Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rruga e re lidhëse nga Uji i Ftohtë në Rradhimë dhe Orikum, 11 kilometra, pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin në këtë segment të rëndësishëm drejt Bregut, por edhe krijojë një infrastrukturë të denjë për Vlorën turistike. Rrugës ekzistuese do t’i shtohet edhe korsia e biçikletave, bashkë me elementë të rinj të mobilimit urban. Ndërkohë që një rrugë e re do të sigurojë ndarjen e trafikut të makinave nga traseja ekzistuese, e cila do të kthehet në zonë këmbësore në pjesën e Radhimës, ku do t’i jepet prioritet pushuesve e njësive të shërbimit të zonës.

Kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli dëshmuan nisjen e punimeve të këtij projekti të ri me efekt të rëndësishëm në turizmin lokal, por edhe atë kombëtar. “Është një investim nga tuneli i Vlorës në drejtim të Orikumit. Investimi parashikon rregullimin e gjithë shtratit të rrugës, dy by pass-et në nivel të Rradhimës dhe të Orikumit. Do doja që ky projekt të vazhdonte dhe me pjesën tjetër të projektit që janë korsitë e biçikletave dhe trotuare, ku investimi është i garantuar dhe ka një shqetësim të opinionit publik në rritje për bllokimin në Presidencë të plotfuqisë së fondeve të garantuara tanimë, për të kaluar në fazën tjetër të investimit. Do doja të kishte një reagim, për ta çuar përpara e për të mbërritur këto investime të dakordësuara e të firmosura”, – u shpreh kryebashkiaku i Vlorës.

Kryeministri Rama nga ana e tij e konsideroi këtë projekt spektakolar, ndërsa, duke folur për bllokimin e këtij projekti, ai u shpreh se: “ne nuk kemi dashur të bëjmë debat publik të politizuar për këtë, por është fakt, që qysh nga fillimi i nëntorit që presim plotfuqinë, një autorizim formal i Presidentit, pasi kemi bërë gjithë negociatën me fondin saudit dhe faktikisht është bllokim total, sepse në momentin që nuk jepet plotfuqia, ne nuk e materializojmë dot. Është një fond i konsiderueshëm për të zhvilluar projektin në dy drejtime. E para, gjithë rehabilitim dhe sistemimin e kësaj rruge që është deri poshtë në Rradhimë dhe pastaj në Orikum, plus rrugën tjetër, sepse pjesën e Rradhimës e kemi premtuar me kohë që do ta urbanizojmë duke futur elementë të Lungomares që rilidhet atje për këmbësorët, për pushuesit, për hotelet. Rrugën e makinave do ta devijojmë në një masë të caktuar, në mënyrë që të mos ketë rrëmujë, këtu plazhistë dhe këtu makina që kalojnë. Edhe tani jemi në bllokadë”.​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.