Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shumë ekipe teknike ndërkombëtare vazhdojnë intensivisht punën në terren për të përfunduar vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Skuadra e inxhinierëve izraelitë është një prej tyre, që kanë ofruar ekspertizën e tyre për përcaktimin e shkallës së dëmtimit në banesat e prekura nga tërmeti. Ato ndodhen në terren së bashku me inxhinierët shqiptarë dhe po japin udhëzimet e duhura për nisjen e procesit të meremetimit në shumë prej apartamenteve, ku struktura bazë nuk është prekur.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, në një prej pallateve, ku fatmirësisht  dëmet janë plotësisht të rikuperueshme dhe ku skuadra izraelite është prezente me teknologjinë më të përparuar për raste të tilla.

“Këta janë skuadra izraelite, nga më të mirët në botë për këtë punë.  Këtu nuk ka asnjë problem. Janë prishur muret, por struktura është shumë e qëndrueshme dhe ajo që duhet bërë është vetëm të riparohen dëmet në mure. Muret janë si lëkura. Lëkura mund të digjet komplet, por mund të ripërtërihet. Nuk na mban lëkura në këmbë, por na mban skeleti. Skeleti është Ok. Këta thanë se në momentin e parë u krijua panik i madh, sepse u duk sikur doli pallati jashtë përdorimit. Faktikisht janë mbi 90% e tyre janë të rikuperueshme dhe i gjithë ky kompleksi këtu është i  rikuperueshëm. Edhe aty ku duket një çarje e madhe është e rikuperueshme. Nuk ka kolonë aty, janë  vetëm muratura që mund të riparohen,” – u shpreh Kryeministri për banorët e interesuar.

Kryetari i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Bledi Çuçi tha se riparimet do të nisin, ndërkohë 100 punëtorët e parë janë angazhuar në fillimin e meremetimeve, sipas orientimit të inspektorëve. “Sot ka ardhur ekipi i bashkisë për të bërë riparimet. Do të fillohet që sot me riparimin e dëmit të pallatit. Ky pallat ka vetëm dy katet e para në këtë gjendje, pastaj katet sipër janë Ok. Besoj se për dy ditë, këtu çdo gjë do të kthehet në normalitet, – u shpreh ai.

Por, ndonëse nuk ka më vend për panik, banorët, ende rrëfejnë me emocion për atë që ndodhi. “Atë natë kam qenë vetëm në shtëpi. U bllokua dera dhe nuk mund të hapej. Unë mbeta këtu, e tmerruar,” – tregon një banore, shtëpia e së cilës do të nisë rikonstruksionin.  “Struktura është shumë solide. Ne i shikojmë të çarat, por nuk përbëjnë problem, sepse ka patur shumë presion. Tani kemi një plan që t’i bëjmë muret më të mira , më të qëndrueshme. Ndoshta ju ishit vetëm, por tani jemi ne me ju,” – tha një nga inxhinierët e ekipit izraelit, i cili shprehu njëherësh edhe vlerësimin për inxhinierët shqiptarë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.