Kryeministri Rama vizitoi sot shtëpitë e Ilir dhe Besnik Kodrës në Marikaj, të cilët i uroi për shtëpitë e tyre të reja, më të mira dhe më të sigurta se ato që humbën në tërmetin e shtatorit. Te dy familjet që jetonin në një shtëpi, pas tërmetit të muajit shtator të vitit të shkuar mbetën në qiell të hapur. Nga sot, dy familjet kanë rinisur jetesën në shtëpitë e reja, rindërtuar nga e para. “Pothuajse të gjitha shtëpitë e shtatorit përfundojnë dhe i kemi mbyllur. Tani kemi filluar proceset dhe ditën e hënë do kemi dëgjesën në Vorë, përsa i përket procesit të rindërtimit. Regjistrimet kanë ecur shumë mirë”, – u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
“Kështu do e bëjmë me të gjithë që janë dëmtuar, aty ku është shembur shtëpia dhe kanë më shumë se një kurorë, do u japi më shumë se një shtëpi. Çdo familje të ketë shtëpinë e vet që nga kjo e keqe e madhe të vijë më e mirë, se të keqen nuk e ndalonim dot, por të mirën, me mundim, por mund ta bëjmë” – tha Kryeministri Rama, teksa shtoi se, “po përpiqemi të grumbullojmë sa më shumë familje në komunitete të vogla që të jenë afër shkollës, afër qendrës shëndetësore, afër shërbimeve”.
Në Marikaj janë dhe dy shtëpi të tjera që janë në proces rindërtimi ku puna vazhdon me ritme të shpejta.
Newsroom
Në shtëpitë e reja te Ilir dhe Besnik Kodrës