Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin “Një qytetar – një adresë”, ku u prezantua projekti për regjistrin kombëtar të adresave:

E vërteta është se nuk ka shembull më kuptimplotë për prapambetjen e thellë të Shqipërisë nga pikëpamja e shtetit, sesa fakti që Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe ndoshta nga të paktët vende në botë që sot e gjithë ditën nuk ka ende asnjë të dhënë të saktë dhe të besueshme sesa njerëz jetojnë brenda saj, sesa njerëz jetojnë jashtë saj dhe se ku jetojnë njerëzit që banojnë në territorin e saj.

Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, popullsia e Shqipërisë është rreth 4.4 milionë banorë. Në fakt, e vërteta është që jo vetëm ne nuk jemi familjarizuar me këtë shifër, por vazhdojmë flasim për Shqipërinë “3 milionë”, duke u vetëzvogëluar dhe kur vjen puna për ta lidhur këtë shifër me vendbanimin e secilit, është mision i pamundur.

Një libër i famshëm për territorin, i një prej autorëve më të njohur në botë për asetet dhe vlerën e tyre, fillon duke i kujtuar lexuesit se shumë rëndom, filmat amerikanë nisin me helikopterë, makina, ose me lidhje në radio që komunikojnë adresa. Pastaj vazhdon duke shpjeguar se në fakt tek adresat ndahen shtetet nga vendet pa shtet; shtetet funksionale nga vendet ku shteti është disfunksional. Si mund të funksionojë seriozisht dhe në shërbim të barabartë për të gjithë qytetarët, një shtet që nuk ka një regjistër serioz dhe me integritet adresash!

Shqipëria, sot është një vend ku flukset migratore të shqiptarëve nga vendi ynë jashtë kufijve të vendit tonë dhe flukset e brendshme migratore janë pothuajse të barasvlershme në peshë. Aq sa shqiptarët kanë lëvizur nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, kanë lëvizur edhe nga vendbanimet e tyre të dikurshme drejt vendbanimeve të reja, me prirjen për të shkuar më shumë drejt qendrave më të mëdha, Tirana e me radhë në qytetet e tjera. E gjithë kjo lëvizje, krejtësisht e kuptueshme dhe normale si një lëvizje që solli rënia e një regjimi ku çdo lëvizje ishte e planifikuar dhe e detyruar, nuk u materializua asnjëherë në një regjistër kombëtar adresash. Jemi pa asnjë diskutim i vetmi vend në Europë, por besoj edhe nga të paktët vende në botë, që shfrytëzonim njohurinë historike për t’u identifikuar dhe nuk kemi krijuar asnjë bazë të dhënash transparente dhe të aksesueshme për këdo, shtet apo individ, që i referohet regjistrit. E thënë ndryshe, jemi i vetmi vend në Europë që gjejmë shtëpinë me të pyetur, jo me një sistem që na çon drejt shtëpisë.

Kjo ka qenë qysh ditën e parë, një detyrë e imponuar nga domosdoshmëria për të bërë shtet. Sot jemi në procesin finalizues, gjashtëmujor, të një projekti të nisur qysh ditën e parë dhe të konsultuar gjerësisht, jo vetëm me një numër të konsiderueshme institucionesh, por edhe me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare e lokale në këtë fushë.

Ka shumë shembuj që mund të merren. Sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, në Shqipëri janë 1.3 milionë familje. Nëse bëjmë përputhjen e numrit të ndërtesave të identifikuar si ndërtesa banimi, me këtë numër familjesh, i bie 20 persona në një apartament, çka sigurisht nuk është e mundur. Vërtetimi i të gjithë këtyre shifrave dhe të dhënave nuk mund të jetë më në dorë të rastësisë, apo rrjedhojë e shpikjeve të reja që i kanë hapur rrugë një shfrenimi të madh fantazie, në mungesë kaq shumëvjeçare të një lidershipi, të një skuadre, të një programi, të një procesi qeverisës serioz për të bërë shtet në këtë vend.

Ky sistem është një nga reflektimet më besnike të pasqyrës së realitetit përkarshi politikës, mënyrës së qeverisjes dhe rezultateve të qeverisjes në 20 e kusur vitesh në këtë vend. Sot, shqiptarët janë shumë më tepër të vetëdijshëm, seç ishin tre vjet e pak më parë, për domosdoshmërinë që t’iu përgjigjen detyrimeve të tyre.

Ajo që ndodh me sistemin e shpërndarjes së energjisë është një nga shembujt më kuptimplotë të faktit se qytetarët e këtij vendi janë të vetëdijshëm dhe të gatshëm që të bëhen pjesë e një sistemi, ku me të drejtë kërkojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë, pra, secili sipas nivelit të detyrimit të vet dhe të jenë përfitues të barabartë nga rezultatet e kontributeve të tyre. Jo vetëm e kanë pranuar dhe e kanë përqafuar plotësisht politikën tonë të re, që nuk mundet disa ta paguajnë energjinë, disa jo e disa ta vjedhin, por të  gjithë duhet të paguajnë atë që konsumojnë dhe sot me të drejtë janë gjithmonë e më shumë në kërkim të përfitimit nga rezultati. Me të drejtë kërkojnë që, nëse po e paguajmë energjinë elektrike, duam një shërbim më të mirë, një furnizim më cilësor. Pavarësisht se ku banojmë në qendër të Tiranës apo në fshatin më të largët, përderisa janë kontribuues të barabartë, kërkojnë barazi në trajtim.

Kjo vlen në të gjithë sektorët. Vlen padyshim në sektorin e taksave. Si mund të jemi një vend më serioz, një shtet më funksional, nëse taksat nuk i paguajnë të gjithë, sipas barrës që buron nga fitimi, kush fiton më pak, të paguajë më pak, por të gjithë të paguajnë, nëse ne nuk kemi adresa! Disa janë aty ku janë të regjistruar dhe disa tjerë janë diku tjetër nga ku janë regjistruar. Si mund t’u shpërbejmë të gjithëve në mënyrë të barabartë, nëse disa shfaqen dhe disa nuk shfaqen në këtë sistem, i cili është sistemi themelor për të pasur një shtet që funksionon!

Në Kinë, çdo ditë dihet numri i saktë i popullatës, bazuar në “kush vdiq dje dhe kush lindi dje”. Kur them “dje” jo dje vitin e kaluar, por “dje” çdo ditë. Çdo ditë në Kinë të thonë ekzaktësisht sa janë. Shqipëria ka 26 vjet që nuk thotë dot sa njerëz ka. Është një gjë e paimagjinueshme, por fatkeqësisht reale!

Projekti do bëjë të mundur që më në fund, çdo adresë për çdo individ të gjendet lehtësisht përmes një numri unik personal të çdo qytetari shqiptar, si në të gjithë vendet normale, që kanë shtet normal. Numri personal përfitohet në lindje dhe humbet vetëm kur personi ndërron jetë. Nuk ndryshohet, nuk ngatërrohet, nuk ka dy njerëz me të njëjtin numër, pra, është një markë origjinale, e vetme, ekskluzive e shtetasit përkatës.

Duke e mirëkuptuar çdo qytetar, çdo familje për këtë situatë kaotike, ku tjetërkund je regjistruar, tjetërkund ke shtëpinë, tjetërkund strehohesh, i gjithë ky proces për gjashtë muaj do jetë falas. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë aktivë në këtë proces, të kontribuojnë drejtpërdrejtë duke dhënë të dhënat e tyre. Të mos dëgjojnë fjalët pa bereqet të atyre që e kishin detyrë ta bënin këtë punë, por ngaqë e kishin mandatin për të qeverisur, por jo kokën për të bërë shtet, e bënë Shqipërinë edhe më rrumpallë, seç e gjetën në momentin kur morën në dorë qeverinë. Pa dëgjuar ata, pa dëgjuar këdo qoftë, të dëgjojnë zëri e arsyes që thotë se ne në rrugën tonë për t’u bërë shtet, kemi nevojë të kemi një sistem adresash të saktë. Çdo qytetar, çdo familje në rrugën  e vet për t’u zhvilluar, për të qenë e sigurt, për të marrë shërbimet që dëshiron dhe meriton, ka nevojë të ketë të përputhur vendbanimin  me adresën. Tjetër gjë kur dikush ka një shtëpi këtu, një shtëpi diku tjetër. Ato janë shtëpi të regjistruara si asete, por vendbanimi është ai ku njerëzit banojnë.

Për gjashtë muaj, ky proces do të jetë falas. Mbas gjashtë muajsh do të jetë me pagesë dhe me gjobë. Kudo në të gjithë botën është detyrimi i qytetarit që të bëjë me dije vendbanimin e tij, por ne nuk mund t’ia vëmë këtë detyrim përpara njerëzve, për të cilët nuk është kujtuar kush gjithë këto vite dhe t’u themi tani paguani, se e keni detyrim. Jo do ta bëjmë falas, do ta paguajë shteti, por vetëm për gjashtë muaj. Nuk është diçka që e bëj ose jo, më pëlqen t’i jap të dhënat, i jap, nuk më pëlqen, ia përplas derën në fytyrë atyre që i paguan shteti për të bërë këtë punë për qytetarin e kushdo që do ta bëjë këtë, mbas gjashtë muajsh do detyrohet jo vetëm ta bëjë këtë që kërkohet, por të paguajnë edhe gjobë.

Vetëm kështu, ne mund të shkojmë më tutje, në rrugën tonë për të bërë shtet. Ministri i Energjisë bëri me dije të gjithë përfitimet e drejtpërdrejta që vijnë nga përputhja e vendbanimit me adresën në Sistemin e Regjistrit Kombëtar, në funksion të marrjes së një shërbimi cilësor nga operatori i shpërndarjes. Absolutisht në të gjithë sektorët ka vetëm përftim reciprok, për shtetin dhe për qytetarin, për familjet dhe për qeverinë vendore, që me këtë sistem, bazuar mbi kushtet e reja që ka krijuar reforma administrative-territoriale, do të jetë në gjendje të shërbejë shumë më mirë. Nga ana tjetër do të vihet në një pozitë shumë më të vështirë, në kuptimin e mirë të fjalës, pasi do të ketë përballë banorë të regjistruar dhe jo dikë, të cilit mund t’i thotë: Ik se nuk të njoh, sepse nuk e keni adresën këtu, e ke adresën aty ku ke qenë përpara se të vijë në Tiranë, apo përpara se të martoheshe, apo para se të merrje shtëpinë tënde të re.

Kjo është një punë që do të bëhet me një sistem të ngritur nga projekti. Njerëz të trajnuar do të trokasin derë më derë në të gjithë Shqipërinë dhe është me shumë rëndësi që gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues, në mënyrë që brenda gjashtë muajsh ta përfundojmë atë dhe të gjithë të përfitojmë nga ky proces falas. Të mos kemi më pas nevojë as të shpenzojmë më shumë nga taksat e qytetarëve për të ritrokitur dhe as t’i detyrojmë ata që nuk e bënë këtë brenda gjashtë muajsh të paguajnë gjoba. Nuk mundet që ne të paguajmë nga taksat, për të përfshirë në sistemin e adresave qytetarët që nuk duan ta bëjnë këtë gjë falas për gjashtë muaj. Ne do të paguajmë nga taksat, por të gjithë ato para që do dalin me gjasë, për  ata që do jenë të prapambetur, do merren nga arka e familjes së tyre. Nuk mund t’u themi qytetarëve që janë korrekt me ligjin dhe që do të respektojnë këtë proces se ju duhet paguani edhe për disa të tjerë që nuk e respektuan. Jo, për ata nuk do  jetë falas!

Që të mos kemi problem me askënd dhe askush të mos ketë problem me këtë proces të përfitojë nga gjashtë muajt falas dhe t’i japë përgjigje atyre që trokasin për ato të dhëna zyrtare që kërkohen në mënyrë që Shqipëria, gjatë këtij viti të dalë përfundimisht nga “shoqëria e keqe” e atyre vendeve pa shtet, – në Europë jo, po lart e poshtë nëpër botën e tretë – edhe në këtë aspekt të bëhet një vend serioz dhe një shtet normal, që si çdo shtet serioz ka regjistrin e vet unik kombëtar të adresave të shtetaseve të vet.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.