Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me tatimpaguesit e mëdhenj:

Mirëdita të gjithëve!

Mirëserdhët!

Shumë faleminderit për kohën dhe përgjigjen pozitive për këtë ftesë!

Sot, unë dëshiroj që t’ju prezantoj me ministren e Shtetit që është bërë pjesë e qeverisë së re, për të qenë drejtpërdrejtë avokatja e biznesit brenda në qeveri. Ju e dini që ne në mandatin e parë bëmë disa përpjekje për të krijuar një klimë të re bashkëjetese me sipërmarrjen. Ndërtuam edhe disa ura të reja komunikimi, duke filluar nga Këshilli Ekonomik Kombëtar, pastaj Këshilli i Investimeve. Po ashtu besoj se arritëm të krijojmë një klimë më pozitive në raportin tuaj me administratën, posaçërisht me administratën doganore, tatimore. Por, kur flas për klimë më pozitive, mendoj që hapësira e përmirësimit të kësaj klime është ende shumë më madhe dhe problematika për të cilën sapo fola ka ende shumë aspekte që për hir të së vërtetës nuk janë ashtu siç duhet në jetën e sipërmarrjes.

Duke bërë një analizë të këtyre 4 viteve, duke bërë një përpjekje serioze për ta lexuar si duhet edhe votën e 25 qershorit, – duke pasur parasysh që të qeverisësh vetëm është një mundësi e jashtëzakonshme për t’i provuar në realitet të gjitha ato që dëshiron të bësh, por është edhe një pamundësi e plotë për t’ia lënë fajin tjetërkujt – e më e rëndësishmja, duke e konsideruar që sot, pjesa dërrmuese e sipërmarrjes dhe jo rastësisht janë ftuar tatimpaguesit më kryesorë të vendit, është e interesuar për të punuar me sa më shumë rregulla dhe për të pasur sa më pak informalitet, e pashë të udhës që të krijojmë një figurë të re në qeveri, figurën e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen.

Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen mund të quhej fare mirë edhe avokati i sipërmarrjes në qeveri, për të krijuar një kontakt të drejtpërdrejtë, në kohë reale, për të gjitha ato aspekte të punës suaj, që nga ato më të rëndësishmet e deri tek ato më të “parëndësishme”, por që janë një histori më vete në raportet me administratën. Kjo, në mënyrë që miku më i fortë i çdo sipërmarrjeje të jetë zyrtarisht qeveria dhe të mos jetë nevoja për miq në kuptimin tradicional të fjalës, as në tatime, as në dogana, as nëpër ministri e asgjëkund tjetër.

Unë jam i bindur se ju të parët, nëse do hapnit zemrën, se po të hapnit barkun kushedi se çdo dëgjonte Shqipëria, jeni të vetëdijshëm për sa shumë grabitqarë dhe parazitë ka akoma në administratën shtetërore. Besoj se jeni edhe të parët që duhet të jeni të gatshëm, që këta grabitqarë e këta  parazitë, ne t’i luftojmë sëbashku.

Është e mundur që këta, qeveria t’i luftojë edhe pa ju, por do të kërkojë shumë kohë dhe do të ketë akoma shumë plagë në trupin tuaj. Ata do të vazhdojnë të shqyejnë, të çjerrin dhe të dëmtojnë në rast se ju do t’ua jepni këtë mundësi. Ajo që unë do të doja të thosha shumë sinqerisht është që ju të na vini në provë drejtpërdrejtë, ta vini në provë këtë urë të re komunikimi mes jush dhe qeverisë, që është ministrja e Shtetit dhe zyra e saj për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Kemi pasur debate kur unë shpalla qeverinë, pse të quhet për “mbrojtjen e sipërmarrjes” dhe jo “për sipërmarrjen” Në fakt është për “mbrojtjen e sipërmarrjes”. Ministrja e Shteti është në qeveri për t’ju mbrojtur nga qeveria, në fund fare. Pra, nga të gjithë ata faktorë dhe protagonistë të tjerë, duke filluar nga ministri i Financave dhe ministrat e tjerë, që mund të mos jenë si duhet dhe sa duhet në dispozicionin tuaj, kur ju duhen.  Apo që mund të përbëjnë një problem, jo për shkaqe qëllimesh të këqija, por thjesht e vetëm për arsye të konsideruara si legjitime, që në fakt mund të mos jenë të tilla, në raport me sipërmarrjen.

Në fund të ditës jemi shumë të vetëdijshëm që Shqipërinë mund ta ndërtojmë vetëm sëbashku me ju. Patjetër që janë të pazëvendësueshëm investitorët e huaj, janë të pazëvendësueshme partneritetet me ta. Por ne sot kemi në Shqipëri një sipërmarrje, e cila ka mundësitë financiare dhe ka filluar të mendojë ndryshe, të strukturojë ndryshe, në atë nivel  që mund të injektojë në ekonominë tonë ende shumë të tjera financime, nëse i krijohen mundësitë.

Ne jemi të bindur në një proces që ne e kemi nisur, derregullimi, domethënë reduktimi drastik të licencave, të patentave, të burokracive, të dokumenteve e  certifikatave të lindjes. Juve ju kërkojnë certifikatën e lindjes sa herë futeni në një tender. E jo vetëm juve, por edhe gjithë të tjerëve që kanë lidhje me atë punë dhe e duan të noterizuar. Histori të tilla ka pafund. Reduktimi i këtyre do të sjellë një tjetër faktor  shtytës, për ta çliruar raportin e sipërmarrjes me shtetin dhe për ta çliruar vetë sipërmarrjen që të merret me  gjërat që duhet. Në këtë proces, ne jemi vërtetë shumë të dëshiruar që ju të jepni kontributin tuaj dhe të bëni realisht udhëzimet tuaja se çfarë licencash, dokumentesh, certifikatash e historish duhet të hiqen në marrëdhëniet tuaja me doganën, me tatimet dhe me shtetin, kur merrni pjesë në gara e me radhë.

E vetmja gjë që do ta përsëris pa u lodhur është se unë nuk mendoj që është e  denjë, s’është as patriotike dhe  as etike që ju  të zgjidhni rrugën e shkurtër dhe të bëheni palë me të korruptuarit dhe me korruptorët në sistemin e qeverisjes. Nuk është as patriotike, as etike që në vend se ju thjesht të ngrini telefonin dhe t’i kërkoni drejtpërdrejtë ministres së Shtetit  që të marri masa për llogarinë tuaj ndaj kujtdo që ju cenon qetësinë, të zgjidhni rrugën që të  merrni nga ata të tatimeve që jua rregullojnë bilancet e histori të tilla të pafund, që thjesht janë kosto dhe energji të shpenzuara.

Unë e di që ka njëmijë e një arsye për të dëgjuar dhe për të thënë “po realiteti është ndryshe”. E di që ka njëmijë e një arsye legjitime që secili prej jush të thotë pse ti hyj kësaj pune e të ndeshem me lloj-lloj hakmarrjesh të vogla grabitqarësh e parazitësh, që as emrin s’ke për t’ia mësuar asnjëherë, por që janë me peshë të mjaftueshme për të më nxirë jetën mua dhe administratës time, sa herë më shfaqen në derë, ndërkohë që i bie shkurt.

Përkundër gjithë këtyre arsyeve legjitime, unë dua t’ju përsëris që duhet të na vini në provë! Thjesht duhet të na vini në provë. E në rast se qysh në provat e para, ju do konstatoni që nuk është kështu siç unë po them, atëherë është e drejta juaj që të ktheheni te rruga e vjetër dhe t’i zgjidhni gjërat me ato marrëveshjet me zonën e errët të administratës. Të jeni të sigurt që qëllimi për ta bërë qeverinë përmes ministres së Shtetit për Mbrojtën e Sipërmarrjes, mikun më të madh të secilit prej jush, është një qëllim i vërtetë, aspak propagandistik dhe i lidhur me qëllimin tonë më të madh, të rrisim më shpejt  ekonominë, t’i japim shumë më tepër nxitje sipërmarrjes dhe të krijojmë kushte që për shumë më tepër arsye, secili dhe secila prej jush të bëhet palë në luftën kundër informalitetit. Besoj që janë dy pjesë shumë të lidhura me njëra- tjetrën, që kondicionojnë edhe suksesin tuaj në kushtet e stome, kur ju jeni sipërmarrje solide dhe në kushtet kur jeni kontributorët kryesorë në buxhetin e shtetit.

Nga njëra anë që përfundimisht asnjë zyrtar apo zyrtaruc i këtij shteti të mos guxojë të ngacmojë askënd prej jush dhe të mos guxojë të shfaqet në  derën e askujt prej jush me hijen e njeriut që të merr peng për të marrë një ryshfet dhe nga ana tjetër, për të krijuar më shumë soliditet dhe për të ulur sëbashku informalitetin që në fund të fundit e gërryen më shumë se këdo tjetër sot, sipërmarrjen e madhe që është e strukturuar.

Janë dhe plot aspekte të  tjera që ne i kemi diskutuar bashkërisht, kemi bërë progres, por është një progres i pamjaftueshëm, që nga prokurimet, një pjesë e të cilave janë një teatër shumë i shëmtuar dhe këtë e dinë të gjithë prej kaq e kaq shumë vitesh, deri tek shumëçka tjetër që lidhet me mënyrën sesi zhvillohet marrëdhënia e sipërmarrjes me shtetin dhe me të gjitha pikat ku sipërmarrja  është e detyruar të jetë e lidhur me shtetin, apo shteti  e detyron sipërmarrjen që  të lidhet me të.

Ju keni eksperienca të jashtëzakonshme në budallaqet e administratës shtetërore dhe me marrëzitë që kërkohen prej jush, kur duhet të mbushni një dokumentacion, kur duhet të kaloni në doganë, apo kur duhet t’iu drejtoheni atyre agjentëve, që do të largohen brenda 100 ditëve të para njëherë e përgjithmonë nga dogana; Të gjithë ata me bluxhins dhe ato çantat e vogla  me rrip, që bëjnë ndërmjetësin atje. Se çfarë ndërmjetësojnë ata, unë  se kam marrë dot vesh  kurrë, po për fat që na e dha populli mandatin vetëm, që tani mos ta kemi më sikletin se po  ngacmojmë ndonjë komshi. Me ata zhabulanë atje, që medemek ndërmjetësojnë proceset ndërmjet sipërmarrësve edhe shtetit, një tufë sekserësh të zyrtarizuar që shëmtojnë pamjen, lëre më pastaj, të tjerat në Portin e Durrësit, sidomos atje. Solla një shembull.

“Policinë gri“ e kemi kthyer në kazermë, nuk dalin më në rrugë. Sapo të fshihen  edhe nga legjislacioni dhe të ikin në shtëpi, përfundimisht.

Inspektoratet kanë marrë urdhër të prerë, deri në ristrukturim nuk do të vendosin më asnjë gjobë. Inspektorët të rrinë  nëpër shtëpi dhe të lënë rehat njerëzit të marrin frymë. Do të bëjmë ristrukturim radikal të inspektorateve, që e vërteta është se janë banda që lëshohen në emër të mjedisit, në emër të mbrojtjes të peshqve, në emër të mbrojtjes së  ajrit, të mbrojtjes së ujërave, të mbrojtjes së kullotave dhe marrin vetëm lekë. E i bien në qafë çdo njeriu që bën një punë. Çdo njeriu që merr një kazmë për të punuar, i shkojnë  dhe i thonë “po ndot”, apo “zonë e mbrojtur”, “ajrin e ke matur, pse bën zhurmë, muzikën  e ke të lartë” dhe pastaj gjoba e mbi gjoba. Këta duhet t’i largohen nga qafa popullit shqiptar.

Përveç tatimeve dhe doganat që do të vazhdojnë normalisht, edhe vetë hetimi i famshëm tatimor, faktikisht është në kazermë dhe lëviz vetëm me një leje shumë të përcaktuar dhe shumë të detajuar liridaljeje, për të shkuar dhe për të bëre hetime. Po dua ta përsëris, nëse ju nuk do të bëheni palë me ne dhe nëse  ju thjesht nuk do e mbronit veten tuaj përmes nesh, – nuk po them  të bëheni palë dhe të spiunoni njëri- tjetrin, po them thjesht të ngrini telefonin, kur ndjeheni të ngacmuar për çfarëdo qoftë, – ne do të arrijmë në ditën kur sipërmarrësve, shteti t’u ngrihet në këmbë me respekt e kur them shteti, çdo njeri që  përfaqëson shtetin, në ditën kur të mos guxojë asnjë ministër që të mos  ngrejë telefonin, kur e merr një tatimpagues i madh. Të ngrejë telefonin, pastaj zgjidhet, nuk zgjidhet, kjo është  çështje tjetër.

Por që të arrijmë në këtë ditë duhet të bashkëpunojmë dhe ju duhet të na jepni mundësinë që ne mos të humbasim kohë, për të gjetur se kush janë ata që ju nxijnë jetën e thjesht ta marrin vesh se, nëse cenojnë një sipërmarrës, fjala shkon në sekondë në majën e piramidës shtetërore, në zyrën e Kryeministrit. Mjafton që ju t’i jepni urdhër gjithë zyrave e pikave që janë në sistemin tuaj e që presin këta “trokitësit”, që në momentin  kur këta shfaqen, duke filluar nga veshja, nuk duhet t’i pranoni, nëse nuk janë veshur normalisht. Nëse ju vijnë me bluxhins  në derë duhet t’i nxirrni jashtë. Në orarin e punës, për të kontrolluar medemek kompanitë më të mëdha të Shqipërisë, me bluxhins, me bluza me shqiponja me tre koka dhe germa nga ato halloween, apo me pantallona të  shkurtra shfaqen dhe kërkojnë llogari nga kompanitë më të mëdha të Shqipërisë. Nuk duhet t’i pranoni! Do t’i refuzoni dhe do të lajmëroni menjëherë që u refuzuan. Që këtu duhet të fillojë. Kur të shkojnë në një kompani, duhet të shohin njëherë vetën në pasqyrë, a jam në rregull që të paraqitem atje. Shkojnë  me shapka dhe mbajnë nën presion kompanitë më të mëdha të Shqipërisë dhe ju detyroheni të humbisni kohë e të futeni në strese dhe të gjeni njëmijë e një rrugë që të shpëtoni nga letrat që lënë këta me shapka dhe me ato çantat që nuk kuptohen se çfarë ka brenda, revole, cigare, apo bukë me vete.

Kjo është situata dhe kjo është e vërteta. Ju jetoni me këtë përditë, prandaj e qeshni, por, faktikisht, për të qeshur nuk janë ata, por jemi të gjithë bashkë, që lejomë që kjo lloj figure që përfaqëson shtetin të vazhdojë edhe sot të bëjë ligjin në oborret e kompanive tuaja. Kështu, ne u japim mundësi edhe të gjithë atyre që janë njerëz të zotë, njerëz të ndershëm, sepse pjesa më e madhe e administratës janë të tillë dhe duan të punojnë e të jenë në rregull me ligjet dhe me shtetin, për ta marrë atë rrogë me meritë dhe ta ruajnë atë vend pune duke punuar. Por këta për të cilët fola helmojnë gjithë klimën.

Brenda javës së ardhshme do publikojmë edhe platformën online të bashkëqeverisjes , e cila do këtë një rubrike të veçantë, një dritare të veçantë për çdo biznes, të madh, të mesëm, të vogël, që të ketë linjë direkte me këtë godinë në kohë reale, për çdo lloj cenimi,  apo për çdo lloj sjelljeje të padenjë të kujtdo që i shkon në derë, qoftë edhe një bukëshitës në fshat. Në mënyrë që bashkërisht, ne t’iu vëmë një kufi përfundimtar të gjithë atyre që punojnë për këtë shtet, që marrin rroga nga buxheti që mbahet në radhë të parë, me paratë që ju jepni nga taksat dhe t’i zbardhim faqen këtij vendi duke pastruar përditë, llumin  e korrupsionit që prej kaq shumë vitesh është kthyer në një zullum të madh në gjithë kanalet e komunikimit të qytetarëve apo sipërmarrësve me shtetin. “Ujku, ujku dhe çakalli bën kërdinë”; Janë një grusht njerëzish që zihen e kacafyten prej 27 vjetësh në Parlament dhe në skenën politike se kush është më hajdut, ndërkohë që në territor, ne kemi një situatë që duhet ta frenojmë së bashku.

Sot kemi një lajm shumë të mirë; Ekonomia bazuar në tremujorin e fundit është rritur me 4.06%, pra, kemi kapur 4%-shin. Nuk është mjaft, por është një shenjë tjetër që po shkojmë në drejtimin e duhur. Objektivi ynë është të kapërcejmë 5%-shin brenda vitit 2019 dhe kjo është plotësisht e mundur. Të gjitha këto na ndihmojnë të shkojmë në këtë drejtim.

Pastrimi i rrugës që lidh sipërmarrjen me shtetin është një nga masat kryesore që do të na ndihmojë në këtë objektiv të rritjes ekonomike mbi 5%. Në momentin që rritja ekonomike kalon 5%-shin, ju e dini shumë mirë se është rritje ekonomike që fillon ndjehet në të gjithë shtresat. Fillon ndjehet edhe tek familjet e zakonshme, për të cilat, kur u thua nga 1 shkuam në 2 dhe në 3, me të drejtë janë shifra, por nuk janë domethënëse për sa kohë nuk ndjehet në xhepin e tyre, nuk ndjehet në mënyrën e tyre të jetesës. Nëse kalojmë 5%-shin, dihet botërisht, për një vend si Shqipëria, kjo fillon bëhet e ndjeshme për të gjithë. Ky është një objektiv që ne do ta arrijmë sëbashku, edhe nëpërmjet programeve të posaçme që ne do vëmë në lëvizje, përveç programit 1 Miliardë për Rindërtim, ku ne e kemi ftuar sipërmarrjen të marrë pjesë dhe ku faktikisht kemi nisur me projektin e parë të Rrugës së Arbrit, që do ta finalizojmë si kontratë së shpejti dhe do fillojmë punën.

Me paketën e re fiskale, me do të lançojmë një paketë të re për turizmin, duke vendosur një sistem pa taksa për çdo investim në turizëm që do të ketë një certifikim dhe operim nga një prej firmave globale, 20, 30, 40 të parat të turizmit, që do të thotë 5 yje të certifikuara me operatorë globalë. Në atë moment, investimi bëhet pa asnjë taksë dhe operimi bëhet 10 vjet pa asnjë taksë. Kush ndërton një hotel me yje të certifikuar, – jo nga ata yjet që i prodhojmë te dekori i Tiranës, i lyejmë me të verdhë dhe i ngulim atje 5 e 6, por yje të vërtetë, – qoftë për hotele me 4 apo  me 5 yje të certifikuara, ne do të vendosim një sistem komplet pa taksa për një periudhë kohe 10-vjeçare. Tani po merremi vetëm më shkallëzimin si do jetë për hotelet me 4 dhe si do jetë për hotelet me 5. Mund të jetë njësoj, por kjo pak rendësi ka, mendojmë që ka potenciale të mëdha financiare këtu, në këtë sallë ku jeni ju, për të transformuar komplet turizmin shqiptar, duke krijuar dhe nivelin e lartë.

Sot kemi të dhëna shumë inkurajuese nga turizmi. Në rritjen ekonomike, turizmi ka një ndikim të vetin gjithmonë e më të rëndësishëm. Por jemi të vetëdijshëm që kemi turizëm masiv që nuk mjafton dhe na duhet edhe turizmi i nivelit të lartë, që konsumon shumë më tepër dhe lë shumë më tepër para në vend. Për këtë na duhen strukturat. Përsëri këtë vit kemi pasur, sipas operatorëve, shumë më tepër kërkesë, sesa çfarë ne mund të ofrojmë. Ajo që ne shohim nga brenda dhe nga kontaktet dhe interesimet e sipërmarrjeve të ekselencës në turizëm është që ka gjithmonë e më shumë interes për të investuar në Shqipëri në këtë sektor.

Ju i keni të gjitha ato që duhen, qoftë financiarisht, qoftë si eksperiencë, që të krijoni kontakte me Brand-et e duhura, me kompanitë e duhura, për të bërë bashkëpunime në këtë funksion. Ligji është tërësishëm i favorshëm dhe i jep mundësi zhvillimeve në turizëm. Me paketën fiskale besoj që do të çlirohet një energji edhe më e madhe, sepse në momentin kur hotelet me 5 yje, apo ato 4 yje nuk kanë asnjë taksë për 10 vjet, atëherë është një frymëmarrje e veçantë.

Por nuk janë vetëm këto. Edhe me të tjera jemi në proces. Edhe për dividendin do marrim masa, jo që në këtë paketë, por besoj në paketën e vitit të ardhshëm, për të bërë një ndryshim që do t’ju ndihmojë.

Ama një gjë mbetet kyç. Ju lutem juve dhe të gjithë atyre që më dëgjojnë, shikojnë, apo do ta dëgjojnë këtë nëpërmjet jush, shpresoj që ju të na vini në provë. Nuk ka nevojë fare të mundoheni për të gjetur miq për të takuar personin që e ka në dorë punën në administratë. Kjo është një gjë që duhet të marrë fund. Miku më i madh i biznesit duhet të jetë qeveria. Ministrja e Shtetit është personi që ka telefonin, e-mail-in, 24 orë në dispozicionin tuaj. Brenda 24 orëve, në çdo rast dhe për çdo rast, ju do merrni përgjigje. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ju keni të drejtë të thoni, të na rrojnë ata me pantallona të shkurtra, që futen në ndërmarrje nga mbrapa e që të zgjidhin problemet, se me qeverinë nuk u bëka. Unë them jo! Unë them që është plotësisht e bëshme. Për sa kohë, ne jemi akoma në një sistem të pakonsoliduar dhe duhet pikërisht edhe komunikimi i drejtpërdrejtë për të zgjidhur probleme që mund të jenë shumë të thjeshta dhe normalisht s’duhet të ishin probleme, atëherë, ne na duhet kjo linjë direkte që të jetë në dispozicion.

Këshilli Ekonomik Kombëtar që ne ngritëm për këtë qëllim nuk arriti dot ta bëjë këtë gjë, sepse ishte një strukturë më vete etj.. Tani kjo është një përpjekje më shumë. Ky është një hap më përpara, për të bërë një ndërlidhje dhe më të shpejtë midis jush dhe Këshillit Ekonomik Kombëtar, Këshillit të Investimeve dhe të gjithë urave të tjera të komunikimit, që duke qenë më formale, ndoshta nuk arrijnë dot ta krijojnë shpejtësinë dhe besimin e nevojshëm për të qënë të hapur dhe për të thënë “më ka ardhur dikush këtu dhe më ndihmoni”, ose “po pres të marr këtë përgjigje dhe s’po e marr”.

Të jeni të sigurt për një gjë, jo vetëm që ne do të japim përgjigje në 24 orë që e morëm shqetësimin tuaj dhe do zgjidhet për kaq ditë, por kush do jetë shkaku i vonesave, i pengesave do mbajë përgjegjësi deri në nivelin më të lartë. Nuk do të lëmë që të kalojë asnjë mi nën mustaqe. Por na duhet që të jemi bashkë në këtë proces. Këtu nuk është çështja që ju po bëheni të këqij me disa ordinerë, se kam dëgjuar dhe histori të tilla si “s’dua ta marr në qafë”. Po kë do marrësh në qafë? Po ai që merr në qafë, çdo ditë, njerëz dhe që i shkon çdo ditë, njerëzve dhe i shkatërron nervat, pse duhet të vazhdojë të rrijë aty? Apo histori si “s’dua të bëhem unë i keq, të hajë dhe ai një copë bukë”. Ai nuk ha një copë bukë, ai fut dorën në pjatën e çdo njeriu që ha një copë bukë. Për këtë besoj që biem të gjithë dakord, vetëm na duhet një sforco. Sforcoja juaj është sforcoja më e lehtë në botë, të ngrini telefonin dhe të thoni kam një problem. Pastaj do shikoni vetë, do zgjidhet, apo nuk do zgjidhet, do bëhet përpjekja kështu si po them unë, apo do jetë “lëre se kemi disa punë të tjera”.​

Shumë faleminderit edhe njëherë që erdhët!

Shumë faleminderit për gjithçka që kemi mundur të bëjmë së bashku për 4 vjet, por ju siguroj që s’keni parë gjë akoma!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.