Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Me nisjen e sezonit të ri turistik Gjiri e Lalzit do të ketë nënstacionin i ri elektrik, investimi më i rëndësishëm për të gjithë zonën, ku,  prej vitit 1967 nuk ishte bërë asnjë investim në rrjetin e shpërndarjes. Investimi prej afro 10 milion eurosh do të garantojë që më në fund e gjithë pjesa e bregdetit të mos ketë më probleme me energjinë elektrike. Kryeministri Edi Rama inspektoi nënstacionin e Gjirit të Lalzit, për të cilin drejtori i Operatorit të Shpërndarjes, Ardian Çela, u shpreh se ndërkohë, OSHEE ka nisur fazën e dytë të investimit, duke lidhur kontratën për ndërtimin 3 fiderave të parë të rrjetit shpërndarës 20 KV me kabina dhe rrjet të ri për mbulimin e gjithë zonës bregdetare të Gjirit të Lalzit.  

“Duke pasur parasysh zhvillimin në këtë zonë, kemi nisur me nënstacionin që është 460 milionë lekë (të reja), investim i OSHEE-së. OST-ja do vijë me linjën e tensionit të lartë 110 kw. Nga ky moment, ne kemi nisur 3 fiderat e parë. Janë 8 fidera të tjera që do mbulohet kjo zonë, Maminas, Sallmone, Hamallaj, Gjiri i Lalzit, Ishëm, Kepi i Rodonit. Mbulon për vitet e ardhshme të gjithë zhvillimin turistik të kësaj zone. Është një investim që shkon në 10 milionë euro. Sezonin e ardhshëm turistik kjo zonë nuk ka më problematikë” u shpreh Çela.

Ai shtoi se edhe ky nënstacion do të përfshihet në sistemin e ri SCADA, i cili ofron kontroll online të rrjetit, sikurse operohet tashmë në Tiranë e qytete të tjera.

“Investimi është nga më modernit. Është parashikuar edhe platforma SCADA që integrohet me SCADA-n qendrore dhe e ardhmja e kësaj është që këto nënstacione do operojnë edhe pa operator, pra online,” tha kreu i OSHEE-së.

Kryeministri Rama u shpreh se rritja turistike e zonës, ku vetëm para pak ditësh u firmos një kontratë për 2 hotele me 5 yje, e bënte të domosdoshme një investim të tillë.

“Është zonë me shumë perspektivë zhvillimi turistik dhe sidomos ndërtimi i hoteleve të reja, me gjithë ato kapacitete e nevoja, e bën domosdoshmëri që të ketë furnizim normal me energji” u shpreh Kryeministri.

Me nënstacionin do të furnizohen plazhi i Gjiri i Lalzit, zona e Manzës, Ishmi dhe deri te Kepi i Rodonit. Në Durrës, OSHEE ka investuar gjatë 4 viteve të fundit rreth 5.6 miliardë lekë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.