“Zoti ministër,
Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Zotërinj drejtorë,
Mes nesh, sot, është edhe një kuadër i thjeshtë, Bledar Naçi, nga Fieri, të cilin unë dua ta falenderoj publikisht, që shpëtoi dje një vajzë të mitur nga duart e një keqbërësi.
Ministri komunikoi mbrëmë me nënën e vajzës që nën presionin e madh të tronditjes prej rrezikut që kaloi vogëlushja e saj kërkonte pa pushim drejtësi, që të tjera vajza të mitura të mos rrezikohen prej planeve të mendjes së çoroditur të keqbërësit.
Drejtësi kërkojnë sot shumë nëna, në të katër anët e Shqipërisë. Shumë familje të përvëluara nga goditjet e pamëshirshme të krimit. Shumë më shumë akoma janë njerëzit dhe familjet që kërkojnë drejtësi për shkak të pasigurisë që padrejtësia krijon. Shumë janë arsyet pse gjithë shqiptarët kërkojnë sot drejtësi, por ndër të parat, besoj, është pasiguria që përhapet dhe hyn thellë e më thellë në shpirtin e një shoqërie që vuan presionin e forcës së padrejtësisë. Ja pse sot, të jesh në krye të Policisë së Shtetit është më shumë sesa të kryesh një detyrë shtetërore. Është një mision për të lehtësuar shoqërinë, njerëzit dhe familjet e zakonshme nga pesha e rëndë e pasigurisë, nga ndjesia sfilitëse e pabarazisë përpara ligjit dhe pafuqisë para të fortëve të çdolloji, nga sasia e papranueshme e energjive negative që përçojnë brenda çdo familje shqiptare veprat e krimit, korrupsionit, abuzimit dhe arbitraritetit në rrugë, mbi prona publike dhe private, në mjedise komunitare, në hapësira ku familjet e zakonshme, gjyshet dhe gjyshërit, prindërit, nënat me karroca bebesh dalin për të qarkulluar, dalin për të marrë ajër, dalin për të kaluar orët e tyre të lira.
Ju, secili prej jush, sapo keni marrë një detyrë të lartë, shumë të vështirë, qoftë sepse profesioni që keni zgjedhur nuk është punë e lehtë, por qoftë dhe sepse në ditët që kalon ky vend, puna që kërkohet prej jush është shumë më e veçantë sesa në ditë të zakonshme.
Ne jemi këtu për të qenë në mbështetje të plotë, pa asnjë ngurrim dhe pa asnjë lëkundje, të misionit të lartë të Policisë së Shtetit dhe të çdo polici të zakonshëm të këtij vendi, duke mbështetur trupat e policisë në të gjithë territorin, përmes mbështetjes së vazhdueshme të secilit prej jush në kryerjen e detyrës së lartë.
Kemi trashëguar shthurjen më alarmante në Policinë e Shtetit, qysh prej vitit të mallkuar 1997. Kemi trashëguar një gjendje të rendit dhe të sigurisë publike që është e papranueshme, madje e paimagjinueshme për një vend që nuk është në luftë dhe që nuk është në një konflikt të armatosur brenda vetes. Jetojmë në një vend ku kërcënimi mbi pronën e përbashkët, mbi pasurinë e këtij populli, mbi trashëgiminë e të parëve tanë, që është detyrimi ynë karshi fëmijëve tanë, është i përditshëm dhe i përnatshëm. Jetojmë në një vend ku çdo ditë dhe çdo natë humbasim pjesë të kësaj pasurie, humbasim pyje, humbasim plazhe, humbasim tokë buke, humbasim shtretër lumenjsh, humbasim pemë të mbjella me dhjetëra e me qindra vite më parë, rrënjë ullinjsh që në çdo vend normal dhe për çdo shoqëri normale konsiderohen pasuri e përbashkët natyrore dhe thesar i përbashkët për t’u ruajtur si drita e syve.
Vetëm 48 orë më parë të gjithë ishim dëshmitarë të një shëmbëlltyre të asaj që humbasim çdo ditë dhe çdo natë prej thesarit të trashëgimisë sonë kulturore. E pamë të gjithë, u çudit mbarë bota, lajmi mori dhenë dhe u shfaq në gazetat dhe në mediat më prestigjioze të planetit, sesi një muze i tërë ndodhej në duar të trafikantëve, ndërkohë që ishte grabitur nga thesari i përbashkët që duhet ta ruajë shteti. Nuk ka nevojë për shumë imagjinatë për të parafytyruar sesa shumë shëmbëlltyra të tilla zhduken pa i parë sytë tanë.
Jetojmë në një vend ku s’duhet ta harrojmë se përshkallëzimi i krimit dhe rritja e numrit të veprave të krimit ka njohur hove të papranueshme për një shoqëri që nuk është në luftë. Viti 2012 u mbyll me 20 688 krime, ndërkohë që 2005 ishte mbyllur me 8 250 krime. Sigurisht që siç ndryshon shoqëria, siç përparojnë mjetet e shoqërisë, ato të ligjshmet, për të rritur cilësinë e bashkëjetesës, siç rriten dijet në çdo fushë, ju e dini më mirë se unë se rriten edhe dijet e krimit, zhvillohen edhe mjetet me të cilat operon krimi dhe pa asnjë dyshim, sofistikohet edhe vetë krimi, por, nga ana tjetër, ne jemi këtu për ta ndalur rritjen e mëtejshme të krimit dhe për të filluar ta zmbrapsim krimin duke e kthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës.
Braktisja e detyrës nga kupola e deridjeshme e Policisë së Shtetit dhe transformimi i kupolës së Policisë së Shtetit në një mjedis ku më shumë sesa detyra e lartë dominonin interesa që ishin në kundërshtim të plotë me detyrën, është hapi i parë që ne sot të kemi një skuadër të re drejtuese të Policisë së Shtetit. Ne sot kemi një trupë drejtuese të përzgjedhur me kujdesin më të madh, duke kërkuar në radhët e shërbëtorëve të këtij shteti, nën uniformën blu, njerëzit më të përshtatshëm për të kryer një reformë të thellë dhe për të ndërmarrë një aksion historik të Policisë së Shtetit, që do të rivendosë raportet e drejta mes shoqërisë, pasurisë së përbashkët dhe pa asnjë dyshim, mes individit dhe pronës, publike ose private, duke garantuar jetën e çdo individi si jetën e një anëtari të familjes tonë.
Ju jeni zgjedhur me kujdesin më të madh dhe me besimin e plotë se do të dini të jeni në lartësinë e detyrës. Por, secili prej jush duhet ta mbajë detyrën e lartë me punë të ndershme dhe me rezultate të prekshme. Nëse në përzgjedhjen tuaj ka folur karriera juaj, kanë folur punët tuaja, kanë folur njerëzit me opinionet e tyre pozitive, nga sot e pas, për secilin prej jush do të flasin vetëm rezultatet.
Reforma që sapo ka nisur dhe që ka kaluar vetëm fazën e parë, me ndryshimin e plotë, rrënjësor dhe tërësor, të majës së piramidës së Policisë së Shtetit, do të prekë të gjithë zinxhirin e përgjegjësive, por edhe do të transformojë cilësinë e burimeve njerëzore në dispozicion të popullit shqiptar, nën uniformën blu. E, kjo fazë e parë e reformës ka hedhur hapin e parë, për të afruar policinë e këtij shteti me shtetasit e këtij vendi, për të afruar uniformat blu me qytetarët, duke ndrequr një defekt organik të strukturës së mëparshme të përgjegjësive dhe të zinxhirit të komandës në Policinë së Shtetit, si dhe duke shënuar hapin e vendosur, të parin hap, drejt demokratizimit dhe transparencës të Policisë së Shtetit.
Kemi sistemuar piramidën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë duke bërë një përmbysje rrënjësore. Nga 811 oficerë të lartë që ishin tërësisht të shkëputur me realitetin, mbledhur të tërë në një strukturë amorfe, thuajse të paralizuar, tërësisht ineficente ne do të kalojmë në 255 funksionarë. Ndërkohë që, të gjitha funksionet e tjera që më parë ishin pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë do të zbresin në terrenin e betejës me krimin dhe në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë. Beteja jonë është betejë për të zmbrapsur si asnjëherë tjetër krimin dhe është betejë për të emancipuar Policinë e Shtetit si një forcë, që është forca me të cilën mbrohet qytetari.
Kjo reformë synon në këtë fazë të parë ta profilizojë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë si një trupë strategjike, drejtuese dhe monitoruese dhe nga ana tjetër, të fuqizojë trupën policore operacionale me funksione të drejtpërdrejta. Arsyeja pse ne jemi këtu sot, së bashku, është sepse unë dëshiroj t’ju drejtohem si një skuadër dhe sepse besoj që suksesi i kësaj reforme dhe suksesi ynë i përbashkët, në shërbim të qytetarëve shqiptarë, në mbrojtjen e jetës dhe të pronës së tyre, lidhet me suksesin tuaj jo si individë, por si skuadër e përbërë nga individë të suksesshëm, që janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, që ndërveprojnë, që komunikojnë dhe që shkojnë të gjithë në të njëjtin drejtim.
Pa asnjë dyshim, kjo është një piramidë dhe pa asnjë dyshim, zinxhiri i komandës është i qartë. Pa asnjë dyshim, urdhrat vijnë nga lart poshtë, nga Drejtori i Përgjithshëm deri tek strukturat dhe individët më poshtë. Por, po ashtu, pa asnjë dyshim, suksesi i Policisë së Shtetit, sot, është suksesi i kësaj skuadre. Ajo që duhet të ndryshojë dhe unë jam i bindur që do të ndryshojë, është funksionimi i Policisë së Shtetit si një skuadër, në mbrojtje të jetës dhe të pronës së qytetarëve dhe në mbrojtje të pasurive të atdheut tonë të përbashkët.
Kemi fuqizuar komisariatet, kryesisht komisariatet në zonat me lëvizje më të mëdha demografike, ose në qytetet që mbi bazën e analizës dhe statistikës policore rezultojnë me potencialin më të madh kriminal. Kemi hedhur një hap të drejtë për ta rikonceptuar dhe për ta ndërtuar së bashku, hap pas hapi, Policinë e Shtetit si partnerin, institucionin partner, me qytetarin.
Pa asnjë dyshim parimet e shumëpërfoluara dhe të shumëdiskutuara në vite të policimit në komunitet, duke konsoliduar institucionin e Inspektorit të Rendit, mund të kthehen nga parime të bukura për t’u folur e për t’u dëgjuar, në parime të jetësuara në punën e përditshme të Policisë së Shtetit. Inspektori i Rendit, i vendosur falë kësaj reforme në pozicionin e duhur, do të garantojë njohjen e faktorëve socialë dhe ekonomikë që nxisin kriminalitetin, por edhe njohjen e imët të faktorëve kriminalë.
Kemi realizuar me këtë fazë të parë të reformës, shkrirjen e Policisë Rrugore nga një komisariat më vete në pjesë integrale me komisariatet e Policisë së Shtetit. Po shkojmë drejt objektivit të Një Policie që është e unifikuar në qëllime, por njëkohësisht është tërësisht e integruar në mekanizmat që mbrojnë- do ua përsëris sot e pa u lodhur për vite të tëra deri kur ta kemi marrë mbrapsht suksesin që kërkojmë, -jetën e çdo qytetari dhe pasurinë e përbashkët të këtij populli, si dhe pronën private të çdo shqiptari. Kjo do të thotë se Policia e Shtetit do të marrë përsipër të mbrojë çdo metër katror të Republikës së Shqipërisë, të mbrojë çdo metër katror tokë buke, të mbrojë çdo metër katror plazh, të mbrojë çdo metër katror kodër, pyll apo shtrat lumi, të mbrojë burimet tona ujore, të mbrojë burimet tona natyrore, të mbrojë çdo burim të mirëqenies së këtij populli dhe të garancive të mirëqenies për gjeneratat e tjera. Që do të thotë se ne duam që Policia e Shtetit t’i përgjigjet qytetarëve, kur ata janë pre e kërcënimeve për pronën e tyre, apo kur ata ngrenë zërin për të mbrojtur pronën e përbashkët dhe jo më t’i adresojë tek ky inspektorat, tek ai inspektorat, tek ai inspektorati tjetër, tek ajo forca tjetër dhe tek ajo forca tjetër akoma.
Ne presim që shkrirja e Policisë Rrugore në komisariate të japë një rezultat të menjëhershëm, për të përmirësuar qarkullimin rrugor si pjesë integrale jo vetëm e përpjekjes për të garantuar normalitet për jetën e qytetarëve, por edhe e përpjekjes për ta pasur më lehtë betejën me krimin. Në kaos dhe në rrëmujë krimi është në shtëpinë e vet. Aty ku ka rregull dhe disiplinë, bazuar në ligje dhe bazuar në ato që i kemi përcaktuar si rregulla të përbashkëta të bashkëjetesës, krimi është shumë më lehtësisht i identifikueshëm dhe shumë më lehtësisht i goditshëm.
Kemi nisur një reformë ligjore të Kontrollit të Brendshëm dhe të inspektorateve, të standardeve në Policinë e Shtetit, me synim ngritjen në nivelin më të lartë të demokratizimit dhe transparencës së punës së Policisë së Shtetit. Kjo reformë do të ndërtojë instrumentat e komunikimit qytetar në Policinë e Shtetit dhe të kontrollit qytetar mbi Policinë e Shtetit, që besoj dhe uroj që të jetë pjesë e qëllimit të secilit prej jush, që policia të jetë nën kontrollin e qytetarëve dhe që kontrolli i qytetarëve të jetë për ju, një nga pikat e palëvizshme të referimit, në gjykimin e performancës dhe vijës së sjelljes të çdo trupe dhe çdo individi që shërben nën uniformën e Policisë së Shtetit.
Presim nga këto ndryshime, në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe përmes inspektimeve, rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit brenda Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit, fatkeqësisht, është sot një organizëm i prekur thellë nga krimi dhe nga korrupsioni. Përndryshe, nuk do të ishim sot këtu, me një skuadër tërësisht të re drejtuese të saj dhe përndryshe, nuk do të ishim këtu bashku me Ministrin e Brendshëm përpara kësaj skuadre, për të kërkuar që të gjithë ju të veproni me të njëjtën peshë përgjegjësie dhe me të njëjtin sens vlerësimi të meritës, siç u veprua në përcaktimin tuaj sot, si drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Po ashtu, është piketuar përmes kësaj faze të parë të reformës, ngritja e Shërbimit të Unifikuar ndaj qytetarëve në çdo komisariat, si një Stacion i Unifikuar i Shërbimeve burokratike që, sot, Policia e Shtetit ka detyrë ndaj qytetarëve. Krijimi i Stacioneve të Unifikuara të Shërbimeve çliron, nga njëra anë oficerët e Policisë së Shtetit nga barra e tepërt burokratike, duke i fokusuar në përmbushjen e detyrës, por njëkohësisht, garanton përmirësimin e standardeve të shërbimit të Policisë së Shtetit ndaj qytetarit.
Unë dua sot t’i falënderoj të gjithë ata që në këto detyra kanë bërë sa kanë ditur, sa kanë mundur dhe shpesh herë e kanë bërë me mundim dhe sakrifica, sepse pa asnjë dyshim, jo të gjithë mund të futen në një thes dhe jo për të gjithë mund të thuhen fjalët e hidhura që sot çdo shqiptar i zakonshëm i rezervon një Policie Shteti që u kthye në “mish për top” dhe që u bë peng i interesave të krimit. U bë peng i protagonistëve të korrupsionit. U bë peng i një inercie rrënuese të rrënimit të përgjithshëm që, fatkeqësisht, kaploi gjithë vendin tonë.
Por njëkohësisht dua t’ju shpreh të gjithëve ju urimin më të sinqertë dhe shpresën më të madhe që të jeni në lartësinë e besimit të madh që keni marrë dhe që të ndjeni peshën e jashtëzakonshme të misionit tuaj sot, duke mos e harruar që secili prej jush është djali i një nëne, është prind fëmijësh, është burri i një bashkëshorteje dhe se njësoj si nënat tuaja, njësoj si fëmijët tuaj, njësoj si bashkëshortet tuaja, nënat, gratë, fëmijët e këtij vendi, meritojnë mbrojtje. Meritojnë të ndjehen të mbrojtura në radhë të parë nga ju. Meritojnë të ndjejnë praninë tuaj, praninë tuaj si bij jo vetëm të një nëne por të këtij vendi, që keni marrë përsipër sot një detyrë që është shumë më e lartë në këto kushte, sesa detyra e zakonshme e një drejtuesi policie në vende të tjera, ku sundon normaliteti dhe jo arbitrariteti, ku ligjin e bën ligji dhe jo më i forti, ku beteja me krimin është shumë më e sofistikuar, por edhe shumë më e izoluar dhe jo një betejë me krimin që shfaqet në çdo sekondë, në çdo kthesë, në çdo rrugë, në çdo mjedis, qoftë në formën e mostrave në kërkim që sot livadhisin të lirë dhe kur hyjnë nëpër mjedise publike krijojnë më shumë respekt prej frikës, qoftë edhe në formën e abuzimit me presionin e forcës ndaj një të moshuari, ndaj një çifti të rinjsh që janë në jetën e tyre, ndaj një nëne me fëmijë, apo ndaj një mjedisi të tërë ku njerëzit mblidhen për të kaluar kohën e lirë dhe ku shpesh e më shpesh gjenden nën presionin e lloj lloj rrugeçërish.
Ju sot keni marrë përsipër një detyrë, që pa asnjë dyshim, është edhe rasti juaj pas një karriere me ulje ngritje dhe ulje, për të treguar vlerën e madhe që ka profesionalizimi dhe përkushtimi në karrierë. Jeni të gjithë njerëz që nuk keni ardhur në këto pozicione, as nga rekomandimet e partisë, as nga rekomandimet e klaneve të të fortëve, as nga rekomandimet e kujtdo qoftë tjetër, përveçse nga rekomandimi që përbën karriera juaj dhe puna juaj në gjithë këto vite. E pra, sot është dita që ju të tregoni vlerën e një karriere të bërë mes një mijë e një sakrificash dhe vështirësish, përmes shumë padrejtësish, duke ruajtur dinjitetin e uniformës dhe dinjitetin e emrit të familjes suaj. Por, njëkohësisht, është dhe dita të ktheni sytë nga të tjerët. Dhe, njësoj siç jeni ju këtu, për shkak të vlerësimit të karrierës, për shkak të vlerësimit të meritës, për shkak të vlerësimit të dinjitetit, me të cilën ju keni bërë detyrën, ju të respektoni karrierën, ju të respektoni meritën, ju të respektoni dinjitetin e të gjithë të tjerëve që do të duhet t’i përcaktoni vendin që kanë në hierarkinë e Policisë së Shtetit. Mos lejoni që atë që nuk do të dëshironit t’ju ndodhte ju, duke ju ngrënë hakun në karrierë, ta përjetojnë të tjerë për shkakun tuaj. Shikojini drejt e në sy të gjithë vartësit tuaj, zgjidhni më të mirët. Mos shikoni as majtas as djathtas, mos dëgjoni as majtas as djathtas. Ju nuk jeni shërbëtorët e askujt tjetër përveç se të popullit shqiptar dhe ju nuk udhëhiqeni në punën tuaj dhe në vendimmarrjen tuaj, nga asgjë tjetër përveçse nga fryma e Kushtetutës së Republikës dhe nga normat e edukatës suaj ushtarake dhe të vlerave që sot kanë bërë që ju të vishni këto uniforma të larta.
Unë ju siguroj se, për sa na takon, qoftë mua si Kryeministër i këtij vendi, qoftë ministrit të Brendshëm, si përgjegjësi i drejtpërdrejtë i mbarëvajtjes së të gjithë punës që do të duhet të bëjë Policia e Shtetit, në mbrojtje të jetës dhe të pronës publike apo private në këtë vend, do të keni mbështetjen më të madhe, mbështetjen më të ndershme, mbështetjen më të pakushtëzuar nga çfarëdo qoftë tjetër, përveç këtij qëllimi të madh dhe të përbashkët.
Keni përpara një periudhë kohe për të provuar vlerat dhe për të provuar forcën e profesionalizmin tuaj, të patrazuar nga politika, të patrazuar nga ndërhyrjet e politikës, të patrazuar nga interesa që politika, fatkeqësisht, ia ka imponuar Policisë së Shtetit për vite me radhë, të patrazuar nga asgjë tjetër përveçse nga kushtet jashtëzakonisht të vështira në të cilat duhet të zhvilloni veprimtarinë tuaj dhe nga sfidat që keni përballë. Ndër të cilat, sfida madhore është që në këtë vend, jo krimi, por shteti të bëjë ligjin, duke bërë që secili të jetë i barabartë para ligjit dhe asnjëri të mos ndihet i pafuqishëm kur respekton ligjin.
Edhe njëherë tjetër, ju falenderoj për marrjen e kësaj detyre të lartë. Ju falenderoj për kurajon me të cilën keni ardhur deri këtu. Ju falenderoj për gjithçka keni bërë deri më sot dhe ju uroj punë të mbarë.
Ju uroj sukses, për të mirën e këtij vendi, për të mirën e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, për të mirën e kësaj uniforme që ka ardhur koha ta vendosim aty ku e meriton, në piedestalin e respektit të këtij populli dhe sigurisht për të mirën tuaj dhe të familjeve tuaja.
Paçi vetëm sukses!
Nga ne do të keni vetëm mbështetje.
Faleminderit!
* Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me Drejtues të Policisë së Shtetit.