Takimi i Kryeministrit Edi Rama me përfaqësues të institucioneve financiare, sipërmarrjes, bankave dhe ekspertë për lançimin e programit të ri kombëtar “Një miliardë për rindërtim”:
Përshëndetje të gjithëve!
Organizojmë këtë takim me përfaqësues të sipërmarrjes dhe të bankave për lançimin e një programi të ri kombëtar, “Një miliardë për rindërtim”. Programi synon të vërë në lëvizje një kapital të konsiderueshëm për të nxitur me një intensitet shumë më të lartë se deri më sot, një proces rindërtimi të gjithanshëm që ka nisur, por që ka të domosdoshme një financim më masiv anembanë vendit për infrastrukturën rrugore, infrastrukturën arsimore dhe infrastrukturën shëndetësore.
Programi është një ftesë për sipërmarrjen dhe për bankat që të përfshihen në një proces partneriteti me qeverinë për të bërë të mundur realizimin në një kohë të shpejtë të një numri të konsiderueshëm projektesh dhe duke garantuar nga pikëpamja financiare, financimin sipas afateve të përcaktuara kontraktuale të çdo projekti nga ana e buxhetit të shtetit, në një shtrirje të arsyeshme në vite.
Ky program është përgatitur duke dialoguar me bankat, me sipërmarrjen, me ekspertë vendas e të huaj për sisteme të ngjashme financimi të infrastrukturës publike dhe ka një listë projektesh. Një pjesë e tyre janë projekte që ne i disponojmë, një pjesë tjetër janë projekte që duhen konceptuar e duhen hartuar nga të interesuarit dhe bazohet mbi një listë prioritare.
Synojmë që me këtë program të adresojmë disa probleme të rëndësishme të infrastrukturës rrugore nacionale, të adresojmë nevojën për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e zonave turistike. Për këtë arsye, projektet shtrihen nga lart, në rrugën që lidh pjesën urbane të veriut me Thethin, deri poshtë në Vlorë, Gjirokastër apo Berat. Pjesë e këtij programi është edhe rruga e Arbrit, për të cilën kanë nisur procedurat dhe është projekti i parë, i cili përfshihet në këtë program dhe për të cilin ka një procedurë të nisur, bazuar në legjislacionin në fuqi, nga Ministria e Transporteve.
Gjithashtu synojmë që të financojmë përmirësimin e infrastrukturës në zonat me zhvillim intensiv bujqësor.
Tek arsimi, ky program ka një rëndësi themelore, pasi na jep mundësinë që në një kohë të shkurtër të mund të financojmë e të ndërtojmë një numër shkollash që, përndryshe, me kushtet dhe ritmet e financimit të buxhetit të shtetit do të kërkonin vite e vite të tëra. Ne synojmë që të ndërtojmë dhe rindërtojmë afro 150 shkolla në gjithë Shqipërinë, përfshirë dhe 6 shkolla ekselence të reja për arsimin profesional.
Infrastruktura shëndetësore ka si gravitet ndërtimin e një spitali ekselence, rajonal, në Fier dhe 10 qendra shëndetësore ekselence në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Dua të nënvizoj faktin se për gjithë këtë proces dhe këtë përfshirje masive të sipërmarrjes dhe të kapitalit privat në mbështetje të një programi kombëtar për infrastrukturën publike, përsëri qytetarët nuk do të paguajnë asgjë ekstra, siç është tanimë e qartë nga filozofia jonë e re e Partneritetit Publik, Privat, ku asnjëherë shteti nuk shpenzon paratë e tij për të favorizuar një subjekt privat, duke ngarkuar me barrë financiare qytetarët apo taksapaguesit.
Kemi trashëguar një histori të vështirë koncesionesh që kanë pasur një filozofi tjetër, ku për shërbime apo punë në favor të publikut, privatët paguheshin nga vetë publiku me tarifa ekstra. Kësaj trashëgimie, ne i kemi dhënë fund.
Edhe ky program bazohen në thjeshtë e vetëm planifikim buxhetor të Republikës së Shqipërisë në vite, për të garantuar realizimin në një kohë të shpejtë të një numri shumë më të madh projektesh se saç mundëson buxheti i shtetit, duke bërë të mundur për herë të parë që vendi të mund të financojë nga buxheti dhe nga ky partneritet mbi 1 miliardë dollarë në vit për investime publike. Po edhe ashtu duke garantuar të mos kemi asnjë luhatje në planin për uljen e borxhit publik dhe për mbajtën plotësisht nën kontroll të deficitit.
Vlen të theksohet se në këtë program do të ketë një hapësirë të re për një rritje të ndjeshme punësimit. Është një program që do të krijojë punësim të konsiderueshëm, pasi bëhet fjalë për qindra kantiere të reja që do të hapen dhe do të jenë në punë në harkun e dy-tre viteve të ardhshme. Programi do të sigurojë të ardhura të reja për buxhetin e shtetit, si pasoje e detyrimeve që do të vilen nga këto projekte dhe do të bëjë atë që ne e kemi pasur ambicien e madhe të ditës se parë; të kemi një rritje ekonomike mbi 5 %.
Nuk po e ekzagjeroj në projeksionet e arsyeshme të bëra nga specialistët tanë për impaktin e këtij programi në rritjen ekonomike, pasi mund të shkojmë në shifra më të larta, mund të shkojmë në 7 apo 8, por ajo që mbetet e rëndësishme dhe plotësisht e sigurt është ta kalojmë mbi 5 %. Një rritje mbi 5% do të ketë një impakt shumë të ndjeshëm në ekonominë familjare dhe do t’i japi një impuls tjetër të madh rritjes së më tejshme të konsumit.
Dua të nënvizoj për opinionin publik se në 3 mujorin e parë të vitit 2016, në Europë jo vetëm që është rritur numri i vendeve që mbështeten në modelin e Partneritetin Publik, Privat, por janë firmosur kontrata të Partneritetit Publik, Privat me vlerë të përgjithshme mbi 8 miliardë euro. Vetëm në Gjermani, për ndërtim rrugësh shkollash, burgjesh dhe spitalesh janë në ekzekutim 100 kontrata Partneriteti Publik, Privat. Tre autostrada të madha në Gjermani, në Francë dhe Sllovaki dhe një ndër bazat më të mëdha ushtarake në Europë, në Britaninë e Madhe, janë projekte të miratuara së fundmi mbi formulën e Partneritetit Publik, Privat. Mund të rendis pafund projekte të tilla, por dua ta mbaroj fjalën duke përkufizuar mbi bazën e një studimi të fundit të Bashkimit Europian, këtë fakt: Partneritet Publike, Private kanë avantazhin e të pasurit një ndikim të menjëhershëm ekonomik dhe social, duke mundësuar asete apo shërbime të rëndësishme publike në një kohë të shkurtër, gjë e cila nuk mund të bëhet e mundur nëpërmjet procedurave klasike, të mbështetura nga fonde buxhetore.
Faleminderit!