Fjala e Kryeministrit Edi Rama në diskutimin me nismëtarët e nismës në platformën e bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al, për mbylljen e guroreve në kodrën e Urës Vajgurore:
Ndjesë për të gjithë këtë vonesë të gjatë, edhe pse përgjegjësia jonë në këtë rast mund të duket si më e vogël në raport me 27 vjet, por sidoqoftë nuk jemi edhe ne pa përgjegjësi. Sot jemi këtu, sepse ju u bëtë shkak i fortë, duke ngritur zërin, duke u bashkuar dhe duke mbështetur këdo qoftë mori mundimin dhe guximin që të adresohet tek platforma e bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al.
Më lejoni dhe më falni, që ta shfrytëzoj këtë moment për t’iu thënë të gjithë atyre që na ndjekin, se platforma më e shkurtër dhe rruga më e sigurt për të adresuar një problem individual, apo një problem të komunitetit drejt e në qeveri, çdo ankesë, çdo kërkesë, çdo nismë që ndërmerret nga poshtë, menjëherë bëhet objekt i vëmendjes personalisht të ministrit përkatës. Mbrapa ekranit të platformës, ku ju apo qytetari keni shkruar këtë shqetësim, qëndrojnë mbi 30 njerëz, të cilët kanë vetëm këtë detyrë dhe janë të shpërndarë në të gjitha ministritë, me një bërthamë drejtuese në Kryeministri, që çdo ankesë, çdo kërkesë dhe çdo nismë që i takon Ministrisë që ata mbulojnë, menjëherë të shkojë në tavolinën e ministrit dhe janë 10 ditë kohë për t’i dhënë përgjigje.
Të gjithë duhet ta dinë që çdo të mërkurë, kur mblidhet qeveria, pasi mbarojnë të gjitha çështjet e rendit të ditës, ndizet ekrani në mur dhe del raporti për çdo ankesë, kërkesë dhe nismë që është duke u trajtuar. Çdo ministër përgjigjet personalisht, nëse aty ka ankesa, apo kërkesa që janë jashtë afatit. Më lejoni t’ju them me kënaqësi që ato jashtë afatit janë minimale dhe përgjithësisht janë jo për shkak të mungesës së vëmendjes, por për probleme që kërkojnë më shumë kohë, sepse lidhen me institucione jashtë institucioneve që varen nga pushteti ekzekutiv.
Siç e tha Elisa, e cila është Koordinatore Kombëtare e Bashkëqeverisjes në Partinë Socialiste, tanimë në tre muaj që funksionon përditë dhe pas asaj periudhe të parë, më pak se një muaj, kolaudimi të platformës, janë 3600 e disa dhjetëra raste që kanë gjetur zgjidhje. Unë prandaj dua t’ju bëj thirrje të gjithëve, që, nëse keni një problem me hipotekën, nëse keni një problem me ALUIZNI-n, nëse keni një problem me faturën që e konsideroni të parregullt nga OSHEE-ja, nga Ujësjellësi, nëse keni një problem me tatimet, apo një problem me cilëndo zyrë, me letrat e pensionit, me Kartën e Shëndetin, me trajtimin jo të denjë të një punonjësi në një zyrë, mos humbisni kohë duke kërkuar të gjeni deputetin, apo të gjeni kushëririn e deputetit, mikun, shokun dhe në asnjë mënyrë mos fusni dorën në xhep. Thjesht shkoni tek shqipëriaqeduam.al, shkruani problemin dhe prisni 10 ditë.
Keni pritur vite për të marrë një hipotekë dhe ndoshta nuk e keni marrë akoma, mos prisni asnjë ditë dhe në fund të fundit, nëse nuk keni besim, nuk ju kushton asgjë, sepse nuk kushton asnjë lekë, kushton vetëm 3 minuta kohë që të hysh në atë platformë. Nëse nuk e keni kompjuterin në shtëpi, shkoni në njësitë administrative dhe hyni në platformë, 3 minuta dhe prisni 10 ditë. Nëse për 10 ditë nuk merrni përgjigje, atëherë keni të drejtë të thoni se kjo qenka një lojë, se kjo qenka një histori kot. Por ju siguroj që do të merrni përgjigje brenda 10 ditësh dhe jo përgjigje dosido, por zgjidhje, nëse ju takon. Në ato raste kur s’ju takon, s’ju takon, por ama, në momentin e parë do merrni përgjigjen menjëherë sa ta çoni; e morëm ankesën tuaj dhe po e shqyrtojmë dhe brenda 10 ditësh do merrni përgjigje.
Kjo do të thotë që, nëse keni hipotekën që nuk e keni marrë dot me vite e ju takon, do merrni hipotekën. Por kjo për ju mbaron aty. Për ne nuk mbaron aty. Ata që jua kanë mbajtur peng dosjen, nuk do jenë më në hipotekë. Janë 35 punonjës hipoteke deri më sot që po flasim, që janë larguar menjëherë nga detyra, sepse janë gjetur në faj për mosdhënien e shërbimit për qytetarët dhe janë dyerve të prokurorisë dhe le ta gjejnë me prokurorinë, pse e kanë vonuar. Nëse e kanë vonuar se kanë kërkuar lekë, le të shkojnë aty ku kanë vendin. Nëse e kanë vonuar se nuk kanë pasur mendjen, le të shkojnë të mbjellin domate, se më në hipotekë nuk hyn gjallë për të punuar.
Tani vijmë tek guroret. Së pari, ju siguroj se këta që kanë bërë këtë dëm të madh dhe që janë tallur me ligjin dhe që kanë përfituar, sepse ata të cilët duhet t’i ndalonin, inspektorët përkatës, për 20 e kusur vite, përfshirë edhe periudhën kur kemi qeverisur ne, jo që nuk i kanë ndaluar, por që bashkë me ta kanë bërë ato pazaret e tyre në kurrizin tuaj, këta nuk do punojnë më këtu. Këta do përgjigjen përpara ligjit dhe përpara shtetit. Çfarë do të thotë kjo? Këta, nëse duan të punojnë përsëri, në radhë të parë duhet të riparojnë të gjitha dëmet. Nuk do të vazhdojnë të gërmojnë dhe të bëjnë tym e të vënë bomba pa dhënë garancinë e plotë të riparimit të të gjitha dëmeve. Kur them këta, këta këtu e kudo tjetër.
E dyta, në gurore do punojnë vetëm kompanitë që kanë të gjithë standardet e logjistikës, që nga ato makineritë që duhet të spërkasin, të garantojnë që gjatë punës të mos bëhet tym, deri në fund fare tek çdo pjesë e logjistikës dhe e financave që garantojnë se puna bëhet me sistem dhe se nga njëra anë ti merr gurë, se të takon në bazë të licencës e në bazë të kontratës, nga ana tjetër, ti duhet të mbjellësh pemë. Nga njëra anë, ti operon, nga ana tjetër, ti duhet të rehabilitosh. Ky parim do të vendoset dhe Policia e Shtetit do të jetë pjesë e gjithë këtij procesi. Kush do të guxojë të bëjë ndryshe, do të ndalohet në vend dhe do të shkojë të përgjigjet përpara ligjit. Ashtu sikundër, ju keni shkruar dhe jeni drejtuar tek ne, ashtu unë bashkë me ju, nëse këta nuk do të përgjigjen për rehabilitimin, do nënshkruaj kallëzimin penal dhe bashkë me ju do shkoj në prokurori e në gjykatë që këta të shkojnë në burg, se këta nuk mundet dot të lënë pas këtë tmerr e të ikin, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Le ta zgjidhin si të duan, po të duan le të ikin, ne nuk do t’u ndahemi, unë bashkë me ju. Kjo është pak, por e sigurt.
Është për të ardhur keq që kjo barbari vazhdon mbështetet sot nga forca politike, vazhdon mbështetet nga personalisht ish Kryeministri që inkurajon personalisht protesta, bllokime rrugësh për të mos ndaluar ky tmerr. E imagjinoni se çfarë ndodh këtu! Ndërkohë që vendimi i qeverisë i vitit 2011, e thotë qartë “guroret s’duhet të jenë të dukshme përgjatë aksit të rrugëve kryesore, s’duhet të jenë në pjesën perëndimore të Shqipërisë” dhe në vendim përcaktohet Shkodra, Vlora, Kruja dhe Saranda, që nuk duhet të ketë gurore. Vetëm në Krujë, deputetët e partisë se ish Kryeministrit e kanë bërë def malin e Krujës nga ana e detit. Kjo është hipokrizia dhe kjo është tallja e madhe që është bërë me ligjin këtu, që është bërë me njerëzit këtu, që është bërë me të ardhmen.
Ne jemi të vendosur t’i japim fund kësaj barbarie. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, që tanimë ka dalë nga tepsia dhe është bërë pjesë integrale e sistemit-shtet, do të fillojë me rehabilitimin e faqes së malit në Krujë, që është njolla më e madhe e turpit që është në trupin e Shqipërisë, si rezultat i barbarisë qeverisëse të 20 e kusur viteve dhe do të vazhdojë procesi në të gjithë Shqipërinë.
Vendimmarrja e ministrit të Turizmit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë do të vendosë përfundimisht pikat, bazën mbi të cilin do vazhdojë ky aktivitet në të ardhmen. Por është e sigurt, po ashtu, se kemi nevojë që siç bëtë ju, të bëjnë të gjithë komunitetet, të bëjnë të gjithë banorët në zonat që jetojnë në këtë kërcënim. Për të na informuar në kohë reale, nëse po ndodh kështu, apo nëse dikush mbyll syrin në territor, nëse dikush toleron, nëse dikush i hap rrugë rifillimit të këtij tmerri.
Mesazhi im për të gjithë shfrytëzuesit e guroreve në Qarkun e Beratit dhe në të gjithë Shqipërinë është shumë i qartë: Nuk keni për të vazhduar dot të bëni atë që keni bërë. Nëse doni të vazhdoni të bëni biznes, duhet t’i nënshtroheni ligjit dhe t’i nënshtroheni të gjitha kushteve të kontratës mes jush dhe qeverisë, që përfaqëson në këtë rast interesin e popullit. Ky është mesazhi dhe ne këtij mesazhi do i qëndrojmë. Kjo është e sigurt!
Duke e mbyllur, unë dua t’ju falënderoj edhe njëherë dhe t’ju them atyre që bllokojnë rrugët, që ka vetëm një rrugë për të fituar dhe për të jetuar me punë të ndershme dhe ajo rrugë është rruga e ligjit dhe rruga e zbatimit të parimit “mos ha në kurrizin e tjetrit!” Në vend që të bllokoni rrugët, që s’keni shans njëherë t’i bllokoni, por thjesht po e marr si shembull, shkoni dhe zëreni prej fyti pronarin atje, se e ka pronari fajin dhe ai pronar që nxjerr në rrugë disa njerëz, medemek se po ngelen pa bukë nga qeveria, duhet t’iu përgjigjet atyre një për një. Shkoni kapeni për fyti dhe thuajini “tani ke detyrimin të na përgjigjesh”. Kjo është ajo që unë iu them atyre.
Ashtu sikurse iu them përsëri këtu, atyre që janë në këmbë, që janë me shëndet, që kanë të gjithë muskujt në dispozicion, mos hajdeni të kërkoni ndihmë ekonomike, por shkoni punoni. Kush thotë “ku”, jua them unë. Janë plot vende pune bosh në fabrika, që nga Skrapari deri në Berat, që nga Delvina deri në Gjirokastër dhe kudo. Nuk punoj unë në privat për 300 mijë lekë, s’punoj unë në privat për 350 mijë lekë, për 400 mijë lekë, por dua punë në bashki, epo bashkia nuk mundet të jetë zyrë pune. Por kjo është jashtë temës këtu me ju, se s’është ky problemi për të cilin kemi ardhur.
Shumë faleminderit! Besoj se, të paktën, fundin e kësaj maskarade e kemi garantuar. Tani lufta jonë do jetë për rehabilitimin, do jetë për kthimin në normalitet të situatës. Por ju më një maskarade të tillë nuk do ta jetoni. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë dhe këtë do ta bëjmë. Faleminderit që vutë alarmin, sepse midis nesh atje në Tiranë dhe jush këtu në komunitet qëndrojnë zuzarë, qëndrojnë grabitqarë, qëndrojnë parazitë që janë rritur dhe janë dhjamosur në tepsinë që unë dhe ju do ta çojmë me se s’bën për skrap. Kush do marrë rrogë shteti dhe sidomos ata që me rrogën e shtetit duhet t’iu përgjigjen qytetarëve, ose do t’iu përgjigjen qytetarëve, ose nuk kanë për ta gëzuar atë rrogë dhe do ikin aty ku e meritojnë.
Shumë faleminderit!