Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Iftarin e shtruar nga komuniteti mysliman i Elbasanit:
Shumë të nderuar pjesëmarrës në këtë mbrëmje rreth sofrës së Iftarit!
Më lejoni, në radhë të parë, të falënderoj ata që patën mirësinë të më ftonin dhe të kujtoj se në kronikat shekullore gjejmë dëshminë se në qytetin e Elbasanit, I
Iftari niste gjithmonë me një të shtënë topi që lajmëronte mbërritjen e orarit për thyerjen e agjërimit.
E vërteta është se në kohët e shkuara, kjo traditë është ndjekur në shumë vende të besimit mysliman, apo ku ka pasur komunitete myslimane. Por, gjithmonë sipas kronikave, vetëm në Shqipëri harxhet për topin dhe topçiun paguheshin nga të gjithë esnafët, të të gjithë komuniteteve pa dallim, qofshin myslimanë, apo qofshin të krishterë dhe më pas, të gjithë uleshin sëbashku në tryezë, duke e nderuar njëri-tjetrin përgjatë rrugëtimit të vëllezërve e motrave myslimane në ditët e përsosmërisë morale që synon Muaji i bekuar i Ramazanit dhe në përpjekjen për t’u udhëhequr prej virtyteve të njeriut drejt drejtësisë, vëllazërisë.
E s’ka pikë dyshimi që vëllazëria fetare është një thesar i paçmueshëm që na e kanë trashëguar të parët tanë e që kemi detyrimin e madh t’ua trashëgojmë pasardhësve tanë, duke pasur të ngulitura fjalët e Profetit Muhamed, i cili udhëzon të bëjmë për njëri-tjetrin atë që do të donim të bënim për veten tonë.
Nuk besoj që të ketë një tjetër vend të vogël në këtë glob dhe pa konflikte të mëdha që tërheqin të gjithë sytë e botës pas tij, të cilin ta kenë vizituar dy Papë në dy dekada. E njëkohësisht nuk besoj të ketë ndonjë vend tjetër në botë ku të krishterët t’i dëgjosh duke thënë “inshAllah” dhe “vallahi”. Këto janë shprehje që janë futur në unin e kombit tonë, pikërisht sepse feja kurrë nuk ka qenë një pretekst për të mos u takuar te gjuha dhe për të mos ndarë hallet me njëri-tjetrin.
Siç shkruan, mbase më katoliku midis katolikëve, At Gjergj Fishta, islami është i pandashëm nga shpirti i vetë kombit tonë. E pikërisht ai thotë: “Iftari na bashkon në sofër si dritat e kandilave, që si varg yjesh lidhnin minaren e Xhamisë së Fushë-Çelës me këmbanaren e Kishës së Gjuhadolit”.
E ndërsa vendi ynë, sot ndodhet gjithmonë e më pranë familjes së bashkuar të Europës, së fundmi, pas rekomandimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, pikërisht kjo bashkëjetesë përbën një vlerë jashtëzakonisht të çmuar që Shqipëria e mishëron dhe e eksporton në një Europë të sfilitur nga një rrekje gjithmonë e më insistuese në një vijë ndarëse mes vizionit të bashkëjetesës dhe vizionit të mbrapshtë të islamofobisë. Ajo që Shqipëria ka në dorë të tregojë me forcën e shembullit të saj është që islami i vërtetë është feja e dijes dhe e përsosmërisë morale, është një fe që nuk njeh dhunë dhe që nuk ka të bëjë asgjëkund dhe asfare me ata që mbjellin gjak në rrugët e Europës, apo të botës së lirë në emër të tij.
Islami ynë është ai që miku juaj i Myftinisë së Elbasanit, njëkohësisht poet në këtë qytet, Behaudin Gashi, i tregonte një grupi turistësh krejt të magjepsur nga Xhamia Mbret. Ai thoshte: “Këtu jemi në Xhaminë e Kalasë, por dy porta më tutje është Kisha Ortodokse dhe një cep më poshtë, edhe Kisha Katolike. Ne jemi të gjithë miq, blejmë në të njëjtat dyqane, ecim në të njëjtat rrugë, jetojmë duke ndihmuar sa të mundemi me njëri-tjetrin dhe paqja e Zotit qoftë mbi të gjithë ne”.
Vetëm një vit më parë, në Elbasanin që udhëtari Osman Evlija Çelepiu e quante si “nusen e Rumelisë”, për bukuritë e rralla dhe bashkëjetesën e paqtë midis komuniteteve, përfundoi ndërtimi i Xhamisë së Pashës.
Është e pamundur që në një kohë të shkurtër, ne të zhbëjmë të gjithë atë që është bërë keq në dekada, kur trashëgimi të vyera kulturore të botës islame e të botës së krishterë, pasi u shkatërruan gjatë një vale të pabesueshme urrejtjeje, në një prej kapitujve më të zymtë të historisë, mbase më i zymti në historinë e Shqipërisë, u lanë në mëshirë të fatit, ashtu siç i gjeti koha e re e demokracisë. Është e vajtueshme që perla të tilla, si Xhamia e Ballies, apo pazari i vjetër mesjetar u shkatërruan plotësisht, për t’i lënë vend përçudnimeve të frikshme të ndërtesave pa shpirt që zunë vend mbi hirin e tyre.
Dijetarët e botës islame thonë një ndër shprehjet më të bukura që sytë kanë mundur të lexojnë: “Zoti e dashuron të bukurën”.
E vërteta është që e bukura ka qenë gjithmonë e sakrifikuara e madhe e regjimeve diktatoriale dhe e qeverisjes së keqe në demokraci. Më lejoni t’ju them sot, modestisht, se gjatë këtyre viteve të fundit ne kemi arritur të shpëtojmë me dhjetëra objekte të çmuara të trashëgimisë islame e të krishterë nga një rrënim i pandërprerë ku i kishte imponuar harresa e plotë e shtetit shqiptar.
Vetëm pak javë më parë, Ministria jonë e Kulturës ka përfshirë edhe pesë xhami të tjera historike në listën e objekteve të besimit islam, që do të rikthehen në plot bukurinë e identitetit të tyre me financimet e qeverisë. Një tjetër kontribut i yni për të forcuar themelet e patundshme të kësaj bashkëjetese që përbën një themel të shtëpisë tonë të përbashkët të shpirtit është finalizimi pak ditë më parë i projektit për dixhitalizimin e plotë të arkivit të Komunitetit Mysliman pranë Arkivit Qendror të Shtetit.
500 mijë faqe, shkresa dhe dokumente të dixhitalizuara dhe të shpëtuara njëherë e përgjithmonë nga çdo shaka e harresës, apo e syve indiferentë, përbëjnë një thesar të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, një oaz dijeje që i vihet në shërbim në të gjitha kohët që vijnë historianëve, studentëve dhe të gjithë kuriozëve për këtë kulturë kaq të gjerë dhe kaq komplekse, dijetarëve dhe studiuesve të fesë islame, po ashtu. Mes shumë dokumenteve përfshihen edhe faqe të tëra për rolin e pazëvendësueshëm që intelektualët e Elbasanit, në shumicë myslimanë, luajtën në pavarësinë e shtetit shqiptar. Për rolin përparimtar që ka luajtur ky komunitet në të shkuarën, ashtu sikundër i gjithë Komuniteti Mysliman në të gjitha kohët, edhe në kohën e re, në mbështetje të të gjitha punëve të mira dhe të çdo reforme që qeveria ka ndërmarrë me synimet më të mira të mundshme.
Unë përsëri do të kujtoj kontributin e këtij komuniteti dhe të drejtuesve të tij edhe për vetë reformën në drejtësi, si një ndër reformat më të rëndësishme në historinë tonë të shtetbërjes demokratike. Drejtësia është e vërteta permanente, të cilën Allahu e ka të frymëzuar në natyrën e njeriut, si dritë që i ndriçon rrugëtimin.
Siç na mëson një hadith në Kuran: “Ekziston një sadaka për çdo pjesë të trupit të njeriut dhe për çdo ditë në të cilën lind dielli do të ketë shpërblim si i sadakasë për këdo që vendos drejtësinë mes njerëzve”.
Mes faqeve të tij, Libri i Shenjtë po ashtu na mëson se Zoti i ka bekuar njerëzit duke iu dhënë atyre po të njëjtat cilësi që ka edhe vetë, mirësinë dhe dashurinë, si më të rëndësishmet mes tyre, veti, të cilat kurrë nuk dalin të plota në pah, apo shpesh mjegullohen në ditët e trazuara të vitit e pikërisht për këtë, ky Muaj i Ramazanit është një muaj kthjelltësie dhe lehtësimi prej trazimeve.
“Ramazani i bekuar është një shans i artë dhe një dhuratë prej Allahut që zemrat dhe gjuhët të shpëtojnë nga sëmundjet dhe urrejtjet me të gjitha llojet e tyre,” thotë Shejh Abdu Rrezak El-Bedr.
Pa u zgjatur më tutje, do doja ta mbyllja jo më me gurrën e pashtershme të dijes që vjen nga libri i shenjtë, apo nga shkrimet e dijetarëve të huaj, por me dijetarin e shquar të letrave shqipe, Naim Frashërin, që shkruante: “Po të nderojë njeriu-njerinë, e ka nderuar edhe Perëndinë. Në zemër tënë e gjejmë Zonë, shtëpija e tij është zemra jonë”.
Faleminderit!
Ju qoftë Ramazani sa më i lehtë dhe i pranuar!