Nis jetësimi i projektit të Parkut Fotovoltaik të Karavastasë, më i madhi për energjinë diellore në rajon

Parku Fotovoltaik i Karavastasë, i parashikuar si parku më i madh i prodhimit të energjisë diellore në rajonin tonë, nisi rrugën e jetësimit në terren, ku kompania franceze Voltalia ka mbërritur për të realizuar grumbullimin e të gjitha të dhënave të domosdoshme të fazës përgatitore të kantierit të këtij parku.

Në territorin e vënë në dispozicion të zhvillimit të projektit ishte sot Kryeministri Rama, i cili u njoh nga afër me ecurinë nga përfaqësues të firmës franceze Voltalia, ofertues të çmimit fitues të garës ndërkombëtare. “Jemi në zonën ku do të ndërtohet Parku Fotovoltaik i Karavastasë, Parku më i madh Fotovoltaik në zonën e Ballkanit prej 140 megavat. Është një proces i nisur para një viti me një garë, e cila është vlerësuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë, pasi ka qenë një garë model, jo vetëm për shkak të organizmit dhe transparencës, por edhe për shkak të çmimit që kemi arritur gjatë këtij ankandi. Kompania e madhe franceze Voltalia, një nga kompanitë më të mëdha në Europë, ka ofertuar 24,59 euro për megavat, një çmim rekord. Përsa i përket rrezatimit diellor, zona e Karavastasë është cilësuar si zona me rrezatimin më të lartë diellor nga një prodhim 3,2 deri në 4,8 kilovat/orë për metër katrorë,” – u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila theksoi se janë bërë të gjitha studimet për impaktin në mjedis, duke ruajtur të gjitha standardet europiane për sa i takon mbrojtjes mjedisore.

Përfaqësuesi i kompanisë franceze, i cili falënderoi në gjuhën shqipe për vizitën e Kryeministrit në terren, tha se faza zhvillimore në të cilën ndodhet projekti ka të bëjë me studimet teknike sa i përket mjedisit dhe parametrave që do të shqyrtohen dhe paraqitur për të marrë lejen e ndërtimit. Po ashtu, ka përfunduar edhe Masterplani i zhvillimit turistik të Divjakës, ku në vitet në vijim parashikohen investime të mëdha në këtë pjesë të vijës bregdetare, që ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik, social dhe ekologjik.

Kryeministri Edi Rama i dorëzoi kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, produktin final të studimit, të angazhuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me një studio austriake profesionale, inovative, për të gjithë Parkun Kombëtar dhe për zonat zhvillimore jashtë kufirit të Parkut, në funksion të planit ambicioz lidhur me zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Lidhur me këtë, Kryeministri Rama u shpreh se “qëllimi ka qenë që të adresojmë të gjithë ndjeshmërinë dhe brishtësinë e kësaj zone, në mënyrë që të zhvillohet turizmi, të kanalizohet gjithë ai fluks njerëzish që vijnë drejt kësaj zone dhe që kanë ardhur gjatë gjithë viteve, por në kushte krejt të tjera, duke shmangur çdo lloj zhvillimi që mund të jetë dëmtues për atë që është në fakt, edhe vlera më e madhe e kësaj zone, që është natyra, është parku, janë speciet.”