Në aksin Delvinë-Kardhiq, një prej rrugëve më strategjike për zhvillimin e turizmit në bregdetin e jugut dhe Sarandës në veçanti, nisi puna për ndërtimin e tunelit dhe ku po punohet intensivisht për përfundimin brenda vitit të ardhshëm të krejt kësaj vepre të shumëpritur e të premtuar për dekada me radhë.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, inspektuan sot kantierin në lotin e katërt të rrugës. Ministrja Balluku shpjegoi se megjithë terrenin e vështirë malor mbi të cilin duhet të përparohet, gjithçka po e tejkalon parashikimin.
“Jemi në lotin e katërt, ku bashkohet me hyrjen për nisjen e tunelit të Skërficës që është Loti i 7 në segmentin e rrugës Kardhiq-Delvinë, 33 km gjatësi. Ky Lot, siç e kemi përshkruar që nga fillimi, ka ecur 80% e punimeve fizike dhe në ndërkohë, të gjitha lotet e tjera kanë ecuri të ndryshme. Lotet 1, 2, 3 kanë përfunduar. Lotet 5 dhe 6, ashtu si dhe 4 kanë 80% ecuri fizike të punimeve. Ky është Loti i 7, tuneli i Kardhiqit, që sot, pas firmosjes së kontratës do nisim menjëherë nga puna. Kjo është pjesa hyrëse që ne po aksesojmë, për të vijuar më pas me hapjen e tunelit në ditët në vazhdim. Duhet thënë që Loti i 8-të, që është në pjesën që lidhet me Sarandën, është një lot i përfunduar, i cili ka disa ndërhyrje të skarpateve, të sinjalistikës dhe detaje të tjera në përfundim. Është një formacion i vështirë, siç ka qenë edhe gjithë pjesa e punimeve që janë kryer në Lotin e katërt, pasi është një zonë kodrinore, malore, e cila kërkon një impenjim shumë të madh.”
Ndërkohë që drejtuesi i punimeve u shpreh se me intensitetin që po punohet, parashikohet të përfundojë nga 24 muaj të parashikuar në kontratë, në 12 muaj. “Ne po bëjmë me intensitet maksimal studimin e formacionit gjeologjik të tunelit, ndërkohë ajo që varet nga ne, do të përpiqemi të thyejmë rekordin e kohës, diku tek 50% të afatit.”
Lidhja e shkurtër në distancë dhe e shpejtë në kohë mes Sarandës e Gjirokastrës, që do të realizohet përmes kësaj rruge, parashihet që t’i japë një hov të ri turizmit, ekonomisë, punësimit. “Ky është një aks shumë i rëndësishëm për ne, duke qënë se lidh të gjithë pjesën e Qarkut të Gjirokastrës me Qarkun e Vlorës e sidomos Sarandën, duke krijuar një akses si për turizmin, qoftë malor, qoftë kulturor, që afron kjo zonë, po ashtu edhe për atë bregdetar që ofron pjesa e Bregut. Kështu që ka një rëndësi të veçantë për të dyja këto qarqe, të cilat e bazojnë një pjesë të mirë të rritjes ekonomike mbi shifrat e turizmit. Ndaj kërkesa për të ecur përpara këtu është akoma më e rëndësishme, për të rikuperuar kohën e humbur për shkak të procedurës së këtij tuneli,”- u shpreh Ministrja e Infrastrukturës Balluku.
Kryeministri Rama u interesua për studimin gjeologjik të zonës ku do të ndërtohet tuneli, për të cilën përfaqësuesit e kompanisë së ndërtimit shpjeguan se ai po kryhet në bazë të teknologjisë më moderne të kohës. “Këtu po përdorim për herë të parë në Shqipëri një teknikë të hulumtimit gjeofizik, e cila mundëson një informacion të besueshëm deri në 500-600 metër. Tashmë kemi kryer 60-70% të hetimit gjeofizik. Në një javë do të kemi rezultatet dhe pastaj do të finalizojmë lidhjen,”– u shprehën ata.
Ministrja Balluku tha se studimit mbi tunelin po i kushtohet vëmendja maksimale, në mënyrë që t’i paraprihet çdo problematike me zgjidhjet më të mira teknike. “Eksperienca me tunelet na ka treguar që edhe kur kemi një studim të mirë gjeologjik, shpeshherë ka dhe të papritura, siç kishim rastin e Murrizit, që edhe pse kishim një studim të mirë, aty, gjatë gjithë kohës, formacionet e shumta ujore krijojnë një problematikë të jashtëzakonshme me pllakat argjilore, të cilat në dukje duken shumë të forta dhe të qëndrueshme, por që në kontakt me ujin, ato shkrihen dhe krijojnë atë problematikë që ne kemi, por që i kemi dhënë zgjidhje teknike,” – shpjegoi ajo.
Gjithashtu, Ministrja Balluku, së bashku me drejtuesit e punimeve informuan se në fund të tetorit mbarojnë lotet, 4, 5 dhe 6, që janë aktualisht në punime e sipër.
“Sipas kësaj që dëgjova, tetorin e ardhshëm ne hapim tunelin. Kjo është fantastike,”– u shpreh Kryeministri Rama, i cili më pas përshkoi me automjet kantierin e rrugës Delvinë-Kardhiq, që së shpejti do t’u ofrojë udhëtarëve një rrugëtim përmes një panorame mahnitëse.
Newsroom
Nis ndërtimi i tunelit në aksin Delvinë-Kardhiq