Nis faza e re e rrugës drejt anëtarësimit, hapat e 12 muajve të screening

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me ambasadorë dhe me strukturat e integrimit në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme:

Së pari, shumë faleminderit, edhe drejtpërdrejtë, të gjithë miqve tanë që janë këtu të përfaqësuar nga ambasadorët dhe në mënyrë shumë të veçantë, ambasadores së Bashkimit Europian, e cila e ka mishëruar më së miri të gjithë këtë përpjekje të përbashkët, ku realisht jemi ndjerë vërtetë mirë, sepse ka qenë jo një çudi, me thënë të drejtën, por, në njëfarë mënyre, një surprizë befasuese për ne, që të gjithë kanë bërë edhe më shumë, sesa ç’do të ishte mjaft për të thënë që “ne e bëmë tonën”.

Në mënyrë shumë të veçantë dua edhe njëherë të nënvizoj atë që në 72 orët e dallgëve të larta të procesit, fillimisht në Luksemburg dhe pastaj në Bruksel bënë fqinjët tanë, fqinjët tanë grekë dhe fqinjët tanë italianë. Në kuptimin më të vërtetë të fjalës bënë asgjë më pak sesa do të kishim bërë ne vetë, nëse do të ishim të pranishëm. Pra, ne mungonim, por, falë angazhimit të jashtëzakonshëm të këtyre dy miqve, ne nuk munguam aty. Ishte një ndihmë e jashtëzakonshme, qoftë për ne, qoftë edhe për fqinjin tonë, Maqedoninë e Veriut.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që sot, ne kemi kapërcyer një moment tejet delikat, ku edhe pse, sikundër është nënvizuar pa përjashtim nga të gjithë dhe është njohur nga të gjithë, jo vetëm nga Komisioni, jo vetëm nga partnerët, por edhe nga ata më skeptikët, që Shqipëria ka bërë përpara çeljes së negociatave më shumë se çdo vend tjetër në të njëjtën fazë, ishte realisht një rrezik real që të mbeteshim në këtë moment pa tekst.

Të gjithë e dini që dy orë përpara vendimmarrjes përfundimtare nuk kishim tekst, për shkak të dinamikës së brendshme të tryezës së bisedimeve, ku 25 vende u rreshtuan në mënyrë të vendosur jo thjesht formalisht, por të vendosur për të mbështetur çeljen e menjëhershme të negociatave dhe 3 vendet e tjera ishin në një pozicion të ndryshëm, për arsye që ne i kemi dëgjuar në vijimësi dhe i kuptojmë plotësisht.

Nga ana tjetër, vërtetë ka një ndryshim midis çeljes imediate të negociatave dhe çeljes së negociatave në 12 muaj, këtë nuk mund ta fshehim, por ndryshimi është shumë më formal se saç duket në pamje të parë, për arsyen e thjeshtë se, edhe sikur hipotetikisht çelja e negociatave të ishte imediate, ne do të na duhej një periudhë pune përgatitore, i ashtuquajturi “screening” i procesit, që do të merrte një kohë të caktuar, një kohë që normalisht shtrihet nga 6 deri në 12 muaj.

Fakti që çelja e fishekzjarrëve dhe çelja e negociatave është përcaktuar pas 12 muajsh, por ndërkohë Komisioni do të nisë menjëherë procesin përgatitor, është mirëkuptimi më i plotë dhe më i mirëpritur nga ana jonë i të gjithë vendeve anëtare, që, nga njëra anë, të zgjidhin problemin me veten dhe me opinionet e tyre publike dhe nga ana tjetër, të lejojnë që procesi të fillojë për të mos humbur asnjë minutë kohë dhe që në ndërkohë, paralelisht, ne të ngremë të gjithë strukturën e negociatave dhe të thellojmë patjetër reformat tona në të gjitha ato drejtime të detajuara, që janë tanimë mirëpërcaktuar nga teksti i Këshillit.

Më vjen jashtëzakonisht mirë, po ashtu, që në këtë proces, pavarësisht vështirësive të mëdha të brendshme ku është sot Bashkimi Europian dhe pavarësisht qasjeve të ndryshme të disa vendeve, të njohura botërisht si qasje të ndryshme, nuk është lënë pas axhenda e europianizimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Kjo ka një rëndësi themelore për ne, sepse ne, me fakte, qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia, e kemi treguar sa shumë e rëndësishme është Europa, jo thjesht në histori, apo në gjithçka është bërë gjithë këto vite, por në dy pika dalluese që i kemi konstatuar dhe na janë vënë në pah, me thënë të drejtën, në të gjitha takimet dhe bisedimet që kemi pasur;

Për ne, reforma në drejtësi, unikale në të gjithë procesin e integrimit europian të të gjithë vendeve anëtare, e gjithëpranuar si një model që duhet shtrirë më tutje në të gjithë rajonin tonë, një reformë radikale me kosto jo të vogla të natyrave të ndryshme, për të cilën ne rrezikuam vetë koalicionin qeverisës;

nga ana tjetër, një shembull, që mbase nuk është krejt paralel, sepse është mbase edhe më radikal për rëndësinë që ka Europa në këtë territor, fakti që fqinjët tanë pranuan të ndërrojnë emrin.

Përfytyroni për një moment sikur ndonjërit prej vendeve – dhe këtë me shaka, por jo krejt me shaka ia kam thënë një prej kolegëve, kryetar qeverie, – t’i kërkohej sot që të ndërronte emrin për të qenë pjesë e BE-së. Është e papërfytyrueshme dhe është e pakonceptueshme, pa llogaritur faktin që një pjesë e vendeve tuaja, jo vetëm që nuk do të ndërronin emrin për të qenë pjesë e BE-së, por mbase duan t’i ndërrojnë emrin BE-së.

Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne.

Sot, unë doja që jo formalisht, por realisht, sepse besoj shumë tek fryma e bashkëpunimit dhe tek një lloj skuadre që është krijuar mes ambasadorëve, të pranishëm këtu, të vendeve të tjera, të vendeve të Bashkimit Europain, Delegacionit, që realisht i kam parë shumë të motivuar për të bërë më mirën dhe të gjithë ekipit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, që do të jetë i përfshirë tani shumë më intensivisht në këtë proces, për t’ju thënë që në këtë fazë, ka nevojë për të thelluar bashkëpunimin mes të dyja palëve dhe nevoja për të thelluar bashkëpunimin brenda nesh, brenda strukturave të qeverisjes dhe të shtetit, pasi procesi është jashtëzakonisht i sofistikuar dhe me mekanizma nga ato mekanizmat djallëzorë që vetëm Bashkimi Europian mund t’i krijojë dhe që ka nevojë për një punë realisht të jashtëzakonshme për të qenë në orar, në raport me afatet, një punë të jashtëzakonshme për të qenë cilësisht të gatshëm për të adresuar problematikat e procesit, një punë të jashtëzakonshme për të vazhduar thellimin e një procesi që për ne ka nisur.

Mua më vjen sinqerisht për të qeshur, por edhe për të qarë, kur dëgjoj të thuhet që “Europa ka vënë 13 kushte”, “Europa ka vënë 12 kushte”, “Europa ka vënë 7 kushte”. Europa nuk ka vënë faktikisht asnjë kusht, thjesht ka nënvizuar të gjitha kushtëzimet që ka procesi në këtë fazë. Qeshëm me Kryeministrin e Malit të Zi, se po diskutonim për 5 prioritetet dhe tha prit, se ne jemi brenda negociatave dhe tani që flasim kemi 94 kushte dhe kur të mbarojmë këto, do dalin 124 të tjera.

Është gjëja më normale për këtë proces dhe të gjithë njerëzit duhet ta kuptojnë se këtu nuk është çështje kushtesh speciale. Këtu është çështje përputhshmërie në çdo aspekt të organizmit të shtetit tonë me organizmin e një shteti në parametrat e një vendi anëtar të Bashkimit Europian, pra, është sinkronizim i të gjithë elementëve për t’i bërë dy organizmat një, për t’i bërë dy (nëse mund të përdor këtë krahasim) kompjuterat që të flasin me njëri-tjetrin, dy sistemet që të flasin me njëri-tjetrin.

Në çka është përcaktuar për këto 12 muaj nuk ka asgjë më shumë, sesa çka përmban programi ynë i reformave dhe plani ynë në zbatimin e reformave, sepse të jemi realistë, nuk ka thënë dhe nuk thotë as Komisioni dhe as Këshilli asgjë më shumë, sesa ne do të bënim edhe sikur, largqoftë, të dilnim nga 72 orët e ferrit pa tekst, pa datë.

Do vazhdonim të kryenim procesin e vetting-ut, me datë, pa datë.

Do vazhdonim të përmbushnim detyrimet kushtetuese dhe ligjore për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, qoftë SPAK-u, qoftë Byroja Kombëtare e Hetimit, me datë, pa datë.

Do vazhdonim atë që bëjmë përditë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Nuk është se këto do ndalonin, nëse do hapeshin negociatat menjëherë, apo nëse do refuzohej çelja e negociatave në harkun e 12 muajve.

Asgjë nga këto nuk do ndalonte, sepse, në fund të fundit, ajo që të gjithë shqiptarët duhet të kuptojnë, është se ky proces nuk është për Europën, nuk është për t’i bërë qejfin Brukselit, apo për t’i plotësuar “tekat” Holandës, ose Francës, ose Gjermanisë, ose kujtdo qoftë tjetër. Ky proces është për fëmijët tanë, për të ndërtuar këtu një shtet europian. Ne këtë proces e kemi në radhë të parë, për veten tonë dhe pastaj si një kontribut në një familje të madhe si ajo europiane.

Negociatat nuk janë të rëndësishme thjesht për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, por janë të rëndësishme, sepse përmes procesit të negociatave, ne thellojmë procesin e shtetbërjes europiane. Janë të rëndësishme për atë që ndodh këtu me shtetin e së drejtës, për atë që ndodh këtu me standardet në të gjithë sektorët, për atë që ndodh këtu me administratën e të kështu me radhë. Për këtë janë të rëndësishme, në radhë të parë.

Ajo çka unë kam insistuar deri në sekondën e fundit, – qoftë në takimet e përbashkëta që kemi pasur me liderët europianë, qoftë në takimet e përveçme, qoftë në korridore, qoftë në telefon, – ka qenë, çfarë po na jepni? Po na jepni recetat për një kurë të re, që na duhet për të rimëkëmbur plotësisht organizmin tonë dhe pasi na jepni recetat, sillni dhe inspektorët këtu, për të parë, a e kemi marrë si duhet kurën dhe a i ka dhënë kura, apo jo, efektet.

Ky është procesi dhe është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm, sepse vetë nuk e bëjmë dot. Nuk i kemi fuqitë si vende, nuk i ka pasur Polonia, jo më t’i kemi ne, për të bërë këtë proces modernizmi. Në këtë aspekt, procesi është unikal, është i jashtëzakonshëm për nga vlerat që ka dhe është stërmundues për nga presioni i cilësisë që ka.

Nuk kemi humbur 12 muaj. Kemi 12 muaj punë, që është e njëjta punë që do të kryhej edhe nëse do të thuhej në tekst, negociatat hapen sot. Por kemi një tekst që na mundëson të bëjmë punë tonë dhe të gjithë ata që kishin hall se do t’ju ngriheshin në këmbë njerëzit që “pse i hapët menjëherë negociatat me Shqipërinë dhe me Maqedoninë”, të bëjnë punën e tyre, të thonë “jo”. Ja, kjo është e gjitha!

Është një qasje kompromisi e subjektivitetit politik të vendeve anëtare, pas raportit të objektivitetit teknik të Komisionit Europian.

Nuk dua të zgjatem më tutje, sepse besoj që do të kemi detyrimisht shumë raste për të folur lidhur me çka është hapur përpara nesh si një perspektivë mundësish, por dhe si një problematikë me shumë detyra, por dua që në fund, t’i kushtoj një falënderim të veçantë katër personave, dy grave dhe dy burrave, që na përfaqësojnë dhe që realisht kanë qenë kyçë në të gjithë përpjekjen diplomatike të jashtëzakonshme që kemi bërë në këta muaj.

Besoj se është e drejtë që nga kjo histori, ku, realisht, po të mblidheshim së bashku me Ditmirin dhe me katër personat, të shkruanim një libër “Europa-Europa”, do ishte një mrekulli nga pikëpamja e të gjithë episodeve dhe kurioziteteve që do mund të lexoheshin për atë që ndodh në korridoret e Europës lidhur me zgjerimin. Realisht ju takon që të katërve që nga kjo periudhë, mbase e papërsëritshme e karrierës së tyre diplomatike, të kenë një kujtim nga unë si Kryeministër, Medaljen e Mirënjohjes së Kryeministrit.

Dua të ftoj këtu, në radhë të parë, atë që ishte në frontin më të vështirë të luftës, në Hagë, ambasadoren tonë në Holandë, Adia Sakiqin. Pastaj, atë që ishte në pjesën më miqësore të frontit, në Bruksel, Suela Janinën. Pastaj dy ambasadorët që ishin në të dy anët e frontit të Europës së Bashkuar dhe që e kanë përjetuar këtë proces në mikrobotën tonë, si të ishte faza përgatitore e takimit të parë mes Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, ambasadorin Kuko dhe ambasadorin Tola.

Besoj, nëse do përzgjidhnim njërin nga të katërt që të flasë dy fjalë, zgjedhja bie aty ku duket sikur është, edhe pse nuk është, mesi i artë, në Paris, kështu që, ambasadori ynë në Paris, që ka pasur edhe mbingarkesën më të madhe të komunikimeve, të SMS-ve, të ndërveprimeve, të përkthimeve, të mesazheve, të letër-përcjelljeve, të letër-marrjeve, të dekodifikimit të buzëqeshjeve, të transkriptimit të mesazheve të koduara, të zbërthimit të intensitetit të duarshtrëngimeve nëpër ato paradat militare ku përzihej Le Grand Tour de France me Le Grand Reve de L’Albanie.

Me këtë mikrokremtim të virtyteve më të mira dhe të cilësive më të mira të trupës sonë diplomatike, që, realisht, të katër ambasadorët që janë këtu me mua i mishërojnë më së miri, duke na bërë të ndihemi mirë që kemi njerëz të karaturës së tyre në kryeqytete të rëndësishme të Europës dhe me falënderimin, edhe një herë, për të gjithë simotrat dhe sivëllezërit e tyre që janë nga Europa këtu të pranishëm, besoj që mbyllet në momentin e duhur edhe ky takim, që do të pasohet nga një takim që po organizon Komisioni Europian me qeveritë e Shqipërisë dhe të Maqedonisë, për të filluar procesin e punës përgatitore dhe me delegacionet që do të përfshihen intensivisht në këtë proces.

Shumë faleminderit të gjithëve!