Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nisi sot, vaksinimi i mësuesve në qytetin e Lezhës, në mjediset e një prej gjimnazeve të qytetit, proces që u ndoq edhe nga Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila informoi se “38.400 doza janë shpërndarë në të gjithë vendin dhe ka filluar procesi në Lezhë, në Krujë, në Divjakë, gjithandej, duke vaksinuar mësuesit.”

Lidhur me cilësinë e vaksinës antiCOVID, AstraZeneca, Kryeministri Rama tha se: “Dje, Agjencia Kombëtare  e Shëndetit në Itali e ka rifutur AstraZeneca-n sepse e ka verifikuar që nuk ka asnjë lidhje me ato rastet që kanë ndodhur.”

Ministrja Manastirliu tha se janë marrë të gjitha masat për administrimin sa më efikas të procesit të vaksinimit për mësuesit. “Për efekte të mirëadministrimit, kemi grumbulluar disa shkolla në një, që të kemi dhe vaksinatorët e përqendruar, edhe procesi kryhet dhe nuk kemi as humbje dozash.” – u shpreh Manastirliu, e cila shtoi ndër të tjera se  ndërkohë po vijohet me vaksinimin e të moshuarve +80 në pikën tjetër të vaksinimit në Lezhë.

Kryeministri Rama theksoi se procesi i vaksinimit që po realizohet hap pas hapi synon të lehtësojë në maksimum sezonin turistik. “Për pak ditë do të sjellim një mal me doza dhe duhet ta dyndim gjithë Shqipërinë me vaksina. Qëllimi është që deri në fund të qershorit, ne të kemi këputur shumë hallka të zinxhirit të infektimeve në mënyrë që të kemi sezonin turistik të lehtësuar.”

Mes  të tjerash, ministrja Manastirliu bëri të ditur  se  do të vijnë sërish doza të reja vaksinash nga Pfizer. “Do të kemi njoftimin e radhës nga Pfizer dhe vijnë sërish 9320 doza të Pfizerit, por ndërkohë është shumë sinjifikative sepse vazhdojmë vaksinimin me dozat e dyta.” – u shpreh ajo.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.