Vaksinimi masiv i popullsisë në të gjithë vendin kundër COVID-19 nisi këtë të diel me grup moshat mbi 70 vjeç. Dy çadra të mëdha janë ngritur në sheshin “Skënderbej”, për të shërbyer si një pikë masive vaksinim. Nga nesër, vaksinimi masiv do të shtrihet në gjithë vendin.
Kryeministri Rama, bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu panë nga afër nisjen e procesit të vaksinimit, ku shumë të moshuar e kishin marrë dozën e parë të vaksinë. Nuk munguan falënderimet dhe mirënjohja nga kjo grupmoshë për punën e bërë deri më tani për sigurimin e vaksinës.
“Në qendrën e vaksinimit masiv janë mobilizuar mjekë, infermierë dhe vaksinatorë që po kryejnë procesin e vaksinimit. Objektivi ynë është që të shkojmë në 10 mijë vaksinime në ditë”, – tha ministrja Manastirliu.
Procesi i vaksinimit zgjat jo më shumë se 10 minuta, teksa synimi kryesor është thyerja e zinxhirit të infektimeve sa më shumë për të pasur një sezon turistik më të çliruar se ai i vitit të kaluar. “Besoj qe brenda majit, ne do kemi gjysmë milioni shqiptarë të vaksinuar dhe kam bindjen e plotë që do të ecim shumë shpejt, pasi kemi siguruar sasira të konsiderueshme. Vazhdojmë punën për të siguruar të gjitha sasitë e nevojshme dhe besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar si rezultat i këtyre goditjeve që i bëhen zinxhirit të infektimeve. Mbetemi të bindur që deri në pranverën e ardhshme do të jetë vaksinuar gjithë popullata, por për sa më takon, Ogerta thotë mos e thuaj, mendoj që do ta bëjmë më parë, do ta tejkalojmë dhe atë afat”, – u shpreh Kryeministri.