Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Procesi i vaksinimit të mësuesve ka nisur sot në Fier, duke u bërë edhe qyteti i fundit që mbyll të gjithë qarqet ku ka nisur vaksinimi mbrojtës ndaj COVID-19 tek mësuesit. Në katër ditët e para të këtij procesi janë vaksinuar 7.25% e mësuesve në të gjithë vendin. Shifrat u bënë të ditura nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama në një nga 4 shkollat e Fierit ku ka nisur vaksinimi i mësuesve. Ministrja Manastirliu evidentoi gjithashtu një ecuri të mirë të këtij procesi në të gjithë vendin.

“Vetëm në 4 ditët e para kemi vaksinuar 2664 mësuesit, 7.25% të totalit të mësuesve në të gjithë vendit. Procesi ka ecur shumë mirë. Shkollat, bashkë me strukturat e shëndetësisë janë në funksion të plotë të këtij procesi, për të përmbyllur sa më shpejt. Fieri ishte qyteti i fundit ku nuk kishte filluar vaksinimi i mësuesve. Me Fierin, sot e konsiderojmë të përmbyllur, pasi të gjitha janë duke ecur me intensitet të shtuar të vaksinimit. Tirana deri tani ka vaksinuar më shumë mësues, me mbi 600 mësues të vaksinuar. Procesi do të ecë në vazhdim,” – u shpreh ministrja Manastirliu.

Ministrja Manastirliu theksoi se krahas vaksinimit, kujdes maksimal po tregohet edhe me monitorimin e procesit. “Dje, Komiteti i Imunizimit ka marrë vendimin për të vijuar me vaksinimin me AstraZeneca. Sigurisht do të pritet edhe vendimi përfundimtar i Agjencisë Europiane të Barnave dhe OBSH-së, por shihet se do të shkohet në drejtimin e vijimit të vaksinimit të popullatës. Praktikisht, edhe ne nuk po ndalim, por po monitorojnë me kujdes të gjithë procesin”, – nënvizoi Manastirliu.

Duke folur me mësues që po kryenin vaksinimin, Kryeministri apeloi për kujdes maksimal edhe pas marrjes së dozës së parë. “Duhet të bëni kujdes në këtë periudhë, sa të krijohen antitrupat. Nuk e bën efektin që ditën e parë, duhet bërë kujdes, pasi mund të ndodhë që të marrësh vaksinën e të marrësh virusin nëse që ditën e parë e lëshon kontrollin.”

Këputja e zinxhirit të infektimit, theksoi Kryeministri, sa më shumë përmes vaksinimit dhe kujdesit është prioriteti numër.

“Ajo që u duhet thënë të gjithëve është se ky është një proces që duhet të shkojë paralel me kujdesin dhe paralel  me mbrojtjen dhe është fatkeqësi e madhe që për shkaqe politike dhe interesa partiake dikush jep shembullin më të gabuar, duke grumbulluar njerëz e duke ngritur gishta mbi makina. Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që njerëzit vetë të kuptojnë se kjo është një luftë për shëndetin, një luftë për jetën, një luftë realisht për jetë a vdekje për shumë njerëz që janë më të ekspozuar dhe më të dobët nga pikëpamja fizike. Për këtë arsye duhet të gjithë të bëjnë kujdes, duhet të distancohen nga situatat absurde që tregojnë injorancë  e papërgjegjshmëri të madhe nga ata që i krijojnë këto situata. Këputja e zinxhirit të infektimit sa më shumë e në sa më shumë pika përmes vaksinimit dhe kujdesit është prioriteti numër një. Fushata, zgjedhjet, vendet në parlament, karriget, postet janë të gjitha pesë me hiç përpara kësaj sfide dhe këtij objektivi. Ne do të vazhdojmë intensivisht vaksinimin, do vazhdojmë intensivisht të bëjmë kujdes maksimalisht e të kërkojmë të bëhet kujdes dhe turpi pastaj t’i mbetet atyre që e kanë.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.