Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nisjes nga puna të impiantit të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Elbasan:

 

Mirëdita të gjithëve!

Sot e kemi filluar ditën shumë keq në Elbasan. Ishim në spital, për të parë nga afër një transformim jashtëzakonisht të rëndësishëm, që iu jep mundësi të gjithë atyre që kanë nevojë për dializë, që më në fund ta bëjnë atë në kushte njerëzore, të respektit të shtetit për njeriun dhe të njeriut për njeriun, pas një periudhë shumë të gjatë torturash e zvarritjesh, kur u duhej të shkonin tre herë në javë në Tiranë, apo ta bënin dializën edhe pas mesnatës, për shkak të pamundësisë fizike që kishte sistemi i shkuar për këtë shërbim. Aty pashë i tmerruar situatën rreth spitalit, ku mësova që me një vendim gjykate, spitalit dhe bashkisë së qytetit iu ishte ndaluar ndërtimi i një muri rrethues sigurie. Gjykatësi kishte parë të udhës që të zgjidhte mes interesit publik dhe interesit të njerëzve në nevojë për kujdes shëndetësor, interesit të trupës mjekësore për të punuar e qetë në një sistem normal sigurie dhe interesit të disa zaptuesve të tokës publike, interesin e këtyre të dytëve.

Menjëherë kam dhënë urdhër që të fillojë shembja e gjithë atyre godinave që u bënë sebep për ta mbajtur spitalin e Elbasanit peng. Një rresht farmacish që janë pjesë e zinxhirit të vjetër dhe të ndryshkur të korrupsionit, që ne e kemi këputur në shumë hallka, por nuk e kemi këputur ende njëherë e mirë. E për këtë arsye na duhet ende shumë punë, ende shumë mund, ende shumë durim dhe ende shumë energji të përbashkëta, që t’ia dalim që në çdo vend ku është shteti, të ketë shtet dhe në çdo vend ku është qytetari, të ketë shtet.

Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Elbasanit që shumë shpejt spitali do të shpëtojë nga kthetrat e të gjithë atyre spekulantëve që e kanë marrë peng dhe jam i bindur që gjykatësi që ka dhënë atë vendim do të shkojë të përgjigjet para drejtësisë, sepse Vetting-u mund të vonohet, por nuk harron më drejtësia. Ka ardhur koha që në këtë vend të bëhet drejtësi dhe interesi publik apo interesi i çdo njeriu të mirë dhe të ndershëm, që zbaton rregullat, që kontribuon për shtetin, të mos bëhet më top futbolli në këmbët e gjykatësve të korruptuar.

Nga ana tjetër jam realisht shumë i kënaqur që dita që filloi aq keq, mbyllet në mënyrë kaq surprizuese edhe për mua që e kam mbështetur këtë projekt që ditën e parë kur e kemi votuar në Këshillin e Ministrave. Por duhet ta them shumë sinqerisht që, pasi kam dëgjuar prezantimin e ministrit të Mjedisit, më është dukur shumë e bukur për të qenë e vërtetë. I kam thënë në mbledhjen e qeverisë se mbështetjen do ta kesh deri në fund, por çfarë dëgjova, me çfarë do shoh, nuk më duken se do përputhen.

Në fakt, çfarë kam dëgjuar me çfarë po shoh jo vetëm përputhen, por kjo që po shohim i kalon të gjitha parashikimet e bëra.

U jam shumë mirënjohës atyre që punuan për këtë projekt dhe atyre që investuan në këtë projekt. U jam shumë mirënjohës ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Financave. Ky i fundit, megjithëse është gjirokastrit, në këtë rast e zgjidhi deri në fund qesen, gjë që ju siguroj nuk është e lehtë.

Mbi të gjithë dua të vlerësoj shumë sinqerisht Qazim Sejdinin, sepse ka qenë i pari që ka besuar se ky qytet mund të shpëtojë nga mortja, që i ngjante një mallkimi të paracaktuar për ta ndjekur Elbasanin gjeneratë pas gjenerate, e fushës së vjetër të plehrave që digjeshin në qiell të hapur dhe që e bënin qytetin dhe zonën përreth të pajtueshme, kur binte dielli.

Sot, kjo është një mortje që i përket të shkuarës.

Jemi këtu për të parë nga afër një impiant që është shëmbëlltyrë kuptimplotë e teknologjisë së fundit dhe padyshim, një investim për të cilën nuk kemi si të mos jemi krenarë. Duke parë parametrat e këtij impianti, duke parë gjithë të mirat që ky impiant do të sjellë jo vetëm për mjedisin, por edhe për ekonominë e qytetit dhe duke parë zinxhirin teknologjik të përpunimit të mbetjeve në rajonin tonë, nga vendi më i degraduar dhe më i prapambetur që ishim në aspektin mjedisor, vendi që bashkëjetonte me bombën ekologjike të Elbasanit, mu në zemër të vet, deri tre vjet e gjysmë më parë, sot jemi në pararojë të transformimit teknologjik. Transformimit teknologjik edhe në funksion të një transformimi mjedisor, për t’i dhënë fund një historie të tmerrshme të kthimit të mjedisit tonë në një hapësirë ku plehrat kanë bërë kërdinë, historikisht, qysh pas rënies së regjimit të vjetër.

Sot, ne kemi një impiant që nuk e ka askush në rajon.

Nuk keni parë gjë akoma, realisht, sepse ky është vetëm fillimi. Jam i bindur që falë këtij shembulli fantastik dhe falë faktit që kontributor shumë i rëndësishëm në këtë arritje është ministri i Mjedisit dhe këshilltarët e Bashkisë së Fierit, të partisë simotër të Lëvizjes Socialistë për Integrim, tanimë do jenë të bindur që nuk është fitore ta bllokosh zhvillimin e një projekti të tillë edhe në Fier, por fitore është ta ndërtosh. Kështu që shpresoj shumë që do të ktheheni në Fier të frymëzuar, të entuziazmuar dhe të gjithë së bashku do t’i bindim edhe banorët e Fierit, sidomos banorët e zonës ku parashikohet të ndërtohet ky projekt, që ky projekt nuk sjell ndotje, por ky projekt sjell ekonomi, sjell punësim, sjell zhvillim.

Këtu do të jemi edhe më pas, kur do të vijmë të vizitojmë 600 ha sera ultra moderne në pllajën aty sipër, të cilat do të ndërtohen dhe funksionojnë falë avullit që do të krijohet nga përpunimi i plehrave këtu mbrapa. Të mos e harrojmë se 60% e kostos së serave hidroponike është ngrohja.

Ndërkohë që 60 hektarë sera në një tokë të bashkisë, ku bashkia do të gjejë rrugën e saj për t’i ndërtuar në bashkëpunim me sipërmarrjen private, do jenë me kosto shumë të ulët dhe do të krijojnë vende të tjera pune, do të krijojnë një tjetër hapësirë zhvillimi ekonomik dhe social për gjithë zonën dhe do të krijojë një tjetër shembull të Shqipërisë që Duam.

Ky është një shembull për të kuptuar një gjë që për fat të keq nuk u kuptua për vite të tëra në Shqipërinë e drejtuar nga ata që, kur pastron plehrat, thonë është show, kurse kur i shikojnë plehrat, thonë është normalitet. Ata nuk e patën kurrë ndjesinë e armiqësisë ndaj plehrave, përkundrazi, bashkëjetuan me plehrat dhe udhëhoqën mbi plehra. Ndërkohë që, sa herë u tentua që të shkohet në drejtim të kundërt me tendencën e asaj politike primitive në raport me plehrat, gjithmonë u ngritën zërat që klithën për ndotje, për helme, për intoksikime, deri për zhdukje masive të popullatës në këtë vend.

Plehrat mund të jenë sëmundje, siç ishin për Elbasanin deri dje. Mund të jenë dhe pasuri, siç janë për Elbasanin sot. Dallimi mesh nesh dhe atyre që sot janë në çadër dhe janë në kushtet e një sere që nuk riciklon, është që për ata, plehrat do të vazhdojnë të jenë sëmundje, për ne, mbetjet e këtij vendi janë një pasuri. Një pasuri që ne do ta kthejmë në burim ekonomie dhe zhvillimi, patjetër edhe në një instrument për të pasur një mjedis në lartësinë e veprës që bëri Zoti kur bëri Shqipërinë, një vend të mrekullueshëm të qëndisur për “telha”, që vetëm dora e robit nuk e la që ajo bukuri dhe ajo mrekulli që quhet Shqipëri të kthehej me kohë e me vakt në mirëqenie dhe në pasuri për njerëzit e këtij vendi.

Nuk është vetëm Fieri, është edhe Tirana ku ka filluar një histori e re në administrimin e mbetjeve. Një histori që është trajtuar nga ata që bashkëjetesën me plehrat e kanë nevojë fiziologjike si një histori mafioze, si një histori kriminale, si një histori e zymtë. Në fakt është një histori e re që po e çon Tiranën, hap pas hapi, tek diferencimi i mbetjeve në burim.

Diferencimi i mbetjeve në burim është një sfidë për të gjitha Bashkitë e reja, që dolën nga reforma administrative territoriale. Impiante si ky janë një arsye më tepër për të bërë diferencimin në burim dhe për t’i kthyer mbetjet në para për bashkinë dhe ekonominë lokale. Jemi në proces që këtë impiant ta ndërtojmë edhe në Fier, edhe në Tiranë.

Ky moment është vërtet emocionues, sepse është shumë emocionuese të shikosh sesi politika, e cila është një forcë që mund të bëjë të këqija, është njëkohësisht një fuqi që mund të bëjë mirë. U desh politika që të ndodhte kjo që ka ndodhur këtu. U deshën disa njerëz që përmes politikës përmbysën një histori që i ngjante një fataliteti për Elbasanin dhe bënë të mundur që aty ku deri dje ishin plehrat që digjeshin, duke shpërndarë helmet e tyre dritare më dritare, rrugicë më rrugicë e hapësirë në hapësirë, të ketë sot një park urban. Ndërkohë që këtu ka sot, një shëmbëlltyrë të shkëlqyer të zhvillimit teknologjik, ekonomik dhe social.

Kjo është një arsye shumë e fortë, për të gjithë ata që shpeshherë bien pre e idesë së gabuar se këtu jemi të gjithë njësoj.

Po të ishim të gjithë njësoj, sot nuk do ishim mbledhur këtu, por do ishim duke marrë ajrin e plehrave të djegura në fushën që do ishte po aty;

Po të ishim të gjithë njësoj, sot Elbasani nuk do ishte një hapësirë ku ka ende shumë punë për të bërë, por ku përpjekja për ndryshim ka filluar të japë frute konkrete, duke frymëzuar qytetarët e këtij vendi ta shohin me shumë më tepër shpresë të ardhmen në këtë qytet;

Po të ishim të gjithë njësoj, plehrat e Elbasanit do vazhdonin të ishin sëmundja e Elbasanit;

Pikërisht pse s’jemi të gjithë njësoj, plehrat e Elbasanit, nga ky moment do të jenë një vlerë e shtuar në pasurinë ende modeste të Elbasanit që, sidoqoftë sot, tre vjet e gjysmë pasi ne kemi filluar këtë rrugë shumë të vështirë për të rilindur Shqipërinë, për të rilindur Elbasanin, për të rilindur qytetet dhe fshatrat tona, ka shumë më tepër, seç kishte deri dje.

Na duhet ende shumë dhe për të bërë më shumë, na duhet të vazhdojmë të mësojmë më shumë. Në fund të ditës, dallimi midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim nuk është tek ajo që kanë, por është tek ajo që dinë. Ka vende që s’kanë, por janë të pasura se dinë, ka vende që kanë, siç është vendi i mrekullueshëm që quhet Shqipëri dhe janë të varfra, sepse nuk kanë ditur.

Ne do të bëjmë çmos që të mësojmë sa më shumë dhe të bëjmë sa më shumë, në mënyrë që sa më shumë, Shqipëria të jetë vendi ku përmes shtetit që duam, secili të ketë mundësi të punojë, nëse do të jetojë me punë të ndershme dhe që për secilin, mirëqenia të mos jetë një privilegj, por të jetë një mundësi.

Kjo është plotësisht e mundur.

Kur shikon sot, këtë vepër dhe ke parasysh se nga u nisëm në momentin kur menduam që t’i hyjmë detit në këmbë, për të ndërtuar këtë impiant këtu në Elbasan, atëherë thua, asgjë nuk është e pamundur, gjithçka është e mundur.

Më besoni që, nëse tre vjet e gjysmë më parë kam besuar që Shqipëria bëhet, tre vjet e gjysmë më pas jam shumë herë më i bindur që Shqipëria do bëhet!

* * *

Nga fusha e plehrave që digjeshin në qiell të hapur e helmonin gjithë qytetin, në fushën sanitare të standardeve europiane ku mbetjet shfrytëzohen për prodhim energjie. Ky është realiteti i ri mjedisor në Elbasan, ku sot ka nisur nga puna Impianti i përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë, vepra më e madhe inxhinierike, unike dhe e para e këtij lloji në vendin tonë.

Impianti i realizuar sipas standardeve më të larta europiane do të prodhojë energji elektrike nëpërmjet përdorimit të mbetjeve urbane si lëndë djegëse, duke përzgjedhur teknologjinë më të fundit në fushën e ndërtimit të impiantëve të këtij lloji. Në realizimin e tij morën pjesë me pajisjet më të mira të vitit 2016, firmat më prestigjioze si: SIEMENS, PAUL WURTH, TAMA, PENETRON, ONYX, AVE CONSULTING etj.

Metoda e përdorur për trajtimin e mbetjeve ofron qëndrueshmëri dhe kontribut më të lartë për ruajtjen e klimës sesa metodat tradicionale për trajtimin e mbetjeve siç janë landfill-et. Shfrytëzimi i impiantit sjell një prodhim me kapacitet rreth 2.85 MW/ njësi ose 17.250 milionë MW/ vit për banorët. Ky projekt vlen edhe për biznesin, pasi avulli që gjenerohet nga procesi i përpunimit mund të përdoret në sektorin bujqësor, veçanërisht të shfrytëzohet nga serrat.

Për të përmirësuar nivelin e mjedisit shoqëria ndërtuese ka bërë një rrethim të zonës së impiantit me kurorë të gjelbër, duke mbjellë me bar një sipërfaqe prej rreth 10.000 m2 përqark impiantit, si dhe rreth 1050 pemë dhe fidanë dekorativë e frutorë.

Vënia në punë e impiantit të përpunimit të mbetjeve dhe ndërtimi i landfillit e bëjnë qarkun e Elbasanit një model suksesi për të gjitha qarqet, në drejtim të menaxhimit të integruar të mbetjeve të ngurta urbane.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka ishte sot në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku merrnin pjesë gjithashtu kryetari i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, drejtues të kompanisë italiane Albtek Energy, punonjës të impiantit, etj..

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.