Kryeministri Rama në konferencë për mediat pas vizitës së Papa Françeskut:
Mirëmbrëma te gjithëve,
Besoj se është çasti i duhur për t’u ndjerë plotësisht të lehtësuar për përfundimin me suksesin më të plotë, të një dite të jashtëzakonshme, por posaçërisht të vështirë përsa i përket organizmit. Një organizim që përfshiu një masë të atillë institucionesh, kontributesh dhe njerëzish si asnjëherë më parë dhe që deri në sekondën e fundit ishte në lartësinë e pritshmërisë.
Jam shumë krenar sot, për gjithçka kemi arritur të bëjmë të gjithë sëbashku. Në radhë të parë, shumë krenarë për atë që bëmë sot, duke dëshmuar me praninë dhe me angazhimin e tyre, atë që është e përditshmja jonë, e panjohur për të tjerët. Të gjithë përfaqësuesit e klerit shqiptar, pa dallim. E, posaçërisht, të gjithë ata që përfaqësojnë besime të ndryshme nga ai katolik, të cilët i dhanë ditës së sotme, të gjithë atë pluhur të artë yjesh, që e bëri Shqipërinë të ishte çudia në çdo ekran dhe në çdo sy, që zbuloi falë Atit të Shenjtë, një Shqipëri të ndryshme, thelbësisht të ndryshme nga ajo e sterotipeve me të cilat për fat të keq janë mësuar me vite dhe dekada të tëra të na shohin dhe të paragjykojnë.
Sprova e bashkëjetesës së paqtë fetare në Shqipëri, e cila ka kaluar përmes errësirash prej ferri dhe acaresh shpirtërore të pashoqe në të kaluarën, por e cila gjendet dhe përballë kërcënimesh dhe tundimesh të mëdha në të sotmen, ishin arsyeja themelore pse ne e dëshiruam me gjithë zemër ardhjen e Papa Françeskut dhe u bënë edhe shtysa e madhe që e solli Papën në Tiranë, në një kohë kaq të shkurtër, pas ftesës së marrë gjatë vizitës sime në Vatikan.
Ardhja në Shqipëri e një lideri të përbotshëm shpirtëror, e një flamurtari të përpjekjes njerëzore kundër përjashtimit, kundër paragjykimit dhe dasisë mes njerëzve për arsye feje, për arsye etnije, për arsye race apo shtresave sociale dhe mbi të gjitha, pritja e tij sot, me kaq dëshirë dhe me kaq entuziazëm, nga të krishterë e myslimanë, pa dallim, është në vetvete një mrekulli shumë e rrallë në botën që ne jetojmë.
Duke qenë pjesë e kësaj mrekullie çdo ditë, mbase ne jemi të parët që e kemi më të vështirë se kushdo tjetër për të perceptuar se çfarë thesari kemi në duar dhe se çfarë detyrimi të jashtëzakonshëm kemi në zemër dhe në mendje, të gjithë sëbashku, për ta mbrojtur dhe për ta bërë këtë thesar të rrezatojë anembanë, në funksion të nxjerrjes në pah në sytë e njëri-tjetrit, por edhe të gjithëve, të asaj që është Shqipëria ndryshe.
Ky fakt, sot ka një rëndësi të madhe. Një rëndësi shumë më të madhe sesa thjesht dhe vetëm për ne, shqiptarët, që jetojmë me këtë fakt prej kohësh dhe që e kemi fakt të jetës sonë të përditshme. Sepse është një fakt imponues për këdo ndër ne që kupton se bota bëhet përditë e më e vogël dhe ajo që ndodh në ekran, diku larg, në formën e një barbarie kundër pikërisht lirisë së besimit, apo përmes transformimit të një besimi në rrugët më të errëta të djallit, mund të ndodhë kudo dhe mund të ndodhë dhe poshtë dritares së shtëpisë sonë. Fakti që në mes të Europës, shqiptarët kanë një vend të vogël ku të gjithë sëbashku synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian dhe s’kanë asnjë sherr dhe asnjë dasi fetare mes veti, duke qenë myslimanë dhe të krishterë, fakti që shqiptarët nuk kanë ndonjë konflikt apo luftë fetare ose luftë etnike me të tjetër, edhe aty ku ndajnë me ta tokën dhe qiellin e përbashkët të të njëjtit shtet, të të njëjtit qytet apo të njëjtit fshat, fakti se shqiptarët janë myslimanë e të krishterë që besojnë fort tek e ardhmja e përbashkët europiane, që Shqipëria nuk është një vend mysliman, por një vend europian qytetarësh me besime të ndryshme, mishëron sot një shembull absolutisht të shkëlqyer të bashkëjetesës fetare. Një shembull që siç e pamë të gjithë tërhoqi sot gjithë botën, jo thjesht mbas vizitës së Papa Françeskut, por mbas përmbajtjes themelore të kësaj vizite, që është bashkëjetesa fetare, e cila e bën Shqipërinë të jetë shumë, po shumë e rëndësishme në hartën e rrugëtimit të Papës, por edhe në hartën e rrugëtimit të familjes së vendeve të lira dhe demokratike, e rrugëtimit të paqes, të tolerancës, të solidaritetit me më të dobëtit.
Nga ana tjetër nuk është aspak e rastit, përkundrazi, që rrugëtimi i Papës për të vizuar Europën nis nga Shqipëria, nis nga Tirana e varfër jo nga Brukseli i pasur, nis nga Europa që është ende jashtë kornizës së fotografisë së familjes europiane, jo nga Bashkimi Europian, nis nga Ballkani Perëndimor, këtu ku 100 vjet më parë shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe për 100 vjet, luftërat, konfliktet, sherret, përgjakja për arsye etnike, fetare ishte një bashkudhëtare dhe sot ka paqe. Ka paqe dhe vullnet për bashkëpunim dhe për transformim.
E pra, zor të parafytyrohet një gjë e tillë diku tjetër, në botën e sotme që komplikohet përditë e më shumë, sidomos në këtë aspekt. Por edhe sepse si në asnjë realitet tjetër, feja dhe kleri nuk u vranë, gjymtuam, shkatërruan, dogjën dhe përvëluan si në Shqipëri. Ja ku jemi si askund tjetër, feja dhe kleri janë pjesë e tharmit që përbashkon dhe jo vatër zjarresh që ndajnë.
Asgjë nuk mund ta përcaktojë më bukur sesa vetë pamja e liderëve të komuniteteve të ndryshme fetare në pritje të Papës, duarshtrëngimet e tyre me Papën dhe shprehja e përbashkët e vullnetit për ta ruajtur si sytë e ballit këtë thesar të madh, që është bashkëjetesa mes nesh.
Padyshim që ajo çka vjen pas, jam i sigurt se do të vazhdojë të përcjellë rrezatimet e saj në sytë, veshët, mendjet e mbarë botës. Dhe, posaçërisht, edhe në të gjithë atë pjesë të Europës së madhe dhe të bashkuar që i ka parë shqiptarët me skepticizëm, i ka paragjykuar shqiptarët dhe e ka prerë shkurt këndvështrimin për Shqipërinë si një vend të ndryshmish që nuk janë njësoj me të tjerët. Nga sot jam i bindur që ne do të shihemi si një vend të ndryshmish, por që ndryshe nga të tjerët zotërojmë një thesar të madh. Një thesar që është mbledhur sëbashku, në formën e shumë historive, e shumë sakrificave, e shumë martirizimeve, e shumë përpjekjeve, e shumë stërmundimeve, e shumë rezistencave dhe pa as më të voglin dyshim dhe e shumë kujdesjeje dhe vëmendjeje.
Jam posaçërisht i lumtur që zgjedhja jonë për ta pritur Atin e Shenjtë, jo vetëm me të gjallët në tokë, por edhe me të gjallët në qiell, me 40 martirët e Kishës Katolike në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka qenë një zgjedhje që ka goditur në shenjë.
Ka goditur në shenjë në zemrën e Atit të Shenjte, i cili ma shprehu qysh në sekondën e parë të mbërritjes, pasi kishte parë imazhin e bulevardit një ditë më parë dhe ma shprehu tani në largim.
Historia e atyre martirëve dhe shumë e shumë të tjerëve pas tyre është një histori që sot më shumë se kurrë kumbon fort, kumbon fort për të zgjuar, jo vetëm zemra e mendje këtu brenda nesh. Shumë kush ndër ne nuk dinte këtë histori, historinë e këtyre 40 njerëzve që janë në procesin e lumturimit pas drejt shenjtërimit nga kisha e madhe katolike, por kumbon fort edhe përtej shumë përtej kufijve te Shqipërisë. Ka marrë shumë indikacione dhe jo pak interesim nga gazetarët e huaj, lidhur me këtë çudi shqiptare, ka qenë tërësisht e papritur për të gjithë shfaqja e atyre fytyrave të rëna nga qielli atë ditë.
Nga ana tjetër dëshiroj që të mos e zgjas më tutje, por padyshim të mos e humbas këtë rast për të falënderuar të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë, pasi i kam shprehur falënderimet më të sinqerta dhe më të thella në emër të të gjithëve Atit të Shenjtë teksa e përcolla drejt avionit për ardhjen e tij këtu.
Falënderime të gjithëve sepse sot të gjithë jemi krenarë për këtë ditë si kurorëzimi i një përpjekje të gjatë dhe të mundimshme për ta bërë Shqipërinë të shihet ndryshe, të lexohet ndryshe dhe të ndihet ndryshe. Sigurisht është një përpjekje që vazhdon por ama është një përpjekje që pas kësaj dite më besoni do të jetë më e lehtë.
Dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë event të jashtëzakonshëm, të gjithë ata që rrugëtuan nga anë të tjera të vendit apo përtej kufijve të vendit. Unë vete kam marrë disa mesazhe nga emigrantë , familje emigrantësh, në Zvicër, Austri, Greqi që më kanë thënë se do të vijnë por ju keni dëshmuar se ka pasur plotë të tillë, por dhe qytetarë të huaj nga vendet e BE, kanë ardhur të çuditur se përse Papa zgjedh Shqipërinë, vendin e parë për të vizituar Evropën. Ja pra efektet e menjëhershme të kësaj zgjedhje të fortë dhe të këtij mesazhi shumë të qartë për mbarë Evropën të dërguar nga Ati i Shenjtë.
Dua të falënderoj të gjithë përfaqësuesit e Klerit që morën pjesë në organizimin e kësaj dite. Organizmi i kësaj dite ka filluar qysh nga sekonda e parë që kemi marrë konfirmimin se ati i Shenjtë do të vizitonte Shqipërinë.
Dua të falënderoj të gjithë anëtarët e komitetit të posaçëm shtetëror për organizimin e kësaj dite. Kanë bërë një punë absolutisht të shkëlqyer dhe fryti i kësaj pune është parë sot në çdo aspekt të organizimit, por është parë dhe gjatë ditëve që pararendën vizitën me aktivitete që kanë ndihmuar për të filluar të ndihet ardhja e kësaj dite të bekuar.
Dua të falënderoj ministrinë e Kulturës, ministren e kulturës që ka qëndruar në krye të eventeve të njëpasnjëshme dhe për shumëçka nga organizimi i kësaj dite.
Dua të falënderoj Ministrinë e Brendshme të gjithë trupat e Policisë së Shtetit dhe Gardën e Republikës, e cila sot edhe pse në rrugën e një transformimi të rëndësishëm dëshmoi që ishte në lartësinë e detyrës bashkë me gjithë pjesën tjetër. Një punë e tillë dhe një organizim i tillë i brendshëm i forcave të rendit, do të ishte i pasuksesshëm nëse nuk do të kishte gjetur bashkëpunimin e plotë të të gjithë qytetarëve të Tiranës.
Një falënderim i posaçëm i shkon të gjithë qytetarëve te Tiranës, të cilët ishin pjese organizimit dhe pranuan dhe bashkëpunuam që të gjithë rregullat e vendosura të zbatohen pikë për pikë .
Ka qenë elokuente shprehja e habisë nga gjithë njerëzit e anës tjetër e palës së Vatikanit për këtë organizim, miq të huaj në Shqipëri dhe miq që vizituan sot Tiranën, të cilët kanë mbetur të befasuar, sikundër kjo befasi në këtë organizim që nuk ka asgjë më pak se sa organizimet e mëdha ne vende shumë të organizuara nga i yni, është përcjelle edhe nga media të huaja.
Dua të falënderoj Ministrinë e Jashtme dhe ministrin e jashtëm për të gjithë pjesën protokollare dhe të gjithë shërbimet në nivel protokollesh për bashkëpunimin me selinë e shenjte me profesionalizëm dhe dinjitet për të përcjellë gjithçka u përcoll nga dita e sotme.
Dua të falënderoj edhe Presidentin e Republikës për pritjen e tij, sigurisht pjesë e protokollit të shtetit dhe pritje në selinë e kryetarit të shtetit, pasi Papa i Romës është edhe kryetari i shtetit të Vatikanit në të njëjtën kohë.
Dua të falënderoj, absolutisht të gjithë, pa përjashtim, edhe Bashkinë e Tiranës për financimin modest, por gjithsesi të rëndësishëm brenda rëndësisë së vetë, të asaj pjesë të organizimit që lidhej me bërjen gati të infrastrukturës.
Dua të falënderoj të gjitha kompanitë që u angazhuan, të gjithë punëtorët që punuan ditë-natë, me përkushtimin maksimal, për t’ia arritur kësaj dite.
Rektoratin e Universitetit të Tiranës, Rektorin e Universiteti për gatishmërinë për të bashkëpunuar për të bërë të mundur që të çlironim dhe të pastronim e të nxirrnim në një dritë ngazëlluese sheshin e “Nënë Terezës” ku, siç e patë dhe siç e pamë, u krye një Meshë që nuk do ta harrojmë kurrë.
E, kjo ishte një ditë që mbyllet me ngazëllim për të gjithë papërjashtim. Sot jemi të gjithë të bashkuar në ndjenjën e jashtëzakonshme pozitive të kësaj dite dhe ndjehemi të gjithë pjesë e një mrekullie që në të përditshmen tonë e harrojmë, e harrojmë rëndomë, që është mrekullia shqiptare e të qenit zotërues të një thesari të madh, thesarit të një bashkëjetese fetare të cilën të tjerët e kërkojnë si dritën e syve dhe nuk e gjejnë për shkak të gjithë këtyre komplikacioneve që po e shoqërojnë botën tone, në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë. E, nuk është e tepërt të thuhet se edhe pse historia nuk ka qenë fort bujare me ne, shqiptarët sot meritojnë të respektohen ende më shumë, nga të gjithë. Sepse kanë dhënë një kontribut të madh për paqen në Ballkan dhe nuk meritojnë të paragjykohen më për shkak të fesë. Meritojnë të respektohen për përkatësinë e shprehur unanimisht si europianë ndaj botës demokratike dhe jo të paragjykohen si vend mysliman. Meritojnë të respektohen pa asnjë ngurrim, qoftë edhe për gjithë atë gjak dhe vuajtje që i kanë blatuar krishtërimit, duke i dhënë Kishës Katolike deri në 40 martirë dhe jo të paragjykohet mendjelehtësish pse i luten Allahut, në një vend ku Krishtlindjet dhe Bajrami janë festa që i përfshijnë të gjithë.
Shqipëria e sotme është një Shqipëri që ndriçon dhe shihet ndryshe në këtë natë të bekuar, pas një ditë të bekuar. E, për këtë, përunjësisht, i falënderoj që të gjithë dhe i kërkoj ndjesë kujt, ndoshta, pa dashje, ia harrova kontributin e posaçëm.
Falënderoj edhe Albcontrol-in që bëri të mundur një pritje dinjitoze këtu në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas, në mjedise tërësisht të transformuara, por gjithsesi, mjedise që mbajnë erë Shqipëri dhe që kanë aromën e një Shqipërie si ajo që të gjithë sëbashku duan ta shohin ata që prej së largu nuk kanë mundur ende t’ia ndjejnë këtë aromë europiane dhe këtë aromë kaq të posaçme.
Faleminderit të gjithëve!
Zoti Kryeministër, ka një kuriozitet në rrjetet sociale se nga ku është marrë dheu që iu bë dhurata Papa Franceskut?
Kupa është mbushur me dhe’ të mbushur nga pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare. Është dheu ku banojnë shqiptarët, ku kanë jetuar shqiptarët dhe ku rriten fëmijët e shqiptarëve, që iku bashkë me Atin e Shenjtë drejt Vatikanti, duke marrë edhe bekimin e Tij.
TVSH përcolli gjithë axhendën zyrtare të Papa Franceskut në Tiranë. Ju e keni ndjekur dhe si e vlerësoni të gjithë këtë?
Nuk duhet të prisnim sot ditën për t’u shqetësuar për transmetimin e mediave, sepse në këtë aspekt, mediat kanë dhënë prova të forta se do ta përballonin me sukses këtë ditë dhe e përballuan këtë ditë me shumë sukses, përmes kronikave live, përmes komenteve. Pra arritën që t’ua përcjellin të gjithëve ditën me një profesionalizëm të lartë dhe padyshim, me kapacitete teknike që nuk pritëm ditën e sotme për t’i zbuluar, sepse janë vënë në provë edhe në ditë të tjera, edhe në raste të tjera. Për këtë arsye, unë i falënderova dhe i ri falënderoj të gjitha mediat, shumë sinqerisht sepse ndihmuan që të përcillet fort mesazhi i kësaj dite dhe përçuan frymën e kësaj dite, nga mbërritja e Atit të Shenjtë deri në largimin e Tij, në çdo stacion. Nga kulmimi me Meshën e Shenjtë deri tek kontaktet me komunitetet në pika të ndryshme. Madje, vura re që kishte edhe transmetime përgjatë rrugëtimit të gjithë autokolonës që e ndoqi hap pas hapi Atin e Shenjtë.
Besoj që lodhja është e justifikuar për të gjithë ju dhe duke mos ju mbajtur më tutje e duke ju uruar një gjumë të qetë sot, plotësisht të merituar, jam edhe njëherë i nxitur së brendshmi të them se sot jam shumë krenar për gjithçka arritëm të bëjmë sëbashku. Provuam se mund të bëjmë gjëra të mëdha dhe se asgjë e madhe nuk është pamundur për ne, kur ne punojmë sëbashku.
Faleminderit!”