Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kiev, Ukrainë, konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Ministrin e Punëve të Jashtme, Vadym Prystaiko, mbi hapat që duhen ndërmarrë nga kryesia e radhës e Shqipërisë në OSBE, për të lehtësuar jetën e popullsisë në të dy anët e kufirit:

MPJ Vadym Prystaiko: Të dashur kolegë dhe miq!

Jemi shumë të lumtur t’ju mirëpresim këtu, në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Sot kemi një mundësi unike të flasim pas takimit tonë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë. Ai ka edhe dy pozicione të tjera aktualisht, pasi këtë vit ka marrë përsipër edhe pozicionin e Presidentit të OSBE-së. Do ju kërkoja që të tregoheni shumë diplomatikë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, pasi ai ka shumë takime sot. Së pari do të takohet me Kryeministrin tonë, pastaj Presidentin dhe më vonë me zyrtarë të tjerë të lartë dhe ka shumë për të diskutuar me ta.

Sigurisht kemi pasur mundësinë të nënshkruajmë negociata dypalëshe me delegacionin shqiptar, por edhe i kemi kushtuar më shumë vëmendje arritjeve që duhet të shënojmë këtë vit dhe sa më i mirë duhet të jetë progresi drejt rezolutës së paqes në Ukrainën lindore. Ne diskutuam me Kryeministrin Edi Rama si të ndërtojmë një bashkëpunim më të mirë brenda OSBE-së dhe pritshmëritë e Ukrainës nga veprimtaritë e OSBE-së dhe veçanërisht nga veprimtaritë e misionit special të monitorimit dhe kemi aplikuar formalisht për zgjatjen e këtij misioni në Ukrainë, jo vetëm për mandatin e tij, por edhe për zgjerimin e burimeve të saj njerëzore dhe financiare, në mënyrë që të shtohet eficenca e misionit këtë vit.

Kemi diskutuar edhe mbi një çështje delikate që ka të bëjë me marrëdhëniet me Federatën Ruse, zgjidhja politike e krizës, situata në lindje, Krimea.

Të gjitha këto çështje u diskutuan me kolegët tanë të OSBE-së. Besoj se ky vit do të jetë shumë i suksesshëm për OSBE-në dhe jam i sigurt që ne do të kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mira mes Ukrainës dhe Shqipërisë. Për shumë kohë kemi punuar që të hapim një ambasadë të Ukrainës në Tiranë dhe këtë vit do ta hapim e ky do të jetë një hap më shumë drejt marrëdhënieve më të afërta mes nesh.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit ministër!

Së pari e mbi të gjitha, në emër të të gjithë delegacionit dua t’ju shpreh mirënjohjen për mikpritjen kaq të ngrohtë dhe dua gjithashtu t’ju falenderoj për diskutimin e çiltër e shumë produktiv. Sigurisht pres me kënaqësi të takoj Kryeministrin dhe Presidentin, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë më vonë.

Nuk është rastësi që vizita ime e parë zyrtare si President i OSBE-së është në Ukrainë dhe reflekton rëndësinë e madhe që i jap adresimit të krizës në dhe rreth Ukrainës. Në këndvështrimin tim, kjo mbetet çështja më kryesore për sigurinë dhe stabilitetin në Europë sot. Do bëjmë më të mirën tonë që të garantojmë respektimin e parimeve të OSBE-së dhe angazhimit të saj, e sigurisht do të inkurajojmë fort zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut, në mbështetje të përpjekjeve nga Grupi Trepalësh i Kontaktit, si dhe procesit të Formatit të Normandisë.

Ndërkohë që marrëveshjet e kontaktit dhe të Formatit po diskutohen prej kohësh e mbase do na duhet ende shumë kohë, ajo që mbetet thelbësore, çdo ditë është jeta e njerëzve dhe vështirësitë me të cilat duhet të përballen të gjithë ata që jetojnë në zonat e konfliktit. Aty do të punojmë pandërprerë, për të bërë çdo gjë të mundur sepse duhet të garantojmë ndalimin e zjarrit dhe armëpushimi i qëndrueshëm është absolutisht jetësor së pari e më e rëndësishmja për jetën e njerëzve. Konflikti vazhdon të marrë jetën e qytetarëve të pafajshëm dhe kjo është e papranueshme dhe kjo duhet të ndalojë. Prandaj qëllimi ynë, së pari e mbi të gjitha është të garantojmë armëpushim të plotë e të qëndrueshëm.

Rinisja e dialogut të nivelit të lartë dhe rezultatet e Samitit të Normandisë janë hapa në drejtimin e duhur. Megjithatë ka ende shumë për të bërë dhe të gjithë e dimë që rruga drejt paqes së qëndrueshme është e gjatë. E dimë të gjithë. Dhe jam këtu për t’ju thënë që përfaqësuesi im special në Ukrainë dhe në Grupin Trepalësh të Kontaktit, Ambasadori Heidi Grau do të hulumtojë me pjesëmarrësit mënyrën më të mirë për të ecur para.

Ndamë me ministrin bindjen që kontributi i dhënë nga gratë e burrat e përkushtuar të misionit special të monitorimit nga OSBE në Ukrainë është unik dhe thelbësor në uljen e tensionit dhe nxitjen e paqes dhe unë ndaj me ministrin nevojën për ta forcuar e mbështetur më shumë me një buxhet më të fortë e për t’u siguruar që ky mision special i monitorimit jo vetëm vazhdon të luajë rolin e tij, por e luan rolin e tij edhe më mirë dhe me kapacitet më të madh dhe me mbështetje teknologjike.

Shpresoj shumë të mbajë koha e të na lejojë ta përfundojmë këtë vizitë me një udhëtim drejt Ukrainës lindore, ku dua të shoh me sytë e mi situatën e sigurisë dhe atë humanitare në zonat e ndikuara nga konflikti dhe ndikimin praktik të SMM në terren.

Në mbyllje, më lejoni t’ju siguroj edhe njëherë për vendosmërinë dhe përkushtimin tim dhe të të gjithë skuadrës së njerëzve të OSBE-së për të ndihmuar që të sjell rezolutën e paqes në këtë konflikt dhe mundësisht të përmirësojmë jetën e personave të ndikuar brutalisht nga ky konflikt.

Zoti Rama, cilat do të jenë prioritetet tuaja si Presidenti shqiptar në OSBE-së për të lehtësuar jetesën e popullsisë që banon në zonat e konfliktit këtu në Ukrainë?

KM Rama: Sinqerisht, ky është thelbi i misionit tonë, sepse jemi të ndërgjegjshëm që ka shumë aktorë të mëdhenj dhe praktikisht, shumë të tjerë që bëjnë përpjekje në nivelet e larta të këtij konflikti, por jo shumë prej saj përqendrohet në njerëzit e thjeshtë, në banorët që duhet të jetojnë në këtë konflikt e të vuajnë pasojat. Ndihemi shumë të nderuar që mund të bëjmë gjithë ç’duhet e ç’mundemi për ata. Me shumë kënaqësi dëgjova prej ministrit vetë sa shqetësim ka nga ana e Ukrainës për pikërisht njerëzit e thjeshtë dhe sa vëmendje e përpjekje kanë bërë autoritetet ukrainase dhe duan të vazhdojnë të bëjnë në adresimin e këtyre vështirësive. Nuk jemi këtu për të premtuar ndonjë mrekulli, e dimë shumë mirë që kjo është një krizë shumë e ndërlikuar dhe jemi këtu sepse e dimë edhe që ka diçka që mund ta bëjmë më mirë se të tjerët për të ndihmuar të lehtësojmë sa më shumë të jetë e mundur jetët e atyre që janë në terren dhe janë plotësisht të pafajshëm e nuk e meritojnë të vuajnë pasojat dhe brutalitetin e këtij konflikti. Ky është prioriteti ynë kryesor, të ndryshojmë sa mundemi gjendjen në terren, ndërkohë që formulat dhe kontaktet dhe fjalët e mëdha sillen rrotull dhe mundësisht arrijnë rezultate më të mëdha. Ne duam ta nisim me këtë ndryshimin, sa më shumë të mundemi, do bëjmë më të mirën tonë. Kemi njerëz shumë të zotë në terren, do bëjmë gjithë ç’mundemi për të vënë më shumë njerëz në terren, më shumë burime dhe do të luftojmë për këtë, siç është kërkuar edhe nga ministri dhe qeveria e Ukrainës, sepse kjo ka të bëjë me njerëzit dhe njerëzit janë më të rëndësishmit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.