Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shkolla “Mihal Grameno” në Tiranë, pas 17 vitesh mes lagëshrirës është transformuar në një hapësirë moderne e mësimdhënies. Sikundër edhe në këtë shkollë ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore falas, ku përfitues këtë vit do të jenë edhe nxënësit që shkojnë në klasat e pesta. Kryeministri Edi Rama, sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishin sot në shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno” në kryeqytet, ku edhe asistuan një moment të shpërndarjes së teksteve shkollore falas.

“Shkolla ka ndryshuar totalisht dhe ne jemi të lumtur që kemi mbërritur në këtë pikë, duke ju falënderuar pa masë për gjithë bashkëpunimin tuaj. 17 vjet ka patur një bodrum të mbushur me ujë dhe një pompë thithëse. Nga sot ka ndryshuar totalisht, nuk njihet më,” shprehet drejtoresha e kësaj shkolle.

“Tani duhet të bëjmë fushat e sportit mbrapa. Rëndësi ka që iku podrumi se ju ishit si anije, sipër mësim, poshtë ujë,” tha Kryeministri Rama.

“Në pamundësi për t’i bërë të dyja, kemi bërë fillimisht shkollën, pastaj faza e dytë do të jenë të gjithë fushat sportive. “Mihal Grameno” neve na rezulton gjithmonë “Top 5”, pra, një nga 5 shkollat më të mira. Mania për t’i çuar të gjithë në ato shkolla që kanë qenë të mira në vitet ’80-të ka filluar të reduktohet,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Kryeministri tha se brenda 2 vitesh të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare do të mund t’i përfitojnë falas tekstet mësimore. “Këtë vit kemi shtuar klasën e pestë. Vitin tjetër do shtojmë të gjashtën dhe të shtatën, pastaj të tetën dhe të nëntën. Në fund, në sezonin 2021-2022 të gjithë librat nga klasa e parë te e nënta do jenë falas, por duhet t’i mbani mirë, se dëgjoj shumë që ankohen, thonë pse nuk kanë të drejtë t’i grisin, pse nuk kanë të drejtë t’i shkarravisin, pse nuk kanë të drejtë t’i humbin, pse nuk kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan, zyshat mund t’ua thonë, libri është shoku më i mirë. Të gjithë të tjerët shkojnë e vijnë libri mbetet,” u shpreh kryeministri Rama.

Shkolla 9-vjeçare “Mihal Grameno” ka rreth 1300 nxënës, të cilët mësojnë në 38 klasa mësimore si dhe 2 klasa parashkollore. Kjo shkollë është e pajisur gjithashtu me palestër, si dhe laborator fizike, kimie, biologjie dhe informatike. Sipas kryebashkiakut Veliaj, edhe në shkollat ku nuk ka pasur ndërhyrje në infrastrukturë janë blerë të gjithë mobiljet e reja dhe dërrasa moderne.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.