Nis faza e dytë e betejës kundër informalitetit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e prezantimit të fazës së dytë në betejën kundër informalitetit:

Sot është një moment me rëndësi për të vijuar intensivisht operacionin kundër informalitetit duke hyrë në një fazë të re, të cilën Ministria e Financave ka pagëzuar si fazën e dyte.

Ndërkohë çka ka ndodhur gjatë fazës së parë është një eksperiencë shumë e vyer, qoftë për të parë përmes fakteve, shifrave dhe ecurisë së marrëdhënieve mes administratës tatimore, doganore dhe sipërmarrjes, rezultatet e prekshme, por qoftë për të kuptuar sëbashku falë këtyre rezultateve, se potenciali është ende shumë i madh dhe ende i pashfrytëzuar.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm tanimë dhe jo vetëm ne këtu në sallë, pra jo vetëm drejtuesit politikë apo drejtuesit e lartë të administratës fiskale sëbashku me punonjësit, apo sipërmarrësit, të cilët qysh ditën e parë kanë qenë partnerë të qeverisë në këtë proces, por i gjithë opinioni publik për të këqijat e mëdha që i solli vendit, i solli shoqërisë, i solli ekonomisë, i solli ecurisë individuale të çdo sipërmarrje, informaliteti.

Në 20 e kusur vite ekonomia informale u zgjerua dhe shtriu rrënjët e veta në çdo sektor, duke e bërë të pamundur mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit në lidhje me cilësinë e produkteve dhe të shërbimeve; duke e bërë të pamundur mbrojtjen e të drejtave të punonjësve; duke e bërë të pamundur kryerjen e funksioneve rregullatorë dhe të mbikëqyrjes nga ana e shtetit, duke i penguar financat publike të shëndoshen me ritmet e mundura dhe duke influencuar mbi cilësinë e shërbimeve publike. Besoj që çdo sipërmarrës i pranishëm këtu në sallë dhe çdo sipërmarrës në Shqipëri, që është munduar të ndërtojë një rrugë bazuar mbi, padyshim, dëshirën për fitim por edhe mbi binarët e ligjshmërisë, mund të dëshmojë nga eksperienca personale se çfarë dëmesh i ka shkaktuar biznesit të vet, mungesa e lirisë së konkurrencës, korrupsioni dhe zgjerimi i hapësirës së krimit ekonomik, si edhe nevoja e imponuar për të ndërtuar marrëdhënie të dyshimta me vetë administratën.

Ne nuk e nisëm operacionin kundër informalitetit në shtator. Në shtator ne çelem një betejë të hapur në çdo hapësirë ku zhvillohet një biznes i madh ose i vogël. Por e përgatitëm këtë operacion që ditën e parë, duke e nisur që nga regjistrat e mbushur me mosdeklarues prej më shumë se një dekade, duke ushtruar kontroll dhe konfiskuar më shumë se 7000 pajisje të lojërave të fatit dhe pajisje ndihmëse për një industri të zezë, në një periudhë kohe që u bë simboli i mosfunksionimit të shtetit dhe i bashkëjetesës së qeverisë me krimin ekonomik; duke hapur dy kanale të rëndësishme komunikimi për të denoncuar rastet e informalitetit dhe të korrupsionit në vetë radhët e administratës tatimore, portalin “Stop korrupsionit“ dhe komisariatin dixhital; duke mundësuar mbi 500 kallëzime për aktivitet të paligjshëm, mashtrim mbi tatim të vlerës së shtuar, fshehje e të ardhurave, kontrabandë dhe abuzime të natyrave të ndryshme. Në shtator ne kuptuam se ishte krijuar terreni për ta hapur këtë betejë në front të gjerë, duke i ftuar që të gjithë të kuptojnë se formalizimi është një e mirë e përbashkët dhe informaliteti është një sëmundje që na prek të gjithëve pa përjashtim.

Sot jemi në kushte të reja ku kemi siguruar që çdo biznes të jetë i regjistruar, të ketë kasën fiskalë që funksionon, dhe të ketë vetëdijen që mosdeklarimi i punonjësve është krim.

Ngritëm një sistem të dixhitalizuar ku e gjithë puna në terren është e evidentuar me të dhëna bazë për çdo biznes dhe krijon kushte për një monitorim nga afër të ecurisë të transaksioneve që nga sipërmarrjet e mëdha deri tek bizneset e vogla.

Mundësuam që të marrim në kohë reale të dhënat e këtyre transaksioneve dhe përmes këtij monitorimi të krijojmë kushtet që inspektimi tatimor të jetë shumë më racional dhe shumë më i kontrolluar. E faktikisht, ne sot kemi disa rezultate shumë inkurajuese të kësaj beteje kundër informalitetit të arritura ndër të tjera, pa kontrolle abuzive mbi sipërmarrjen, pa kontrolle të pamiratuara mbi arsye të qëndrueshme, në dëm të biznesit dhe për qëllime korrupsioni.

Por ajo që ka filluar të bëjë diferencën është ndërtimi i një truri elektronik në sistemin tonë fiskal, i cili është një ndihmë e pazëvendësueshme për ekipin drejtues dhe për të gjithë forcat që janë të përfshira në këtë betejë në anën e shtetit.

Për herë të parë, ne siguruam krijimin e urave të ndërveprimit online mes tatimeve dhe doganave, jo më nëpërmjet shkresash dhe ecejakesh që u përkthyen për vite të tëra në zvarritje dhe abuzime në kurriz të biznesit, por nëpërmjet një platforme të posaçme që pasurohet dita-ditës.

Tanimë, kemi një njësi të përbashkët të tatimeve dhe doganave, qoftë për riskun, qoftë për hetimin, e cila bazohet në radhë të parë tek puna e këtij truri elektronik dhe krijon kushtet për të organizuar kontrolle të mirëtargetuara që rrisin efektivitetin në mbledhjen e të ardhurave.

Për ne, sigurisht, mbledhja e më shumë të ardhurave është një objektiv i patjetërsueshëm, por ecën paralel me objektivin që të mbledhim më shumë të ardhura duke i krijuar më shumë lehtësi biznesit. Të mbledhim më shumë të ardhura duke krijuar më shumë kushte që sipërmarrja të ndihet “gur i rëndë në vendin e vet”. Të mbledhim më shumë të ardhura, duke shkuar në eliminimin e plotë të vizitave fiskale të padëshirueshme dhe të padurueshme për kompanitë.

Sot numërojmë 47.000 subjekte të reja të regjistruara ose e thënë ndryshe, afro 50% mbi numrin e bizneseve të regjistruara në korrik të vitit 2015. Sot numërojmë 83 mijë punonjës dhe punonjëse të regjistruar në vetëm 7 muaj.

Sot, jo përmes kontrolleve nëpër dyer, por përmes produktit të marrë nga truri elektronik i ndërtuar në mbështetje të punës së administratës tonë fiskale, u është ndryshuar përgjegjësia tatimore 3400 subjekteve, të cilat shfaqeshin si të vogla, duke fshehur të ardhura, por në fakt ishin pjesë dhe sot janë përfshirë në biznesin e madh.

Shifrat patjetër që kanë rëndësinë e tyre, edhe pse sot unë nuk dua të flas për shifrat më shumë se sa për klimën dhe partneritetin mes administratës fiskale dhe biznesit, të ardhurat e 3 mujorit të parë të këtij viti janë shumë përtej objektivave të vendosur.

Vetëm përgjatë këtyre tre muajve të parë, ne kemi arkëtuar afro 100 milion dollarë më shumë. Për të qenë të saktë, 96 milionë vetëm nga tatimet, më shumë sesa objektivi. Pra, jemi thuajse mbi 20% më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Muaji mars, i cili dihet botërisht që është një nga muajt më të vështirë, u mbyll me një realizim objektivash nga të dy administratat me rritje shumë të ndjeshme nga marsi i vitit të kaluar. Por ajo që është më e rëndësishme sesa shifrat në tërësi, është përmbajtja e këtyre shifrave sepse kemi regjistruar një rritje të ndjeshme në produktet e akcizës. Pasi falë trurit elektronik dhe njësisë së përbashkët të riskut dhe hetimit, kemi filluar mbylljen përfundimtare të shtigjeve të kontrabandës.

Kemi një rritje shumë të ndjeshme të tatimit mbi vlerën e shtuar, që është në fund të fundit, edhe pjesa më domethënëse e formalizimit të ekonomisë. Kemi dhe presim një rritje si asnjëherë më parë në tatimin mbi të ardhurat personale dhe vazhdojmë të besojmë se rritja e jashtëzakonshme e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që pamë si rezultat i kësaj beteje duhet të vazhdojë. Pra, ende potenciali është më i madh sesa rezultati.

E sigurisht që kjo na solli në kushtet kur mundemi të zerojmë taksën për 83.500 biznese të vogla, me xhiro vjetore deri në 50 milion lekë dhe të përgjysmojmë taksën për 15.900 biznese të tjera të vogla me xhiro vjetore deri në 80 milion lekë.

Kjo është një reformë historike, siç janë një pjesë e konsiderueshme e reformave tona. Por, kjo është reforma e reformave për arsye se ndër të tjera po provon që formalizmi nuk e ul fitimin e atyre që respektojnë ligjin, por përkundrazi, sjell një përfitim reciprok, qoftë për publikun, qoftë për sipërmarrësit, duke e çuar ekonominë në një fazë të re; Në fazën e një ristrukturimi që i krijon sipërmarrjeve kushte të favorshme për të planifikuar në afatgjatë e për të mos qenë viktimë e befasive të vazhdueshme që tradicionalisht vinin si rezultat i mungesës së shtetit, i mungesës së respektit të administratës për sipërmarrjen dhe i mungesës së qëndrueshmërisë në kuadrin e përgjithshëm rregullator fiskal.

Nuk po rendis të gjitha vlerësimet e organizatave ndërkombëtare lidhur me atë që ka ndodhur, por po kaloj menjëherë tek faza e dytë, për të cilën Ministri i Financave do të bëjë një paraqitje të detajuar, duke thënë që në fillim se faza e dytë është përgjigja përfundimtare për të gjithë ata të cilët kur filloi ky operacion, e panë me skepticizëm, e përqeshën apo e dyshuan si një nga ato shirat e zakonshëm të verës, që është mësuar të prodhojë qeverisja në Shqipëri në 20 e kusur vite, që fillojnë me tam – tame të mëdha e mbarojnë pas pak ditësh.

Kjo është një fazë për të konsoliduar gjithë këtë proces dhe për ta bërë të pakthyeshëm, duke e bërë të pamundur për çdo sipërmarrës që të imagjinojë se mund të rikthehet në rrugën e përfitimeve në kurriz të konkurrentëve përmes informalitetit. Nga ana tjetër, për ta bërë të pakthyeshëm, duke e bërë të pamundur për çdo punonjës të administratës tatimore apo doganore që të imagjinojë se kjo është një valë shtetndërtimi që do kalojë dhe pastaj inspektorët do kthehen prapë në epokën e çetave dhe do mësyjnë në dyert e kompanive për të bërë natën dhe ditën sipas qejfit të tyre, kur duan ata është ditë, kur duan ata është natë.

Kjo fazë, po ashtu do të shënojë thjeshtimin më të madh të procedurave të biznesit të ndodhur ndonjëherë.

Synimi ynë është që bizneset në Shqipëri të rrinë dhe vite të tëra pa u kontrolluar, të mos kenë nevojë të kontrollohen, e ndërkohë sistemi të jetë i tillë që mungesën e kontrolleve të vazhdueshme në terren ta kompensojë me një kapacitet monitorues në çdo sekondë. Pra, sot ne kemi në sistemin tonë të administrimit fiskal, e përsëris, një tru elektronik që është i lidhur me çdo sipërmarrje dhe që jep informacion të vazhdueshëm çdo ditë, për çdo sipërmarrje, pa qenë nevoja që të shkojnë inspektorët te dera dhe madje duke ndaluar gjithmonë e më shumë abuzimin që vjen nga vizitat në terren.

Së treti, për të konsoliduar rrugën tonë të politikave fiskale, jo thjesht në funksion të krijimit të të ardhurave, por në radhë të parë, në funksion të krijimit të lehtësirave për biznesin që krijon më shumë të ardhura dhe për të vazhduar komunikimin me tatimpaguesin në çdo nivel, paralelisht me rritjen e kapacitetit të burimeve njerëzore të administratës tonë.

Dy vjet më parë, kur ne kemi folur për shkollën e natës në administratë, më kujtohet që disa nga sipërmarrësit që janë këtu në radhët e para qeshnin se ju dukej si humor. Por në fakt, shkolla e natës ka funksionuar dhe do vazhdojë të funksionojë intensivisht për çdo inspektor tatimesh e doganash që është pjesë e trupës së sotme dhe do të jetë pjesë dhe e trupës së nesërme, duke ndjekur rregullisht kurset e akademisë fiskale dhe duke dhënë rregullisht provime për aftësinë për të përballur pa i rënë në qafë askujt detyrën edhe sfidat e tij.

E tha ministri që, ajo që kërkojmë ne në këtë fazë nga administrata është më shumë mençuri, që do të thotë; të rrisim kapacitetin e administratës për të bërë analizë dhe për të marrë vendimet e duhura, pastaj për të marrë kontakt me sipërmarrjen. Këtë analizë, mbi bazën e riskut dhe vetëm riskut. Jemi në një fazë kur me siguri mund t’ia dalim me shumë sukses dhe në fund të këtij viti mund të kemi rezultate impresionuese. Këtë rritje që sot e shohim në 3 muajt e parë të të ardhurave në radhë të parë nga kjo betejë me informalitetin, të mund ta konstatojmë në fund të vitit si betejën më të madhe të bërë ndonjëherë. Sepse, kjo, është dhe beteja më e madhe e bërë ndonjëherë në terren kundër kësaj sëmundjeje kanceroze, që për kaq shumë vite i mori frymën ekonomisë sonë.

Edhe dy gjëra! Një përgëzim publik për Drejtorinë e Tatimeve dhe për Drejtorinë e Doganave dhe posaçërisht për dy drejtueset, sepse u bë një kohë e gjatë që nuk marrin përgëzime në publik. Jo publikisht marrin vetëm kritika. Kështu që, sot është një përgëzim plotësisht i merituar, sepse puna e bërë në këtë periudhë është absolutisht e lavdërueshme, por jo për t’u vetëkënaqur, por përkundrazi për të kuptuar që është hapur një shteg i ri, ku ne do të vazhdojmë me këmbëngulje ditë për ditë.

E dyta, një falenderim shumë i ndjerë për sipërmarrësit e mëdhenj, të cilët u bënë partnerë realë kësaj përpjekjeje, e me të cilët lufta vazhdon, sepse asnjëherë as në një botë ideale asnjë sipërmarrës nuk do bëhet asnjëherë “macja që kap minjtë e parasë”. Do mbetet gjithmonë “miu për t’u kapur nga macja”. Por jemi shumë më në paqe dhe shumë më në bashkëveprim pasi përfitimi është reciprok. Kështu që, nëse deri dje me vite sipërmarrja u mësua që të luftonte me mjete të paligjshme përballë një administrate që ishte simbol i shkeljes së ligjit dhe i një shteti që vetëm shtet nuk mund të quhej, sot, besoj që ne po i japim sipërmarrjes përditë shembullin e vetëdijes për defektet tona dhe vetëdijes për domosdoshmërinë që të përmirësohemi ne çdo ditë në sjelljen ndaj sipërmarrjes, gjë që ka dhënë edhe rezultatin e shumëpritur që edhe sipërmarrja t’i drejtohet përditë e më shumë mjeteve të ligjshme, duke kuptuar që në fund të fundit kush është i fortë në biznesin e tij, ka nevojë vetëm për konkurrencë të lirë e të ndershme dhe se çdo gjë e fituar në rrugën e konkurrencës së pandershme ka shumë më tepër kosto dhe është shumë më e paparashikueshme për shkak se edhe të tjerët bëjnë të njëjtën gjë. Ka qenë për mua një kënaqësi e veçantë që takoj gjatë kësaj periudhe një numër të madh sipërmarrësish, në takime të formateve të ndryshme dhe të dëgjoj në mënyrë unanime vlerësimin për përpjekjen tonë dhe vlerësimin për disa ndryshime të rëndësishme në jetën e përditshme të sipërmarrjes, që kanë ulur në mënyrë të konsiderueshme kostot, jo vetëm materiale, por edhe kostot psikologjike të sipërmarrjes që ishin shumë të larta për vite të tëra për shkak të përballjes me një shtet që paraqitej në formë çetash. Me çeta që ishin të larmishme dhe me qasje dhe fytyra jo uniforme, gjë që e bënte koston psikologjike të sipërmarrjes marramendëse, sepse mund të ishe tatim pagues VIP, por kur të vinin përballë në derën e kompanisë çetat, nuk ishe as VIP dhe asgjë tjetër, përveçse një njeri në hall të madh për të shpëtuar nga çeta e radhës. Hallexhinj të mbetur rrugëve dhe të trajtuar në mënyrën më kriminale nga shteti. Sot kjo ka mbaruar dhe jemi në një fazë të re.

Faza e dytë e operacionit synon që këtë fazë të re ta bëjë të pakthyeshme dhe që nga kjo fazë e dytë të dalim të dyja palët në një nivel tjetër. Administrata në një nivel tjetër, të kuptimit të misionit të vet, në një nivel tjetër të kuptimit të funksioneve dhe detyrave të veta, në një nivel tjetër të ekzekutimit të vendimmarrjes së vet, dhe sipërmarrja në një nivel tjetër të kuptimit të sfidave të veta reale për t’u rritur më tutje dhe për të fituar më shumë, patjetër, në një mjedis shumë më miqësor dhe shumë më të qëndrueshëm, pa gjithfarë lloj fantazmash, në një xhungël konkurrence të pandershme dhe gjithfarë lloj shfaqjesh agresive nga ana e shtetit në derën e saj.

Kështu që, shumë faleminderit! Me shumë respekt sipërmarrësve që janë këtu të pranishëm dhe atyre që s’janë këtu, që janë shumë më tepër, për këtë partneritet, që ne duam të forcojmë për të dalë të gjithë sëbashku faqebardhë në një betejë që është një domosdoshmëri për t’i hequr Shqipërisë dhe një njollë të madhe turpi, si vendi më informal në Europë, edhe në rajon. Si një vend që s’ka asnjë lloj arsyeje që të mos jetë shembull në rajon dhe normal në Europë.

Faleminderit!

***

Aksioni kundër informalitetit hyn në fazën e dytë të veprimit.  Kjo fazë bazohet në një qasje të re, me qëllim riformulimin e rolit të administratës fiskale përmes një strategjie të re, e cila mbështetet në katër shtylla kryesore:

Administrimi, duke u fokusuar tek platforma e riskut;

Thjeshtimi i procedurave dhe paketa fiskale;

Shërbimi ndaj tatimpaguesve

Komunikimi/ edukimi i tatimpaguesve.

Platforma e riskut, e ka pajisur  administratën fiskale me instrumente inteligjente të analizës dhe kontrollit nga zyrat, duke minimizuar numrin e vizitave fiskale dhe kontrolleve fizike në terren. Përmes një sistemi online komunikimi, bizneset do të njoftohen në rast të evidentimit të shkeljeve apo devijimeve dhe do t’u lihet në dispozicion koha e mjaftueshme për vetëkorrigjim. Vetëm në rastet e sinjalizimit të riskut të lartë nga sistemi, do të ushtrohen vizita dhe kontrolle verifikuese nga inspektorët në terren.

Po kështu, një tjetër risi që ofron platforma e riskut është kampionizimi i bizneseve që do të analizohen. Sistemi ka përzgjedhur aktualisht 300 biznese të mëdha, të shpërndara në të gjithë rajonet e Shqipërisë, për të cilët do të zhvillohet analizë e detajuar në çdo hallkë të zinxhirit të krijimit të vlerës së shtuar, pra deri tek bizneset e vegjël fundorë.

Në aktivitetin e sotëm, ku merrte pjesë edhe Kryeministri Edi Rama është prezantuar edhe adresa e postës elektronike, e dedikuar për komunikim efikas dhe të drejtpërdrejtë më sipërmarrjen, për raportimin e rasteve të shkeljeve, por edhe për pyetje, sqarime, problematika, informacione etj.