Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Lasgush Poradeci” është shkolla më e re e Tiranës, në zonën e Kombinatit, tashmë tërësisht e transformuar pas tërmetit, si një institucion i denjë arsimor, për 1200 nxënës dhe 120 fëmijë të zonës.

Shkolla dhe kopshti i ri janë mundësuar me financimin dhe mbështetjen e Shtetit të Katarit dhe ofrojnë një infrastrukturë moderne të pajisur me të gjitha mjediset për mësim, sport dhe argëtim.

Kryeministri Edi Rama, ishte sot ne ceremoninë e organizuar me rastin e përurimit të shkollës, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Ministren e Arsimit Evis Kushi, Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe me drejtues e përfaqësues  të  Fondit të Katarit për Zhvillim. Në përshëndetjen drejtuar nxënësve, mësuesve dhe të pranishmëve, Kryeministri Rama u shpreh: 

 

Përshëndetje të gjithëve! Është vërtetë shumë kënaqësi që të jemi të gjithë këtu sot, bashkë me nxënësit, mësuesit dhe drejtuesit e kësaj shkolle dhe mbi të gjitha, me miqtë nga Katari, për të shijuar gjithë bukurinë dhe forcën e këtij transformimi.

Unë dua t’i falënderoj edhe në emrin tuaj dhe të prindërve tuaj pikërisht këta miq, të cilët bashkë me të tjerë, na u gjendën  në një moment tmerrësisht të vështirë, ku praktikisht, bota u përmbys për mijëra e mijëra familje që humbën shtëpinë, mbetën pa çati në pak sekonda dhe për mijëra e mijëra nxënës që humbën shkollën dhe u detyruan të lëvizin në destinacione të tjera. për hir të së vërtetës, në mos të gjithë, shumica dërrmuese e atyre që u goditën më fort nga tragjedia e tërmetit, as që nuk e besonin se shumë shpejt gjërat do të ndryshonin dhe se familjet do të ktheheshin në shtëpi shumë më të bukura, shumë më të forta dhe nxënësit në shkolla që nuk kanë asnjë të krahasuar me ato që ishin përpara asaj goditjeje.

Gjërat rrodhën ndryshe e falë edhe gjithë atij solidariteti që u krijua në atë moment, falë edhe të gjitha miqësive, të cilat, me durim dhe përpjekje të mëdha, ne kemi forcuar në këto vite, përfshirë edhe miqësinë me miqtë që janë këtu sot, nga Katari, ja ku jemi dhe patjetër që kemi  arsye shumë të forta sot sesa c’kishim përpara tërmetit për të besuar tek vetja dhe tek e ardhmja jonë.

Këtu në Kombinat është një nga zonat më të prekura nga tërmeti dhe për njëmijë e një arsye, numri i familjeve të goditura është më i konsiderueshëm sesa në zona të tjera të Tiranës dhe kjo është zona ku do të ndërtohet një nga projektet më të mëdha të rindërtimit.

Përfitoj nga rasti për t’u thënë të gjithë atyre familjeve që po presin për t’u kthyer në shtëpi se duhet të bëjmë edhe pak durim pasi, pikërisht se është një nga projektet më të mëdha, në mos më i madhi, duhet edhe pak më shumë kohë sesa për ndërtimin e shtëpive individuale në zona të caktuara apo dhe për ndërtimin e lagjeve më të vogla.

Lagja e re, e cila do të ndërtohet këtu, do jetë njësoj si kjo shkollë për nga impakti transformues të jetëve të atyre familjeve që u goditën, por edhe i gjithë jetës së komunitetit. Dua t’i garantoj të gjithë që, jo vetëm nuk kemi lënë asnjë ditë të shkojë, por vazhdojmë punojmë pa orar, së bashku me bashkinë e Tiranës, për të garantuar që shtëpitë dhe të gjitha njësitë e tjera që do ndërtohen, që tek ato tregtare dhe sociale dhe administrative në zonën e Kombinatit, të bëhen realitet një orë e më parë.

Nga ana tjetër, meqë jemi këtu për të inauguruar një shkollë të re, dëshiroj që t’u them nxënësve që janë këtu të pranishëm, por edhe gjithë atyre që mbase do ta ndjekin këtë fjalë, se ne duhet të shohim shumë përtej infrastrukturës së re dhe duhet të angazhohemi shumë qenësishëm, që me vitin e ardhshëm, me buxhetin tanimë të miratuar në parlament për vitin e ardhshëm, por dhe vitet në vijim, për të kthyer çdo vit e më shumë fonde dhe vëmendje tek më të rinjtë, tek më të vegjlit dhe për t’i transformuar shkollat, jo vetëm në hapësira të rindërtuara nga pikëpamja e infrastrukturës për të marrë mësim, por edhe në hapësira për t’u organizuar, në aspektin social, kulturor e sportiv dhe të gjithë këto hapësira të reja, palestra të reja, fusha të reja sporti, salla të reja siç është kjo sallë këtu, të jenë në shërbim të një jete të re në shkollë dhe të mbushjes me energji pozitive të asaj kohës, nga klasa në shtëpi, nga banka në shtrat, për të fjetur dhe për t’u zgjuar të nesërmen.

Është një kohë jo e vogël, është një shqetësim për prindërit, por edhe një mangësi, një boshllëk për nxënësit, pasi nuk ka mjaftueshëm aktivitet për mendjen dhe trupin, për talentet dhe për shëndetin fizik. Kështu që, me shumë vëmendje dhe energji, ne do përmbysim komplet këtë trashëgimi të gjithë këtyre viteve të vështira, duke marrë parasysh faktin që tani i kemi mundësitë.

Do kishte qenë shumë e vështirë të organizoheshim ashtu si duhet në kushtet ku kemi pasur shumë pak hapësira në dispozicion të denja për të bërë organizime sportesh, organizime të hapësirave të artit, të teatrit e me radhë ndërkohë që sot këto mundësi po krijohen dhe me kushtet e sotme, mund ta nisim këtë fazë të re për shkollën, për fëmijët, për komunitetet në çdo shkollë dhe pranë çdo shkolle.

E fundit që kam, është që në ndërkohë, ne e kemi parë në vijim se ndërtimi i shkollave, ndërtimi i mureve të shkollave, sado të forta e të bukura të jenë ato, është i pamjaftueshëm, ashtu sikundër është e pamjaftueshme të kemi vetëm klasa mësimi nëse nuk kemi biblioteka në shkollë, nëse nuk kemi laboratorë me standardet më të mira në shkollë, nëse nuk kemi të gjithë mbështetjen që i duhet dhënë procesit mësimor me infrastrukturën suplementare, jo thjesht me muret, bangat, me dyert, por edhe me të gjithë atë infrastrukturë suplementare që i shërben zhvillimit të mëtejshëm përmes eksperimenteve, përmes aktivitetit jashtë klasës në gjithë ato drejtime që lidhen me mësimin teorik.

Do bëjmë një ndryshim të qenësishëm për laboratorët, duke filluar nga ky vit ku po hyjmë, sepse kemi vendosur një buxhet të rëndësishëm për këtë.

Do bëjmë një ndryshim të qenësishëm për mësimin e informatikës dhe, siç kemi futur që këtë vit qysh në klasën e parë anglishten, do fusim më tutje edhe mësimin e teknologjisë qysh në klasën e parë, ama duke u dhënë mundësi fëmijëve të kenë akses të drejtpërdrejtë me një mësim praktik, jo thjesht teorik, por mësim praktik, që do të thotë mjete të teknologjisë, sistem tërësor të mësimit të teknologjisë, në mënyrë që të përgatisim shumë më tepër vajza dhe djem për një treg, që është treg i madh, global, botëror, ku mund të hyhet dhe të punohet dhe të fitohet shumë më tepër se një rrogë kudoqoftë, pa qenë nevoja fare për të lëvizur nga shtëpia.

Ashtu sikundër do të investojmë shumë seriozisht për të pasur biblioteka prej vërteti. Bibliotekat që kemi sot në shkolla nuk janë biblioteka prej vërteti; janë rafte të mbushura pjesërisht në mënyrë shumë modeste, ndërkohë që është plotësisht e mundur që bibliotekat e shkollave të jenë biblioteka, jo vetëm për nxënësit, por edhe për komunitetin, të pasura dhe të organizuara në funksion të të gjithë atyre që duan dhe të forcojnë kontaktin me librin.

Ju faleminderit edhe njëherë miqve tanë nga Katari!

I gjithë ky proces rindërtimi është një proces i jashtëzakonshëm për nga sinergjitë që janë krijuar. Në një masë të madhe është financimi i vetë qeverisë shqiptare, por do ishte i pamundur gjithë ky proces nëse nuk do na ishin bashkuar edhe kaq miq dhe partnerë, Bashkimi Europian, Republika e Turqisë, Emiratet e Bashkuara, qeveria e Katarit, plot nga qeveritë e tjera të vendeve të ndryshme europiane dhe jo vetëm, të cilat kanë marrë përsipër të financojnë projekte të veçanta.

Dua të falënderoj dhe kompaninë, e cila është një kompani shqiptare që punon në Katar dhe është zgjedhur nga partnerët tanë për të bërë këtu një punë kaq të shkëlqyer dhe me këtë rast dua ta përsëris për të gjithë ata që flasin, edhe pse nuk kanë asgjë për të thënë ose edhe pse nuk dinë se çfarë flasin, se përsa i përket zbatimit të projekteve, të gjitha projektet e financuara nga të gjithë partnerët, që nga Bashkimi Europian deri tek qeveria e Katarit, që na ka mbledhur këtu sot me këtë projekt fantastik, janë financime të administruara nga ata vetë.

Gjithë atyre që vazhdojnë flasin për miliarda që i mori në një thes qeveria e Shqipërisë, duhet t’u themi që asnjë qindarkë e atyre investimeve të bëra nga qeveria  e Shqipërisë nuk është një qindarkë e partnerëve dhe asnjë qindarkë e partnerëve nuk është administruar nga qeveria e Shqipërisë. Partnerët kanë vënë në dispozicion fondet, partnerët kanë paguar projektet, partnerët kanë bërë garat, partnerët kanë vendosur fituesit, partnerët kanë lidhur kontratat dhe qeveria e Shqipërisë, së bashku me bashkitë, thjesht ka shoqëruar këtë proces, duke u garantuar që projektet janë projektet e duhura, duke bërë oponencat e nevojshme në nivelin e bashkive ku janë miratuar lejet e ndërtimit dhe kaq. E gjithë pjesa tjetër është një punë e ndarë më së miri duke i bashkuar forcat dhe duke i përcaktuar shumë mirë kufijtë ku secili ka marrë përsipër të bëjë një pjesë të punës dhe e ka bërë në mënyrë të shkëlqyer, siç ndodh këtu apo do ta bëjë si këtu edhe për të tjerat.

Duke u kthyer tek ndërtimi i lagjes së re të Kombinatit, është 100% investim i qeverisë së Shqipërisë, është 100% investim nga buxheti i shtetit shqiptar dhe nuk ka aty asnjë qindarkë që na e ka dhënë bota. Janë të gjitha qindarkat e mbledhura dhe të mirëadministruara nga taksapaguesit shqiptarë dhe siç është kjo shkollë, më këtë standard, me këtë shkëlqim, kështu do jetë dhe lagja e re e Kombinatit dhe të gjithë ata, të cilët me shumë të drejtë janë në pritje dhe padurim për të hyrë në shtëpi, do t’i bëjnë hallall të gjitha ditët dhe netët që nuk kanë qëndruar jashtë, nuk kanë qëndruar as nëpër çadra por kanë kaluar dhe do t’i kalojnë deri ditën e fundit në shtëpi me qera të paguara nga qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.