Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga emigrantë, në sipërmarrës të suksesshëm. Kjo është historia e dy vëllezërve, Nik dhe Sandër Nikolli, që u larguan nga Shqipëria me rrobat e trupit dhe brenda dy dekadash ngritën një kompani të suksesshme të aluminit në Milano,  “Grupi Koni”, me degë në Nju Jork, Abu Dhabi dhe tashmë edhe në Shqipëri. Deri në vitin 2013, si edhe shumë emigrantë të tjerë me dëshirën për të investuar në vendlindje, Niku e Sandri e kanë pasur pothuajse të pamundur t’i investonin lekët e tyre në Shqipëri. Për shkak të pengesave dhe burokracive të pafundme këtu, ata e patën më të lehtë të hapin degë të biznesit të tyre fillimisht në Nju Jork e në Abu Dhabi.

I shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, Kryeministri Rama ndau pasditen e sotme me dy sipërmarrësit në ambientet e biznesit të tyre në Lezhë, të cilët e njohën me punën e tyre në emigracion, me përpjekjet e vështirësitë për të mbërritur deri tek ndërtimi i biznesit edhe në Shqipëri. Tashmë shprehen të kënaqur me ecurinë e sipërmarrjes. “90% e procesit të punës këtu bëhet për eksport”, shprehet njëri nga vëllezërit, ndërkohë që të dy e vënë theksin tek mungesa e krahut të kualifikuar të punës dhe mungesës së inxhinierëve dhe specialistëve të nevojshëm për kompaninë e tyre. “Disa punëtorë jemi detyruar t’i dërgojmë në Itali për specializim. Edhe sot është e domosdoshme, sepse kërkojmë teknikë për pajisjet dhe nuk gjejmë persona të aftë,” – thanë ata.

Kryeministri Rama mbështet shqetësimin e vëllezërve Nikolli, pasi ky është një problem i ngritur edhe nga shumë biznese të tjera, por nënvizon se kjo situatë e trashëguar ndër vite, tashmë me Reformën në Arsimin Profesional po merr kthesë. “Ky është problemi që kemi trashëguar gjithë këto vite. Nuk është menduar të harmonizohet vizioni për shfrytëzimin e potencialeve që ka vendi, qoftë burimeve natyrore dhe si burim i rëndësishëm edhe vetë krahu i punës. Kemi 25 vjet që themi jemi të pasur dhe jemi realisht, me naftë dhe minerale, por nuk kemi teknikë nafte, teknikë miniere. Tani kanë filluar shkollat e para profesionale këtu, por kompanitë e huaja që vijnë për të eksploruar i sjellin specialistët nga jashtë. Tani ka filluar të marrë arsimi profesional goxha peshë, por prapë është larg asaj që duam. Ne e filluam me 3000 nxënës në shkollë profesionale, tani jemi 27 mijë. Ky vit ka qenë bum për regjistrimet, por duhen më shumë shkolla. Ndërkohë planifikojmë për ndërtimin e 6 shkollave të mëdha profesionale,” – shprehet Kryeministri Rama.

Ministrja Nikolla propozoi idenë e futjes së sipërmarrësve si vëllezërit Nikolli në bordet e programeve të shkollave profesionale, për të pasur edhe ata influencën e tyre në krijimin e specialistëve me kualifikimin e duhur, për të cilët ka më shumë nevojë tregu i punës.  “Ne do flasim që të ndërtojmë një bashkëpunim të mirë, që ju të jeni pjesë e bordeve që ndërtojnë programet”, thotë ministrja Nikolla. Një ide që Kryeministri e mbështet, duke kërkuar edhe që këto borde të kenë akses në programim, sipas nevojave që ka biznesi i tyre dhe tregu. “Nëse ju keni nevojë për punonjës, atëherë ju influenconi programin dhe ata paralelisht shkojnë në shkollë, vijnë këtu mësojnë dhe kur mbarojnë shkollën janë gati të punojnë me orar të plotë”, – shprehet Kryeministri.

“Është e rëndësishme të dish çfarë kërkon biznesi, – thonë edhe vëllezërit Nikolli, – cilin profesion apo cilin nivel ekspertize. Ne po investojmë mbi personelin. Mundësitë për të punuar janë të shumta, por duhet personeli i duhur.”

Vëllezërit Nikolli janë vetëm një prej shembujve të historive të suksesit në sipërmarrje, që rrugëtimin e tyre e kanë nisur në emigracion. Nëse ke ide, ke guxim arrin sukses.  “Kompanitë shqiptare në Itali që janë të regjistruara dhe paguajnë taksa, – nënvizon Kryeministri, – vjet kanë paguar 3.5 miliardë euro taksa. Janë rreth 41 mijë kompani shqiptare,  që nga më të voglat deri tek më të mëdhatë, që paguajnë taksa në Itali.” Ndërkohë me reformimin plotësisht të kuadrit rregullator të fushës së biznesit, është bërë i mundur përmirësimi i klimës së biznesit dhe reduktimi i burokracisë në sipërmarrje, mjaft  nga këto sipërmarrje e kanë vazhduar suksesin edhe në Shqipëri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.