Lalmi i Ri, në Lezhë është një nga lagjet e ngritura në vitet ‘90-të dhe e lëna si një gangrenë për banorët e izoluar në kurthin e një infrastrukture tërësisht jashtë funksioni. Sot, kjo panoramë është veçse e kaluara e saj, thotë kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, gjatë inspektimit që bëri Kryeministrit Edi Rama në zonë, ku po punohet intensivisht për Rikualifikimin Urban të lagjes dhe ndërtimin e rrugës së re, financuar nga qeveria, duke i bërë pjesët e qytetit të komunikojnë me njëra-tjetrën.
“Ka qënë një nga zonat më të lëna pas dore, e premtuar fushatë pas fushate. Është bërë rruga, rrugët e lagjeve, me trotuare, ndriçim e kanalizime. Po bëjmë një projekt edhe për kanalin, për ta integruar me rrugën. Po punohet me intensitet dhe me cilësi shumë të mirë. Ka qenë një zonë si në luftë, një rrugë skandaloze, ka qenë gangrene e kësaj zone. Tani është rikualifikuar e gjithë lagjja”, – tha kryebashkiaku Ndreu
Impakti i rrugës në përditshmërinë e banorëve është shumë i madh. “Ju falenderojmë për rrugën që kemi bërë! Kemi 30 vjet që jemi pa rrugë. Na kanë gënjyer!” – shprehet një prej banorëve.
Kryetari i Bashkisë Ndreu informoi gjithashtu se përmes një projekti të veçantë janë 72 pallate, të cilat janë futur në sistemin e forcimeve strukturore dhe të suvatimeve të brendshme dhe të jashtme.
Ndërsa lagja “Gurra” është një tjetër zonë e nxjerrë në dritë pas ndërhyrjeve rikualifikuese. “Ne kemi ndërhyrë edhe tek lagjja Gurrat, më e lënë pas dore historikisht. Kemi shembur edhe ndërtimet pa leje. Për herë të parë, ne ndërhymë për ta rikualifikuar dhe është bërë një punë e jashtëzakonshme”, – u shpreh kryebashkiaku Ndreu.