Nisi sot vaksinimi i operatorëve turistikë në mbarë vendin, duke i paraprirë një sezoni turistik të çliruar nga efektet e pandemisë.
Janë 2000 operatorë turistikë të regjistruar deri më sot në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për t’u vaksinuar, numër i cili do të rritet në ditët në vijim. Këtë informacion e bëri të ditur Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës që Kryeministri Rama bërë në qendrën publike të vaksinimit në Durrës.
“Nga sot janë rreth 2000 mijë punonjës, të cilët do të fillojnë vaksinimin, jo vetëm në Durrës ku jemi sot, por edhe në Vlorë e në Lezhë”, – u shpreh Manastirliu, ndërsa përditësoi se “në qendrën publike të vaksinimit në Durrës, në total janë vaksinuar mbi 20 mijë qytetarë, të moshuar apo grupe të riskut. Ndërsa në mbarë vendin janë mbi 310 mijë vaksinime të kryera.”
Përfaqësuesi i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve & Agjencive Turistike tha se ky proces është mirëpritur nga punonjësit e strukturave turistike. “Është mirëpritur nga strukturat turistike. Ishte shqetësim i madh, pasi stafi i strukturave turistike është në kontakt direkt me klientin, përveçse edhe operatorët turistikë të huaj dhe vendas na e kanë kërkuar gjithmonë këtë siguri,” – u shpreh ai.
Kryeministri Rama inkurajoi regjistrimin e sa më shumë punonjësve të strukturave turistike në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për të kryer vaksinimin.
“Sot është e rëndësishme që të informohen edhe të tjerët. Qeveria është gati për të vaksinuar të gjithë personelin e strukturave hoteliere, duke filluar nga struktura hoteliere të bregdetit dhe që janë ato që do të kenë edhe masën më të madhe të turistëve që do të presin dhe janë ato që me këtë japin garanci më shumë për operatorët turistikë, janë ata që japin më shumë garanci për turistët dhe do të gjejnë hotele të lira nga COVID-i. Më pas do të vazhdojmë me të tjerët. Të gjithë duhet të aplikojnë në Ministrinë e Turizmit dhe të futen në radhë për të marrë vaksinën”, – u shpreh Kryeministri, ndrësa theksoi se shumë shpejt do të nisë vaksinimi edhe për dy kategori të tjera vulnerabël. “Ndërkohë dy kategoritë e tjera janë punonjësit në fabrika me material porositësi dhe një kategori shumë e rëndëishme dhe vulneralëbl janë transportuesit e udhëtarëve, të cilët janë në një zonë riski të konsiderueshme. Me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, ne kemi filluar hartimin e listave për të gjithë transportuesit e udhëtarëve në Republikën e Shqipërisë, që edhe ata të jenë jashtë zonës së riskut.”