Vaksinimi mbrojtës antiCOVID-19 vijon sot, me një tjetër kategori risku, punonjësit e fabrikave me material porositësi. Rreth 60 mijë punonjës në mbarë vendin pritet të vaksinohen duke nisur që sot, sipas kritereve bazuar në moshën dhe sëmundshmërinë. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishin në një prej fabrikave me material porositësi, për të ndjekur ecurinë e procesit.
“Aktualisht kemi filluar vaksinimin sipas një liste, të cilën na e kanë dhënë kryesia e gjithë fabrikave material përpunuese. Janë rreth 60 mijë punonjës, por kemi vendosur kriteret e para për fillimin e vaksinimit që është kriteri i moshës dhe sëmundshmëria. Sipas listave që po na jepen do të fillojmë me vaksinimin në qendrat tona të përqendruara të vaksinimit masiv, për të mos ndërprerë proceset e punës dhe për të siguruar mbrojtjen e shëndetit”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Në gjithë vendin janë vaksinuar mbi 380 mijë qytetarë, e mundësuar kjo edhe nga numri i vaksinave dhe dozave të siguruara. Vaksinimi i punonjësve të këtyre fabrikave ka qenë një nga kërkesat e sipërmarrësve për të siguruar mbarëvajtjen e punës. Sipërmarrësi u shpreh se vaksinimi do të lehtësojë sektorin edhe nga ana psikologjike, duke i fokusuar më tutje ata drejt arritjes së qëllimit, kalimit e manifakturës në ciklin e plotë.
Edhe Ministria Ahmetaj nënvizoi se kjo do të ndihmojë sektorin për të shkuar më tej në realizimin e objektivave për këtë sektor. “Që nga iniciativa juaj për instrumentin rreth 50 milionë euro për garanci sovrane për përmirësimin e teknologjisë dhe kërkesë e drejtpërdrejtë e shoqatës së manifakturës, subvencionimi i kostos së trajnimit të pjesës së stilistëve, grafistëve, që është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme për industrinë, për të plotësuar gjithë atë cikël të plotë.”