigurojnë bukën e gojës, aq më tepër në këto kushte, përkundrazi. Por ama, ndjesë për përsëritjen, po si ua ha mendja atyre që thonë “po vdes populli për bukë”? Kishte më shumë, apo më pak bukë populli gjatë viteve të luftës nacional-çlirimtare?! Mund t’ju duket krahasim i tepruar, por nuk është. Kishte më shumë, apo më pak bukë populli edhe gjatë viteve pas luftës apo në vitet e fundit të komunizmit, kur e kujtojmë mirë, hahej me racion e në dyqane kishte vetëm presh e patate me bollëk, ndërsa për të tjerat ishte radhë e gjatë dhe kap çfarë të mundesh?! Dhe as në luftë, as më pas, në periudhat më të zeza ekonomike të komunizmit, apo të tranzicionit, askush nuk vdiq për bukë. Nga ana tjetër, ne mbase nuk kemi arritur t’i ndihmojmë të gjithë, mbase, si gjithnjë dhe kudo në botë në raste të tilla, ka pasur edhe abuzime, por po të shihni listat e verifikuara të njerëzve që janë ndihmuar drejtpërdrejtë me ushqime, pa llogaritur dyfishimin e ndihmës ekonomike, do të besoni njësoj si unë që kemi ngritur në këmbë operacionin më masiv të mbështetjes shtetërore të njerëzve më në nevojë në historinë e këtyre 30 vjetëve. Pra, me pak fjalë, shëndeti mbi të gjitha, thonë të moçmit dhe falë të gjithëve ju, sot mbi të gjitha është krenaria legjitime për bilancin e derikëtushëm të kësaj përpjekjeje kombëtare, në funksion të mbrojtjes së shëndetit.

Së dyti, jua them sot se sa keq do ishim po të mos kishim bërë gjithçka kemi bërë deri këtu, sepse dua t’ju them se teksa po fillojmë të hapemi, nuk duhet ta harrojmë për asnjë moment se secili, çdonjëri prej jush, duhet të jetë i vetëdijshëm që bilanci i sotëm mund të përmbyset nëse ne e harrojmë që armiku i padukshëm është mes nesh, është kudo, është në çdo moment i gatshëm të përfitojë nga gabimi më i vogël që dikush bën. Prandaj edhe ne vendosëm një kornizë të re masash ndëshkuese, penale dje në Kuvendin e Shqipërisë. Ka disa tipa që nuk ndryshojnë e nuk reflektojnë në asnjë kohë e për asnjë arsye, sepse nuk i lë mllefi, injoranca, ligësia natyrale, apo vetëdija e gabuar se mund tu japin mend të tjerëve dhe janë më të zotë se cilido kryeministër e cilado qeveri e mundshme. Këta tipa, qofshin ngelësa tipik me profil fallso në “Facebook”, apo qofshin analistë me profil të lartë në “Skype”, që jo vetëm janë gjithnjë kundër, po janë njësoj në gatishmërinë për të akuzuar, u hodhën përpjetë për të mbrojtur demokracinë nga mbushja e një vakuumi në Kodin tonë Penal, i cili deri dje ishte i vetmi Kod Penal në Europë pa asnjë rresht për një situate epidemie. Nuk kam asnjë problem me ta, problemin ata e kanë me veten dhe jo unë, po as Zoti nuk ua zgjidh dot derisa të kenë frymë! Arsyeja pse po flas për ta, lidhet me nevojën që t’ju siguroj e t’ju kërkoj të më besoni, se Kodi Penal për situatën e epidemisë ka vetëm një qëllim: Mbrojtjen e jetës e të shëndetit tuaj, të familjes suaj dhe të popullit tonë nga abuzimet që mund të kërcënojnë e rrezikojnë drejtpërdrejtë secilin prej jush, prej familjeve tuaja dhe shumë të tjerë rreth e rrotull jush!

Sot dua t’ju jap një provë të thjeshtë për faktin se ndëshkimet në këtë situatë nuk janë as një dëshirë e shpirtit tim “diktatorial”, as një plan i mendjes sime për tu bërë si Enveri, sic më akuzojnë tipat e lartpërmendur, por thjesht një domosdoshmëri për ta forcuar unitetin e disiplinën kolektive në këtë luftë, ku një pakicë krejt e vogël s’mund të lejohet të gërryejë forcën e madhe të rezistencës popullore ndaj armikut të padukshëm dhe të hedhë në lumë gjithë këtë përpjekje të përbashkët, duke mbjellë vdekjen në trupin e njerëzve të pafajshëm.

Janë ekzekutuar deri tani 7107 gjoba për këmbësore dhe 1941 gjoba për drejtues automjeti, të cilat janë shoqëruar me pezullim leje drejtimi për 3 vjet dhe bllokim të automjetit. Ne sot kemi vendosur mosekzekutimin e të gjitha këtyre gjobave dhe kthimin tek të gjobiturit të të gjitha patentave e mjeteve të bllokuara. Javën e ardhshme, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal për situatën e epidemisë, të gjithë qytetarët, pa përjashtim, le të startojnë të gjithë të barabartë, në fazën e dytë të kësaj lufte, kur hapja graduale do të shoqërohet patjetër edhe me mundësinë e ndëshkimeve shembullore për të cilat nuk do të ketë më asnjë kthim pas. Le të themi çfarë iku, iku dhe në fund të fundit edhe ata që gabuan le të marrin të drejtën e të qenit të padyshuar si të pabindur, apo si të papërgjegjshëm dhe thjesht le të kthehen si të gjithë të tjerët në të njëjtin start. Ama, kush nuk do të doje të jetë njësh me interesin e popullit dhe të vendit do ta paguajë me të gjitha pasojat tanimë të rënda edhe penale që parashikohen nga çka miratuam dje në Kuvendin e Shqipërisë, sepse asnjë hapje nuk mund të kthehet në hapje rruge për infektimin e njerëzve nga këmbësorë të papërgjegjshëm, nga drejtues të pabindur automjetesh, nga sipërmarrës, apo dyqanxhinj të pavëmendshëm për të mbrojtur shëndetin e personelit dhe të konsumatorit.

Si do të hapemi? Sot kam pasur dy biseda shumë të dobishme me dy miq të mirë, më të zotë e më të ditur se unë, Kancelarin e Austrisë dhe kryeministrin e Suedisë. Të dy më kanë komplimentuar për bilancin e Shqipërisë në këtë situatë, sepse është fakt që të dhënat e vendit tonë, qoftë për jetët e humbura për 1 milionë banorë, qoftë për nivelin e ngarkesës së sistemit tonë shëndetësor, e rendisin sot për sot Shqipërinë, në radhën e vendeve me bilancin më të mirë të mundshëm në këtë luftë botërore. Por s’është kjo arsyeja pse po ju informoj për këto dy biseda të sotme. Austria është një vend që ka një strategji thuajse të njëjtë me ne, ndërsa Suedia, e dini, është një vend që ka një strategji krejt të ndryshe por dhe unikale, botërisht të njohur si e ndryshme nga të gjitha vendet e botës në përballimin e kësaj situate. Kam dëgjuar e shënuar me vëmendje opinionet e të dy miqve, të cilat më vlejnë, sikundër dhe opinionet e marra nga ata dhe miq të tjerë gjatë kësaj kohe për të verifikuar planin tonë të hapjes mbi bazën e informacioneve të marra drejtpërdrejtë nga udhëheqës që janë në vijën e parë të kësaj përpjekjeje në vendet e tyre. Dy gjëra me shumë rëndësi dua t’i ndaj me ju: E para, hapja graduale, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm, ka të panjohurën e saj, pra riskun e saj, që do të thotë se duhet ta dimë të gjithë që ekziston edhe mundësia e rikthimit këtu ku jemi, nëse do të mësojmë rrugës që numri i infektimeve do të rritet jashtë një parashikueshmërie të arsyeshme që natyrisht të gjithë do ta marrin parasysh.

Pra, të jemi të qartë, asnjë vend, asnjë ekspertizë, asnjë teori, nuk thotë se për sa kohë ka jetë infeksioni do të zhduket pa dalë vaksina. Në njëfarë mënyre, mund të thuhet se qysh se ka nisur kjo përballje me këtë armik të padukshëm, shoqëritë tona do të bashkëjetojnë më rrezikun e infektimit, duke bërë gjithçka për ta mbajtur atë në kontroll. Virusin nuk e zhduk asnjë magji dhe asnjë mbyllje hermetike brenda, po e asgjëson vetëm vaksina. Ama varet nga ne, nga të gjithë ne, sa ai arrin të na dëmtojë dhe natyrisht, nëse ne mbrohemi fort dhe ruhemi si duhet kur dalim nga shtëpia, dëmet në jetë njerëzish e vuajtjet nëpër spitale dhe të gjitha pasojat e tjera ulen shumë ndjeshëm.

Dhe këtu vijmë tek pika e dytë. Distancimi social i gjithsecilit, respektimi i rregullave elementare që siç i kemi mësuar tani përmendësh, një metër distancë, laj duart, hap dritaret, duhet të respektohen jo duke menduar Kodin Penal, jo duke menduar Policinë, Inspektorët e Shëndetit, po duke menduar prindërit, duke menduar fëmijët, duke menduar të afërmit e miqtë tanë, duke menduar veten tonë. Kjo nuk është një kohë për t’ia hedhur shtetit, nuk është një kohë për ti rënë shkurt po është një kohë për ta futur mirë në kokë që çdo shkelje mund të sjellë krejt pa dashjen tënde si pasojë një vdekje përgjatë zinxhirit të infektimit nga larg qoftë brenda familjes tënde tek të tjerë në atë zinxhir kontaktesh.

Dje Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha një fjali që dua ta përsëris: Kemi mësuar shumë gjatë këtyre javëve! Imagjinoni, e thotë këtë njeriu më i fuqishëm i planetit që ka pas vetes shtetin me fuqinë më të madhe në fushën e dijes, në fushën e shkencës! Që do të thotë të gjithë ecim në këtë përpjekje si të verbrit që gjejnë rrugën hap pas hapi më një shkop dhe memorizojnë hapat që kanë hedhur, duke pasur sidoqoftë në çdo hap rrezikun që shkopi të hasë në një pengesë ku mund të rrëzohen po nuk e matën mirë hapin. Këtu dua ti kthehem për një moment dhe të gjithë atyre vërejtjeve, ankesave, qarjeve, sharjeve që pse rregullat ndryshojnë shpesh, pse nuk kemi parashikueshëri për të gjithë kohën, pikërisht sepse jemi në një dinamikë e jemi në një proces ku nuk jemi vetëm  ne por është dhe dikush përballë, përreth, mbrapa nesh, që kërkon të na çojë në spital e të na marrë jetën mundësisht.

Unë ju kërkoj ndjesë për lloj-lloj peripecish, lloj-lloj pengesash, lloj-lloj dhimbjesh koke që keni provuar gjatë këtyre javëve të paharrueshme por përsëri, të gjitha peripecitë, pengesat e dhimbjes së kokës, do të harrohen, ndërsa çka do të mbajmë mend të gjithë është si do të dalim nga kjo luftë, fitimtarë me kokën lart apo të turpëruar e kokëulur përgjithmonë. Ndërkohë, duke e ulur numrin e peripecive e të pengesave dhe shkaqet për dhimbje koke, jo mu refuzua autorizimi, jo s’më erdhi akoma paga e luftës, jo mbeta jashtë kufijve e plot të tjera, pra duke lehtësuar rrugën e lëvizjes, të punës, të riatdhesimit e me radhë, dua që ta dini së jemi më të ekspozuar ndaj rrezikut të rritjes së numrit të të infektuarve.

Prandaj ju lutem, ju lutem, ju lutem, thuajani sa më shumë vetes e njëri-tjetrit në familjet tuaja, që nuk duhen bërë numra në atë pikë të frontit të luftës ku është secili prej nesh. Sepse mjafton njëri prej jush të bëjë numra dhe numri i të infektuarve e më gjasë i vdekjeve që pasojnë mund të rritet sa hap e mbyll sytë!

Tani, nesër, duke qenë së gjithçka do të jetë e mbyllur për të gjithë sic e kemi paralajmëruar, pensionistët do të mund të dalin, jo për vizita, as për domino apo ulje shumë të rrezikshme në grup, po për ajrosje e ecje në këmbë, deri në orën 11 paradite dhe jo më shumë se me një tjetër pensionist, duke ruajtur natyrisht distancën e tyre të sigurisë. Ndërsa javën e ardhshme, në platformën e-albania do të mund të merret njësoj si për këmbësorët, një autorizim javor për të gjithë ata që janë në punët e lejuara dhe automjeti do të mund të lëvizë për vajtje/ardhje në punë me vetëm një njëri tjetër brenda në sedijen e pasme, diagonal, i cili mund të jetë vetëm një koleg në të njëjtin vend pune. Kush merr lejen duhet ta lexojë mirë pasojën penale që vjen nga shkelja e mundshme dhe duke mësuar nga eksperienca e mëparshme, ne do të bëjmë që nesër, mbase që sot pasdite, një test dhe do të provojmë mirëfunksionimin e këtij instrumenti që i jep fund një faze aplikimesh në policinë e shtetit me email ku sigurisht, edhe për shkak të shtrëngesave, edhe për shkak  të kujdesit të madh të treguar dhe nga polica, ka pasur masivisht refuzime dhe brenda atyre refuzimeve masive ka pasur dhe raste refuzimesh apo mos përgjigjesh që kanë shkaktuar ato dhimbjet e kokës që ju thashë më parë. Ndjesë për ato por shëndeti mbi të gjitha.

Po ashtu, javën e ardhshme ne do të autorizojmë edhe lëvizjen me automjet për arsye shëndetësore, duke parë që shpesh, unë personalisht dhe të tjerë kolegë, kemi ndeshur në ankesa legjitime për arsye shëndetësore. Ama ky autorizim do duhet të mbështetet nga një dokument mjekësor që drejtuesi i automjetit duhet ta mbajë me vete. Edhe për këtë, leje marrësi duhet ta lexojë mirë pasojën penale që vjen nga shkelja e mundshme.

Së treti, javën e ardhshme, do të punojnë krejt lirisht, brenda fashës së përcaktuar 5 e mëngjesit – 5.30 pasdite apo me turne, sipas natyrës së punës, të gjithë ata që nga nesër paradite, do të jenë në  kategoritë e lejuara që do të publikohen në faqen e e-albania. Të gjithë administratorët, për të gjitha bizneset në të gjitha këto kategori, duhet të sigurohen që në çdo kolektiv përbërës të një biznesi përkatës, të mësohet se cilat janë detyrat dhe të respektohet protokolli i sigurisë sipas rregullave të përcaktuara por jo vetëm kaq, por dhe të mësojnë se cilat janë pasojat penale për shkelësit e këtyre rregullave.

Së katërti, javën ardhshme, duhet të fillojmë të përgatitemi për tu hapur në javën në vazhdim, pra duke filluar nga e hëna, 27 prill, të gjitha ato kategori të tjera që do të publikohen si blloku i dytë i hapjes, në faqen e-albania po nesër.

Dhe së fundi, dua të jem shumë, shumë i qartë, nga java e ardhshme, në bazë të Kodit të ri Penal, pasojat për shkelësit e rregullave pa përjashtim ama në radhë të parë për lokalet e trimave të lagjeve, që hapen fshehurazi, do të jenë të rënda e të panegociueshme.

Motra e vëllezër, ju lutem, ju përgjërohem, të qëndrojmë me dinjitet e me vendosmëri siç kemi qëndruar deri më sot pavarësisht të gjitha streseve, pengesave dhimbjeve të kokës dhe jini të sigurt, mos e vini në asnjë çast në dyshim, se unë dhe kjo qeveri do të bëjmë gjithçka që të mos lëmë vetëm askënd dhe t’i gjendemi vëllazërisht pranë gjithkujt ndër ju. Por mbajeni parasysh, kjo shtëpi, ky shtet, kjo qeveri për pasojë, ka humbur si rezultat i kësaj lufte 100 milionë € në muajin mars, 170 milionë € pak a shumë në muajin prill dhe më gjasë do të humbasë po kaq, 170 milionë € në muajin maj dhe pak a shumë, 100 milionë € në muajin qershor. Ky është parashikimi që është në total më shumë së gjysmë miliardë euro! Nuk po ju qahem e as ankohem, as po ju them që për shkak të këtyre humbjeve do ju kthejmë kurrizin, në asnjë mënyrë jo, do bëjmë gjithçka por thjesht po ju sjell në vëmendje që si në shumë shtëpi të zakonshme edhe në shtëpinë tonë të përbashkët të ardhurat janë goditur e duke marrë parasysh se sa shumë po bëjmë e sa shumë duam të bëjmë deri në fund që t’ju mbështesim, të ardhurat janë goditur fort.

Kjo do të thotë vetëm kaq: Kur kërkoni nga unë në këto kushte të vështira për të gjithë, të mos e dyshoni që unë dua të merrni jo aq sa kërkoni, po edhe më shumë nga sa kërkoni, sepse besojeni ose jo, sot më shumë se kurrë ju jeni të gjithë familja ime dhe çfarë është e shtetit, nuk është imja, po është juaja. Po çfarë është e imja është përgjegjësia që kjo shtëpi të qëndrojë me dinjitet sot e të jetë dinjitoze dhe nesër.

Prandaj ju lutem, mos i dëgjoni as kukuvajkat që predikojnë vdekjen për bukë, as bilbilat gjyzarë që recitojnë recetat çudibërëse që detin e kthejnë në kos! Ne do ta fitojmë këtë luftë dhe lehtësimi që do të vijë pas gjithë dhimbjeve të saj, do të na bëjë të kuptojmë se sa e fortë dhe se sa e mirë mund të jetë Shqipëria! Faleminderit!