Shqipëria kremton sot Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 110 vjetorin e Pavarësisë.
Në nderim të traditës, nga Vlora nisën festimet kushtuar kësaj dite, me ceremonialin shtetëror të ngritjes së Flamurit, nën tingujt e himnit kombëtar dhe me praninë e personaliteteve më të larta politike të Shqipërisë dhe Kosovës.
Kryeministri Edi Rama, vendosi një kurorë me lule dhe u përkul me respekt pranë monumentit simbol të përpjekjeve dhe sakrificave të patriotëve shqiptarë për pavarësi, ku zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Lindita Nikolla, Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, drejtues të pushtetit vendor, si dhe qindra qytetarë të Vlorës dhe jo vetëm.
Pas fjalës së mbajtur nga Presidenti Begaj, festimet në qytet vijuan me aktivitete të ndryshme dedikuar kësaj dite.