Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nisi sot puna për zbatimin e projektit të rijetëzimit të Piramidës. Një projekt fantastik transformimi arkitektonik i studios së famshme holandeze MVRDV, që do krijojë kushtet optimale për Qendrën më të madhe Digjitale në rajon.

Kryeministri Edi Rama u njoh sot me detaje te projektit te saponisur, për të cilin kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpjegoi se do të transformojë në çdo cep edhe hapësirën përreth, e cila ndonëse në zemër të Tiranës, prej dekadash është keqshfrytëzuar dhe shpesh braktisur. “Kjo do të jetë e gjitha një kampus. Piramida është vetëm një qendër e kampusit, e cila do të ketë 18 salla brenda, ato që quhen klasa, klasa për IT, robotikën dhe dizajnin. Do të përdorim edhe të gjithë pjesën jashtë, pasi 14 klasa do të jenë në natyrë, do të jenë dhoma elegante për kurset që do të zhvillohen në të gjithë hapësiraën e lulishtes, – detajoi kryebashkiaku Veliaj. – Do jetë një ndërveprim midis hapësirës së gjelbëruar nga jashtë dhe me dritë dhe hapësirës brenda, e cila gjithashtu do të ndahet në 3 pjesë, një pjesë do të jetë eksluzive për TUMO-n dhe klasat që do të ofrohen brenda, pjesa tjetër do të jetë një ekosistem biznesesh dhe sipërmarrjes së IT, ku shumë startup-e mund të bëjnë praktikën, ose mund të testojnë produkte.  Shumë nga kompanitë e teknologjisë kanë shprehur interes. Kurse 1/3 do të jepet me qira për biznese të ngjashme, për të siguruar të ardhura me të cilat ne mund të financojmë bursat dhe  mirëmbajtjen e një ndërtese që ka nevojë për mirëmbajtje, do të ketë shpenzime..”

Më pas, në ceremoninë e organizuar me rastin e nisjes së punimeve për projektin, ku merrte pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Zonja Yuri Kim, Kryeministri Rama u shpreh:

“Më vjen shumë mirë që ne, sot, këtu shohim nisjen e zbatimit të një projekti, i cili është mbase ndër projektet që kanë marrë më shumë kohë për të marrë formën e tyre në gjithë tërësinë e projekteve që unë mbaj mend. Kanë marrë më shumë kohë një sërë projektesh, ndërsa ky është projekti që në këndvështrimin tim ka qenë më i vështiri për të marrë formën e dëshiruar dhe për të jetësuar harmonizimin shumë të vështirë midis të shkuarës dhe të ardhmes, përmes një ndërhyrjeje në të tashmen. Kjo ka qenë një ndërtesë, e cila, në kohën kur u ngrit, dihet se çfarë qëllimi kishte, por nga ana tjetër, nga pikëpamja arkitektonike ishte ndryshe nga të tjerat. Ishte si të thuash një shkuarje e arkitektëve të kohës përtej kornizës së asaj kohe, si për të thënë që ajo çka nuk i lejohej të tjerëve dhe nuk lejohej për të tjerat, dhënia e një forme që ishte shumë më e lidhur me tendencat e arkitekturës moderne, për një objekt që ndërtohej në Shqipëri, ishte e mundur, në rastin kur kjo formë do të duhej të përmbante mesazhin e përjetshëm të lavdisë së komunizmit dhe të lavdisë së Enver Hoxhës.

Kjo e bëri godinën një objekt që patjetër duhej ruajtur, jo thjeshtë për historinë e saj, sepse kjo do të ishte gjëja më pak e rëndësishme, në rast se godina vetë do të ishte pa asnjë interes nga pikëpamja arkitektonike, por për formën e saj.

Bitet që erdhën, e lanë këtë godinë mu në mes të Tiranës, në një proces degradimi, ku asnjëherë nuk u gjet mënyra se si kjo godinë mund të shërbente, jo më për qëllimin që u ndërtua, por për qëllime të tjera dhe me funksione të tjera. U provuan një sërë gjërash që çuan në kioskëzimin e brendshëm të Piramidës.

Piramida u kthye si një lloj simboli i “tokës së zanun” në një bashkëpunim mes vetë shtetit dhe aktoreve të ndryshëm të sipërmarrjes. U kthye në një vend ku veprimtaritë nuk kishin lidhje fare me njëra-tjetrën dhe ku hapësira qëndrore mbeti gjithmonë një vend i shkretë. Më pas, lindi ideja irracionale për ta kthyer këtë territor në territorin e parlamentit të ri dhe për ta fshirë godinën nga faqja e dheut, gjë që në mënyrë të papritur krijoi një acarim tek brezi më i ri. Tek ai brez që ishte pak i lidhur ose aspak i lidhur me botën e dikurshme dhe që sapo kishte nisur të hynte në botën dixhitale, asokohe ende shumë e brishtë dhe rrjetet e sapokrijuara sociale nisën të përdoren në atë kohë për të thërritur njerëzit në protestë. E protestuesit, këtu, kundër shembjes së Piramidës, më kujtohet ishin më të rinjtë që nuk kishin asnjë lidhje me Enver Hoxhën, që nuk kishin asnjë lidhje me komunizmin dhe që natyrisht nuk protestonin për të ruajtur muzeun e Enver Hoxhës, por për të ruajtur një shenjë të një kujtese që nuk ishte kujtesa e tyre e drejtpërdrejte personale, por ishte kujtesa kolektive e kësaj bashkësie që ruhet nga brezi në brez, pikërisht nëpërmjet edhe këtyre ndërhyrjeve tejet të komplikuara për ta sjellë një godinë të një kohe tjetër, të ndërtuar për qëllime krejtësisht të tjera, në një kohë të re. Dhe për të siguruar që godina të mos jetë thjeshtë një shprehje e përkohshme e një periudhe të caktuar historike, por të jetë një ambicie që mishëron të ardhmen përtej ideologjive e përtej përkatësive të çfarëdolloji. Megjithëse duhet ta pranoj që e kam patur gjithmonë, qëkurse u bëra kryetar i Bashkisë së Tiranës, në mendje këtë godinë dhe sfidën për ta kthyer në një aset të rëndësishëm, jo vetëm arkitektonik, por edhe kulturor, social të Tiranës , që është një sfidë shumë e ndërlikuar. Sepse godina është shumë karakteristike dhe është shumë e veçantë dhe hapësirat e saj nuk janë lehtësisht të përdorshme për çfarëdoqoftë. Sfida më e madhe e këtij projekti nuk është aspekti arkitektonik, por është programi i godinës, çfarë do të përmbajë brenda, për çfarë do të shërbejë. U bë një tentativë absurde, qesharake, tragjikomike në fakt, për historinë e kulturës dhe të arkitekturës nga qeveria e mëparshme, për ta kthyer në teatër kombëtar.

Faktikisht u shpenzuan me miliona dollarë, u bë një barbari, gjurmët e së cilës janë akoma aty dhe u vodhën një pjesë e konsiderueshme e pllakave dhe aksesorëve të mbetur aty, për të lënë pas një gërmadhë. Ishte si të thuash dëshmia që vulosi faktin se godina nuk mund më të shihej si një hapësirë ku mund të kioskëzohej në vazhdimësi në varësi nga idetë spontane apo nga qëllimet e lindura rastësisht. E besoj që e gjitha kjo kohë e kaluar në kërkim të programit të kësaj godine ka qenë në fakt, një kohë jo e humbur, por që na ka dhënë mundësinë që ideja e që e bën këtë një projekt shumë ambicioz, shumë bindës, shumë të sigurtë për të ardhmen  të merrte formë, bashkë me zhvillimet e shpejta që ka sjellë koha dixhitale.

Sot, kjo godinë që mbart historinë e saj shumë ekstreme është në njëjtën kohë edhe foleja e gatshme për të pritur ekstremin tjetër. Ekstremin e hapësirës së lirisë përmes krijimit të kushteve për më të rinjtë që të hyjnë në konstelacioniet e pafundme të botës së universit dixhital.

Më vjen shumë mirë që sot, projekti i plotëson të gjitha ato kushte që çdo projekt duhet të plotësojë për t’i qëndruar kohës, për t’i shërbyer njerëzve e për t’i ndihmuar të gjithë që të mos harrojnë se nga vijnë. Kjo godinë e krijuar për të mistifikuar figurën e Enver Hoxhës dhe kohën e një diktature brutale, sot bëhet gati t’i shërbejë ekzaktësisht ekstremit të kundërt me të gjithë atë që përfaqësonte ai sistem dhe me të gjithë atë që donte Enver Hoxha, – duke i dhënë të rinjve lirinë e pakufishme të sfidimit të vetvetes dhe të kërkimit të të ardhmes në një botë që është e gjitha për t’u zbuluar, pavarësisht se edhe kështu siç është, duket se ka shkuar përtej çdo kufiri të imagjinatës, universin dixhital.

Thënë të gjitha këto, kthehem tek ajo që në fund të fundit është edhe arsyeja më kuptimplotë për çdokënd që dëgjon që këto që thashë tani janë mbase pak larg nevojës dhe qëllimeve të jetës së përditshme, kur vjen fjala për pyetjen, çfarë do sjelli kjo godinë për mua? Për mua si prind, për mua si i ri, për mua si pjesëtar i një familjeje që do të rrijë në Shqipëri, por që nuk e kupton dot se pse duhet të rrijë në Shqipëri e të marrë një pagë shumë më të ulët, sesa paga që do të merrte në Gjermani, duke pasur aftësi të veçanta.

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, dua të sjell një fakt, të cilin e kam mësuar sëfundmi.

Në Korçë janë të paktën, – them të paktën sepse kjo nuk është një shifër zyrtare, është një shifër empirike, – 100 të rinj, të cilët sot fitojnë nga 1000 deri në 7000-8000 euro në muaj. Janë 100 të rinj që janë komplet në botën e tyre. Nuk shkojnë të punojnë as në shtet, as tek ndonjë privat, por thjesht kanë gjetur punë në internet dhe bëjnë shërbime në internet për të tretë e bëjnë gjithfarë shërbimesh, të cilat atyre u sjellin të ardhura këtu në Shqipëri. Edhe sot, në këtë moment që flasim janë 2.4 milionë vende pune të lira që konsiderohen si potenciali i këtij momenti për shërbime të kësaj natyre, për kompani që mund të jenë në fund të botës e të cilat arrihen me një klik.

Ajo që ne jemi duke përgatitur, për të hyrë në një fazë të re të revolucionit dixhital që kemi nisur, është pikërisht shtrirja në çdo qytet, duke filluar nga qytetet e mëdha, e rrjetit të një programi për më të rinjtë që duan t’i vënë në punë aftësitë e tyre në botën dixhitale, për të fituar në muaj shumë më tepër sesa do fitonin në çdo punë tjetër këtu në Shqipëri e shumë më tepër sesa do të fitonin edhe po të shkonin në Gjermani.

Shqipëria është një vend shumë i vogël, por është një vend i NATO-s, është një partner shumë i afërt strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe një nga sfidat e përbashkëta, ku madhësia e vendeve nuk është e rëndësishme, por ku rreshtimi i vendeve është shumë i rëndësishëm, është sfida e “digjital clean paths”, që ne e kemi bashkuar veten me SHBA-në dhe kemi firmosur dhe angazhimet tona, për ta pasur Shqipërinë një vend me rrugë të lira dixhitale. Që do të thotë rrugë të mbrojtura dhe rrugë të papenetrueshme nga palë të tjera, të cilat nuk janë dashamirëse me Shqipërinë dhe të cilat janë në pozicione të ndryshme në raport me NATO-n, në raport me partneritetin tonë strategjik me SHBA-në.

Të gjitha këto do të kërkojnë as më shumë e as më pak, por një numër që askush nuk mund ta vëri në një limit, vajzash dhe djemsh, të rinjsh e të rejash, fëmijësh të sotëm që nesër të jenë të aftë të hyjnë në gjithë këtë horizont të ri të punës, të shërbimeve dhe të krijimit të mirëqenies. Nëse ne do të jemi në gjendje që t’ju japim fëmijëve të sotëm dhe të rinjve të sotëm instrumentet për t’u aftësuar dhe nëse ne do të jemi në gjendje të shfrytëzojmë eksperiencën dhe shembullin e atyre të rinjve që atë gjë e kanë bërë dhe tanimë me atë gjë fitojnë çdo muaj të ardhura shumë të larta, atëherë ne do të kemi në fund të dekadës ku kemi hyrë një armatë të tërë njerëzish të punësuar këtu, të lirë nga çdo lloj lidhje me shtetin e me pronarë dhe zotër të fatit të tyre, krejtësisht të aftë për të përballuar të gjitha sfidat e për të plotësuar të gjitha nevojat dhe dëshirat e tyre në aspektin ekonomik.

Ne po përgatisim një nga pikat e platformës tonë për Shqipërinë 2030, që do ta prezantojmë së shpejti. Pikërisht kjo; Krijimi i një hapësire të re ku tanimë shteti duhet të jetë aktori drejtpërdrejtë, në sensin e mbështetjes së këtyre iniciativave për aftësimin sa më cilësor të të rinjve të sotëm, të fëmijëve të sotëm, për të qenë nesër pjesë e këtij tregu të madh. Një treg që ka vetëm mundësi të zgjerohet dhe jo të ngushtohet. Eksperienca e saponisur pak muaj më parë në stadiumin kombëtar me zonën e parë të aftësimit të të rinjve përmes projektit të mirënjohur të TUMO, është një eksperiencë që po tregon atë që ne e dinim dhe  e kemi diskutuar dhe me miqtë e Fondit Dhqiptaro-Amerikan, por që, sidoqoftë, ajo që di që mund të ndodhë, provohet në realitetin e përditshëm, është diçka tjetër, është një konfirmim sesa shumë kërkesa e sesa shumë ambicie ka në këtë vend për këtë fushë.

Nëse ne do të vendosim një objektiv, për të rritur çdo vit numrin e koduesve në Shqipëri, për të bërë që mijëra të rinj në katër, pesë vitet e ardhshme dhe disa dhjetëra mijëra në këtë dekadë ku ne kemi hyrë të jenë kodues e po marr vetëm një aspekt ë të gjithë spektrit të aftësive që ofron bota dixhitale, ne do të kemi vënë praktikisht një bazë krejtësisht tjetër për Shqipërinë e nesërme. Që muzeu i Enver Hoxhës të shërbejë pikërisht për këtë, është vërtetë realizimi me shumë sukses i një ambicieje që sot merr rrugën e jetësimit, i kthimit të këtij  objekti të të shkuarës, që për 30 vjet ka bërë hije këtu, duke na sfiduar të gjithëve, “çfarë do bëni me mua” e duke na detyruar që të mos e shembim për arsyet tona, por nga ana tjetër, duke na ironizuar që “nuk më përdorni dot”, në një simbol të madh, në një simbol të bukur, në një simbol shumë të fortë të Shqipërisë që duam nesër për të gjithë fëmijët tanë. E në një arsye shumë të fortë për t’ju thënë të gjithëve që sot gjeografia është shumë pak e rëndësishme, për të mos thënë krejt e parëndësishme, nëse mendja është mjaftueshmërisht e ushqyer dhe e zhvilluar për t’i kapërcyer kufijtë e për t’i kapërcyer të gjitha ato hapa në kohë që do duheshin për këdoqoftë që do të ishte në këtë vend 30 vjet më parë, sepse dija dixhitale, e shoqëruar me të gjithë dijet e tjera që janë të nevojshme për dikë që hyn më thellë në këtë univers, është e mjaftueshme për ta bërë këdo që të fluturojë përtej të gjithë kufijve, të prekë të gjithë cepat e globit e të jetë një punëtor i globit, jo thjesht punëtor i një ndërmarrjeje këtu, i lirë, që nuk i jep llogari askujt, përveç atyre që u shërben në bazë të një kontrate të caktuar.

Është një vajzë sot, në Korçë, që kishte një portofol pune të paimagjinueshëm për ata që nuk e njohin këtë botë, që nga shërbimi për instagramin e një boksieri në Shtetet e Bashkuara, tek shërbimi për Website e një kompanie të madhe në Londër, tek puna për disa shërbime online për një sërë kompanish të tjera për burime njerëzore e kështu me radhë. Një portofol që në pamje të parë duket si një konglomerat gjërash që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por të gjitha lidheshin me atë vajzë që jeton në Korçë dhe që sot merr mijëra euro në muaj, që nuk e njeh askush e që askush nuk e di e që si ajo, të paktën vetëm në Korçë, janë të identifikuar 100 të tjerë e të tjerë me siguri janë akoma. Ne duam që t’i nxjerrim në sipërfaqe gjithë këto talente, gjithë këto ambicie, gjithë këto vullnete dhe t’i kthejmë në shembuj të prekshëm, konkretë, për plot të rinj të tjerë, duke bashkëpunuar me të gjithë aktorët e tjerë, me fondacionin, me bashkinë, me miqtë amerikanë e me të tjerët, në mënyrë që ta kthejmë këtë në një rrugë të re, tanimë që kemi vënë bazat, në këto vite, të një vendi që funksionon në shumë aspekte të vetat kur vjen puna tek raportet e shteti me qytetarin, tek shërbimet në rrugë dixhitale. Shumë faleminderit të gjithëve!

Më kujtohet që nga të gjitha eventet që kemi bërë me Fondacionin, ky duhet të jetë fjalimi i parë që nuk e kam lavdëruar Fondacionin në mënyrë eksplicite. Ma ha mendja, mbase mungesa e Michael ma bën më të lehtë këtë proces, që të mos rri duke lavdëruar Fondacionin, se kur vjen Michael, duhet ta lavdërojmë se nuk ka rrugë tjetër, por realisht mirënjohje për Fondacionin dhe për bashkëpunimin strategjik që kemi, me shpresën që Fondacioni do nxjerrë ca lekë më shumë, për të bërë ca punë më shumë, sepse këto të bërat janë goxha, por nuk mjaftojnë dhe po, Martin, “the future is now”. Që do të thotë që “now you should put some more money!”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.