Varfëria në shtëpinë e Vullnet Shabajt, në Postribë të Shkodrës nuk i ka penguar fëmijët e tij që janë në shkollë të jenë me nota të shkëlqyera. Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër kushtet në të cilat jeton kjo familje prej 9 anëtarësh, e cila së shpejti do të ketë një shtëpi të re, të ndërtuar komplet nga e para. “Këto janë dhurata më e madhe që i bëni mamit dhe babit dhe investimi më i madh për veten tuaj. Do bëjmë diçka patjetër! Do e zgjidhim këtë, sepse ti, vëllai, motrat, që jeni nxënës të shkëlqyer nuk thoni, “nuk kam këtë, nuk kam atë, s’kemi ku mësojmë, s’kemi ku flemë, s’kemi çfarë hamë, s’kemi, s’kemi, s’kemi”, kështu që s’po bëjmë asgjë, siç bëjnë ata që kanë edhe që llastohen gjithë ditën dhe që rrinë nëpër kafe me lekët e mamit dhe të babit dhe merren me “Facebook” dhe duan vetëm rrogë në shtet, se nuk shkojnë as të punojnë siç punon Vullneti,” u shpreh Kryeministri Rama. Vajza më e madhe e familjes Shabaj, është e para e klasës, edhe pse i duhet plot 1 orë për të shkuar në shkollë. “Jam në klasë të 10-të. Shkoj në shkollë në këmbë. Është 1 orë larg dhe nëpër shi është shumë e vështirë,” shprehet ajo. Kryeministri theksoi se brenda një kohe shumë të shkurtër ata do të hyjnë në shtëpinë e tyre të re, ndërsa për kryefamiljarin premtoi një punë të stabilizuar. “Do bëjmë një shtëpi siç duhet dhe do ta bëjmë shpejt. Do t’ju çojmë me qira diku. Do ta prishim këtë se kjo nuk riparohet. Është pak ngushtë koha, se mirë do ishte me e kap për vit të ri. Do të gjejmë një mundësi punësimi konstant dhe të bëjmë shtëpinë e re,” u shpreh Kryeministri Rama.
Newsroom
Një shtëpi e re për familjen Shabaj në Postribë të Shkodrës