Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit di Rama në ceremoninë e çeljes së Akademisë së Kodimit në Tech Space, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë e Informacionit:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Ka në gjuhën shqipe një sërë fjalësh që, nëse do të kishin gojë të flisnin, do kishin krijuar një shoqatë të persekutuarish dhe tek këto fjalë të abuzuara me vend e pa vend, ndër të tjera hyn dhe fjalë “vizion”, “plan”, “program”, që i dëgjojmë përditë. Sot e dëgjova fjalën “vizion” nga moderatori, si pak herë, në vendin e duhur, në momentin e duhur dhe për njeriun e duhur, kur prezantoi Linda Karcanaj, drejtoren tonë të AKSHI-t, sepse realisht, pa Lindën, pa AKSHI-n, pa vizionin, lidershipin dhe menaxhimin e saj pa të sharë, ne nuk do kishim arritur dot, këtu ku jemi sot.

Këtu ku jemi sot, për hir të vërtetës kemi arritur duke bërë një kapërcim shumë të madh dhe shembulli më kuptimplotë për këtë kapërcim besoj është në dy shifra shumë të thjeshta. Në fund të vitit 2013, kur ne e morëm detyrën, AKSHI ishte krijuar, ekzistonte dhe shërbimet online në Shqipëri ishin 13. 13 jo me lekët e reja, po 1,2,3,4,5,6,7,8,9,10,11,12 dhe 13.

Në dhjetor, shërbimet online do të jenë 1200. Besoj që shifra flet vetë. Ashtu sikundër flet vetë dhe rritja eksponenciale, edhe pse jo, sipas nesh, e mjaftueshme, e përdoruesve në raport me mundësinë. Ambicia jonë është që ta mbyllim një herë e mirë kapitullin rraskapitës të tre dekada halle të njerëzve me shërbimet, si pasojë e një administrate që është ende shumë e re për të qenë në lartësinë e duhur, që vuan ende nga sëmundje shumë të vjetra dhe që ndër të tjera ka sëmundjen e ryshfetit. Ta mbyllim duke e çuar shtetin komplet në xhepin e çdokujt, në smartphone-in e çdokujt, në kompjuterin më të afërt të çdokujt e të mos ketë më nevojë askush që të dalë nga shtëpia, të marrë rrugën, të mbajë radhën e të presë me ankth se çfarë lloj fytyre do ketë shteti në atë moment për të, në trajtën e atij administratorit të radhës, që, sado mund të përmirësohet e është përmirësuar, prapëseprapë mbetet një fytyrë e padëshirueshme. Edhe për arsye të shumë viteve në kurriz për njerëzit.

Në fund të këtij viti, ne do ta kemi për të gjithë mundësinë që shërbimet t’i marrin plot 1200 shërbime në të gjithë spektrin, pa shkuar nëpër zyra, pa pritur që dikush t’ju japë një dorë për të kapërcyer radhën, apo për ta marrë më shpejt, apo për të mos qenë të refuzuar.

Natyrisht që do të kërkojë akoma kohë që të bëhet kalimi në mendësi nga mënyra e vjetër e ndërveprimit me shtetin tek kjo mënyrë e re për të gjithë, por është e sigurt që sot ka një çlirim të konsiderueshëm. Sot që flasim, ne kemi, në mos gabohem, 660 shërbime aktive dhe me futjen e bllokut të fundit të shërbimeve online mbyllet kjo fazë e revolucionit dixhital dhe 95% e shërbimeve, përjashto një numër të vogël shërbimesh që kanë nevojë për praninë fizike, si, për shembull, kur duhet të shkosh e të vësh shenjat e gishtave për pasaportën, apo ndonjë shërbim tjetër, do të jenë në dispozicion të njerëzve.

Nga ana tjetër, dje ishte vërtetë një moment gëzimi që pasohet nga ky gëzim i sotëm, sepse të dyja aktivitetet janë të lidhura me njëra – tjetrën, qoftë hapja e TUMO Tirana, qoftë hapja e kësaj rrugë të re që ka nisur në Poloni, është shpërndarë në një sërë kryeqytetesh të Europës dhe mbërrin këtu në Tiranë si vendi i parë në rajon. Për ne është nder, është kënaqësi, është dhe krenari që të jemi mes këtyre kryeqyteteve, t’i ofrojmë të rinjve e të rejave tona një mundësi më shumë akoma për të hyrë në botën e teknologjisë.

Së shpejti është edhe një projekt tjetër, që do të hyjë në jetën e të rinjve tanë, projekti i start up-eve me synimin që më të mirët e më të mirëve mes të rinjve tanë, ne t’i çojmë në Silicon Valley. Ti japim mundësinë që të mbërrijnë deri në Silicon Valley me krijimet e gjenialitetit të tyre.

Ndërkohë, në planet e rindërtimit kemi përfshirë si një nevojë dhe si një risi futjen e strukturave që do të strehojnë këto aktivitete, për të mësuar dhe për të zhvilluar teknologjinë në lagjet e reja që do të ngrihen pasi ato ekzistueset u shembën nga tërmeti. N kuadrin e këtyre përpjekjeve, sot janë në Paris një grup nga qeveria, për të vazhduar një diskutim të hapur, për të sjellë në Tiranë shkollën e famshme inovative “Ecole 42” të Francës, që është një nga krijesat e fundit të kësaj fushe dhe është një tjetër ofertë shumë e bukur për të gjithë ata që duan t’i kushtohen teknologjisë, qoftë për të marrë bazën, qoftë për t’u kthyer në ekspertë e pse jo, edhe në shpikës, ata që janë më të talentuarit e më të zotët.

Duke qenë se unë, po isha në praninë e Michael Granoff, e kam të pamundur të mos mendoj edhe për lekët. Duke e përshëndetur Michael, unë besoj që atij do t’i pëlqejë dhe Michael-it i pëlqejnë idetë e mia gjithmonë. Deri tani nuk më ka hedhur poshtë asnjë, kuptohet pasi i fut në atë kandarin e tij monetar dhe i vendos në radhë, sipas instinktit të tij prej një sipërmarrësi ultra të suksesshëm. Po të mos ishte kështu, do kishte dalë me humbje e nuk do ishte këtu, të drejtonte këtë Fondacion Fantastik. Do t’i pëlqejë edhe ideja që Fondacioni të përfshihet një orë e më parë, me atë që ka forcën e vetë më të madhe, që nuk janë lekët, edhe pse e thash dje e do ta them gjithmonë. Ai qesh, nuk është se i pëlqen deri në fund kur ia them këto gjëra në publik, sidomos, por lekë kanë plot, po nuk kanë asnjëherë mjaft dhe gjithmonë duhet qeveria, bashkia, aktorët, faktorët, njëri këtej, tjetri andej, shoqëria, biznesi, kjo është histori në vete dhe është një shkollë më vete me Michael-in. Në fund të ditës, fuqia më e madhe dhe vlera më e madhe e shtuar që Fondacioni sjell në rrugën tonë është dija dhe aftësia për të kanalizuar dije, duke e ofruar kur e ka dhe duke e gjetur nëpër botë kur nuk e ka dhe duke e sjellë këtu. Besoj që do të jetë vërtetë një ndihmë e madhe për ne që Fondacioni të përfshihet një orë e më parë në krijimin e rrjetit të ekspertëve që na duhen për të filluar të projektojmë planet, që do të kërkojmë pastaj të financohen nga plani i madh i investimeve të Bashkimit Europian për rajonin.

“Michael is about big money man, believe me. As your president would say, huge money, incredible money, never seen such amount of money, believe me man”.

Është në fakt një program ku 9 miliardë euro janë grant, 1 prej të cilëve do të vendoset si një fond garancie për 20 miliardët e tjera, që në total bëjnë 28 miliardë që janë dedikuar rajonit, të gjitha vendeve tona, në tre drejtime kryesore. Në infrastrukturë dhe transport, që nga rrugët, autostradat, korridoret e ndërlidhjes rajonale transporti, hekurudhat; shtylla tjetër është energjia, gazi, gazifikimi dhe shtrirja në rajon e linjës së gazsjellësit si degëzim i gazsjellësit TransAdriatik; shtylla e tretë është ndërlidhja digjitale e rajonit.

Një financim masiv për gjithë skeletin e ndërlidhjes digjitale në rajon. Kuptohet që këtu bëhet fjalë për projekte me impakt rajonal, por sigurisht bëhet fjalë për projekte që çdo vend do t’i bëjë vetë e më vete, brenda një vizioni të përgjithshëm rajonal. Natyrisht që Bashkimi Europian nuk i sjell me thes fondet që i dedikon për asnjë vend, por duhet çdo vend të ketë aftësinë që t’i thithi ato fonde, duke pasur vizionin e duhur, duke pasur planin e duhur, duke pasur programin dhe projektet e duhura e këtu është dhe diferenca.

Miqtë që vijnë nga Polonia e dinë shumë mirë, sepse e kanë kaluar para nesh në procesin e integrimit e pastaj të anëtarësimit dhe e kanë shumë të qartë që një nga pikat ku Polonia ka bërë diferencën me shumë vende nga vendet e reja që iu bashkuan Bashkimit Europian ka qenë rritja mbresëlënëse e kapaciteteve për të thithur fondet e BE-së. Në një nga të dhënat që unë kam parë në ecurinë e disbursimit të fondeve të BE-së, Polonia ka qenë një ndër vendet e para në anën ish komuniste për nivelin e thithjes së fondeve dhe më interesantja është që, nëse shohim gjithë Bashkimin Europian, vendet më të forta të BE-së dhe ato më të pasurat janë edhe vendet që thithin më shumë fonde nga projektet e Bashkimit Europian, jo se janë më të forta dhe i marrin fondet se i ndajnë për vete, por se kanë dhe më shumë dije. Në fund të ditës është shumë e qartë që dallimin mes “të zhvilluar” dhe atyre “në zhvillim”, dallimin mes vendeve nuk e bën ajo që ke, e bën ajo që di. Mund të kesh burime natyrore të jashtëzakonshëm dhe mund të jesh i prapambetur sepse nuk di e nuk ke investuar në dijen për se si këto burime kthehen pastaj në pasuri. Unë e bëj gjithmonë shembullin, ne jemi vendi i dytë më i pasur në Europë për burime ujore. Izraeli nuk ka as një pikë ujë dhe ne jemi një vend që akoma një nga problemet kryesor kemi ujin, sepse na mungon kur e duam në rubinet, na mungon kur e duam në arë dhe e kemi me tepri kur na vjen me furi dhe shkaktojmë përmbytje për të shmangur katastrofat e shembjes së digave.

Kjo është e gjitha një histori prapambetjeje nga padija, prandaj unë besoj që këto investime dhe këto aktivitete që po hapen, dje, sot, më tutje dhe e gjithë puna e bërë nga AKSHI, që kur Linda ka marrë drejtimin, është një investim shumë herë më i madh në aspektin e përfitimit, sesa mund të rezultojë në aspektin e shifrave. Këtu, 1 euro e investuar përkthehet eksponencialisht në përfitim në një kohë 5, 10, 15, 20 vjet më pas. Prandaj, edhe pse dje i bëmë falënderimet me mirënjohje për Fondacionin, më duhet t’i përsëris edhe sot, sepse nuk janë asnjëherë të tepërta, aq më tepër kur bëhet fjalë për investime të tilla.

Dua t’i falënderoj miqtë polakë. Më vjen keq që e ndjera nëna ime nuk është sot më, ajo ishte shumë e lidhur shpirtërisht me Poloninë, kishte studiuar në Poloni, fliste polonisht njësoj si shqip dhe sa herë ndodhte që të shikonte në TV që takoja ndonjë polak, më pyeste “hë si ishte, çfarë tha”, sikur kisha takuar ndonjë kushëri që nuk kishte pasur kohë t’i shkonte për vizitë në shtëpi.

Natyrisht, suksese dhe kurajë të gjithë atyre që sot janë këtu, apo që do të shtohen dita-ditës. Jam i bindur që këto hapësira do të kenë problem mbipopullimin në aspektin e kërkesave. Unë uroj që mbipopullimi të vijë sa më parë, se pastaj Michael do ta ketë të pamundur të thotë, shiko se nuk kemi lekë se tani kemi një projekt tjetër për ngrohjen globale. Sepse e di shumë mirë që, pavarësisht që instinktin e parë ka rezistencën edhe për idetë që i pëlqejnë, hapin e dytë ka përfshirjen dhe jo vetëm me mendje, por dhe me zemër. Kështu që le të shpresojmë në mbipopullimin sa më parë, në mënyrë që të trokasim në dyert tuaja për partneritet dhe për t’u ndihmuar në radhë të parë, me eksperiencën më të mirë që ju dini shumë mirë ta gjeni, ta mblidhni e ta sillni në funksion të projekteve të komplikuara, siç janë këto projekte.

Thank you very much man! Don’t forget, 28 billion, imagine!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.