Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me kryetarët e bashkive:
Ky takim tjetër mes nesh zhvillohet për një aspekt shumë të rëndësishëm të punës sonë të përbashkët. Ai lidhet me programin e Rilindjes Urbane në të gjithë territorin e vendit, si një urë shumë e rëndësishme e bashkëpunimit mes qeverisë dhe bashkive, falë së cilës kanë kaluar në dispozicion të njësive vendore fonde të konsiderueshme dhe po përjetohet procesi i një transformimi të konsiderueshëm në zhvillimin urban të vendit.
Jemi shumë të vetëdijshëm që ky proces është larg së qeni një proces i përmbushur, pasi zhvillimet e rëndësishme në qendrat e bashkive të reja janë vetëm fillimi i një rrjeti të ri infrastrukturor dhe social-ekonomik që duhet me patjetër të shtrihet edhe në hapësirën rurale të këtyre bashkive.
Ajo çfarë kemi realizuar sëbashku në qendrat e bashkive, apo në infrastrukturën e lidhur me to është një histori suksesi e gjithëpranuar, por sot dua të fokusohem tek domosdoshmëria për të thelluar më tutje të tjerë komponentë të këtij programi, rrjeti i ujitjes dhe i kullimit, për të cilin ne kemi mbështetur 136 projekte të përfituara nga bashkitë dhe komponenti tjetër strategjik për zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve, rrjeti i rrugëve rurale të lidhura me prodhimin, si një nxitje e mëtejshme për fuqizimin e tregjeve bujqësorë.
Është e rëndësishme të mbahet parasysh se ka një ndryshim në mënyrën sesi do funksionojë fondi i këtij programi. Ai nuk është më i transferueshëm nga viti në vit. Cikli i projekteve duhet të mbyllet brenda një viti buxhetor, ndërkohë që në të gjitha rastet kur prokurohen projekte me shtrirje dy vjeçare, fondet e alokuara për vitin buxhetor duhet të gjitha të realizohen në investime deri në fund të vitit, përndryshe funksionojnë si të gjithë fondet e tjera, që janë të buxhetit të shtetit dhe jo të buxhetit të bashkive, domethënë, digjen.
Është e domosdoshme të rritet shpejtësia dhe cilësia e gjithë procesit të prokurimeve, pasi ka jo pak projekte që zvarriten për shkak të zvarritjeve të procesit. Natyrisht nuk janë të lidhura drejtpërdrejtë dhe vetëm me ju, por ku ju jeni pa asnjë diskutim lojtari kryesor.
Për Rilindjen Urbane janë financuar në tërësi, brenda të gjithë komponentëve, 540 projekte në rang vendi. Për të çuar më tutje procesin e rijetëzimit të plotë të rrjetit të ujitjes dhe të kullimit, jo vetëm që është bërë një investim madhor deri tani, qoftë në formën e financimit të drejtpërdrejtë, qoftë në formën e financimit të shpenzimeve operative, apo në formën e financimit për të ngritur një flotë bashkiake në territor të ekskavatorëve të rinj, me ndërhyrjen e fundit në fund të vitit është vënë në dispozicion të bashkive një tjetër fond për të vazhduar punën intensive e për të realizuar objektivin tonë 4 vjeçar, të mbulimit në territor të 280 mijë hektarëve tërësisht me një infrastrukturë të rehabilituar.
Në sajë të gjithë këtij investimi kemi përjetuar një ndryshim të konsiderueshëm dhe konstatuar përmirësim shumë të ndjeshëm të treguesve të ujitjes dhe të kullimit. Por përtej kësaj, çka është më e rëndësishmja në afat të gjatë, kemi hyrë në procesin e konsolidimit të pushtetit vendor, si faktori kryesor në garantimin e këtij procesi jetik për fshatin, që është ujitja dhe kullimi. Ne do vazhdojmë ta konsolidojmë rolin e pushtetit vendor, duke e thelluar më tutje reformën e nisur për ujitjen dhe për kullimin.
Fondi që është vënë në dispozicion rishtas, është e domosdoshme që të bëhet efektiv një orë e më parë dhe që brenda muajit maj, ne të kemi hyrë në procesin e ezaurimit të realizimit të projekteve që i përkasin këtij fondi. Ndërkohë 25 mijë hektarë të tjera do të përfshihen në skemën rehabilituese, të financuar me mbështetjen e Bankës Botërore, në bashkitë e Lushnjës, Divjakës, Roskovecit, Patosit dhe Devollit. Këtu përsëri është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi juaj.
Ka një rëndësi themelore të nënvizohet edhe domosdoshmëria e thellimit të mëtejshëm të procesit të Rilindjes Urbane në çdo bashki të re, me infrastrukturën rurale. Ne kemi financuar një paketë të re me buxhetin e vitit 2017 për 30 projekte që janë paraqitur nga rreth 30 bashki të vendit. Ky financim përfshin edhe infrastrukturën që prek realisht akse nevralgjike për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e social të këtyre bashkive.
Paralelisht me këtë po punojmë për një paketë të dytë, që shpresojmë ta vëmë në lëvizje brenda vitit 2017, me Bankën Botërore, për të kompensuar edhe pjesë të boshllëqeve të mbetura nga kjo valë e parë kërkesash, për disa bashkie të tjera.
Por dua ta theksoj se është shumë e rëndësishme që projektet të jenë bindëse edhe në këtë komponent, siç u bënë çdo vit e më bindëse në komponentin e Rilindjes Urbane në qytet. Ka një përmirësim shumë të ndjeshëm të cilësisë së projekteve nga ana juaj, edhe si rezultat i akumulimit të një eksperience pozitive dhe i një bashkëpunimi shumë të ngushtë me ekipin e vënë në dispozicion nga qeveria për këto projekte.
Në rastin e infrastrukturës rurale, kur flas për projekte bindëse nuk kam parasysh thjesht projektin e rrugës apo rrugëve rurale, sepse janë projekte shumë më pak komplekse, sesa projektet që ju keni realizuar në qendrat urbane. Kam parasysh komponentin e nxitjes së ekonomisë rurale dhe të tregjeve. Këtu dua të tërheq vëmendjen tuaj edhe për një oportunitet të ri që ne kemi nisur ta bëjmë prezent gjatë gjysmës së dytë të viti të shkuar, por që duhet të jetë shumë prezent, në këndvështrimin tonë, në punën tuaj të përditshme, për rijetëzimin e strukturave të grumbullimit e të përpunimit të produkteve bujqësore.
Me Fondin Kombëtar të Garancisë për fshatin dhe me mundësitë e lehtësitë që krijon marrëveshja e qeverisë me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe bankat e nivelit të dytë, bashkitë lehtësisht mund të përfshihen si aktorë kryesorë në procesin e ngritjes së pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore me standardet më të larta europiane, duke hyrë në bashkëpunim me komunitete fermerësh prodhues.
Ajo që ju konstatoni në punën tuaj të përditshme, ajo që ne dhe unë kam konstatuar në shumë kontakte në fshat në gjithë Shqipërinë, gjatë periudhës së fundit të viti të shkuar, është kërkesa e komuniteteve të fermerëve për qendrat e grumbullimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore. Me këtë fond garancie dhe gjithë këtë lehtësim që krijohet nga kjo marrëveshje, bashkitë e mund të luajnë lehtësisht rolin e nxitësit, të koordinatorit dhe të bashkëpronarit të këtyre pikave të grumbullimit. Të mos presim që një investitor, një sipërmarrës nga Tirana apo jashtë shtetit të shfaqet në një zonë ku prodhohet një produkt me interes për tregun, që të ngrejë një pikë grumbullimi. Por të ndërtojmë pika grumbullimi bashkiake, të cilat janë me aksione të përbashkëta të bashkisë dhe të fermerëve. Kjo është një praktikë rutinë në vendet europiane, të cilën duhet ta çelim edhe këtu.
Unë jam i bindur që shumë nga ju janë lehtësisht në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë, mjafton që të angazhohen drejtpërdrejt me komunitetin, të krijojnë grupe interesi të organizuara dhe në ortakëri me bashkinë, të përfitojnë nga kreditë e këtij fondi, për të ndërtuar pikat e grumbullimit apo tregtimit të produkteve bujqësore. Kështu lehtësisht mund t’ia dalin jo vetëm për të kthyer mbrapsht kredinë që është me kushte mjaft të favorshme, por edhe për të pasur në afat të mesëm apo në afatgjatë, edhe fitim nga ky aktivitet, njësoj siç kanë fitim sipërmarrësit që kanë kryer deri më sot këto investime.
Dua t’ju garantoj të gjithëve që ne do të vazhdojmë të forcojmë në mënyrë konkrete lidhjen me të gjitha bashkitë, pa dallim. Me shumë kënaqësi kam parë që ky obligim i yni është gjithmonë e më shumë një realitet, edhe me komunikimin e vazhdueshëm e të natyrshëm me kryetarët e bashkive, pavarësisht nëse i përkasin forcave politike që janë në qeveri apo atyre në opozitë. Unë ju garantoj që ne jemi këtu me një qëllim, që për ne është i përbashkët; të bëjmë realitet Rilindjen Urbane të të gjithë bashkive të reja, në zonën e qytetit dhe në zonën e fshatit.
Jam shumë i vetëdijshëm për problemet në shumë zonat rurale, për shkak se ky proces nuk është shtrirë dot thellë, në një kohë relativisht shumë të shkurtër për të bërë një rindërtim kaq masiv, por tani që faza e parë mund të quhet e kapërcyer me sukses dhe duke krijuar një eksperiencë shumë pozitive, shtrirja më tutje, në rrathë nga qendra drejt periferive të bashkitë e reja, do bëhet padiskutim realitet.
I’a vlen që të nënvizojmë edhe programin e ri të rindërtimit që ne do lançojmë shumë shpejt, me tre shtylla:
Infrastruktura rrugore nacionale, por që do t’i shërbejë shumë bashkive dhe infrastruktura rurale dhe turistike, ku edhe këtu, bashkëpunimi do jetë i drejtpërdrejte me bashkitë;
Infrastruktura arsimore, për rindërtimin e mbi 100 shkollave që janë në gjendje jo të mirë në territorin e Shqipërisë. Edhe në këtë aspekt, bashkëpunimi me ju është kyç.
Infrastruktura shëndetësore, për ngritjen e 10 poliklinikave moderne në territorin e vendit dhe të një spitali rajonal në Fier.
Është një program që synon të injektojë në ekonominë tonë një miliardë dollarë në harkun e tre viteve të ardhshëm. Programi do të fillojë menjëherë në muajin në vijim, me projektet e para prioritare, që janë të gatshme tanimë, të përgatitura në infrastrukturën rrugore, në infrastrukturën shkollore dhe në infrastrukturën shëndetësore.
Ne do të jemi në komunikim me të gjithë ju. Në një pamje paraprake e rrjetit të shkollave që do ndërtohen, bëhet fjalë për shkolla që shtrihen në të gjithë bashkitë tuaja. Po kështu e njëjta gjë është edhe për poliklinikat e mëdha, edhe me infrastrukturën rrugore rurale dhe në funksion të turizmit.
***
Disktutimet
Kryetar i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj:
Janë tre projekte, të cilat i kam shumë të domosdoshme. Në lidhje me studimin urbanistik, të gjithë bashkitë janë të bllokuara për shkak të një handikapi që kanë zonat e mbrojtura
Do të kërkoja mbështetjen e vëmendjen tuaj edhe për një by-pass të Shëngjinit.
Nëse do zgjidhet, do jetë një zgjidhje e jashtëzakonshme jo vetëm për Lezhën, por për gjithë veriun dhe shqiptarët e Kosovës, sepse shkurton me 22 kilometra rrugën për Velipojë.
Kryeministri Rama:
Ajo që unë dua ta ripërsëris është se ju i keni të gjitha mundësitë, që në fakt nuk i shfrytëzoni, për të ndikuar drejtpërdrejtë në lehtësimin e procedurave burokratike, apo edhe në fuqizimin e kompetencave tuaja, duke sjellë tek ne propozime konkrete. Propozimet nuk kanë nevojë të jenë propozime shoqate, por mund të jenë edhe të një grupi kryetarësh bashkish. Unë ju siguroj që personalisht do të jem jo vetëm i vëmendshëm, por dhe shumë i lumtur që me propozime nga një grup kryetarësh bashkish, të majtë e të djathtë, t’i drejtoheni qeverisë e parlamentit për të bërë përmirësime. Kam marrë ankesa të mëdha, por individuale nga ju. Unë i konsideroj të drejta, lidhur përshembull, me një komplikacion të pafund të ligjit të planifikimit urban, por nuk mundemi të punojmë ankesë pas ankese. Kemi bërë një reflektim dhe po bëjmë një ndërhyrje, por nuk dua që nesër të vijë me të drejtë, një kryetar bashkie po një grup prej tyre e të thonë “duhet bërë edhe kjo”. Është shumë e vlefshme për ne, që ju të jeni aktivë në këtë aspekt. Mos t’ia lini rastit kur mund të takohemi, apo një momenti dëshpërimi a mërzie nga një procedurë apo histori e papëlqyeshme që të ngrini zërin tek ne për një aspekt. Këto të gjitha janë përgjithësisht shqetësime të përbashkëta, mund të na nxisni e do t’ju ishim shumë mirënjohës për këtë.
Përsa i përket çështjes së dytë, është pjesë e Programit “një miliardë” të Rindërtimit; devijimi nga krahu tjetër i rrugës që sot të fut në Lezhë për të shkuar në Shkodër dhe shkurtimi drastik i distancës dhe i kohës për të lidhur Shëngjinin dhe Velipojën, ku përfshihet edhe gjithë problematika që është pjesë. Programi do funksionojë me përfshirjen e sipërmarrjes private. Gjithë këto projekte do jenë projekte partneriteti publik-privat, ku privatët do të angazhohen të financojnë projektin e ta mbarojnë atë në një kohë 2-3 vjet dhe qeveria do t’i shlyejë. Është një formë inovative që nuk e kemi shpikur ne. Bota e ka rutinë, për të mos ndërtuar me borxh dhe për të përfituar zhvillime që ndryshe nuk bëhen.
Arben Gjuraj, Zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër:
Dy gjëra janë shumë kryesore për hapësirën rurale në bashkinë Shkodër. Infrastruktura e ujitjes dhe kullimit janë shumë të nevojshëm për ne, duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e territorit të bashkisë Shkodër është goxha e influencuar edhe nga përmbytjet. Në këtë pikë do të thosha që rritja e vëmendjes, por edhe investimeve në përmirësimin e infrastrukturave mbrojtëse nga përmbytjet janë shumë të rëndësishme. Pjesa tjetër që i përket infrastrukturës së rrugëve, do të thosha që rruga e Dukagjinit është një ndër rrugët e trashëguara në një situatë shumë të keqe, dramatike për cilësinë që ka. Ajo lidh një trevë goxha të gjerë dhe një zonë me potenciale goxha të rëndësishme për zhvillimin rural në bashkinë Shkodër, përfshirë dhe Thethin. Aty janë rreth 120 kilometër rrugë, e cila vlerësohet se nuk mundet bashkia Shkodër, me potencialet financiare që ka, të mund ta realizojë këtë pjesë.
Faleminderit!
Kryeministri Rama:
Nënkryetar, shpresoj që bashkëpunimin në zhvillimin rural ta kemi më të mirë se atë për zhvillimin urban me bashkinë e Shkodrës. Së pari, ne jemi po aq të gatshëm dhe ju siguroj për këtë, që të mbështesim Bashkinë e Shkodrës sa çdo bashki tjetër dhe realisht mezi presim që të na vijnë projekte bindëse.
Ashtu sikundër për dy projekte strategjike për zhvillimin e gjithë Bashkisë së re të Shkodrës, në këndvështrimin tim, ne do të marrim iniciativën, -shpresoj që ju do të na e pranoni marrjen e iniciativës dhe do të na mbështesni – për rrugën që lidh Shkodrën me plazhin e Velipojës dhe rrugën e Dukagjinit deri lart në Theth. Projekti i Velipojës është i përfshirë në programin buxhetor të financuar nga qeveria për këtë vit, i shtrirë në dy vite dhe do të realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me ju.
Ndërkohë që rruga e Dukagjinit drejt Thethit është në Programin “një miliardë” të Rindërtimit, si një rrugë strategjike jo vetëm për Shkodrën, por për zhvillimin e turizmit shqiptar në tërësi. Këto të dyja, ne jemi absolutisht të vendosur t’i bëjmë edhe për faktin se janë shumë më tepër sesa rrugë bashkiake. Janë rrugë të një rëndësie të veçantë dhe nga pikëpamja financiare, ju e thatë me shumë të drejtë që bashkia nuk do mund kurrë t’i ndërtonte edhe sikur të vinte gjithë fondet atyre.
Për rrugën e Velipojës, në dijeninë time është dukë u punuar për projektin. Ka pasur një projekt ekzistues, por shumë problematik. Me të mbaruar modifikimi i projektit dhe standardizimi i tij do të fillojë puna. Shpresojmë që të fillojë sa më parë dhe jam i bindur që në Shkodër nuk do mendojnë që e bëjmë për zgjedhje, se është një rrugë që ka 20 e ca vite që ju e prisni me shumë të drejtë që të bëhet. Qoftë vajtja në Velipojë nga Shkodra, qoftë vajtja në Velipojë nga Shëngjini do krijojë një pellg turistik të jashtëzakonshëm dhe do japë një zhvillim të konsiderueshëm ekonomisë lokale, por jam i bindur me impakt edhe në ekonominë kombëtare.
Kryetari i Bashkisë Dibër, Muharrem Rama:
Ju falenderoj për investimet deri tani në Dibër, por kemi zonën e llixhave, një zonë kurative që pret shumë turistë, për të na mbështetur me investime në sistemimin e përroit të llixhave dhe vetë llixhat. Mendoj që kjo është lehtësuese për Dibrën.
Kryeministri Rama:
Njësoj kur flas për bashkinë e Shkodrës, duhet projekti kryetar. Jemi dakord, për rëndësinë e llixhave nuk ka këtu, as majtas e as djathtas. Jam i bindur që nuk ka asnjë shans që mos kemi konsensus që llixhat e Peshkopisë janë shumë të çmuara, por sill projektin. Ne financojmë projekte. Sillni projektin dhe ne do t’ju mbështesim. Për Dibrën kemi dhënë e do vazhdojmë të japim një mbështetje të vazhdueshme. Përfitoj nga rasti të them që Rruga e Arbrit është në procedurë. Komisioni duhet gjatë kësaj jave ta mbylli fazën e parë të procesit dhe të hyjmë në fazën e dytë. Është projekti i parë që do realizohet me Programin “një miliardë” të Rindërtimit dhe kam shumë besim që, nëse nuk do të na tradhtojnë procedurat, siç ka ndodhur me planin e Lezhës apo me ekskavatorët, shumë shpejtë do të fillojë puna edhe për rrugën e Arbrit.
Kryetari i Bashkisë Përmet, Niko Shupuli:
Dua të flas për disa problematika në lidhje me Përmetin. Do desha që në prioritetet e përcaktuara të përfshini edhe ujësjellësit, sepse Përmeti është një bashki që pavarësisht se uji kalon poshtë saj, sot furnizohet me 1 orë ujë në 24 orë, për shkak të rrjetit të amortizuar. Përsa i përket rrugëve kryesisht me karakter turistik, unë desha të veçoja rrugën e Frashërit, jo vetëm në aspektin turistik, por dhe për shkak të vlerave që ajo mbart. Dy bashkive tona, asaj të Këlcyrës dhe të Përmetit, janë në një mendje sa i përket rrugës, që lidh Përmetin me doganën dhe aksin e Korçës. Me vetëm 4-5 km rrugë mund të shkurtohet gati 40 minuta koha ndërmjet Përmetit dhe doganës të Tre Urave dhe pastaj vazhdon në Ersekë dhe Korçë. Projektet e rrugës së Frashërit dhe rrugës që lidhet me doganën janë dorëzuar dhe janë kualifikuar. Duke parë mundësitë, mendoj se mund të përfshihen në ato prioritete që ka qeveria shqiptare përsa i përket investimit në rrugë rajonale dhe kombëtare.
Kryeministri Rama:
Pa diskutim që jo vetëm kaq, por edhe më shumë se kaq duhet të bëjmë për këtë zonë, sepse jo vetëm që është një potencial i madh turistik, por nëse bëhen gjërat e duhura mund të ketë një zhvillim të madh ekonomik dhe mundësi punësimi përmes shfrytëzimit të potencialit turistik. Sëbashku po punojmë shumë mirë dhe kemi bërë goxha punë. Shpresoj shumë që në pranverë të ndezim gurin e Përmetit, me një projekt shumë special që ju po bëni me Ministrinë e Kulturës. Ne i kemi në konsideratë edhe këto.
Gjirokastra, – nuk dua t’ju fus në asnjë prekje sedre, se e di që përmetarët janë tjetër gjë, gjirokastritët tjetër gjë e tepelenasit nuk diskutohet që janë tjetër gjë komplet, – është një nga qarqet që do ta shikoj me shumë prioritet në atë pjesë të programit të rindërtimit që lidhet me infrastrukturën turistike. Kështu që, me siguri do kemi zhvillime të reja, siç do kemi shumë shpejt, brenda pak ditësh, në Gjirokastër, fillimin e një projekti të ri për ta fuqizuar më shumë identitetin e qytetit, duke ripërtërirë gjithë pjesën e re të qytetit dhe duke e unifikuar në funksion të një zhvillimi më harmonik mes pjesës së vjetër dhe pjesës së re të qytetit. Plus dhe projekte të tjera që kemi nisur.
Përsa i përket ujësjellësve, mendoj që aty kemi një nga pikat jo ku nuk merremi vesh, por ku jemi ende shumë mbrapa në mentalitet. Ujësjellësit nuk kanë funksionuar asnjëherë në Shqipëri si ndërmarrje të përgjegjshme. Ato kanë funksionuar si zyra pune dhe mbi të gjitha, për shkak të “lesh e li”- së 20 vjeçare në organizim e të kompetencave, kanë qenë si mall pa zot, duke i kaluar kompetencat tek bashkitë. Ne kemi kaluar tek ju një barrë të madhe për momentin dhe ju e dini më mirë se unë, kjo për shkak të borxheve, mungesës së investimeve etj.. Por është shumë e rëndësishme që ju të bëni tuajën në atë kolonë që ju takon juve tek reforma e ujit, përsa i përket ujit të pijshëm. Ne nuk kemi dashur të jemi po aq të shpejtë dhe po aq ekzigjentë si tek energjia, sepse është një proces shumë më i komplikuar për 1001 arsye. Në fund të ditës bëhet fjalë për ujin që është jetik. E po ashtu nuk kemi ndërmend që ta lëmë këtë reformë të dështojë. Ndryshe nga energjia, ndër të tjera, kjo është një reformë që bëhet me ju dhe nëse ju do të shikoni me kujdes gjithë piketat që kemi vendosur në kolonën që ka të bëjë me përgjegjësitë tuaja, në bazë të performancës, ju mund të përfitoni shumë. Ne nuk do financojmë ndërmarrje ujësjellësi që vazhdojnë akumulojnë borxhe të pajustifikuara. Unë e kuptoj akumulimin e borxheve, në rastet kur ujësjellësit kanë nevojë për energjinë elektrike, por nuk e kuptoj akumulimin e borxheve nga vjedhja, nga mungesa e disiplinimit, gjë që duhet ta bëni ju. Reforma ka këtë qasje. Nuk dua të justifikoj mungesën e ujit atje, por të gjitha investimet tek ujësjellësit, që janë kompetencë dhe përgjegjësi e bashkive, siç është përcaktuar në programin e reformës do të bëhen bazuar mbi rezultate. Kush tregon që përmirëson rezultatet, ka të drejtë të kërkojë mbështetje financiare dhe ne kemi detyrim t’i japim mbështetje financiare. Por kush i lë rezultatet të përkeqësohen, nuk mund të marrë mbështetje, sepse hedhin paratë e popullit në lumë. Kështu që duhet pasur kjo në konsideratë. E di që është shumë e vështirë, por, në fund të fundit, ju jeni zgjedhur për të bërë gjëra të vështira. Po të ishte ndryshe, nuk ishte nevoja që të kishim kryetar bashkish, bëheshin gjërat vetë.
Ju falenderoj dhe punë të mbarë! Ne presim me padurim projektet e reja. Përsa i përket disa projekteve që janë kërkuar nga ju dhe që janë bërë shkak që në të shtyjmë pak vendimmarrjen, për t’i përmirësuar dhe për t’i sjellë në standarde ashtu siç duhet, në mënyrë që mos t’ju refuzojmë, ju lutem nxitoni që brenda kësaj jave të mbyllim thirrjen dhe të vazhdojmë me financimet e reja, në funksion të realizimit të ambicieve tuaja.