Nis puna për rindërtimin e Thumanës së re

Kantieri mbi të cilin do të ngrihet “Thumana e Re” ka nisur punën me synimin për të përfunduar në kohë rindërtimin e një blloku banesash dhe infrastrukture me standarde bashkëkohore. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishin në këtë kantier për t’u njohur me ecurinë e punimeve.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, i cili goditi rëndë vendin dhe në veçanti Thumanën, duke lënë pa strehë shume qytetarë të kësaj zone, ka nisur puna për pastrimin e sheshit mbi të cilin do të ngrihet “Thumana e Re”. Banesat e reja individuale dhe kolektivë do të ngrihen mbi një infrastrukturë me sistem ujësjellës-kanalizimesh, ndriçimi e rrjeti rrugor të standardeve më të larta. Gjithashtu linjat e energjisë elektrike do të vendosen nëntokë, duke eliminuar linjat ajrore që shpesh herë sjellin rrezik për banorët dhe për komunitetin.

Në këtë kantier do të kombinohen njësitë individuale, që do të ndërtohen nga fondacioni “Firdeus” me fondet e mbledhura për familjet e prekura nga tërmeti, me banesat kolektive dhe infrastrukturës me fondet e qeverisë. Ministri Ahmetaj informoi se është përmbyllur procedura e garës së rindërtimit të shtëpive dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon për firmosjen e marrëveshjeve me kompanitë që do të angazhohen me ndërtimin e lagjeve të reja si kjo e Thumanës. “Fondi Shqiptar i Zhvillimit mund të fillojë marrëveshjen kuadër për rindërtimin e banesave kolektive dhe mund të ecë më të njëjtën logjikë si me shkollat, pra, me projekt ide, menjëherë të prokurohen. Po ta shikoni, programi i shkollave ka ecur me shumë shpejtësi, krahasimisht me çdo program tjetër, edhe për shkak të këtij instrumenti që ne vendosëm për herë të parë me FSHZH”, – u shpreh ministri Ahmetaj.

“Thumana e Re” do të ngrihet në një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh me standardet infrastrukturore më të larta, ku 5 kilometra do të jenë rrugë lidhëse, bashkë me sinjalistikën përkatëse dhe 3500 metra linearë do të jenë kanalizime dhe linjë elektrike.

“Unë dua t’i them të gjithë banorëve që janë në pritje të shtëpive që po punohet intensivisht. Proceset kanë qenë shumë të ngjeshura. Fatkeqësisht interferimi i epidemisë na vonoi pak, kryesisht për garat, pasi garat kanë qenë të hapura dhe kompanitë e kanë pasur të pamundur të marrin pjesë, sidomos kompanitë e huaja dhe kanë kërkuar shtyrje, gjë që na ka pezulluar dhe procese të tjera, por ajo që është e rëndësishme është që absolutisht në 26 nëntor, 1 vit nga tragjedia, gjërat do të jetën dukshëm ndryshe e në 26 nëntor do hapim dyert e shumë shkollave dhe do të hapim dyert e jo pak shtëpive edhe pse do të na duhet të vazhdojmë punën e të kompletojmë gjithçka vitin e ardhshëm”, – u shpreh Kryeministri Rama.