Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

U nënshkrua sot Memorandumi i Bashkëpunimit, midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës, një investim prej 2 miliardë dollarësh me impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit.

Kjo marrëveshje e shumëpritur vjen pas thuajse tre vjet rrugëtimi me shumë hapa, duke kaluar përmes diskutimesh, studimesh, analizash, debatesh, bisedimesh teknike e negociatash jo të lehta.

“Ne do të krijojmë një gjë kaq të veçantë që kur njerëzit të vijnë, ata të mos duan të largohen kurrë. Këtë jua premtoj.” – u shpreh Investitori Muhammed El Alabbar, teksa mori fjalen në ceremoninë e rastit.

Ndrësa Kryeministri Rama, tha në përshëndetjen e tij se Marina e Durrësit do të hapi rrugën për gjithë bregdetin shqiptar, jo thjeshtë për Durrësin dhe se efekti domino i Portit turistik do të jetë spektakolar.

* * *

Sot paradite ishim në Ankara me Presidentin Erdogan. Patëm një takim shumë vllazëror si gjithmonë dhe ai dëshironte dhe që të më mbante pak më shumë, por unë i thashë kam një arsye shumë të fortë që të kthehem po sot në Shqipëri menjëherë sepse finalizojmë një punë intensive negociatash, diskutimesh, vajtje-ardhjesh nganjëherë edhe si ta them, krisjesh  në proces me Muhammed El Alabbar dhe më në fund jemi gati të nënshkruajmë protokollin e bashkëpunimit që i hap rrugë ligjit të veçantë për fillimin e investimit për portin më të madh turistik të Mesdheut.

Presidenti tha për Muhammed Alabbarin, je i lirë të shkosh! Po diskutonim pak përpara këtu se e sata kontratë ishte kjo e një investimi në përmasa te konsiderueshme që miku ynë i shtrenjtë Muhammed nënshkruan.

Në fakt, pyetjen ja bëra unë pasi ishte ende i nxehtë nga diskutimi i zjarrtë i fundit me ekipin negociator edhe tha nuk i mbaj mend. I thashë: Atëherë për çfarë ankohesh për skuadrën tonë që nënshkruan për herë të parë një kontratë të këtyre përmasave?!

Pra, bëhet fjalë për një investitor me reputacion global, të padiskutueshëm dhe bëhet fjalë për një vullnet që buron nga një miqësi e posaçme mes princit Muhammed Bin Zayed dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një histori vwllazërie që ka një gur themeli jashtëzakonisht të rëndësishëm për historinë shqiptare, praninë e menjëherëshme në Kukës për t’i ardhur në ndihmë konkrete vëllezërve dhe motrave tanë nga Kosova kur po shpërnguleshin nga dukuria e spastrimit etnik dhe Muhammed Bin Zayed rikthehet me një tjetër shprehje të jashtëzakonshme të vullnetit të mire, duke sjellë këtu pikërisht Muhammed Alabbarin me mbështetjen e  tij për një investim që do t’i kalojë dy miliardw dollarë.

Siç e tha ministrja, është mbase investimi më i madh në gjithë rajonin, jo në Shqipëri dhe është një investim, i cili vjen si rjedhojë e një serie hapash. Do të ishte e paimagjinueshme për hir të së vërtetës, jo 50 vjet përpara, por edhe 50 përpara që të kishim një investim të tillë në turizëm, në një vend që filloi të zhvillohej si një vend me vizion për të qenë një vend turistik konkurues vetëm ku ne filluam të ushtrojmë detyrën. Kjo është e vërteta. Deri përpara kësaj, ne kishim një situatë që fatmirësisht shumëkush sot e ka harruar. Shumëkush sot e ka harruar që ne nuk kishim turizëm. Ne kishim një turizëm të brendshëm dhe një industri inekzistente turistike që mbahej në këmbë vetëm dhe ekzluzivisht nga motrat dhe vëllezërit tanë në Kosovë.

Jo më larg sesa sot, unë kam marrë shifrat e këtij viti që flasin më qartë sesa çdo fjalim për vizitorët e huaj, duke përjashtuar vizitorët nga Kosova, të cilët tanimë hynë të pa regjistruar për shkak se kemi hapur kufirin që nga 1 qershorin dhe hyrja nga Kosova është si hyrje nga Shkodra për në Vlorë, njësoj.

Në qershor kemi pasur 604 mijë turistë, përfshirë dhe turistët nga Kosova. Sot kemi 876 mijë turistë të huaj, pashaporta të huaja, as të Shqipërisë, as të Kosovës.

45% qershori, në korrik kemi pasur 1.1 milion, sot kemi 1.4 milion pasaporta të huaja, as nga Shqipëria, as nga Kosova dhe në këtë periudhë, 1 deri në 10 apo 7 gusht, 411 mijë vjet, 482 mijë sivjet dhe në një nga klasifikimet e bëra për vendet me rritjen më të lartë të turizmit në gjithë zonën e Mesdheut, kuptohet rritje relative, Tirana zë vendin e dytë mbas Antalyas në rritje relative kuptohet në raport me vetveten dhe mos harrojmë që në 2014-tën ne nisëm të frenojmë abuzimin e tmerrshëm mbi territorin, që është një sfidë që vazhdon, por në përmasa krejt të tjera edhe në tokë edhe në ujë.

Pastaj miratuam planin e përgjithshëm kombëtar. I pari plan i përgjithshëm kombëtar i territorit në histori në 2016. Më tutje, planin kombëtar sektorial të transportit detar dhe të infrastrukturës portuale ku u propozua dhe zgjerimi i portit të Durrësit në zonën e Porto Romanos ku do të ndërtohet porti i ri tregtar falë një projekti fantastik të një prej kompanive më prestigjoze në botë, hollandezes Royal Haskoning dhe faktikisht porti i vjetër, siç ka ndodhur në të gjitha vendet që kanë zhvilluar turizëm, mjafton të shikojmë Barcelonën, të vijmë në Francë, të shikojmë Italinë, Greqinë për të shkuar pastaj në Turqi e kështu me radhë, portet ekzistuese të trashëguara nga e kaluara, komerciale në zemra qytetesh që sot janë shumëfishuar siç është shumëfishuar dhe Durrësi, lëvizin për t’i lënë vendin porteve turistike dhe sot vijmë pas ligjit 107 i cili u miratua për të ratifikuar një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara, ku rizhvillimi i Durrësit, duke filluar nga porti është një nga tre projektet kryesore dhe e përsëris ishte vullneti i Princit të Kurorës, i cili u dakordësua gjatë vizitës që ne patëm atje për ta bërë këtë dhe tha do tju çoj më të mirin.

Sot kemi shoqërinë “Eagle Hills” e cila është e njëjta shoqëri e cila administrohet drejtpërdrejt nga zoti Alabbar që ndërton vijën ujore në lumin që përshkon Beogradin, një investim që pati bërë bujë të madhe atëherë, madje na e kanë vënë përpara herë pas here, “shikoni Malin e Zi, shikoni deri në Beograd, ata nuk kanë as det, shiko se çfarë bëhet, ju nuk keni investime”, duke harruar se nga vijnë ata e nga vijmë ne në raportet me turizmi në tërësi. Një vend që e ka pasur detin armik ose zonë të armikut për shekuj dhe pa harruar edhe periudhën e komunizmit. Gjithsesi sot ne jemi në kushtet kur po e nënshkruajmë një protokoll i cili i hap rrugë ligjit, për të konkluduar negociatat për një kontratë që do të jetë një kontratë shembullore e kontrata do të jetë përgjigja më e mirë për të gjithë ata që kanë spekuluar e nuk anë lënë gjë pa thënë për këtë projekt që është një nga projektet që do të ndryshojë jo Durrësin por Shqipërinë përgjithmonë. E tha zoti Alabbar, këtu nuk është e 12 mijë vendeve të reja të punës, vende cilësore. Këtu nuk është çështja e mbi 1000 jahteve që vijnë e që sjellin konsumatorë në Durrës, që do të ngrenë jashtëzakonisht shumë nivelin e konsumit, se kjo është ajo për të cilën ne kemi nevojë, që turizmi ynë të kalojë në një nivel tjetër. Këtu nuk është fjala për thjesht dh vetëm hotelet, baret restorantet, teatrot, apo rezidencat që do ndërtohen aty. Këtu nuk është fjala as për faktin që me ndërtimin e këtij porti, të rritet eksponencialisht vlera e pasurisë së të gjithë qytetarëve të Durrësit sepse do duan njerëzit të blejnë e të shesin shumë më tepër. Do të rritet vlera e të gjitha hoteleve në vijën bregdetare të plazhit të Durrësit ku ne me Anin po punojmë një projekt që do të bëjë zgjerimin e sipërfaqes së rërës ,do të bëjë ndërtimin e një lungomareje të re e kështu me radhë. Këtu është fjala për imazhin komplet tjetër që do të ketë Shqipëria turistike në botë.

Një “Port of Montenegro” bëri Mali i Zi dhe hapi një erë të re. Nëse sot pagat në Malin e Zi janë më të lartat në rajon kjo është rezultat i një rruge që nisi me “Port of Montenegro”. “Port of Montenegro” është një perlë por nuk ka asnjë krahasim me atë që ne do të kemi në Durrës. Porti më i madh turistik i Mesdheut, Durrësi. Një port që do të jetë port binjak i marinës së Dubait e cila është po ashtu ndërtuar dhe për të cilën përkujdeset personalisht investitori ynë.

Kështu që ky port hap një perspektivë të re, sikundër porti i ri komercial hap një perspektivë të re dhe shteti shqiptar në këtë port nuk do të jetë siç është parafytyruar dikur si thjesht entiteti që i jep tokën një investitori dhe investitori bën aty punën e vetë dhe shteti merr mbrapa thjesht të gjithë ato të mira që burojnë nga ai investim. Ka dhe kështu. Jo, shteti shqiptar aty do të jetë aksioner, ,do të jetë ortak dhe shteti është ortak kur ata të cilët negociojnë mendojnë për shtetin dhe nuk mendojnë për xhepin e tyre siç kanë menduar tërë jetën e tyre ata të cilët akuzojnë se ne bëjmë të njëjtën gjë që ata kanë bërë, se nuk dinë të bëjnë jë tjetër e nuk dinë të shikojnë ndryshe përveç se ashtu, por kjo i mbetet negociatave që do të finalizohen e që do të publikohen i rezultat në momentin kur marrëveshja do të shkojë në Parlament për tu miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë.

Në ndërkohë porti turistik i Vlorës ka filluar bashkë me portin e ri tregtar. Ishim me ministren për të parë kantierin. Do të kemi dhe në Vlorë portin turistik. Në Sarandë po ashtu ka filluar porti turistik. Po punojmë për projektin e Shëngjinit. Aeroporti i Tiranës po tregon se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm po zgjerojmë në realitetin ekonomik të vendit falë marrjes së koncesionit nga duart e një koncesionari të huaj që e la aeroportin copë – copë dhe e ktheu në aeroportin më të shtrenjtë të Europës me shërbimet më mizerabël ndërkohë që sot është një aeroport konkurrues dhe sot shqiptarët fluturojnë me çmime low-cost apo me çmime të tjera, por kanë të gjitha zgjedhjet, është hapur rruga e konkurrencës. Terminali ynë i ri me pasaportën që lexohet elektronikisht është një inovacion që pak e kanë akoma. Aeroporti i Kukësit është në funksion e po zhvillohet hap pas hapi, ngadalë por sigurisht do ta çojmë aty ku e kemi projektuar. Aeroporti i Vlorës po punohet intensivisht e do të arrijmë ta hapim në kohën e duhur. Së shpejti do të fillojë gara për aeroportin e Sarandës dhe ne do të kompletohemi me gjithë këtë infrastrukturë komplete të re që askush nuk  e mendonte fare që mund të kishte vend në një Shqipëri ku turizmi ishte thjesht një turizëm lokal dhe sot sfida sigurisht është sjellja e një niveli të ri të kuptimit të turizmit, e një niveli të ri shërbimi, e një niveli të ri qasjeje dhe në këtë aspekt porti turistik i Durrësit do të sjellë një kulturë të re. Investim i Eagle Hills me Mohamed Alabbar si timonier faktikisht është edhe transferimi i një dijeje të madhe mbi si kalohet në një nivel tjetër të turizmit. Nuk është thjesht çështja të ndërtosh hotele të bukura. Nuk është thjesht çështja të ndërtosh marina të bukura, çështja është të dish të menaxhosh, të dish të komunikosh e të dish të thithësh turistë nga gjithë bota, absolutisht gjithë bota dhe Marina e Durrësit do të hapë rrugë për gjithë bregdetin shqiptar jo thjesht për Durrësin. Kjo është pak por e sigurt.  Efekti domino i portit turistik do të jetë spektakolar e unë dua ta falënderoj zotin Alabbar për qëndrueshmërinë e për durimin, ,sepse vërtetë nuk ka qenë e lehtë për të gjithë procesi i negociatave. Jemi përpjekur t’ia shpjegojmë. Ne jemi një vend kandidat në Bashkimin Europian. Jemi një vend që tani ka hapur dhe negociatat por këto biseda i kemi bërë përpara se të hapeshin negociatat dhe kemi disa korniza që nuk i ka Egjipti, me gjithë respektin apo që nuk i kanë vendet e Lindjes së largët ku sigurisht gjërat bëhen më shpejt dhe me më pak probleme të natyrës proceduriale por nga ana tjetër, zoti Alabbar, unë nuk do përmend emra shtetesh të tjera por në krahasim me disa vende anëtare të BE-së ku ka bërë ca tentativa, jemi më të shpejtë ne dhe shpresojmë që të mbetemi të tillë, që të mos të avashsohemi fare siç ndodh pastaj kur bëhet pjesë e BE-së.

Shumë faleminderit dhe faleminderit edhe për gjithë skuadrën që ka rezistuar përballë një individi që ka gjithë këtë eksperiencë e që është një arkiv kontratash, marrëveshjesh dhe besoj që kemi arritur të vëmë në hulli një marrëveshje që me përfundimin e negociatave do të jetë një marrëveshje për të cilën do të jemi krenarë ne si përfaqësues të shtetit shqiptar por besoj dhe e cila i përshtatet edhe investitorit për të kryer nj investim që siç tha ai do të sjellë një jetë të re në Shqipëri.

Shumë faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.