Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektuan ditën e sotme kantieret e Rrugës së Arbrit, ku po ecet me ritme mjaft të kënaqshme për të kapur afatin e premtuar nga qeveria, pranverën e vitit 2021, si kohën kur kjo vepër mjaft e rëndësishme infrastrukturore do të jetë dorëzuar.
Ata ndaluan në dalje të tunelit T5, i cili ka një gjatësi prej 500 metër dhe është përfunduar plotësisht përveç shtresës se asfaltit. Me të njëjtat ritme është punuar edhe në Urën e Vashës, ku kanë mbaruar themelet dhe është montuar gjysma e strukturës metalike.
“Ura e vashës përfundon gjatë periudhës së verës. E konsiderojmë si një ndër urat më të larta në rajon, 150 metra nga niveli ku është nisur,” u shpreh ndër të tjera ministrja Balluku.
Kjo urë përbëhet nga themele betoni dhe strukturë metalike tip kapriate, hark. Edhe në krahun tjetër të urës, në hyrjen e tunelit T6, që ka një gjatësi 335 metër, është ecur paralelisht dhe tashmë është hapur plotësisht, si dhe po avancohet me fazat e tjera të punimeve.
Ne Rrugën e Arbrit deri më tani janë realizuar afro 40% e punimeve.
“40% i volumi për momentin. Jemi para afatit dhe besoj se pjesën më komplekse e kemi kaluar,” shprehet përfaqësuesi i firmës ndërtuese.
Kryeministri Rama u shpreh se e gjithë kjo vepër do të mbyllet brenda pranverës së vitit 2021.
“Kontrata e ka në nëntor, ne e kemi lënë në pranverën e 2021-it,” tha Kryeministri.
Nga ana tjetër ai nënvizoi pesën panoramike të të gjithë kësaj rruge, e cila do të jetë mjaft atraktive edhe për turistë e vizitorë të shumtë që mund të shfrytëzojnë bukuritë e zonës.
“Kjo rrugë ka dhe një efekt panoramik të jashtëzakonshëm. Është rrugë fantastike. Është e vështirë për tu bërë por kur të mbarojë do jetë e bukur,” tha ndër të tjera Kryeministri Rama.
Puna tashmë ka hyrë në një faze më të avancuar të grafikut të punimeve duke u përqendruar në ndërtimin e trupit të rrugës dhe të shtresave rrugore, përfshirë dhe ata të gjelbërimit, në ndërtimin e llojeve të ndryshme të veprave të artit, në punimet për hapjen, betonimin dhe ata elektro-mekanikë të tuneleve, në ndërtimin dhe montimin e urave të mëdha, në drenazhimin e trupit të rrugës, etj..
Aktualisht po punohet pothuajse në të gjithë gjatësinë e rrugës. Kjo rrugë ka 7 tunele me gjatësi totale 8.5 km nga të cilat deri më sot janë hapur plotësisht 5 tunele dhe po vazhdon hapja e tunelit të Murrizit nga dalja e tij. Ne total janë hapur deri me tani 2.8 km tunel.
Një volum i madh pune është kryer për ndërtimin e katër urave kryesore, një prej të cilave është edhe Ura e Vashës. Kështu janë përfunduar tërësisht Ura U3 mbi Lumin Zalli i Bulqizës me gjatësi 144m dhe ajo U4 mbi Drinin e Zi me gjatësi prej 260m.
Po punohet me intensitet edhe për ndërtimin e Urës së Fshatit Fshat që ka një gjatësi 250m dhe lartësi 157m mbi Lumin e Xibrit e cila ndodhet midis tunelit T3 dhe atij T4.