Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Zoti Kryetar i Kuvendit,

Të dashur miq dhe kolegë,

Kryetarë të partive të koalicionit të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”,

Të nderuar deputetë,

Shumë të dashur veteranë të Luftës Nacional Çlirimtare, e po ashtu vajza e djem që sot jeni këtu të pranishëm, bashkë me ne, për të kremtuar një ditë të shënuar të historisë sonë. Një ditë që është jo vetëm dita e nderimit, por edhe dita e reflektimit. E nderimit, për ata që shkruan një faqe të lavdishme të së shkuarës dhe e reflektimit për sfidat që kemi përpara, të gjithë së bashku, në emër të së ardhmes.

“Liri-demokraci” është një frazë e ngulitur fort në kujtesën e disa gjeneratave. Shumëkush mund të mendojë se është një frazë 20 e pak vjeçare, por në fakt është shumë më e hershme se kaq. “Liri-demokraci” ishte bindja dhe lufta e të gjithë atyre për të cilët fashizmi ishte një kërcënim i sovranitetit të popullit, i integritetit të kufijve, i mundësisë së bashkëjetesës në harmoni mes besimeve, bindjeve dhe vetë kombësive.

“Liri-demokraci” ishte qëllimi i përpjekjes kundër një pushtuesi dhe në fakt, i vizionit të së ardhmes që kërcënonte fuqinë e shtetit dhe të shoqërisë, e të gjithëve bashkë dhe të secilit veç e veç, për të vendosur mbi të ardhmen e përbashkët të vendit, për lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit, lirinë e organizimit, lirinë e aktivizimit, lirinë e opozitarizmit. Ishte shprehja e vendosmërisë së një brezi shqiptarësh, bashkë me gjithë bashkëmoshatarët e tyre evropianë, në luftën për liri e demokraci, si të vetmet garanci për respektimin e dinjitetit njerëzor. Ishte thirrja e brendshme e brezave përtej kufijve të shumë vendeve dhe dallimeve të shumë kombeve, por veçanërisht e brezave evropianë dhe amerikanë që u angazhuan në Luftën e Dytë Botërore, për t’i dhënë gjithçka, edhe jetën, parimeve që jetësuan më pas Bashkimin Evropian, projektin më të shkëlqyer ndërkombëtar që kontribuon për të frymëzuar jetët e miliona e miliona njerëzve dhe padyshim, për të parë kthjellët në horizont, një botë më të mirë.

Ndaj, jetët e dhëna në Luftën e Dytë Botërore na flasin çdo vit në këtë ditë. Na flasin jo për luftën, por për paqen, jo për përplasjen, por për sakrificën, jo për ndarjen, por për bashkimin, jo për vdekjen, por për jetën. Ashtu siç nënvizohet ndërkombëtarisht për jetët e të rënëve në Luftën e Dytë Botërore, ato, pa dyshim, nuk u flasin kombeve dhe popujve për epërsinë e një kombi apo një populli ndaj një tjetri, e një ushtari ndaj një civili, e një brezi ndaj një tjetri apo e një njeriu ndaj një tjetri.

28 mijë jetë shqiptare, të cilët ishin pjesë e Ushtrisë Nacional Çlirimtare apo e formave të tjera të rezistencës antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, në fakt i lanë Shqipërisë, të shkruar me gjak, programin e të ardhmes. Programin e një përpjekjeje për një të ardhme evropiane brenda një bote të lirë. Dhe si i tillë, kontributi i tyre është sot kuptimplotë dhe do të jetë gjithnjë kuptimplotë për gjeneratat e tjera shqiptare, që janë edhe gjeneratat e reja evropiane.

Ndërsa sot, në këtë ditë dhe në këtë vend, ato jetë vazhdojnë t’i shërbejnë Shqipërisë me përkushtimin ndaj vendit, që, nga thellësitë e historisë së tij, na thotë qartësisht se të tjerët janë ata që në fakt kanë bërë më shumë për Shqipërinë. Të tjerët janë ata që në fakt, kanë bërë deri dhe gjithçka për Shqipërinë. Të tjerët janë ata që në fakt, na vendosin ne të sotëmve përballë sfidës për të bërë sa mundemi për Shqipërinë.

Shqipëria e sotme është e lirë, përpiqet të jetë përditë e më demokratike, është anëtare e NATO-s, është në rrugëtimin drejt pragut të Bashkimit Evropian. Kosova po ashtu është e lirë dhe tërësisht e pavarur. Shqiptarët janë të lirë, në përgjithësi dhe vetë procesi i pandalshëm i integrimit euroatlantik është në fakt, një arritje e lidhur pazgjidhshmërisht me kontributin sublim të atyre 28 mijë djemve e vajzave të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Shqipëria e sotme në fakt është shumë më afër, se ç’ishte atëherë, me ëndrrën e atyre që ranë dhe që ne sot i nderojmë në emër të jetës që i vunë në dispozicion ëndrrës.

Për ta përmbushur atë ëndërr, sigurisht ka ende shumë rrugë dhe mbeten ende shumë punë për t’u bërë. Nëse, qoftë dhe për një moment, barra duket e rëndë, më e rëndë se ç’mbajnë shpatullat tona dhe rruga duket e vështirë, më e vështirë se ç’mban përfytyrimi ynë për ta kapërcyer atë, thirrja që vjen nga 29 Nëntori, mjafton. Mjafton për të shumëfishuar besimin dhe për të kthjelluar shikimin përballë një sakrifice. Sakrificës së dëshmorëve të kombit tonë, lidhur me një punë që është puna jonë, që në fakt është një detyrë shumë më e thjeshtë në raport me përpjekjen e tyre dhe një detyrim shumë më i zakonshëm në raport me sakrificën e tyre, më shumë sesa të jashtëzakonshëm.

Në përplasjen mes krimit më të madh dhe mirëkuptimit më të thellë që mund të prodhojë fuqia e mendjes njerëzore, ata në fakt treguan modestish, por edhe idealisht, sesi mund të përballohet vështirësia, qoftë edhe ajo më e madhja, sesi mund të ruhet kurajoja, qoftë edhe ajo më e pamundura, sesi një popull mund të jetë njëkohësisht i përunjur, por edhe i fortë dhe sesi besimi në vetvete forcohet përmes besimit që prodhon të qëndruarit bashkë. Ata, sot na tregojnë se fisnikëria dhe shtysa e brendshme për ta jetuar jetën fisnikërisht nuk është as më shumë e as më pak, sesa vetë përpjekja idealiste e njeriut më të thjeshtë për një të ardhme më të mirë, por edhe për një të ardhme të përbashkët, të respektit reciprok dhe po ashtu, se madhështia nuk është as më shumë e as më pak, sesa në fakt, përpjekja e përditshme, përmes sakrificash të përditshme, e njeriut të thjeshtë për të qenë njeri i lirë.

E sigurisht, përballë madhështisë së një lufte që e ka bërë, e bën dhe do ta bëjë gjithnjë krenare Shqipërinë, çdo fjalë është e paktë, por çdo fjalë është edhe e shumtë. Krenaria është shumë e madhe, por puna për t’u bërë të denjë për madhështinë që përcjell jehona e Luftës Nacional Çlirimtare është gjithnjë e pamjaftueshme dhe nderimi vjen si nevojë, që në fakt mund dhe duhet të jetë e përditshme, për përkushtim më të madh dhe për përulësi më të madhe. Përkushtimi e përulësia shkojnë bashkë në këtë rast, në rastin tonë dhe asnjëherë nuk do mund të themi se janë plotësisht të mjaftueshme, apo se ne kemi bërë plotësisht të mjaftueshmen për to.

Sot, në këtë 29 Nëntor të vitit 2013 nuk mund të rri pa përmendur, në gjithë modestinë e vet, sigurisht të pakrahasueshme me atë të bashkimit të atyre që lanë pas gjithçka që i ndante, për të luftuar për gjithçka që e bënte Shqipërinë të lirë dhe evropiane, bashkimin tonë, bashkimin e madh të 23 Qershorit që është nga njëra anë, mësimi për secilin nga ne e në radhë të parë për çdonjërin prej nesh që përfaqësojmë shumë e shumë të tjerë, pa mundur kurrë që të jemi mjaftueshmërisht në lartësinë e thjeshtësisë dhe të sakrificave të tyre në jetën e përditshme, duke nënvizuar nga ana tjetër, domosdoshmërinë e një vetëdijeje të përditshme për t’i dhënë atij bashkimi, që i dha Shqipërisë mundësinë të rimarrë frymë lirisht, edhe përmasën e një zhvillimi që do t’i japë Shqipërisë e shqiptarëve mundësinë për të ecur më shpejt, drejt një rilindjeje që jo vetëm është e mundur, por është detyrimi ynë. Është detyrimi ynë karshi një milion njerëzve të këtij vendi që me thjeshtësi, me kurajo, por edhe me një vendosmëri të admirueshme, përmes votës së lirë, i dhanë mundësinë vetes për t’u drejtuar nga të zgjedhurit e tyre. E pra, në emër të asaj vote, ne jemi çdo ditë e më shumë të vetëdijshëm se tek ajo votë qëndron edhe një detyrim, që mbase do të mbetet deri në fund asnjëherë plotësisht i shlyeshëm, por që është me siguri, në kohë paqeje, në rrethana tërësisht të tjera dhe sigurisht, me sakrifica pakrahasimisht më të vogla sesa ato të bashkimeve të mëdha dhe e bashkimit të madh kundër së keqes, që e vendosi Shqipërinë në krahun e duhur të historisë në Luftën e Dytë Botërore, domosdoshmërinë që ne të jemi në lartësinë e duhur.

Duke ju uruar të gjithëve, të gjithë shqiptarëve: “Gëzuar festën e madhe të 29 Nëntorit!”, por, duke dashur të sigurojmë po ashtu jo vetëm ata një milion që na votuan, por edhe të gjithë ata që nuk na votuan se “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” ka jo vetëm të gjitha arsyet, por edhe të gjitha mundësitë që të shkruajë një tjetër faqe të bukur në historinë bashkëkohore të këtij vendi, nuk gjej fjalën më të duhur për ta mbyllur këtë fjalë sesa: “Lavdi përjetë, heronjve dhe dëshmorëve të atdheut tonë!”

Faleminderit!

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë përkujtimore për të rënët në Luftën Nacional Çlirimtare, në kremtim të Ditës së Çlirimit.  

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.