Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Edhe familjen e Bashkim Sefës në Kukës, e cila jeton prej vitesh në kushte mjaft të vështira, në një banesë të rrënuar me vetëm dy dhoma, ky Vit i Ri do ta gjejë në një shtëpi të re, të ndërtuar nga e para. Bashkimi dhe bashkëshortja e tij, Valdetja e kishin mjaft të vështirë të bënin qoftë edhe riparimet më të nevojshme në shtëpinë ku jetojnë së bashku me 6 fëmijët e tyre, pasi janë të papunë dhe trajtohen me ndihmë ekonomike.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë parë nga afër vështirësitë me të cilat përballet kjo familje.

“Nuk e kam pritur këtë surprizë. Hera e parë në jetën time,” shprehet Bashkimi.

“Çfarë bie jashtë, bie brenda,” e përshkruan shtëpinë Valdetja.

“Për shtëpinë do jetë objektivi që Vitin e Ri ta prisni në shtëpi të re. Kjo duhet filluar nga e para, se nuk ka shans të riparohet dhe të bëjmë një shtëpi tamam. Fëmijët duhet të kenë mundësi të jetojnë normalisht, të mësojnë,” premtoi Kryeministri Rama.

Kryeministri u angazhua gjithashtu që, përmes zyrës së punës të shihen mundësitë për sistemimin në punë të kryefamiljarit, mundësi që në Kukës do të rriten me fillimin e disa projekteve madhore. “Ne do ta zgjidhim këtë çështje. Unë mendoj që është plotësisht e mundshme, fillimisht me një punë ku të mund të të vijë rroga në shtëpi, pastaj me kantieret që do hapim këtu shumë shpejt të stadiumit të ri dhe të aeroportit, do jetë më e thjeshtë. Do ketë shumë hapësira për punësime, sidomos tek aeroporti,” tha Kryeministri.

Familja Sefa është në pritje të një tjetër fëmije, i cili do të vijë në jetë verën e ardhshme. “Ai do të të vijë me çek në shtëpi, sepse kemi programin e ri pas 1 janarit. Kështu që ai vjen me 1200 dollarë me vete,” u shpreh Kryeministri, ndërsa i premton Brisildës, e cila është fëmija i parë i familjes, nxënëse e klasës të katërt, që shumë shpejt do të kthehet sërish, për të shkuar të gjithë bashkë ne shtëpinë e re.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.