Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkëbisedimi i Kryeministrit Edi Rama me qytetarë të Qarkut Fier për projektbuxhetin e vitit 2018:

 

Kryeministri Rama: Mirë se ju gjeta dhe shumë faleminderit që jeni këtu!

Ne sot çelim një proces, sikundër dhe e kemi premtuar, një proces të ri që është pjesë e procesit tërësor të bashkëqeverisjes me qytetarët, me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Në këtë proces, ne do të ndajmë me komunitetet në të gjithë Shqipërinë çka përbën projektbuxheti i vitit 2018, bazuar mbi një lexim shumë të hollësishëm të të gjithë atyre dëgjesave që ne zhvilluam në muajin korrik, pas zgjedhjeve, ku dolën në pah problematika të rëndësishme të komuniteteve dhe nga ku ne kemi mundur të nxjerrim një sërë prioritetesh në bazë qarqesh dhe bashkish.

Ky është buxheti i shtetit dhe si i tillë ka një sërë prioritetesh kombëtare. Në ndarjen e këtij buxheti, ajo çka i takon secilës bashkia apo secilit qark është vetëm një pjesë, ama ajo që është themelore është që në këtë proces ne, besoj unë, do bëjmë të mundur si asnjëherë më parë që çka shpenzohet nga taksat e qytetarëve, të shpenzohet në mënyrë sa më të drejtë, qoftë në funksion të prioriteteve, qoftë në funksion të bashkëveprimit me qytetarët dhe si rezultat, në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së jetës në çdo komunitet.

Më vjen shumë mirë që këtë proces ne e nisim këtu nga Qarku i Fierit dhe ndër disa arsye që mund të përmend për këtë është fakti se këtu kemi një sistem goxha të avancuar të organizimit të procesit të bashkëqeverisjes me njerëzit. Jo më larg se sa pasnesër, ne do të bëjmë publike edhe platformën online të bashkëqeverisjes me qytetarët, një mekanizëm që do të jetë që nga pasnesër, në dispozicion të të gjithë atyre që do duan të jenë pjesë e koalicionit qeverisës mes Partisë Socialiste dhe njerëzve të zakonshëm, që do të regjistrohen si anëtarë të koalicionit dhe që do të kenë akses të drejtpërdrejtë, për të thënë fjalën e tyre dhe po ashtu për t’u informuar në kohë reale për gjithë ecurinë e procesit të qeverisjes.

Jemi në udhëkryq, sikundër e kemi shpjeguar shumë intensivisht gjatë fushatës, përpara zgjedhjeve të fundit, ku çka ka ndryshuar nga momenti i fushatës është vetëm fakti se neve na është dhënë mandati për të udhëhequr vendin në 4 vitet e ardhshme, për të dalë nga ky udhëkryq në drejtimin e duhur dhe për të arritur në një stacion tjetër të rrugës së shtetndërtimit dhe sigurisht, të punës dhe të mirëqenies.

Jemi në udhëkryq përsa i përket luftës kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, por ajo çka për ne është parësore në këtë moment, si qeveri, marrë parasysh që reforma në drejtësi dhe procesi i Vetting-ut do të çojnë përpara, natyrshëm, përpjekjen kundër korrupsionit në nivelet më të larta, është të çlirojmë njerëzit e zakonshëm nga pesha e padurueshme e korrupsionit në të gjitha instancat e shtetit ku ata kërkojnë të marrin një shërbim. Është një udhëkryq që për ne është në të njëjtin kohë edhe një sfidë themelore për të kaluar në një fazë tjetër të marrëdhënieve të njerëzve me shtetin dhe shtetit me njerëzit, duke bërë nga njëra anë një riorganizim rrënjësor të administratës.

Ne kemi filluar këtë, duke riorganizuar qeverinë, do ta vazhdojmë duke riorganizuar ekipet drejtuese të ministrive dhe ditën e shtunë, në Asamblenë tonë Kombëtare do të shpallim ekipin e zëvendësministrave të kësaj qeverie, që ndryshe nga gjithë herët e tjera ka kaluar në një proces shumë të qenësishëm dhe të hollësishëm përzgjedhjeje. Do të vijojmë më tutje me të gjitha strukturat e varësisë, pasi kemi faktikisht përfunduar me riorganizimin e brendshëm të strukturave të ministrive, me agjencitë, me inspektoratet, me zyrat, me sportelet e kështu me radhë, për të arritur të krijojmë kushtet që të kemi një administratë, e cila nuk thith në mënyrë intensive siç ka ndodhur deri më sot, energji pafund, para të paligjshme dhe që nuk vret në vijimësi ëndrrat e shpresa njerëzish, siç ka ndodhur deri tani.

Edhe sot në mbledhjen e qeverisë kemi vazhduar me procesin e lehtësimit të peshës së burokracisë nga shpatullat e njerëzve, duke vazhduar të heqim detyrime për njerëzit, që të marrin nëpër lloj-lloj zyrash, lloj-lloj dokumentesh që duhen për vërtetime, për të marrë një shërbim.

Sot, një sërë dokumentesh që janë shumë të kërkuara nga shteti për të dhënë shërbime, duke filluar nga certifikata e lindjes, janë hequr si barrë për njerëzit edhe pse vazhdon inercia, edhe pse akoma vazhdon prodhimi i certifikatave dhe kërkesa për të ardhur në një zyrë për të marrë një certifikatë. Unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta refuzojnë këtë kërkesë. Çdo zyrë shteti që jep një shërbim ka detyrimin ta nxjerri certifikatën drejtpërdrejtë e me lehtësinë më të madhe mund ta nxjerri online, nga kompjuteri, për këdo që vjen në sportel. U them njerëzve, çdo zyrtari në çdo zyrë që ju thotë “ku e ke certifikatën”, t’i thoni, “ndiz kompjuterin e ma nxirr se e ti aty në kompjuter”. E mos paguajnë asnjë kokërr leku më, për të nxjerrë certifikatë e mos pranojnë të dalin nga zyra pa marrë shërbimin, në rast se ju kërkohet certifikata.

Është një kërkesë e padrejtë, është një kërkesë e paligjshme, sepse me vendimin e qeverisë në mbledhjen tonë të parë, ne e kemi hequr këtë detyrim njerëzve dhe është detyrim i çdo zyre shteti që kërkon certifikatë, ta nxjerri certifikatën direkt nga kompjuteri nëpërmjet portalit e-albania. Po kështu janë dhe një sërë dokumentesh të tjera që ne sot ia kemi lënë barrë zyrave të shtetit që t’i nxjerrin nga kompjuteri për njerëzit, kur këto dokumente kërkohen për t’i dhënë njerëzve një shërbim.

Por nuk mbaron me kaq, ne ndërkohë kemi bërë një inventar të të gjithë licencave, dokumenteve, vërtetimeve, certifikatave, letrave që ju kërkohen njerëzve për t’i dhënë shërbime dhe gjatë këtij 100-ditëshi të parë të qeverisjes do të bëjmë një reduktim drastik dhe të vetë numrit të tyre. Kjo do të lehtësojë jashtëzakonisht shumë, marrëdhëniet e njerëzve me shtetin. Sot, vetëm për të marrë certifikata janë 4.5 milionë kontakte në vit të qytetarëve me zyrat e shtetit. Një skandal i paimagjinueshëm. 4.5 milionë kontakte që faktikisht ne i kemi hequr dhe lehtësuar, plus dhe miliona kontakte të tjera nga të tjera dokumente që po i heqim çdo javë, në çdo mbledhje qeverie, si barrë që njerëzit duhet t’i kenë me vete.

Sigurisht që kjo ka lidhje me ekonominë, sigurisht që kjo ka lidhje me përmirësimin e cilësisë së jetës, sepse sa më pak burokraci të kemi, sa më pak kontakte të njerëzve me zyrat e shtetit për të marrë dokumente, aq më pak korrupsion kemi në nivelin e marrëdhënieve qytetar-shtet, shtet-qytetar e aq më shumë evitojmë burime energjish negative, stresesh e situatash që nuk ndihmojnë. në jetën e përditshme dhe nuk e ndihmojnë ekonominë. Vendet me burokraci të rënduar kanë më shumë korrupsion dhe sigurisht kanë më shumë probleme me ekonominë. Nuk është i vetmi aspekt, por është një aspekt shumë i rëndësishëm.

Duke ardhur tek aspekti tjetër që ka të bëjë me rritjen ekonomike, ne jemi sot në një situatë kur kemi në duar një shifër të rritjes ekonomike që katër vjet më parë ishte e pamendueshme, 4%. Por ambicia jonë, e shprehur dhe në fushatën elektorale, ka qënë shumë e qartë dhe mbetet shumë e qartë, ne duam të shkojmë mbi 5% rritje ekonomike, sepse jemi të vetëdijshëm që pa kaluar kufirin e 5% e kemi të pamundur që rritjen ekonomike për shumëkënd, për shumë familje të zakonshme ta kthejmë nga një shifër, në një fakt të prekshëm në jetën e tyre të përditshme. E sigurisht që me buxhetin e vitit të ardhshëm, ne jemi në kushtet kur shkojmë më tutje drejt këtij synimi, për të bërë të mundur që brenda gjysmës së mandatit të saponisur të kalojmë 5% rritje ekonomike, duke pasur parasysh ndërkohë, domosdoshmërinë për të mbajtur nën kontroll borxhin, pra, pa rritje borxhi. Përkundrazi, me një tendencë ulëse të borxhit dhe sigurisht për të vazhduar të konsolidojmë reformat tona shtetndërtuese.

Duke hyrë në disa aspekte të buxhetit, së pari, buxheti do ketë më shumë burime financiare në dispozicion, si rezultat edhe i politikave fiskale që do  vazhdojnë të bazohen tek principi i taksimit të ndershëm dhe tek nxitja e investimeve private në sektorët prioritarë.

Nga ana tjetër, lufta kundër informalitetit hyn në një fazë të re. Sapo ka nisur ky kapitull i kësaj lufte dhe do të bëjmë kundër infomalitetit një betejë pa kompromis dhe intensive, duke u fokusuar në radhë të parë tek më të mëdhenjtë. Por në funksion të luftës kundër informalitetit, – dua ta theksoj këtë gjë, – ne do t’i fusim të gjitha subjektet, përfshirë dhe subjektet e biznesit të vogël, në regjimin e TVSH-së.

Kemi lexuar që ka dalë si gjoja informacion nga brenda Ministrisë së Financave, që ne do të vendosim apo do të rrisim taksën për biznesin e vogël. Kjo nuk është e vërtetë. Ne e kemi bërë zero taksën për biznesin e vogël dhe taksa për biznesin e vogël do vazhdojë të jetë zero. Por, nga ana tjetër, ne do t’i kërkojmë biznesit të vogël që të bëhet pjesë e luftës kundër informalitetit e duke përfshirë në regjimin e TVSH-së do të mbyllim hapësirat për të gjithë ato biznese të mëdha që faktikisht nuk shkarkojnë TVSH-në. Nga ana tjetër do të pamundësojmë që një pjesë e bizneseve të vogla të bëjnë konkurrencë të pandershme me pjesën tjetër, duke mos pranuar faturë TVSH-je nga të mëdhenjtë. Kjo është strategjia e këtu nuk ka kompromis! Nuk është rritje takse. Sigurisht që çdo biznes i vogël do duhet të sillet në mënyrë të strukturuar e korrekte me ligjin dhe të jetë pjesë e përpjekjes për të luftuar informalitetin. Ne nuk mund të vazhdojmë të shkojmë më tutje me këtë situatë, ku nga njëra anë kemi të gjithë predispozitën për ta mbështetur biznesin e vogël me taksë zero dhe nga ana tjetër, një pjesë e biznesit të vogël  e tradhton këtë predispozitë, pra, e braktis këtë llogore ku ne duam që i gjithë biznesi të jetë i rreshtuar për t’i thënë ndal informalitetit e bëhet faktikisht shtrat për informalitetin, duke e dëmtuar rëndë zhvillimin dhe duke dëmtuar rëndë aspiratat për ekonominë tonë.

Do të krijojmë një kadastër fiskale, e cila do të shërbejë si një bazë moderne të dhënash. Kështu, në një periudhë 2-3 vjeçare, të ardhurat besojmë se do të shënojnë një rritje të konsiderueshme. Për kadastrën fiskale, falë edhe bashkëpunimit shumë të mirë që ne kemi gjetur, sidomos me bashkinë e Fierit, që nuk është sekret, është kthyer në një nga bashkitë lokomotivë në rrugën e zhvillimit dhe transformimeve, falë lidershipit të kryetarit dhe ekipit të bashkisë, Fieri është një nga katër vendet pilot për këtë kadastër.

Më tutje, sigurisht që ka një rëndësi themelore financimi i projekteve strategjike. Dua të theksoj një gjë që ka rëndësi themelore për Fierin, vonesën dramatike të ndërtimit të by-pass-it të Fierit, si rezultat i një kontrate të trashëguar skandaloze, si rezultat i menaxhimit skandaloz të asaj kontrate dhe i transformimit të gjithë historisë së by-pass-it në një lëmsh abuzivizmi. Ne më në fund e kemi pastruar situatën. Kemi hapur një procedurë të re. Së shpejti, procedura përfundon dhe punimet do të rifillojnë, për të mos u ndalur më deri në realizimin përfundimtar, qoftë të “by-pass”-it të Fierit, qoftë të by-pass-it të Vlorës.

Ndërkohë do të fillojmë shumë shpejt, brenda programit tonë “1 miliardë për rindërtim”, rindërtimin tërësor dhe aty ku mungon, ndërtimin e elementëve të munguar të rrugës nga Plepat në Durrës deri në Vlorë. Kjo është një rrugë kombëtare me rëndësi strategjike dhe me rëndësi themelore për zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin e ekonomisë tonë dhe kjo vetëm rrugë kombëtare me standarde nuk është. Është një çorodi, një amulli e trashëguar nga e shkuara, e arnuar, e copëtuar dhe ne do ta bëjmë këtë, një rrugë nacionale turistike model, ku do të mbarojë historia e arnave, e shtesave, e ferrave, e gomave, e hekurishteve, e lopëve dhe e qenve që kalojnë rrugën, sipas rastit.

Ky projekt ka një rëndësi themelore për të gjithë zonën këtu, por do ketë dhe një rëndësi dhe një impakt të madh edhe për gjithë Shqipërinë, sëbashku me projekte të tjera të programit. Brenda pak javësh përfundon dhe lidhet kontrata për rrugën e Arbrit dhe fillon puna. Njëkohësisht, ne po definojmë dhe projektet e tjera prioritare, ndër të cilat, një projekt i rëndësishëm që nuk është brenda programit të “1 miliardë për rindërtim”, por është brenda programit të ri të rrugëve me pagesë, do të jetë rruga Vorë-Rrogozhinë, e cila praktikisht do ta bëjë lidhjen Tiranë-Fier-Vlorë, të tërën brenda një ore.

Nga ana tjetër do të kompletojmë të gjithë segmentet e munguara të rrugës që lidh Tiranën me Lezhën, me Kukësin dhe me Kosovën, por edhe pjesën tjetër që lidh Shëngjinin me Velipojën, me Ulqinin. Kështu që besoj se në këtë vijë bregdetare shqiptare do kemi një transformim themelor të infrastrukturës në katër vitet e ardhshme.

Arsimi e shëndetësia janë pjesë e përpjekjes sonë të përbashkët dhe edhe në këtë aspekt, ne do të vazhdojmë të fokusohemi, së pari, tek domosdoshmëria për të rritur cilësinë e shërbimit, qoftë në arsim, qoftë në shëndetësi. Fieri është në këtë rast, një zonë me prioritet të veçantë, pasi këtu jemi në proces për ndërtimin e një spitali ekselence rajonal, i cili do të jetë i pari spital ultramodern i Shqipërisë, i ndërtuar nga themelet, deri tek pajisjet dhe tek menaxhimi. Njëkohësisht do të transformojmë komplet gjithë skemën e shërbimeve spitalore dhe të shërbimeve të parësorit.

Përsa i përket arsimit, do të bashkëpunojmë ngushtësisht me bashkitë për të rindërtuar të gjitha ato shkolla që janë të frekuentuara dhe faktikisht të mbipopulluara, në funksion të objektivit për të arritur që në zonat urbane të Shqipërisë të mos kemi më shumë sesa 28-30 nxënës për klasë dhe njëkohësisht për t’i dhënë mundësi të gjithë nxënësve në këto zona, që të kenë akses të plotë në një infrastrukturë të njehsuar nga pikëpamja e standardeve.

Duke ardhur konkretisht tek Qarku i Fierit, përsa i takon bashkive të Qarkut ka një rritje të ndejshme të të ardhurave dhe të financimeve si pasojë e këtij kombinimi për të gjitha bashkitë. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë kryetarët e bashkive dhe jemi shumë të qartë sa i përket projekteve të tyre prioritare, që përtej projekteve të përbashkëta kombëtare, që lidhen drejtpërdrejt edhe me zonën, mund të vazhdojmë të mbështesim me financime këto projekte prioritare.

 

* * *

 

Përshëndetje zoti Rama! Unë jam anëtar i Këshillit Bashkiak. Para dy vitesh në mbledhjen e parë të këtij Këshilli, ne shpallëm emergjencën e mbylljes së vend-depozitimit të plehrave të vjetra. Pas kësaj mbledhjeje, së bashku me stafin e bashkisë, ne u angazhuam për gjetjen e një vend- depozitimi të ri dhe të një impianti të ri për  të cilin miratuam një vend-depozitimi me sipërfaqet e kërkuara nga projekti. Por ne jemi të shqetësuar, sepse kanë kaluar dy vjet dhe nuk po shohim të fillojë ndërtimi i këtij impianti. E kam si kërkesë që në buxhetin e vitit 2018 ta parashikoni këtë, pasi kjo verë e nxehtë shkaktoi mjaft probleme në ndotjen e ajrit.

Së dyti, në mbledhjen e fundit, si Këshill Bashkiak miratuam qendrën e qytetit të Fierit, bashkë me rehabilitimin edhe të një pjese të lumit Gjanica, si pjesë përbërëse e qendrës së qytetit. Ky ishte një projekt shumë i mirë, i hartuar nga një studio italiane, për të cilën, të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak e miratuam, dhe besoj se Fieri e meriton të ketë një qendër të tillë. Vetëm se duhet që në vitin 2018, edhe ky projekt të parashikohet. Gjithashtu edhe në takimin që kemi bërë më përpara me ju z.Rama kemi ngritur problemin e lumit Gjanica. Duhet të merren masa më të rrepta edhe për lumin që të mos ndotur më, sepse të gjitha shkarkimet prej lumit Gjanica përfundojnë në Seman.

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit! Së pari, përsa i përket impiantit, ju e dini pozicionin tim. Pozicioni im është i qartë dhe i pandryshuar, pavarësisht se për fat të keq, sa herë flitet për mbetje, të gjitha mbeturinat e politikes dhe të medias në Shqipëri hidhen përpjetë dhe futen me kokë në plehra,  njësoj siç ata që futen me kokë në kazan që të nxjerrin kanoçet për riciklim, – për të nxjerrë dhe ata ndonjë kanoçe për llogaritë e tyre.

E vërteta është që kush ka sy për të parë, shikon, kush ka vesh për të dëgjuar, dëgjon, kush ka mend për të menduar, mendon. Mjafton të shikosh çfarë transformimi rrënjësor mjedisor ka ndodhur në Elbasan; Mjafton të dëgjosh se çfarë thonë të gjithë qytetarët e Elbasanit që kanë shpëtuar nga një ndotje e tmerrshme dhe nga një erë e tmerrshme që shoqëronte çdo perëndim dielli në qytetin e tyre; Mjafton të reflektosh mbi këtë, për të reflektuar që kjo histori është një histori e pakuptimtë, pra, historia e angazhimit politik për të penguar këto zhvillime të domosdoshme. Fieri nuk mund të vazhdojë më në këtë situatë dhe projekti duhet të vazhdojë. Është një projekt i mbështetur nga qeveria, është një projekt i garantuar nga qeveria nga pikëpamja financiare, sepse bashkia vetë do ta kishte të pamundur që ta garantonte këtë me të ardhurat e veta. Është një projekt i garantuar nga qeveria shqiptare për Fierin, duke e parë Fierin me prioritet dhe duke e parë si domosdoshmëri për t’i ardhur në ndihmë dhe për të mbështetur qytetarët e Fierit pa dallim, se nuk është vetëm për socialistët, por është edhe për demokratët dhe për të gjithë.

Nuk mund të vazhdojmë të rrimë peng, sepse faktikisht, populli në 25 qershor na ka çliruar dhe nga qenia peng këtu, e një koalicioni ku ministri donte projektin, partia e ministrit, ose më saktë të dërguarit e partisë së ministrit këtu në Fier luftonin kundër projektit dhe në fund fare, fatura i mbetej partisë që udhëhiqte koalicionin. Unë jam shumë i qartë në këtë pikë. Projekti duhet të vazhdojë dhe duhet te realizohet.

Sigurisht, njerëzit nuk kanë faj që janë shumë sensibël në këtë gjë, prandaj ne tërhoqëm edhe ligjin e përpunimit të mbetjeve, për të bërë një proces shpjegues dhe për t’ju thënë njerëzve mos i dëgjoni këta sharlatanë, se në qoftë se këta do donin Shqipërinë e pastër dhe do dinin si pastrohet Shqipëria, do e kishin pastruar Shqipërinë kaq shumë vite sa patën mundësi, se të gjithë ata që flasin kanë pasur mundësi të jenë atje në krye të vendit dhe kanë pasur mundësi ta pastrojnë Shqipërinë. Fakti që na e lanë Shqipërinë të ndotur nga të katër anët dhe fakti që edhe ata që flasin e bërtasin, si pionierë të luftës për Shqipërinë e pastër nga kazani i medias, nuk e ngritën kurrë zërin përballë papastërtive, tregon që njerëzit duhet të shkojnë pas rezultatit që sjell ndryshimi dhe jo të dëgjojnë këta lloj gojështhurur, që për fat të keq nuk janë pak dhe bëjnë zhurmë në ato kutitë e televizorëve. Kështu që  për këtë arsye, ne do vazhdojmë një proces shpjegimi. Ndërkohë që përsa i përket projektit të Fierit s’duhet të ketë dhe s’do ketë, s’besoj se ka nevojë ta diskutojmë, asnjë kthim mbrapa. Ata njerëz që protestojnë atje të manipuluar, duhen sqaruar mirë dhe do kuptojnë që ajo është thjesht dhe vetëm një vlerë e shtuar për ta.

Përsa i përket qendrës, unë e kam nxitur kryetarin që të bëjë një projekt të qendrës, ndërkohë që e kam për kënaqësi ta përsëris që transformimi i Fierit është i pakuptimtë, nëse nuk plotësohet me transformimin e zemrës së qytetit dhe me rikthimin e lumit në identitet. Godinat që i kanë zënë frymën qytetit dhe që e kanë lënë qytetin pa lumë, ndërkohë që qyteti ka një lumë mu në mes të qytetit, çka është një fat për çdo qytet që ka një lum në mes, do shemben dhe ne do ta mbështesim financiarisht këtë projekt. E kam thënë këtë gjë dhe këtu i qëndrojmë plotësisht dhe mbështetja do të fillojë qysh vitin e ardhshëm.

Ashtu sikundër, ne po punojmë dhe shpresoj që me projektin apo me programet e BB për turizmin dhe për rrugët strategjike të hapësirës rurale, të fillojmë punën edhe për lidhjen e qytetit me detin, që është një domosdoshmëri për të gjithë. Aty është rrugë a një shteg për të dalë në det, ne duam të bëjmë një rrugë të mirëfilltë turistike, sepse Qarku nuk ka vetëm një Divjakë, por ka edhe Fier dhe Fieri ka det.

Këto janë dy projekte që besoj janë shumë të rëndësishme dhe jo thjesht si projekt për qytetin, por edhe për gjithë ekonominë e Qarkut, sepse do të stimulojnë shumë më tepër turizmin, konsumin, punësimin dhe mirëqenien. Një element tjetër i rëndësishëm që është në projekt, është edhe mbështetja që ne do t’i japim Fierit për çuarjen përpara të projektit të furnizimit me ujë të pijshëm. Ky është një tjetër financim që shkon për Fierin.

 

Jam Kryetari i Dhomës së Tregtisë të Qarkut Fier. Jam i kënaqur me punën që është bërë për formalitetin e ekonomisë, por dhe për rritjen ekonomike që parashikon qeveria juaj. Qarku i Fierit ka një bregdet nga derdhja e Vjosës deri në Shkumbin. Është një bregdet, i cili ka rërë, ka pisha të mëdha, por dhe për fatin tonë të mirë është i pa uzurpuar nga ndërtime pa leje. Ka shumë kërkesa nga biznesmenë vendas, por edhe të huaj për ndërtimin e fshatrave turistikë. Nuk e di, nëse qeveria juaj ka ndonjë projekt për ndërtimin e fshatrave turistikë në atë zonë, pasi ju thatë që edhe rrugën Fier-Seman  do ta ndërtojmë.

Kryeministri Rama: Ne nuk ndërtojmë fshatra turistikë, ne mbështesim zhvillimin e turizmit. Ne kemi filluar punën edhe për krijimin e një banke zhvillimi, enkas, në radhë të parë, për infrastrukturën në shërbim të zhvillimit të turizmit, apo të zhvillimit rural, në varësi të projekteve të caktuara. Sigurisht që krijimi i një banke zhvillimi nuk është një punë që e fillon sot dhe e mbaron nesër, por po  e them për të nënvizuar domosdoshmërinë që ka vendi për një zhvillim të mëtejshëm të turizmit, duke pasur parasysh që edhe ky vit tregoi se kemi një kërkesë që është gjithmonë e më shumë në rritje, ndërkohë që kemi një ofertë ende të dobët sa i përket gjithë rrjetit të industrisë së mikpritjes. Sikundër na mungon plotësisht pjesa e sipërme, pra, na mungojnë hotelet me 5 yje, na mungojnë resortet me 5 yje, na mungon shërbimi në këtë nivel, që sjell më pak njerëz, por sjell shumë më tepër para në ekonomi, për shkak të nivelit të lartë të konsumit të kësaj kategorie turistësh.

Për këtë arsye, ne do të sjellim në parlament edhe një paketë të re stimuluese për hotelet me 4 dhe me 5 yje, të certifikuara jo nga ato yjet që priten te dekori i qytetit, lyhen me të verdhë dhe ngulen me gozhda dhe secili vë 5. Madje kam parë edhe një hotel me 6 yje diku, që në fakt po t’i marrësh me standardet ndërkombëtare, mezi kapin cepin e yllit të tretë. Kështu që flasim për brande të listuara ndërkombëtare. Për të gjitha ato raste, kur investimet në turizëm do të përputhen me standardet dhe për të gjithë ata investitorë që do të marrin certifikatë ndërkombëtare operimi, nga lista e 30 apo 50 – kjo është diçka që jemi duke diskutuar, – hoteleve apo rrjeteve me 5 yje të listuara globalisht,  do të kemi një regjim pa taksa për 10 vjet. Edhe këtu jemi në diskutim për shkallëzimin midis 4 apo 5 yjeve, por këto janë detaje teknike. Do të kemi një regjim komplet pa taksa, që i shtohet favorizimeve që krijon ligji aktual i investimeve në turizëm përsa i përket tokës etj..

Ministri ka nisur po ashtu një proces të rëndësishëm për krijimin e fondit të tokës turistike dhe bujqësore, si një domosdoshmëri për ta mbrojtur në radhë të parë tokën nga sekserët dhe nga grabitqarët, se është bërë nami në gjithë këto vite, duke regjistruar dhe hipotekuar çdo metër tokë që i takon shtetit dhe për ta bërë të pamundur që toka që i takon shtetit të përfundojë në lloj-lloj duarsh dhe pastaj detyrohet prokuroria të ndërmarrë operacione për sekuestro për falsifikime e kështu me radhë. Edhe ky fond do t’i vihet në dispozicion zhvillimeve në turizëm dhe në bujqësi.

Duke folur për bujqësinë, ne do të vazhdojmë programin për ta përfunduar atë punë të nisur, që të mos kemi asnjë metër tokë bujqësore që nuk ujitet dhe nuk kullohet. Synimi është që në këtë fazë të dytë, ne të rrisim me rreth 40 mijë hektarë tokën e ujiturdhe nga ana tjetër të kemi 70 mijë hektarë tokë më shumë të kulluar plotësisht. Këtu në këtë qark dhe faktikisht në zonën që përfshin Lushnjën, Divjakën dhe Roskovecin do të vazhdojë investimi i nisur për rehabilitimin e infrastrukturës së ujitjes në një zonë tërësore rreth 25 mijë hektarë që përfshin këtë territor. Po ashtu kemi pasur shumë insistim për një mbrojtje gjatësore nga lumi Seman në zonën e Roskovecit dhe edhe për këtë do të bëjmë investimin përkatës.

 

Përshëndetje zoti kryeministër! Ju falënderoj që na jepni mundësinë të diskutojmë rreth kërkesave që ka nevojë qyteti ynë. Është diçka që të gjithë të rinjtë e Fierit e kërkojnë, një park të madh për qytetin tonë. Duke qenë se ne jemi një nga qytetet më të mëdha dhe më kryesore të Shqipërisë, mendojmë se e meritojmë diçka të tillë. Në qoftë se mund t’ju jepja një sugjerim, një hapësirë shumë e madhe për këtë park që mendoj se ka hapësira të nevojshme, është pylli i Levanit, i cili ndodhet 6 km larg qendrës së qytetit.

Kryeministri Rama: Më vjen mirë për këtë kërkesë, një kërkesë që unë bashkohem me ju për t’ia bërë kryetarit të bashkisë se qeveria nuk bën parqe. Ne ia kalojmë pyllin bashkisë dhe bashkia pastaj vazhdon me projektin. Ajo që është e rëndësishme të thuhet është se në kuadrin e transformimit rrënjësor të Fierit në këtë periudhë, sot, qyteti ka një park goxha të bukur, të ri krejtësisht, aty ku kishte vetëm plehra. Ndryshe nga qytetet e tjera që janë zhvilluar duke u nisur nga qendra, gjithçka që është bërë në Fier do të marrë një pamje të plotë, kur të transformohet edhe qendra dhe kur të çlirohet lumi nga këto ndërtimet që vazhdojnë i rrinë si mur përpara. Jam i bindur që duke filluar nga viti i ardhshëm, ne do ta fillojmë këtë projekt dhe duke pasur parasysh ritmet relativisht të shpejta me të cilat punohet këtu në këtë bashki, besoj se brenda dy viteve, transformimi i kësaj pjese do t’i japë një kuptim të plotë të gjithë projektit të transformimit në gjithë qytetin. Sigurisht që by-pass-i do të krijojë mundësinë që edhe zona e lënë si as brenda, as jashtë dhe e degraduar në anën e lindore të qytetit, të fillojë të rehabilitohet. Kështu të kemi një normalitet të ri në gjithë këtë zonë.

 

Kryetari i Bashkisë Mallakastër: Unë në fakt ju falënderoj për ftesën, të cilën ma bëri kolegu im dhe e pranova pa mëdyshje. Në fund të fundit edhe pse nuk e kam votuar projektin tuaj dhe ju jeni kryeministri im, jeni kryeministri i gjithë shqiptarëve. Unë doja të shprehja shqetësimin tim në lidhje me financimin e projekteve të Bashkisë Mallakastër, pasi ato janë në minimum dhe unë do ta quaja veten ose zonën pak të diskriminuar nga qeveria juaj për shkak të mosfinancimit të projekteve  që ne kemi paraqitur. Do të doja të dija çfarë kriteresh ka për projektet, sepse ne nuk marrim asnjë përgjigje nga projektet, të cilat nuk financohen. Në bashkinë Mallakastër është financuar vetëm një projekt në infrastrukturë, një projekt në kanalizimin e ujërave të zeza, një projekt në ujësjellës dhe një projekt në arsim gjatë gjithë këtyre dy vjet e kusur qeverisje të pushtetit vendor. Unë do doja të dija nga ana juaj që ne buxhetin apo projektbuxhetin që jeni duke përgatitur për vitin 2018, a do të gjejnë financim projektet e bashkisë Mallakastër? Përsa i përket edhe projekteve në bujqësi, bashkia e Mallakastrës ka përfituar 40 milionë lekë të reja në financimin e  një projekti, por që ai projekt të përfundojë është edhe projekti i vaditjes së zonës Çorrush ku janë një mijë ha toka për t’u vaditur. Ne kemi projektin edhe të fushave të Hekalit, ku edhe aty janë rreth 600 ha fushë që nuk vaditen, po impianti ka qenë. Ne kemi bërë projektin për rehabilitim për  gjithë kanalin vaditës dhe shpresojmë që kjo të gjejë financim në vitin 2018. Përsa i përket rikonstruksionit të shkollave, në Mallakastër janë disa shkolla që janë në kushte të mjerueshme. Flas për shkolla që janë në qendra dhe kanë mbi 300, 400 apo 500 nxënës. Nuk flas për shkolla që kanë 40 nxënës, të cilat do t’ju sugjeroja zoti Kryeministër që t’i mbyllnit. Të gjitha shkollat që janë në fshatra të thellë, në klasa kolektive duhet të mbyllen sepse prodhojnë vetëm injorancë. Nuk ka asnjë lloj shansi që një mësues të mësojë pesë klasa bashkë. Le të investojmë në transportin e fëmijëve dhe t’i sjellim ata në qendra, aty ku mund të marrin mësimin e  duhur në cilësinë e duhur. Qyteti i Ballshit nuk ka një lidhje me rrugën kryesore, me rrugën Levan-Tepelenë dhe e vetmja lidhje që mund të shërbejë për dy destinacione është rruga nga Bylisi për në rrugën Levan-Tepelenë. Është një rrugë  5 km. E ka projektin me të gjitha detajet që duhen, por nuk gjen financim. 

Kryeministri Rama: Faleminderit kryetar, e para jeni këtu bashkë me ne. Është një shembull i mirë edhe për të gjithë të tjerët, sepse është një mundësi edhe për të folur, edhe për të ndarë me qytetarët tuaj shqetësimet, për të na vënë edhe ne në pozitën që duhet t’i japim përgjigje të duhura, por jo vetëm përgjigjet me fjalë, por edhe përgjigjet me vepra. Tani të them disa gjera, sepse ju prekët shumë aspekte. Së pari, një gjë është pak, por e sigurt, që nuk ka absolutisht asnjë sens nga ana jonë për të privilegjuar apo diskriminuar.

Do ketë një ndryshim, duke filluar nga ky buxhet, në administrimin e projekteve dhe të fondit që qeveria do vërë në dispozicion përtej grantit, i cili në vitin e ardhshëm do të jetë 30 milionë dollarë më shumë për bashkitë. Ndryshimi do të jetë që fondi nuk do jepet më siç është dhënë deri tani, pra, i financuar 100% nga qeveria. Do t’i kalojë Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe aplikimet do të bëhen përmes  Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe financimet do bëhen bashkë.

Sigurisht që nuk bëhet fjalë që bashkë në mënyrë të barabartë, por bashkia do të vendosë një pjesë, një përqindje që mund të jetë 5, mund të jetë 10, 15 a 20, edhe për një arsye dhe këtu s’flas vetëm për ju, por flas për të gjithë, edhe për bashkinë e Fierit që është model në shumë aspekte. Është e papranueshme që sot pushteti vendor ka shpenzime më të larta, seç kishte kur ishte i ndarë në të gjithë ato komuna. Kjo do të thotë që të gjitha paratë nga reforma, të gjithë ju, pa përjashtim, në vend t’i çonit për investime për qytetarët, i keni çuar më shumë për rroga, për punësime. Nuk është kjo rruga. Shpenzimet e njësive tona administrative janë të papranueshme, ashtu sikundër është e papranueshme struktura aktuale e njësive administrative. Njësitë administrative do të jenë njësi shërbimi të drejtpërdrejta, do jenë sportele për qytetarët dhe asgjë tjetër. Ne do t’ju mbështesim ju dhe çdo bashki tjetër që këto njësi administrative do të dojë t’i modernizojë duke futur shërbimet online sa më shumë për qytetarët, pra, duke i kthyer këto njësi në sportele për qytetarët. Nuk ka nevojë të kemi administrata të fryra në ish komunat. Ato duhet të jenë njësi të vogla, njësi shërbimi dhe nuk janë vatra punësimi, jep rroga dhe pastaj natyrshëm zvogëlohet masa e financimeve për investime që krijojnë punësim real, krijojnë ekonomi, krijojnë mirëqenie. Në këtë pikë, ministri po përgatit dhe një kushtëzim dhe ne do të vendosim një kusht në financimin e bashkive dhe nuk japim asnjë kokërr leku plus, – sigurisht granti është grant, aty pastaj ju bëni çfarë të doni,  – në rast se paratë që jepen për bashkitë shkojnë për të shtuar punonjës që rrinë kot, për të dhënë praktikisht pensione për njerëz që rrinë kot.

Thënë kjo, unë ju siguroj që grupi që merret me shikimin e projekteve ka kthyer shumë projekte. Jam i bindur që, nëse do uleshit me ata që merren me filtrimin e projekteve, do t’ju jepnin të gjitha argumentet. Ashtu sikundër, ne do ta forcojmë këtë strukturë që mbështet bashkitë, sepse ne jemi të vetëdijshëm që bashkitë nuk kanë kapacitete të mjaftueshme, shpeshherë për të bërë projekte cilësore etj.. Unë vetë jam shumë i interesuar që të bëjmë diçka më shumë për Mallakastrën. Ju e dini që ju kam kritikuar edhe në publik, sigurisht në mënyrë konstruktive, duke kërkuar që të punoni shumë më tepër me projektet. Përsa i përket projektit të rrugës që është dhe në funksion të Bylisit, atë ne e kemi në programin tonë. Është një program mbështetjeje për rrugët që janë strategjike për zhvillimin e turizmit. Një program, një pjesë e të cilit është negociuar me Bankën Botërore, pjesa tjetër po negociohet. Atë, të jeni të bindur që ne do ta financojmë. Aq më mirë akoma që ju keni dhe projektin gati. Kështu që këtë gjë ne do ta mbështetim bashkërisht, sepse është një aks shumë i rëndësishëm.

Kjo nuk përjashton mbështetjen për atë çfarë ju mund të keni të rëndësishme brendapërbrenda qytetit. Do të mbështesim edhe projektin për vaditjen e një zone të tërë atje, sepse kjo është pjesë e prioriteteve tona dhe me siguri që ekziston dhe buxheti, pasi ne e kemi pjesë të qenësishme të planifikimit të dy viteve të ardhshme që ta përfundojmë çështjen e ujitjes dhe të kullimit të të gjithë tokës bujqësore ne dispozicion.

Ajo e shkollave është një situatë shumë e vështirë. Ju i keni, Fieri i ka, Patosi i ka, Roskoveci i ka në zonat më të thella, situata e klasave kolektive. Zgjidhja radikale që ju propozoni është dhe zgjidhja e dëshiruar nga unë, por jo kudo argumentohet mundësia për transport, në kuptimin, jo se po kursejmë për transportin, por sepse distancat, aksesi …, megjithatë, kjo është në diskutim në Ministrinë e Arsimit për të pasur një qasje të përbashkët lidhur me këtë fenomen që është shumë shqetësues. Nuk besoj se mund të ketë një zgjidhje të prerë me thikë, por besoj shumë në atë që thatë ju.

Unë jam shumë dakord me ju tek domosdoshmëria për të rindërtuar shumë më shpejt shkollat ekzistuese, sepse ka marrë shumë vite ky proces. Për këtë arsye, me të gjitha bashkitë, pa përjashtim, ne do të bëjmë një takim të veçantë, të planifikuar në ditët në vijim, për të folur konkretisht për disa aspekte që duhet ta ndajmë sëbashku edhe sfidën, por edhe shqetësimin për disa gjëra që nuk shkojnë si duhet, duke filluar nga kjo historia e punësimeve për lumë, që na krijon shumë probleme. Ato nuk janë punësime. Ato janë gënjeshtra, sepse iu jep njerëzve pensione, por faktikisht nuk shton asgjë nga pikëpamja e cilësisë së shërbimit, cilësisë së jetës. Në vend që ato para të shkojnë për investime, shkojnë për të fuqizuar rrjete njerëzish, që me plot të drejtë duan të kenë një punë, por s’është ajo rruga. Nuk mundet dot që të gjitha ato kursime reale nga reforma administrativo-territoriale t’i çojmë për rrush e për kumbulla, duke shtuar në pafundësi shpenzimet. Është e palogjikshme! Për më tepër, me kalimin e shumë proceseve, p.sh., një nga arsyet kryesore që janë njësitë administratave, është për shërbime. Njerëzit shkojnë atje për shërbime. Faktikisht, ato njësi nuk i kryejnë ato shërbime sot. Ky është një problem serioz.

Çdo kryetar bashkie që do të paraqesë një projekt përkundër provës së shkurtimit të shpenzimeve të kota, projekti do të ketë bonus. Do jemi shumë më të prirur të financojmë një bashki që thotë kam bërë këto shkurtime, sesa një bashki që mund ta ketë projektin njësoj si tjetra, por që nuk ka bërë asnjë shkurtim shpenzimesh të kota. Ne po bëjmë shkurtime drastike shpenzimesh të kota në qeveri, në administratë e kështu me radhë, sepse jemi të bindur që me më pak mund të bëhet më shumë.

Ne kemi financuar të gjitha qendrat që kanë projekte, jo më të lëmë Mallakastrën pa qendër. Ju jeni qendër, pa pasur qendrën. Do ta shikojmë bashkërisht, atëherë të kuptojmë ku qëndron problemi me projektin dhe ta zgjidhim.

 

Interesi im si një ish-ushtarak dhe interesi i të gjithëve ne këtu është të dimë cilat janë disa nga masat imediate që parashikon qeveria të marrë në drejtim të krimit të organizuar.

Kryeministri Rama: Faleminderit që ma bëre këtë pyetje. Së pari, unë dua ta falënderoj ambasadorin amerikan që u bashkua me mua, sepse në mënyrë të përsëritur, – jo se u bashkua, ne të bashkuar kemi qenë, por që përkrahu në mënyrë të përsëritur, – sa herë kemi bërë takimet për të parë ecurinë e luftës kundër kultivimit të kanabisit, unë e kam thënë që duhet të hyjmë në një fazë të re. Përgatitja për të hyrë në një fazë të re ka nisur prej kohësh dhe ne jemi në proces. Në një fazë të re, kam thënë, kundër atyre që quhen “të fortët” e këtyre feudeve të ndara sipas influencave të të fortëve dhe për t’i shkuar pas aseteve kriminale, pasurive kriminale. Shumë mirë që e tha dhe ambasadori amerikan. Ndërkohë, ne po punojmë intensivisht në të gjithë spektrin.

Ndodhi në Elbasan një ngjarje që mori goxha jehonë mediatike, e cila shërbeu edhe si një lloj katalizatori për të rritur intensitetin e propagandës mbi këtë çështje, por unë ju siguroj që çështja e Elbasanit është në ndjekje të vazhdueshme. Ne si qeveri nuk jemi as opozita, as analistët. Opozita dhe analistët gojën kanë, me gojën punojnë dhe nëpërmjet gojës ushqehen. Ne jemi për të dhënë llogari për rezultatet. Shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete për atë çështje, sikundër shumë shpejt do të shihni një zinxhir veprimesh të pandërprerë të Policisë së Shtetit për goditur organizatat kriminale, për të goditur elementët kriminalë dhe për të goditur të inkriminuarit brenda Policisë së Shtetit, sepse në zona ku veprojnë këto lloj forcash ka inkriminim të Policisë së Shtetit. Është një inkriminim që nuk ka ndodhur sot, sepse këto forca dhe këta elementë nuk kanë lindur në vitin 2013, nuk janë 4-vjeçarë. Më rezulton që mosha e tyre është goxha e pjekur dhe karriera e tyre në botën e krimit është goxha e konsoliduar. Janë figura me një karrierë të konsoliduar dhe me lidhje të njohura me opozitarët e sotëm, – nëse duam të bëjmë politikë, por kjo s’është kurrë qëllimi im dhe s’është puna jonë të bëjmë politikë me krimin.

Ajo që ka rëndësi është që Policia e Shtetit ka hyrë në një faqe të re, për të shkuar në një nivel më lart sesa niveli i ri që u vendos në mandatin e parë. Ne do mbyllim kapitullin e kanabisit, siç e kemi marrë përsipër. Kur u zotuam, shumëkush qeshte dhe shumëkush përqeshte. Faktikisht, në fund të muajit dhjetor do presim raportin zyrtar dhe prononcimet një më një të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë, duke filluar nga ambasadori amerikan tek ambasadorja e BE-së, tek të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, të flasin ata dhe duhet të flasin ata dhe shqiptarët duhet ta dëgjojnë prej tyre që të mbarojë kjo historia “njëri thotë kështu-tjetri thotë ashtu”, kur vjen puna tek palët brendapërbrenda vendit.

Brenda pranverës së ardhshme, unë besoj se, – siç e thamë për kanabisin brenda vitit 2017, – do të kemi një situatë të re krejtësisht në përpjekjen kundër këtyre lloj elementëve shqetësuese për komunitetet dhe për ecurinë e mëtejshme të punëve të komuniteteve dhe të punëve të vendit. Kjo është pak, por e sigurt. Në këtë pikë, unë jam shumë i qetë. Nuk më impresionojnë fare as propaganda, as analiza, as keqinterpretimet, as spekulimet, as tundjet e flamurit amerikan sipas erës që fryn në favor apo në disfavor të propagandës së një partie, apo të një partie tjetër. Këto janë konsum i ditës.

Ne kemi hyrë në një proces që po ndërtojmë një qeveri tërësisht ndryshe dhe një qeverisje tërësisht ndryshe. Hap pas hapi njerëzit do e shohin që ky është një proces tërësisht i ri në të gjitha aspektet, edhe në luftën kundër krimit dhe kundër elementëve kriminale, apo organizatave kriminale, apo atyre të ashtuquajtura “familje”. Ajo është vetëm një pjesë e një tërësie veprimesh që ne do të ndërmarrim në të gjithë rrafshin e përgjegjësive të pushtetit ekzekutiv në Shqipëri.

Në ditët e ardhshme, në takimin me kryetarët e bashkive do të kemi dhe një temë të posaçme për Emergjencat. Emergjencat do të kalojnë nga Ministria e Brendshme tek Ministria e Mbrojtjes. Edhe rezervat e shtetit, po ashtu do të kalojnë në një menaxhim komplet tjetër. I gjithë sistemi i Emergjencave do të reformohet. Por ajo që vlen të thuhet është se kjo do të bëhet në një bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor. Ndërkohë do të ndryshojmë tërësisht qasjen ndaj prefekturave dhe figurës së Prefektit në komunitet edhe në funksion të luftës kundër krimit, edhe në funksion të përballimit të emergjencave, edhe në funksion të marrëdhënieve qytetar-shtet, për të rritur transparencën dhe për të lehtësuar maksimalisht qytetarët nga barra e korrupsionit dhe e burokracisë.

 

Flas në emër të qytetarëve të Patosit si qytetar, në emër të Këshillit të Bashkisë dhe në emër të shokëve që janë këtu. Do doja në këtë panel, meqenëse bëhet fjalë për konsultimet e buxhetit, të vija në dukje nevojën e qytetit tonë për një ujësjellës dhe besoj, në dijeninë time ka një projekt në tavolinën e qeverisë dhe do ishte një lajm i këndshëm dhe për qytetarët aty.

Kryeministri Rama: Unë nuk hyra në të gjitha detajet, se po të shkonim detaj më detaj do ishte pafund. Ky është një takim, të themi, inaugurues i këtij procesi. Por deputetët do të zhvillojnë takimet e tyre në çdo zonë. Në çdo zonë, deputetet janë njohur imtësisht me problematikën. Sigurisht që një buxhet në një vit nuk zgjidh dot të gjithë problemet, por në çdo zonë do të komunikojnë adresimin e problemeve prioritare, sipas dëgjesave të bëra në korrik, së bashku me kryetarët e bashkive dhe ne do mbështesim këtë proces.

Buxheti i vitit të ardhshëm ka 30 milionë dollarë më shumë grant për bashkitë. Nëse bashkitë do të bëjnë reformën që tha kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, pra, do të bëjnë shkurtime pagash që jepen vetëm për qoka dhe do të dëshmojnë gatishmëri për të ecur në këtë rrugë, do të rrisin potencialin për të marrë mbështetje më shumë nga ne, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ose ku do të kanalizohet i gjithë fondi i mbështetjes së Programit të Rilindjes Urbane apo të Rilindjes Rurale, për të cilin, po negociojmë me një portofol më vete me Bankën Botërore. Besoj që deri në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi qartësi mbi këtë fond, që do të na japë pastaj dorë për të bërë ato ndërhyrje që janë pak më strategjike, përsa i përket turizmit etj.. Kështu që, në projekte të veçanta, siç është ai ujësjellësit në rastin e Patosit, apo siç mund të jetë për Roskovecin, ne do jemi shumë të vëmendshëm.

Shumë faleminderit për këtë durim të madh! Ky proces do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë. Do vazhdojë pjesë-pjesë, pastaj nëpër çdo bashki. Aty keni mundësi të flisni me detaje dhe ne të marrim raportin përfundimtar të detajuar.

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.