Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Transformimi në Vlorë nuk ndalet. Përfituese e një projekti modern infrastrukturor, këtë herë është lagja “24 maji” në qytet. Hapësira prej 6 hektarësh do të shndërrohet krejtësisht me rrugë të reja, ndriçim e gjelbërim, duke rritur vlerën e banesave dhe krijuar kushte optimale për banorët.

Projekti sapo ka nisur të zbatohet dhe Kryeministri Rama ishte sot në Vlorë, pikërisht në lagjen “24 maji”, ku po punohej për lirimin e disa hapësirave publike, nga ndërtime të vjetra, në mirëkuptim të plotë me banorët e zonës.

“Kjo është një zonë rreth 6 hektarë, në të cilin zhvillohet ky projekt dhe jemi në fillesat e projektit. Është një sipërfaqe prej 7500 metër katrorë asfalt që do të shtrohet përgjatë gjithë territorit. Janë 10500 metër katrorë trotuare dhe standardi është që të përgatisim një strukturë model, e cila do të vazhdojë me investime të tjera në të gjithë territorin e lagjeve problematike në Bashkinë e Vlorës. Pjesa e Çoles është një nga ato pjesët e përmendura shumë nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar shpeshherë dhe vazhdojnë të kërkojnë që projektet të mos ndalojnë këtu.  Falë FSHZH dhe mbështetjes suaj personale, arritën që ta fillojmë shumë shpejt, në kohë rekord, këtë projekt të rëndësishëm. Do të vazhdojmë me rehabilitimin dhe ndriçimin me rreth 200 njësi ndriçimi në gjithë territorin, me shkurre dhe bimë dekorative, që do të jenë të vendosura gjatë gjithë hapësirave publike që do të krijohen. Ka një park fëmijësh që do të rrisë standardin në këtë zonë dhe të gjitha këto së bashku do të krijojnë një lloj habitati pozitiv për banorët që janë të vendosur këtu prej kohësh dhe u ka munguar dora e investimeve në hapësirat publike përreth pallateve. Ky do të jetë shembulli i parë i ndërhyrjeve që do të vijojnë hap pas hapi në të gjithë territorin e zonave ku nuk kemi arritur në ndërhymë”, – shpjegoi Kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, i cili theksoi se me këto projekte do të krijohet një mënyrë e re e organizimit të hapësirave publike.

Kryebashkiaku Leli shtoi gjithashtu se banorët janë ndërgjegjësuar për të mirat e përfituara nga projekte të tilla infrastrukturore dhe po i përkrahin këto investime. “Kemi gjetur edhe mirëkuptimin e banorëve. Në investimet e para ka patur probleme, por, tanimë, besimi në investimet që sjellin përmirësime të infrastrukturës, përmirësim të jetës dhe që rrisin vlerën e pronave, në Vlorë është bërë një realitet i prekshëm”, – tha Leli. Duke theksuar se bashkia vazhdon të ketë një komunikim shumë të mirë dhe dakordësi me banorët.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.