Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Suedi, i ftuar nga kryeministri suedez Stefan Löfven. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri mori pjesë në dy evente të rëndësishme.

Në takimin në Dhomën Suedeze të Biznesit në Stokholm u lançua iniciativa për ngritjen e Këshillit të Investimeve dhe Zhvillimit, një nënstrukturë e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku do të marrë pjesë edhe një grup investitorësh dhe biznesesh suedeze. Qëllimi i këtij Këshilli do të jetë të asistojë qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për të rritur numrin e investimeve të huaja në vend dhe të lehtësojë e promovojë investimet suedeze në Shqipëri.

Këshilli, u shpreh Kryeministri, do të kontribuojë për rritjen ekonomike, modernizimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në Shqipëri dhe tërheqjen e investimeve suedeze. Kryeministri Rama vlerësoi si një faktor suksesi edhe faktin që Këshilli do të bashkëdrejtohet nga ish kryeministri suedez Göran Persson, një reformator i vendosur që drejtoi një kurs transformues reformash të thella ekonomike e financiare në Suedi.

Nga ana e tij, edhe ish kryeministri Persson shprehu besimin se ngritja e Këshillit do të ndihmojë në promovimin e potencialeve të zhvillimit në Shqipëri.

“Ne jemi shumë të lumtur për këtë bashkëpunim. Kemi të gjithë arsyet që të besojmë se puna e suksesshme që ka bërë Kryeministri Rama si kryebashkiak i Tiranës është një punë që ai mund ta kryejë edhe në të gjithë vendin si një të tërë. Ne jemi të bindur që Shqipëria ka shanse të mëdha për të ardhmen, nëse përgatiteni mirë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe Reformën në Drejtësi, do të jeni një vend shumë tërheqës për investimet e huaja direkte. Kjo është diçka që ne mund t’ju ndihmojmë të arrini, kjo është arsyeja e ngritjes së këtij Këshilli dhe jam shumë i interesuar për një bashkëpunim të ngushtë me Kryeministrin tuaj, Edi Rama,” – tha Persson.

Suedia ka reputacion ndërkombëtar dhe eksperiencë në reforma. Industria suedeze është ndërkombëtarisht konkurruese dhe ka një sektor financiar të shëndetshëm. Ky Këshill do të udhëheqë punën drejt standardeve europiane në Shqipëri, e cila, theksuan pjesëmarrësit në takim, ka nevojë të vazhdojë rrugën e ndjekur të reformave, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për t’u bërë sa më atraktive për investimet. Jemi të impresionuar, deklaruan ata, nga ambiciet e synimet larta dhe në të njëjtën kohë kemi parë sfidat e mëdha që Shqipëria ka përballuar në mënyrë që të bëhet ekonomikisht e politikisht pjesë e Europës dhe të krijojë mirëqenie për qytetarët e saj.

Kryeministri Rama ishte pjesëmarrës edhe në konferencën “Qeverisje progresiste”, me fokus tek arsimi dhe dija. Kryeministri foli për zhvillimet e viteve të fundit në Shqipëri në fushën e arsimit, duke nënvizuar se beson fort se vendet nuk dallohen nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë. Ndaj edhe qasja e qeverisë shqiptare ishte për një reformë tërësore në sistemin dhe institucionet arsimore.

“Dallimi qëndron tek dija dhe ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të sjellim njohuritë më të mira në institucionet tona dhe nga ana tjetër të transformojmë sistemin tonë arsimor, i cili bazohej në idenë se universiteti ishte për të gjithë dhe që degradoi në idenë universitete gjithandej,” – u shpreh Kryeministri.

Në tre vitet e fundit, përpjekjet e qeverisë, theksoi kryeministri, janë përqendruar në zhvillimin e arsimit profesional, si alternativa e duhur për aftësimin veçanërisht të të rinjve, për t’iu përgjigjur më mirë kushteve të tregut të punës dhe si mundësi punësimi real.

“Ne besojmë shumë në modelin e dyfishtë gjerman të arsimit profesional. Kemi filluar të shohim rezultatet e para, por do na duhet kohë dhe shumë durim,” u shpreh Kryeministri.

 

***

Gjatë vizitës në Stokholm, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryetarin e Parlamentit, Urban Ahlin. Në takim u fol për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve. Pas konstatimit të vullnetit të përbashkët për zhvillimin tërësor të marrëdhënieve dypalëshe, biseda u fokusua në shfrytëzimin sa më të mirë të mundësive që rrisin bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet dhe investimet suedeze në Shqipëri. Me interes të veçantë dypalësh është rritja e bashkëpunimit në fushën e turizmit, një fushë me potenciale të larta zhvillimi në Shqipëri, për të cilën Kryeministri Rama u shpreh se investitorët dhe qytetarët suedezë janë të mirëpritur.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.