Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rruga zëvendësuese Banjë – Gramsh dhe Ura e Trashovicës, është pjesë e projektit infrastrukturor zëvendësues, i cili do të zbatohet, në kuadër të Projektit Hidroenergjitik të Devollit.

Rruga, investim me vlerë 33 milion euro është e gjatë 15,5 kilometra, nga të cilat 11,7 kilometra është gjurmë tërësisht e re dhe 3.6 km gjatësi ndjek rrugën ekzistuese.

Ndër të tjera, projekti parashikon ndërtimin e 13 urave, prej të cilave, Ura e Trashovicës me një gjatësi prej 520 metrash dhe lartësi 58 metra, shënon urën më të gjatë në vend.

Rruga  e re, e cila do të ndërtohet sipas standardeve më bashkëkohore të infrastrukturës, do të mundësojë lidhjen e të gjitha fshatrave përgjatë këtij aksi me infrastrukturën zëvendësuese, përmes rrugëve dytësore, të parashikuara në projekt me çdo element përkatës të sinjalistikës rrugore.

Punimet për ndërtimin e rrugës janë ndarë në dy lote, segmenti Banjë – Drizë dhe segmenti Drizë – Gramsh dhe Ura e Trashovicës.

Kryeministri Rama ishte sot në terren për të inspektuar ecurinë e punimeve në këtë aks të rëndësishëm, ku dhe u njoh nga drejtuesit me  detaje teknike të projektit.

“Është një nga veprat më të mëdha në Shqipëri. Ura ka një gjatësi prej 520 metrash dhe një lartësi 58 metra. I gjithë aksi, që është 15.5 kilometra ka 13 vepra arti, pra 13 ura dhe është i ndarë në 2 lote. Investimi është 33 milionë euro. Sigurisht që ky aks ka një impakt shumë të rëndësishëm infrastrukturor duke qenë se shkurton distancën drejt Elbasanit, por njëkohësisht ka dhe një impakt social me këtë investim të madh që po bëhet me ndërtimin e Hidrocentralit të Banjës. Punimet po ecin me ritme të shpejta. Janë duke formësuar gjurmën e rrugës dhe cilësia e punimeve është në nivelin e duhur, është një rrugë me standarde bashkëkohore që devijon shumë kthesa dhe për këtë ngushton edhe distancën tek 6 kilometra nga rruga ekzistuese. Pra, dy korsit nga 3.75 dhe dy bankinat nga 0.50 beton,” u shpreh drejtori i Autoritetit të Rrugëve Dashamir Xhika.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.