Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën e nivelit të lartë “Aftësitë për të ardhmen – Europa Juglindore”:
Ju jam shumë mirënjohës për këtë ftesë. Jam mirënjohës këtij programi dhe e konsideroj këtë moment të Konferencës si një mundësi për të reflektuar mbi gjëra që janë bërë dhe mbi gjëra që ende duhen bërë.
Sigurisht që, unë nuk jam shumë i dhënë pas seminareve, workshop-eve, konferencave, sepse në të kaluarën është shpenzuar shumë kohë në të tilla aktivitete, të cilat nuk kanë rezultuar të frytshme. Por në të njëjtën kohë, besoj fort se ajo për ç’ka po flisni këtu dhe për të cilën jemi mbledhur këtu, të gjithë sëbashku, është tej mase e rëndësishme për këtë vend. Është tej mase e rëndësishme për këtë vend, në një moment shumë të veçantë, në të cilin po eksperimentojmë ezaurimin e një modeli zhvillimi, një modeli që ka qenë i fokusuar në shfrytëzimin e gjithë resurseve tona dhe potencialëve në një mënyrë tejet të paqëndrueshme.
Ndaj, ne sot jemi në një farë mënyre si një familje e cila gjenet në vështirësi, sepse vetëm në dy ditët e javës, të hënës dhe të martës ka bërë “rrush e kumbulla” gjithë furnizimet që duhet t’i mjaftonin për një javë. Tani që afrohet e mërkura, ne jemi duke u munduar fort të gjejmë dhe të zhvillojmë burime të reja rritjeje dhe të ndryshojmë modelin tonë të zhvillimit, nga një modeli bazuar në disa burime të cilat mesa duket nuk ekzistojnë më, – si për shembull bumi i ndërtimeve, ose të ardhurat e emigrantëve, dhe gjithashtu edhe kreditimi i qeverisë i pavullnetshëm nga kompanitë, – në një model që duhet të jetë i bazuar në qëndrueshmëri dhe në një përdorim shumë koherent dhe të qëndrueshëm të resurseve tona, si nafta dhe gazi, mineralet, turizmit, bujqësi dhe sigurisht, industria. E, kur bëhet fjalë për rëndësinë madhore të modelit tonë të arsimit, i cili duhet gjithashtu të ndryshojë, sepse ka qenë një model i bazuar në iluzionin e madh se gjithkush mund të bëhet avokat dhe se për gjithkënd ekziston mundësia për t’u bërë ekonomist. Çdokush kishte mundësinë të shkonte në universitet, pa kaluar nëpërmjet procesit të bazuar në konkurrim dhe në meritokraci, por duke kaluar nëpërmjet një procesi të bazuar mbi mundësinë për të paguar. Dhe në këtë mënyrë, ne kemi humbur shumë aftësi, kemi humbur shumë kohë dhe kemi humbur, gjithashtu, shumë mundësi të tjera për të ndërtuar diçka cilësore.
Dhe ja tek jemi duke provuar faktin se tek e fundit, vendet nuk ndryshojnë nga njëri-tjetri në bazë të asaj që kanë, por në bazë të asaj që dinë. Sepse duke u bazuar në ato çfarë ne kemi, ne mund të pretendojmë për t’u bërë një vend i zhvilluar mirë. Ne kemi gjithçka që vendeve në madhësi sa vendi ynë dhe me popullsi sa e jona u nevojitet për të qenë vende të zhvilluar. Ne jemi vendi i dytë më i pasur në Europë përsa i përket burimeve ujore. E, pavarësisht kësaj, kush jeton këtu i njeh shumë mirë vështirësitë për të furnizuar familjet me ujë 24 orë, vështirësitë për të vaditur fushat, vështirësitë për të zgjidhur problemin e energjisë elektrike, edhe pse mendohet se jemi një nga vendet me potencialin më të lartë të hidrocentraleve.
Ndaj, krahasuar me vende si Izraeli, që nuk kanë ujë, por që kanë sistemin hidrik më të mirë në botë, pyetja lind shumë natyrshëm: Cili është shkaku i këtij ndryshimi? Dhe unë mendoj që shkaku është dija. Dija dhe sigurisht, institucionet. Ne na mungojnë institucionet dhe nga mungon dija që bën ndryshimin midis vendeve. Nga ana tjetër, ne kemi probleme të mëdha psiko-sociale, të cilat duhet t’i superojmë. Sepse gjatë gjithë këtyre viteve u kemi mësuar brezave të rinj që jeta do t’u ecte mirë po të kishin një diplomë. Dhe kështu, në një farë mënyre, kemi krijuar një gropë të madhe aty ku vendi ynë ka nevojë për forcë pune, në të gjitha llojet e zanateve. Vendi ynë, i cili po mundohet të marrë investime të huaja direkte, pa arritur të mbushë këtë gropë, është në hall. Ndaj, shikojmë që ka investime në energji dhe pastaj kompanitë janë të detyruara të organizojnë kurse formimi për të trajnuar vetë forcën e tyre të punës. E njëjta gjë ndodh me sektorin e naftës dhe të turizmit. Atë që ne po përpiqemi të bëjmë tani, është pikërisht ky ndryshim, si edhe të hapim një rrugë të re dhe t’u japim të rinjve jo vetëm alternativën e universitetit për një jetë të mirë, por alternativën e universitetit për ata që janë të aftë ta meritojnë atë. Dhe alternativën e shkollave profesionale për ata që do zhvillojnë aftësitë e tyre, të bëjnë para dhe pse jo, të hapin dhe një aktivitet të vetin.
Ndaj, përsa i përket kësaj, unë besoj se ne më në fund kemi, falë këtij programi, një strategji të mirë, edhe pse, sinqerisht, nuk besoj shumë tek strategjitë. Jam skpetik. Ndërsa tek kjo strategji – për të cilën gjeta kohën dhe durimin të lexoj, sepse jam i interesuar – gjeta mjaft gjëra të mira. Ne i jemi referuar shumë strategjive gjatë gjithë këtyre viteve, më shumë sesa vendet e zhvilluara, por në fakt nuk kemi arritur shumë, ndaj dhe jemi në këtë gjendje. E, nëse s’gabohem, vetëm në arsim kemi pasur 7 strategji kombëtare në 20 vjet. Dhe kemi pasur 2 strategji të ndryshme brenda një mandati, të së njëjtës ngjyrë qeverisëse, vetëm sepse kemi pasur 2 ministra të ndryshëm. Njëri ministër ka pasur një strategji, ndërsa tjetri ka pasur një strategji krejt të ndryshme. E njëjta parti, e njëjta Qeveri, i njëjti mandat.
Ne jemi vendi që kemi pasur numrin më të lartë të universiteteve për frymë në Europë dhe numrin më të ulët të diplomave të vlefshme në Europë. Por kjo strategji është diçka që unë e vlerësoj, pikësëpari, sepse nuk ka të bëjë vetëm me faktin e të pasurit qëllime të mira në lidhje me arsimin profesional. Por ka të bëjë me mënyrën sesi mund të përputhet sektori privat me arsimin dhe me mënyrën sesi mund t’u japim njerëzve mundësinë që të kuptojnë, nëpërmjet kohës së studimit, se po mësojnë diçka të dobishme dhe se mund të ndërtojnë një jetë të mirë. Deri tani, në fakt, në shkollat tona profesionale njerëzit kanë mësuar si të rregullojnë një llampë pa patur instrumentet e duhura, por vetëm një tabelë të zezë ku ka qenë vizatuar llampa dhe disa tela dhe teoria që shpjegonte si t’a rregulloje llampën. Ndaj dhe nuk ishte çudi që klasat të boshatiseshin. Kam parë strategji që kanë falimentuar në mëyra spektakolare; para të investuara, shkolla të bukura, fjalime të bukura, inaugurime të bukura, ambasadorë të BE-së, ministra të Arsimit, komuniteti dhe më pas askush s’ka mbetur më aty dhe shkolla mbetej bosh. Kjo, sepse mungonte lidhja e rëndësishme midis arsimit dhe punës së vërtetë. Midis procesit të të mësuarit dhe procesit të vënies në praktikë. Ndaj, mendoj se ju e dini më mirë se unë se ç’do të thotë kjo, se cilat janë problemet dhe se ku kemi dështuar ne gjatë gjithë këtyre viteve në adresimin e problemeve.
Do doja të mbyllja fjalën time duke thënë – dhe duke shpresuar që nuk kam thënë gjëra të mërzitshme që do thoshte zakonisht një Kryeministër – se jemi duke parë rezultate pozitive, ose le të themi rezultate inkurajuese, thjesht duke ndryshuar profilet e shkollave dhe duke i lidhur ata me ato të sipërmarjeve. Kemi patur 40% regjistrime të reja, në modelin tonë të ri, por që gjithësesi mbetet një numër relativ. Sepse është 40% më shumë se në të kaluarën, kështu që mbetet një përqindje ende shumë e ulët. Por, ne na pëlqen të luajmë me numrat, ndaj dhe unë them 40% është diçka mjaft e madhe. Dhe realisht është diçka e madhe, sepse është një fazë shumë e vështirë kur ne duhet t’u themi njerëzve, festa mbaroi, diplomat nuk ju garantojnë jetën që po kërkoni nëse nuk keni aftësitë e duhura për t’u përballur me tregun. Të rinjtë po e kuptojnë këtë, ndoshta pak me ngadalë, por rëndësi ka që do ta kuptojnë.
Gjithashtu, edhe shifrat që marrim nga Zyra Kombëtare e Punës janë inkurajuese. Ka shumë kërkesa nga njerëzit, si dhe numër të konsiderueshëm personash që po punësohen nga kompanitë, si dhe feedback nga kompanitë të cilat kërkojnë njerëz të aftë. Për ta përmbledhur, do të thosha se ne jemi thjesht në fillimin e luftës sonë lidhur me këtë çështje. 6000 persona në arsimin profesional nuk është një numër i madh, por ky është vetëm viti i parë i një qasje të re. Kjo shifër është e njëjtë me atë të vitit 1994. Normalisht, do na duhej ta krahasonim me vitin 2024, por viti ’94 na shënon rënien e një sistemi që ishte i bazuar në arsimin profesional. Ndaj dhe ne shpresojmë ta rrisim këtë numër gjithnjë e më shumë në vitet që do vijnë. Unë mendoj që është një detyrë ambicioze, sepse është absolutisht e mundur dhe e realizueshme. Ju falënderoj shumë për gjithçka keni bërë. Jam shumë mirënjohës për programin, në veçanti, sepse ka qenë shumë i rëndësishëm për ne. Nuk e di sesa mirë keni qenë më parë, por për ne keni qenë shumë të mirë. Shpresoj të vazhdojmë të përfitojmë nga ekspertiza juaj dhe nga asistenca juaj. Absolutisht, besojmë se shifrat do të vazhdojnë të rriten në këtë aspekt, gjë që mendoj se është ajo çfarë do të na ngushëllojë në fund. Jo thjesht për të thënë që kemi strategji, por që edhe kemi shifra që rriten në bazë të këtyre strategjive. Strategjia është një instrument shumë i rëndësishëm dhe shpresojmë do të mund të ushqejmë këtë model të ri që përpiqemi të ndërtojmë, duke siguruar që njerëzit të kenë aftësi profesionale në të gjithë sektorët; duke mundësuar mënyra të reja të rritjes dhe duke ndryshuar në mënyrë definitive kapitullin ku bazoheshim vetëm mbi atë çfarë përfitonim nga remitancat apo nga boom-i i ndërtimeve, apo nga kreditimi jovullnetar nga kompanitë. Sepse mendoj që kjo ka marrë fund dhe duhet të marrë fund, përndryshe do të ishte një katastrofë.
Faleminderit shumë!
***
Ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendeve të Europës Juglindore diskutuan sot, në Tiranë, se si rajoni të konceptohet një treg i përbashkët pune.
Konferenca e nivelit të lartë “Aftësitë për të ardhmen – Europa Juglindore”, organizohej nga Fondacioni Europian i Trajnimit (EFT), agjenci e Komisionit Europian. Ajo i shërben edhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve, pasi koordinon standardet profesionale për tregun rajonal të punës.
Në punimet e konferencës mori pjesë edhe Kryeministri Rama, ku gjatë fjalës së tij vuri theksin në rëndësinë e orientimit të arsimin profesional drejt kërkesave të tregut të punës.
Znj. Madlen Serban, përfaqësuese e Fondacioni Europian i Trajnimit (ETF) e mirëpriti dhe vlerësoi qëndrimin e Kryeministrit Rama për vijim të bashkëpunimit. Ajo nënvizoi, gjithashtu, se pjesë e zgjidhjes është që të punojmë së bashku dhe jo të izoluar.
Qasja e Shqipërisë është vlerësuar maksimalisht dhe iniciativat e ndërmarra prej saj , – rritja e kapaciteteve me afro 40 % në arsimin profesional, çelja e Zyrave të reja të Punës, etj., – janë cilësuar si tepër inkurajuese. Hapat pozitivë të Shqipërisë në këtë drejtim bënë që kjo konferencë për Europën Juglindore të mbahej në Tiranë.