Prononcim i Kryeministrit Rama dhe Zëvendëskryeministrit e ministrit të Ministrit të Jashtëm të Kosovës Hashim Thaçi, pas takimit me familjarë të heroit kombëtar Isa Boletini dhe të bashkëluftëtarëve të tij:
“Sapo kemi përfunduar një bashkëbisedim vëllazëror me familjen e heroit tonë kombëtar, Isa Boletinit dhe familjarë të bashkëluftëtarëve të tij që luftuan dhe dhanë jetën sëbashku. Kam kënaqësinë që të njoftoj gjithë shqiptarët kudo ku janë, se propozimi ynë për të vendosur Isa Boletinin pranë Ismail Qemalit në Vlorë, përmes ceremonisë së merituar dhe të pamundur për kaq shumë vite e vite, në bashkëpunim mes dy qeverive tona, është mirëpritur dhe është pranuar nga familja dhe nga Qeveria e Kosovës.
I jam shumë mirënjohës Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Kosovës për gatishmërinë e treguar në ndërmjetësimin e këtij propozimi me familjarët. I jam shumë mirënjohës familjarëve për mirëkuptimin e plotë, duke qenë njëkohësisht edhe i lumtur që ky propozim, ju ka dhënë, siç edhe vetë e pohuan, një lumturi të veçantë.
Data e përcaktuar për të kryer gjithë ritualin kombëtar për të përcjellë eshtrat e heroit tonë nuk ndryshon, është data 10 qershor. Rrugëtimi do të kryhet nëpërmjet gjithë trojeve të Kosovës dhe Shqipërisë, deri kur gjithë ceremonia të përmbyllet në sheshin e Pavarësisë dhe Isa Boletini të prehet pranë vëllait, mikut dhe bashkëluftëtarit të tij, Ismail Qemalit.
Jemi të bindur që jo vetëm sëbashku po bëjmë gjënë e duhur për të nderuar këtë figurë të madhe, për të nderuar këtë histori të madhe, por, nga ana tjetër, edhe për t’i përcjellë gjeneratave të reja mesazhin e fortë dhe të kthjellët të ëndrrës dhe të betejës së përbashkët të këtyre dy baballarëve të kombit dhe padyshim, edhe të shtetit tonë.
Edhe një herë falenderoj familjarët dhe nënvizoj në fund se sëbashku me Isa Boletinin do të vijnë në Vlorë, edhe eshtrat e bashkëluftëtarëve të tij të vrarë në të njëjtin moment sëbashku, të cilët do të prehen në varrezat e dëshmorëve, në Vlorë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi:
Faleminderit shumë i nderuari Kryeministër Rama! E nderuara familje Boletini!
Sot është një ditë e veçantë për kombin shqiptar, sepse konfirmojmë vendimin e dy qeverive, me idenë e Kryeministrit Rama, që rivarrimi i heroit kombëtar Isa Boletini të ndodhë në Vlorë, në qytetin e Pavarësisë së Shqipërisë, në qytetin e mesazhit të integrimit dhe bashkimit kombëtar.
Prandaj, sot jemi, këtu, bashkë si dy qeveri, me vendimin edhe të familjes Boletini, që rivarrimi të ndodhë në itinerarin që ka qenë i planifikuar, në itinerarin që vetë e bëri Isa Boletini, në rrugëtimin e tij për pavarësinë e Shqipërisë, për t’iu bashkuar idealit, qëllimit të Pavarësisë së trojeve shqiptare, për t’iu bashkuar vëllait, njeriut të qëllimit e vizionit të përbashkët, Ismail Qemalit dhe të dy bashkë, ashtu siç edhe e bënë Pavarësinë e Shqipërisë, duke u prehur pranë njëri-tjetrit, edhe sot do të dërgojnë mesazhin më të mirë për të ardhmen e kombit shqiptar.
Në 10 qershor do të jemi të gjithë sëbashku, Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, të Preshevës, të Ulqinit, të Malit të Zi, në Vlorë, sepse Ismail Qemali, Isa Boletini e kanë bashkuar një herë e përgjithmonë, me mesazhin e tyre, kombin shqiptar. Besoj se edhe 10 qershori do të dërgojë mesazhin e një perspektive edhe më të sigurt integruese dhe bashkuese për kombin shqiptar.
Më lejoni edhe një herë, i nderuari Kryeministër, t’ju falenderoj shumë për propozimin dhe idenë tuaj, për këmbëngultësinë tuaj, që të ndodhë kjo.
Kam besim të plotë se do të jetë një organizim madhështor. Më lejoni të falenderoj edhe familjarët Boletini, për vendimin e tyre shumë të qëlluar dhe vizionar.