Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e ngritjes së Këshillit të Investimeve:
Përshëndetje të gjithëve,
Krijimi i këtij Këshilli investimesh është një tjetër moment i rëndësishëm. Një përpjekje e filluar 18 muaj më parë për të adresuar sa më mirë, sa më shpejtë dhe sa më thellë problematikën komplekse të të bërit biznes në Shqipëri.
Ne kemi një eksperiencë mjaft pozitive, eksperiencën e Këshillit Ekomomik Kombëtar ku kemi krijuar kushtet për një bashkëveprim, sëbashku me komunitetin e biznesit, me institucionet financiare, me përfaqësi të dhomave të ndryshme të tregtisë dhe biznesit, në mënyrë që të adresojmë sa më drejtë zgjidhjen e problemeve të ekonomisë sonë.
Besoj që në këta 18 muaj mund të themi me plot gojën se kemi bërë jo pak për të transformuar hapësirën e të bërit biznes, nga një hapësirë mbytëse nga arbitrariteti dhe paparashikueshmëria në një hapësirë veprimi dhe bashkëveprimi, që ne synojmë ta zgjerojmë në vijimësi përmes një sërë masash të reja në funksion të derregullimit. Nga ana tjetër, ne sot jemi dëshmitarë të faktit se nëse 18 muaj më parë morëm një trashëgimi të rëndë në raportet mes qeverisë dhe sipërmarrjes, ku pika më domethënëse ishte barra prej 720 milionë dollarë borxhe që qeveria i kishte sipërmarrjes, më shumë sesa 5% e Prodhimit tonë Kombëtar, sot jemi në kushtet kur mund të themi se jo vetëm 300 milionë janë kthyer mbrapsht tek sipërmarrja dhe pjesa tjetër është në rrugën e kthimit të parave tek i zoti, por edhe sistemi i funksionimit të këtyre marrëdhënieve ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Mjafton të përmend faktin se nëse deri para 18 muajsh, rimbursimi i TVSH-së ishte një proces shpeshherë i pamundur dhe në të gjitha herët e tjera i korruptuar, sot kemi një rimbursim tërësisht transparent dhe automatik të TVSH-së, që ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë të gjithë veprimtarinë e sipërmarrjes.
Nga ana tjetër, ne kemi vepruar edhe më shumë se kaq dhe më tej se kaq, për të krijuar një marrëdhënie të re besimi në ndërveprim me sipërmarrjen, duke i zhbërë të gjitha gjobat me natyrë elektorale, të përpara qershorit 2013-të, mu ashtu siç ishim zotuar dhe duke krijuar kushtet që në gjithë procesin e ndërveprimit mes sipërmarrjes dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të triumfojë gjithmonë rruga e ligjit dhe e arsyes dhe jo rruga e zakonshme e të shkuarës, ku as ligji, as arsyeja, por nevojat imediate të pushtetit bënin ligjin mbi sipërmarrjen.
Këshilli i Investimeve është një krijesë e re, jo për të shtuar një mekanizëm më shumë në këtë proces ndërveprimi, por për të krijuar një mekanizëm, i cili falë mbështetjes dhe ekspertizës së BERZH-it do të na japë mundësinë të adresojmë drejtpërdrejtë problemet e sipërmarrjes dhe të kërkojmë sëbashku zgjidhjet, për të lehtësuar në vijimësi procesin e të investuarit në vendin tonë.
Në javët në vijim, Kuvendi i Shqipërisë do të marrë në shqyrtim dhe do të miratojë ligjin e ri për investimet, i cili është praktikisht një bazë tërësisht e re, që zgjeron në mënyrë të ndjeshme hapësirën dhe lirinë e të investuarit, por nga ana tjetër rrit në mënyrë të ndjeshme parashikueshmërinë në procesin e investimit dhe shkon një hap më tutje në mbështetjen që shteti merr përsipër t’ju japë investitorëve. Jemi në një diskutim intensiv për të detajuar deri në fund, çdo element të këtij ligji të ri dhe jemi të bindur që përmes këtij ligji të ri do të kemi një kapitull të ri për investimet dhe për investitorët në Shqipëri.
Bashkëpunimi me BERZH në ketë drejtim na jep shumë besim që ky projekt, që siç e tha dhe miku ynë pak më parë është një projekt pilot për BERZH, ku ne kemi kërkuar që Shqipëria të marrë përsipër të hedhë hapin e parë, do të na japë rezultate të shumëpritura në fushën e investimeve.
Jemi të vetëdijshëm se viti 2015 është një vit kyç për ekonominë tonë, është një vit me rëndësi të veçantë për planin tonë ekonomik, është një vit që do të luajë një rol të rëndësishëm për vitin dhe vitet në vijim, duke pasur parasysh se realizimi i objektivit të përcaktuar të rritjes do të sjellë nga njëra anë, në mënyrë të qëndrueshme stabilizimin e ekonomisë sonë dhe nga ana tjetër, një bazë të re rritjeje të qëndrueshme për vitet në vijim.
Jemi shumë të inkurajuar nga fakti se ky proces i rritjes së qendrueshme po vjen si rezultat edhe i transformimit të modelit tonë ekonomik. Nga një model ekonomik i shteruar, i cili u bazua për një kohë të gjatë, në radhë të parë tek remitancat, dërgesat e emigrantëve dhe në anën tjetër tek bumi i ndërtimeve, në një model, i cili është i fokusuar tek burime të reja të rritjes, të orientuara kryesisht nga prodhimi.
Me shumë kënaqësi sot mund të shtoj se ne jemi në një diskutim shumë të frytshëm me ekspertë të BERZH-it dhe së shpejti do të bëjmë publike një nismë të re, për të zgjeruar në mënyrë shumë të ndjeshme gamën e financimit të bujqësisë dhe për të krijuar kushte që duke e vendosur qeverinë në rolin e ndërmjetësit dhe të katalizatorit të këtyre investimeve, ta bëjmë shumë herë më të aksesueshëm sistemin bankar nga ana e fermerëve dhe ta vendosim qeverinë në bashkëpunim me BERZH-in, në rolin e garantit të këtyre investimeve, duke marrë përsipër riskun. Ky do të një moment historikisht i rëndësishëm për rolin mbështetës të qeverisë ndaj bujqësisë dhe për forcën e re financuese që do të marri sektori falë kreditimit të drejtpërdrejtë të fermerëve, por duke përdorur, siç e thashë, qeverinë si garant të riskut të investimeve në bujqësi.
Së fundi, më lejoni të nënvizoj edhe një aspekt tjetër të veçantë në punën e investimeve, siç është aspekti i thellimit të luftës ndaj korrupsionit në marrëdhëniet mes shtetit dhe investitorëve. Ky është një element kyç dhe padyshim është dhe një sfidë themelore e kësaj qeverie, për të cilën Këshilli i Investimeve do të japë me siguri një kontribut të posaçëm.
Falënderoj me gjithë zemër BERZH-in, Presidentin e saj, mikun tonë, i ardhur sot këtu për të lançuar këtë projekt të rëndësishëm mes qeverisë dhe BERZH, ashtu siç falënderoj të gjithë të pranishmit, duke uruar që në këtë proces komunikimi dhe ndërveprimi, raporti ynë me bankat e nivelit të dytë të shkojë duke u forcuar dhe duke shpresuar që eksperienca në vijim të na mësojë se edhe bankat kanë zemër dhe nuk janë tërësisht të privuara nga ky organ kaq i rëndësishëm për funksionimin e një shoqërie dhe të një institucioni. Kemi pasur rastin në fakt të shikojmë se edhe bankat mund të kenë zemër, kur ishte fjala për të mbështetur të përmbyturit në zonën jugore te Shqipërisë para disa muajve, por ne nuk duam thjesht të shikojmë zemrën që shfaqet në formën e një mundësie për të larë “mëkatet”, por dëshirojmë zemrën të shfaqet edhe në formën e një mundësie për t’u bërë pjesë e një procesi ku ekonomia të marrë më shumë zemër, përmes aktorëve të saj. Dhe në rastin konkret, për t’i kthyer në aktorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë, të gjithë ata fermerë shqiptarë që kanë shumë ide, kanë shumë talente, kanë shumë vullnet, por e vetmja gjë që ju mungon dhe për momentin nuk është pak, është pak kreditim më shumë.
Faleminderit të gjithëve!