Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Një hapësirë e re spektakolare po i kthehet Vlorës me rikonceptimin e sheshit të Flamurit, ndërtimin e Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë dhe infrastrukturën lidhëse të rrugës Transballkanike me detin. Projekti që ka nisur dhe po ecën me ritme të shpejta për rikualifikimin urban të sheshit dhe ndërtimin e Parkut parasheh edhe integrimin e kësaj hapësire me Lungomaren deri tek tuneli. Kryeministri Rama inspektoi ecurinë e punimeve në këtë shesh që po ndryshon krejt pamjen e derisotme të qendrës.

Projekti i sheshit dhe parkut, shpjeguan zbatuesit e punimeve, është konceptuar me të paktën 16 lloje të ndryshme palmash, ku mbi 80% shtohen të reja. “Do të punohet me nivele të ndryshme, për të krijuar një konfiguracion të plotë”, – u shprehën ata.

E gjithë hapësira është pastruar nga ndërtimet informale, duke u krijuar një hapësirë deri dje e padukshme nga ndërtimet që kishin zënë pamjen dhe lidhjen e Sheshit të Flamurit me detin. Ndërkohë sipas nënkryetarit të Bashkisë Vlorë, Afrim Qendro, kanë përfunduar punimet nëntokësore. “Disiplinuam ujërat e bardha sepse këtu ujërat e bardha bashkoheshin me të zezat”, – u shpreh Qendro.

Rreth 80% e sipërfaqes së projektit tashmë ka marrë formë, ndërsa punimet janë intensifikuar dhe po shkojnë drejt përfundimit. Kryeministri Rama shprehu kënaqësinë që Vlorës i rikthehet sheshi simbol me një hapësirë cilësisht të re, e integruar me pjesët e tjera të qytetit, duke shtuar se “nga sheshi i Flamurit deri tek tuneli shkon pa ndërprerje, duke ecur ose me biçikletë”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.