Duke folur për një sërë temash në takimin me qytetarë e të rinj të Korçës, një ndër to ishte edhe pagat për mjekët dhe infermierët në sistemin shëndetësor, për të cilat Kryeministri nënvizoi se: “jemi në fazën që do të hapim një tjetër kapitull me shëndetësinë. Nëse duam të kemi një sistem shëndetësor ku mjekët, infermierët në spitalet publike janë të motivuar njësoj si në strukturat private, duhet të heqim dorë nga pagat uniforme e duhet të paguajmë sipas performancës”.
Kryeministri shtoi se “një mjek që bën 10 operacione nuk paguhet njësoj si një mjek që bën 1 operacion. Një mjek që rri më shumë jashtë orari, nuk paguhet njësoj si një mjek që ikën në orar dhe një sërë kriteresh të tjera. Ne duhet të jemi të qartë që e kemi ndërruar sistemin. Ne kemi zgjedhur një sistem që nuk mund ta përjashtojë e as nuk duhet ta godasë, por, përkundrazi, duhet ta integrojë e duhet ta shfrytëzojë të gjithë fuqinë e sektorit privat. Gjithmonë me një qartësi, sektori privat ka interesin privat, sektori publik ka interesin publik dhe në këtë partneritet harmonizohen interesat. Se, sigurisht, privati duhet të ketë interes që të vijë se nuk vjen për të bërë bamirësi”.
Një ndër temat e prekura në bashkëbisedim ishte edhe rasti abuziv i infermieres në spitalin “Shefqet Ndroqi”, për të cilin kreu i qeverisë Rama tha se: “Nëse duam që fenomenin e Tires, që për mua nuk përfaqëson komunitetin e mjekëve dhe infermierëve, por përfaqëson një sëmundje brenda sistemit shëndetësor, është e kotë ta diskutojmë e ta mohojmë e është një sëmundje që nuk mund të shërohet duke pritur thjesht që njerëzit të denoncojnë, apo duke marrë Tiren e çuar në burg dhe duke i thënë të tjerëve në burg do përfundoni të gjithë ju që bëni si Tirja, por duke krijuar nga ana tjetër motivimin brenda sistemit”.