Në Bashkinë e Elbasanit, nisi sot zbatimi i projektit për “Modernizimin e Ndihmës Ekonomike”, çka synon uljen e abuzimeve me skemën e ndihmës sociale dhe shkurton kohën e aplikimit.
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në prezantimin e këtij projekti pilot të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i mbështetur nga Banka Botërore, siguroi se “kjo skemë do të jetë objektive, transparente dhe do të shmangë në mënyrë drastike korrupsionin dhe gjithë pasojat e prodhuara nga korrupsioni”.
Duke theksuar se me këtë projekt nis një punë nga themelet për të përmbysur sistemin që bëri që për vite me radhë t’iu hahet haku atyre që iu takon realisht pagë si invalidë apo ndihmë ekonomike, Kryeministri u shpreh se “do të bëjmë të mundur që fati dhe vendimmarrja për çdonjërin nga njerëzit realisht në nevojë të mos jetë më në dorën e një administratori, e një burokrati apo qoftë edhe një kryetari komune”.
Nisur nga situata që ka trashëguar kjo Qeveri për sa i përket pagesave të ndihmës ekonomike, Rama shprehu shqetësim, se është një situatë ende më e rëndë seç ishte paraparë dhe një situatë më shumë se shqetësuese, sepse korrupsioni ka goditur ata që janë më të dobëtit.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, zoti Qazim Sejdini shprehu kënaqësinë që Elbasani u përzgjodh si bashki pilot.
Drejtuesja e Projektit nga Banka Botërore, znj. Aylin Islik Dimeklik vlerësoi bashkëpunimin me Qeverinë shqiptare për këtë projekt dhe tha se po punohet edhe për ngritjen e “Sistemit të Menaxhmit të Informacionit”.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, siguroi se për të zgjidhur në kohë afatgjatë problematikën në skemën e ndihmës ekonomike po shkohet drejt një sistemi dixhital, nëpërmjet të cilit “do të bëhet një targetim më i mirë dhe do të arrihet që vitin tjetër të reduktohen abuzuesit në nivelin 15 – 20 %”.
Prononcimi për media i Kryeministrit Edi Rama:
Është një moment shumë i rëndësishëm, fillimi i punës në një kantier të madh të modernizimit, me bindjen që nuk janë njerëzit që e korruptojnë një sistem, por është një sistem që i korrupton njerëzit. Pikërisht ne, sot nisim një punë nga themelet, për ta përmbysur sistemin që bëri që për vite me radhë t’iu hahet haku atyre që iu takon realisht pagesë si invalidë apo ndihmë ekonomike dhe të marrin atë që iu takon, pa u zvarritur më në rrugët e korrupsionit, qoftë një invalid, qoftë një familje në ndihmë ekonomike.
Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën që trashëgojmë. Është një situatë ende më e rëndë se ç’e kemi paraparë, tani që e shohim nga brenda dhe shohim gjithë labirintin e korrupsionit në të gjithë sektorët. Por, në këtë aspekt, është një situatë më shumë se shqetësuese, sepse këtu korrupsioni ka goditur ata që janë më të dobëtit. Nëse sot njerëzit në nevojë dhe në radhë të parë invalidët, janë në kushte dramatike, pas disa muajsh mospagesash, kjo vjen pikërisht, sepse sistemi ishte i ndërtuar në një mënyrë të atillë që të luante çdo ditë me fatin e tyre, për t’iu marrë votën apo për t’iu ngrënë hakun, duke futur në skemë njerëz që nuk ishin as invalidë dhe as në nevojë për ndihmë ekonomike.
Me ketë punë dhe përmes këtij kantieri, duke filluar nga Elbasani, Tirana dhe Durrësi, ne do të bëjmë të mundur që fati dhe vendimmarrja për çdonjërin nga njerëzit realisht në nevojë të mos jetë më në dorën e një administratori, e një burokrati apo qoftë edhe një kryetari Komune, që merr për hunde një komunitet të tërë, duke vendosur kë të dojë në këtë skemë. Kjo skemë do të jetë objektive, do të jetë transparente dhe do të shmangë në mënyrë drastike korrupsionin dhe gjithë pasojat e prodhuara me korrupsion. Ndërkohë, jam i vetëdijshëm që në radhë të parë invalidët, presin që një orë e më parë të fillojnë të paguhen. Ne do të bëjmë çmos që këtë ta realizojmë një orë e më parë.