Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së:

 

Mirëdita!

Kjo është një ditë e shënuar në marrëdhëniet e miqësisë së posaçme dhe të partneritetit të paçmueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që hap një kapitull të ri në rrugën e bashkëpunimit dhe të mbështetjes së SHBA-së për Shqipërinë.

Ne jemi thellësisht mirënjohës SHBA-së për mbështetjen e palëkundur që i kanë dhënë Shqipërisë që në ditën e parë të daljes nga errësira e komunizimt në rrugën e reformave dhe të përpjekjeve për të ndërtuar një shtet funksional demokratik dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës.

Ne i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për kontributin e tyre të paçmueshëm në rajonin tone, ku falë SHBA-së, në radhë të pare, sot jemi në  një realitet tërësisht të ndryshëm nga ai i jo shumë viteve më parë.

Sot flasim për bashkëpunim dhe për paqe të qëndrueshme, të gjithë rreth një tryeze, ndërkohë që deri dje dëgjoheshin vetëm bombat, krismat dhe klithmat e vuajtjeve të shumë popullsive, të ngërthyera në një konflikt të pafund.

Dhe unë dua ta falenderoj megjithë zemër Nënsekretarin për ardhjen e tij këtu, personalisht, për të kurorëzuar një proces të nisur dhe përgatitur falë përfshirjes së drejtëpërdrejtë dhe vendosmërisë e vullnetit të ambasadores, duke nëshkruar një marrëveshje, e cila fillon konkretizimin e atyre që janë pikat kyçe të Dokumentit të Partneritetit Strategjik mes vendeve tona, nënshkruar pak vite më parë.

Po ashtu, pëmes Sekretarit, unë dëshiroj që edhe publikisht t’i përcjell Presidentit Trump urimin më të sinqertë për një shërim sa më të shpejtë dhe po ashtu të shpreh falenderimin për të, për administratën e tij, si dhe për vëmendjen dhe besnikërinë me të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë shoqëruar Shqipërinë në këto vite, si dhe padyshim për një pikë kyçe në historine  këtij rajoni, që ishte  nënshkrimi i Marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës, në Shtëpinë e Bardhë, jo thjeshtë si një konfirmim përfundimtar i një procesi të nisur më parë për bashkëpunim dhe normalizim të marrëdhënieve, në rrafshin e bashkëpunimit ekonomik, por edhe për shtysën e fortë që i dha një njohjeje të paimagjinueshme deri para këtij takimi, nga ana e Izraelit, të Kosovës, një njohje, e cila hap pa diskutim një perspektivë të re në procesin drejt njohjes përfundimtare të Kosovës.

Memorandumi që nënshkruajmë sot për Bashkëpunimin Ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e nje kapitulli të ri për investimet e drejtëpërdrejta, jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar dhe do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit një ëndërr 50 vjeçare, që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës. Gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burime hidroenergjitike, por i varur në vijimësi nga moti dhe nga importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë.
Memorandumi po ashtu do të nxisë – dhe e falenderoj Nënsekretarin për bisedën shumë interesante që kemi zhvilluar dhe për angazhimin e tij personal për të nxitur bizneset që të vazhdojnë në këtë proces, ku qeveria amerikane hedh hapin e parë, duke u futur vetë përmes këtij Memorandumi dhe duke u angazhuar vetë për të mbështetur me ekspertizësn e vet, me teknologjinë amerikane dhe patjetër për financimin, gjë për të cilën do të punojmë bashkërisht, – ndërtimin e  Skavicës, në mënyrë që të tjerët të vazhdojnë të ndjekin këtë shembull.

E kur thashë investimet amerikane dhe jo vetëm, kam parasysh impaktin e madh që do të ketë ky hap dhe hapa të tjerë që do të hidhen nga kompani amerikane, mbi kompani të tjera europiane apo përtej Europës nga vende mike.

Ne kemi të përcaktuar vijën tonë. Për ne, paraja që vjen për t’u investuar në Shqipëri nuk është një para që vlen njësoj, sikur vjen nga një vend mik, sikur vjen nga vende që nuk hynë ndër miqtë tanë më të preferuar dhe nuk janë aleatë strategjikë dhe partnerë strategjikë të Shqipërisë. Në këtë rast, ne jemi posaçërisht të kujdeshëm. Ndërkohë do të bëjmë çmos në vijim, siç kemi bërë deri më tani, që paraja që vjen nga vendet mike të mos ketë pengesa dhe të përkthehet në rritje ekonomike, të përkthehet në punësim, të përkthehet në përfitim reciprok.

Aspekti tjetër i rëndësihem është ajo çka Memorandimi ofron për të patur një udhërrëfyes në sektorë strategjikë. E këtu kam parasysh që nga burimet energjitike, tek infrastruktura e turizmit dhe energjia dhe posaçërisht kam parasysh konfirmimin e qëndrimit tonë të kahershëm që Shqipërisë dhe rajonit i duhet një qasje strategjike, për të patur një rrjet të sigurtë në procesin e kalimit në nivele të tjera të digjitalizmit dhe të transferimit të të dhënave.

Në këtë kontekst, unë dua t’i rikthehem letrës shumë dashamirëse që mora nga Presidenti Trump dhe dua të rikonfirmoj atë që kam thënë në mënyrë të përsëritur që Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon, jo thjeshtë si një rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe fuqizimin e dialogut, por si një rol proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G.

Rrugët e pastra të teknologjisë 5G, në këndvështrimin tim janë rrugët e pastra për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë dhe fëmijët e fëmijëve të fëmijëve tanë. Ne në asnjë mënyrë nuk mund të lejojmë që një ditë të bukur, fëmijët tanë të zgjohen e të jetë shumë vonë. E në këtë aspekt, ne jemi absolutisht të lumtur që nuk jemi vetëm dhe që jemi në krahun e atyre që janë miqtë tanë më besnikë dhe më të besueshëm dhe që nuk kanë për ne ndonjë nevojë që t’i detyrojë të jenë miqtë tanë, por shohin tek ne pikërisht atë që ne shohim tek ata; Partnerë të besueshëm dhe miq të mirë në ditë të vështira, siç thotë populli shqiptar.

Edhe një herë falënderime Zoti Nënsekretar për vizitën tuaj, sidomos në këtë kohë të vështirë, edhe pse më vjen mirë që kemi një gjë të përbashkët, shqiptarë e amerikanë, këto kohë, që në Europë e kemi të ndaluar të hymë. Ne kemi qenë mësuar me këtë, por fakti që ju kemi dhe ju tani, bashkë me ne, që nuk na lënë të shkojmë në Europë se kanë hall se u çojmë COVID-in, është kënaqësi e madhe që takohemi në Tiranë. Koha do ta tregojë që ky është vendi i duhur për të qenë sëbashku e nuk ka vend më të bukur se ky në mes të Europës. Kështu që shpresoj që ju ta ndjeni e ta prekni këtë gjë edhe vetë, siç jam i bindur, e ndjen dhe e prek ambasadorja çdo ditë, që nuk e vuan fare këtë izolim nga Europa këtu në mes të Shqipërisë. Ju faleminderit!

Nënsekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach: Është vërtetë një nder që jam këtu, në Shqipëri dhe të kem një mundësi për t’u takuar me ju!

Zoti Kryeministër, ju jeni me të vërtetë një lider dhe jam kaq i lumtur që kemi mundësi të hapim këtë kapitull të ri dhe të mund ta çojmë partneritetin tonë në një nivel tjetër. Nuk mendoj që ka një vend më të mirë që do doja të isha sesa këtu, tani, në këtë kohë. Dhe gjithashtu, në emër të Presidentit Trump dhe të gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dëshiroj t’ju falënderoj ju dhe popullin shqiptar për mikpritjen, partneritetin tuaj të madh, por, mbi të gjitha, për miqësinë tuaj. E meqë ra fjala për miqësi, në kohë të mira dhe në kohë të vështira.

Ne gjithashtu ju urojmë shërim të shpejtë të gjithë shqiptarëve që vuajnë nga koronavirusi dhe atyre madje që mbajnë zi për të afërmit që kanë humbur për shkak të virusit.

Më lejoni gjithashtu të shpreh mirënjohjen tonë për këtë vend të madh, si një bashkëanëtare e NATO-s, që kontribuoni trupat tuaj të guximshëm për misione të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan, në Irak dhe për mbështetjen tuaj në të gjitha përpjekjet kundër terrorizmit.

Zoti Kryeministër, Shqipëria është ndalesa e fundit gjatë një lëvizjeje dyjavore në Europë, në 10 qytete, në 8 vende që përfshijnë takime me zyrtarë të BE-së dhe të NATO-s. Një gjë interesante që kam zbuluar në këtë udhëtim është se ka një njohje të përbashkët nga drejtuesit e qeverive dhe drejtorët ekzekutivë në sektorin privat dhe kjo është anembanë kontinentit dhe është ky kërcënimi i privatësisë së të dhënave, pronësisë intelektuale dhe sigurisë kombëtare. Ky kërcënim vjen nga ndërhyrja e aktorëve malinj, siç është Partia Komuniste kineze. Sikurse tha dhe Presidenti Trump, mbështetja juaj e hapur në përkrahje të rrjeteve të sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë, është një model dhe ashtu si zyrtarët e NATO-s dhe BE-së me të cilët kam folur, ata e kuptojnë që aleanca transatlantike është po aq e fortë, sa hallka e saj më e dobët. Andaj rrjeti i pastër, rregullat e BE-së për 5G të pastër janë zhvilluar saktësisht për këtë arsye.

Rrjeti i pastër trajton kërcënimet afatgjata të privatësisë së të dhënave, të sigurisë, së të drejtave të njeriut dhe bashkëpunim parimor, paraqitur botës së lirë, rrjeti i pastër është i rrënjosur me standardet e besimit të gjithanshëm, të pranuar ndërkombëtarisht. Ai përfaqëson ekzekutimin e një strategjie shumëvjeçare, të ndërtuar mbi një koalicion partnerësh të besuar, vendesh dhe kompanish. Rrjeti i pastër në fakt ka çuar në një valë të këtyre vendeve që kanë marrë një qëndrim parimor kundër shitësve jo të besueshëm e me rrezik të lartë, siç është Huawei.

Deri më tani mbi 20 vende të NATO-s janë pjesë e rrjetit të pastër e të bazuar në rregullat e BE-së për 5G të pastër. Vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Republika Çeke, Serbia, Greqia, Rumania, Estonia, Kosova, Sllovenia, Sllovakia, Letonia e ndër të tjerë kanë zgjedhur të përfshijnë vetëm shitës të besueshëm në infrastrukturën e tyre 5G dhe tani, Gjermania, Spanja, Austria, Belgjika, Portugalia thuhet se kanë marrë të njëjtin drejtim. Përveç vende që sapo përmenda, disa nga kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në gjithë globin po bëhen kompani të telekomunikacionit të pastër. Telefonica, Orange, SK dhe KT në Korenë e Jugut dhe të gjithë tre kompanitë në Japoni, Singapor, Kanada janë të gjithë të vendosur të refuzojnë të gjithë këto mjete, ndërsa shërbejnë në fakt si një mundësi për të survejuar vendet e tjera. Sigurisht, Shqipëria është një vend i rrugës së pastër dhe nuk mund t’ju falënderojmë mjaftueshëm. Drejtori Ekzekutiv i One Communication të Shqipërisë së fundi tha, One Communication vazhdon të tregojë përkushtimin e saj ndaj standardeve më të larta të sigurisë në rrjet për klientët tanë dhe partnerët tanë duke përdorur vetëm pajisje të besuara. Dhe Zoti Kryeministër, dëshiroj t’ju falënderoj për udhëheqjen tuaj në çështjen kritike të sigurisë 5G dhe në angazhimin e qeverisë shqiptare për iniciativën Rruga e Pastër.

Shqipëria është bashkuar me valën drejt rrjetit të pastër dhe ne jemi të emocionuar që do të vazhdojmë të zgjerojmë partneritetin tonë në shumë fusha të bashkëpunimit ekonomik dhe kjo është arsyeja, pse sot jam i kënaqur t’i bashkohem ministres Denaj në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik midis SHBA-së dhe Shqipërisë dhe ky është një hap i rëndësishëm dhe madje, një katalizator i rëndësishëm për shtrimin e rrugës për rritjen e tregtisë dhe investimeve, përfshirë dialogun ekonomik në të ardhmen ndërmjet dy vendeve tona.

Drita e investimeve të huaja, veçanërisht për firmat në Shtetet e Bashkuara, do të krijojnë vende puna më të mira, mundësi më të mira për të rinjtë në Shqipëri e do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi më të mirë biznesi.

Jam gjithashtu i entuziazmuar të dëshmoj nënshkrimin e një marrëveshje mes kompanisë më të madhe të ndërtimit të Amerikës, Bechtel dhe Shqipërisë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Ky është një projekt ambicioz, shumë i nevojshëm, që të ofrojë siguri energjetike dhe përfitime mjedisore për Shqipërinë. Nuk mendoj që mund të kishit zgjedhur një partner më të mirë për hidrocentralin tuaj, sesa firma që ndërtoi digën më të famshme në SHBA, digën Hoover dhe projekte të tjera të famshme të ndërtimit. Sakavica do t’i sjellë Shqipërisë energji të pastër shtesë, që do të reduktojë përmbytjet, do ta bëjë prodhimin e energjisë shqiptare më pak të varur nga reshjet vjetore të shiut, sikurse ndatë më herët me mua. Ky projekt historik do të jetë një pasuri kombëtare për popullin e Shqipërisë dhe një që vazhdon të ndërtohet mbi lidhjet tona tashmë të ngushta.

Në mbyllje, dua t’i bëj jehonë letrës që Presidenti Trump ju ka dërguar ju, Zoti Kryeministër, vetëm dy ditë më parë. Faleminderit për lidershipin e Shqipërie në rajonin e Ballkanit dhe në të gjithë Europën në ekspozimin e ndikimit malinj të Partisë Komuniste kineze, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe diplomacisë së kurthit përmes borxheve, nëpërmjet rrugës me pagesë për në Pekin.

Jemi falenderues për mbështetjen tuaj të zëshme të shprehur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit. Në prag të nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik, mirëpres që SHBA-të dhe Shqipëria të nënshkruajnë dhe një memorandum mbi sigurinë 5G. Kryeministër, siç e përmenda më herë, teksa i kam rënë Europës kryq e tërthor gjatë dy javëve te fundit, jam kaq i lumtur që ruajta më të mirën për në fund. Faleminderit sërish për mikpritjen e vazhdueshme, miqësinë e vazhdueshme të popullit shqiptar dhe nuk kam për ta harruar kurrë këtë. Zoti e bekoftë vendin e mrekullueshëm të Shqipërisë dhe Zoti i bekoftë Shtete e Bashkuara të Amerikës! Faleminderit Kryeministër!

*Përkthim simultan

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.