Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama dhe Muhammed El Alabbar, drejtuesi i kompanisë së famshme EMAAR Group ishin në Spitallë në zonën ku për disa javë nis puna për lagjen e re, pranë së cilës po ndërtohet edhe EkoParku i madh i Durrësit.

Kryeministri Rama u shpreh se kjo zonë do të transformohet tërësisht, duke i dhënë një jetë të re banorëve të saj. “Këtu kemi në kombinim të zonës së re me gjithë këtë zonë kaq të bukur me parqe, me shërbime për fëmijët, për të moshuarit e të rinjtë. Më tej do të bëjmë një transformim të madh të një dige të tmerrshme prej vitesh, ku digjnin plehrat, ndërkohë që po shikoni në atë kodër pjesën e projektit që do të jetë një eko park, një park ekologjik dhe përtej parkut ekologjik do të kemi zonën ekonomike dhe portin e ri që do të ndërtohet për të larguar portin e vjetër. Do të jetë një qytet krejt ndryshe dhe një destinacion krejt ndryshe”, – u shpreh Kryeministri.

Kompania EMAAR Group është projektuesja dhe ndërtuesja e dhjetëra investimeve fantastike në Dubai e nëpër botë. Drejtuesi i saj, El Alabbar u shpreh se “është një nder për ne të marrim pjesë në ëndrrën e popullit shqiptar”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.